Marubi “i lëvizshëm”

0
156

Marubi_photograph_Albanian_woman_from_Vrakë Galeria Kombëtare e Kosovës do të jetë nesër bujtësja e ekspozitës së Marubit në rastin e gjashtëvjetorit të Republikës së Kosovës. “Marubi: Objektivi i lëvizshëm i një arkivi”, kuruar nga Luçjan Bedeni dhe Zef Paci, është e organizuar midis dy institucioneve, galerisë së Kosovës në bashkëpunim me Fototekën Kombëtare “Marubi” në Shkodër. Dje, është mbajtur një konferencë e përbashkët ku drejtori i GKK, Erzen Shkololli, tregoi se ekspozita “Marubi: Objektivi i lëvizshëm i një arkivi”, është futur në programin zyrtar të shënimit të gjashtëvjetorit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës dhe se kjo ngjarje madhore do të hapë këtë program. Po ashtu, ekspozita dhe bashkëpunimi në mes të Galerisë Kombëtare të Kosovës dhe Fototekës “Marubi” Shkodër shënon bashkëpunimin e parë si zbatimi i kalendarit të përbashkët kulturor në mes të ministrive të Kulturës të Shqipërisë dhe Kosovës. Shkololli tregoi se të enjten do të mbahet një takim në Tiranë mes drejtorëve të institucioneve kulturore për përpilimin e kalendarit të përbashkët të ngjarjeve kulturore. Shkololli konsideroi këtë ngjarje si historike dhe me shumë rëndësi meqë për herë të parë komunikimet e homologëve nuk do të ndërtohen më vetëm në nivelin individual por do të realizohet në mënyrë të organizuar në asketin e institucioneve. Sa i përket ekspozitës, Shkololli tha se GKK ka pasur një bashkëpunim mjaft të rëndësishëm me Fototekën “Marubi”, respektivisht me drejtorin e fototekës Luçjan Bedeni dhe bashkëkuratorin e ekspozitës Zef Pacin në ndërtimin e një ekspozite me materialin e fototekës, kryesisht me fotografi të cilat nuk janë parë më herët për publikun shqiptar. Ekspozita në vete i ngërthen më shumë se 250 fotografi nga arkivi dhe prezanton autorë të ndryshëm jo vetëm të familjes Marubi por edhe studentë të Fototekës “Marubi”. Projekti për realizimin e ekspozitës ka filluar të realizohet në muajin gusht me vizitën e Shkolollit në Fototekën “Marubi”, kur edhe kanë filluar bisedimet për realizimin e ekspozitës së parë të “Marubit” të organizuar në Kosovë.

Drejtori i Fototekës Kombëtare “Marubi”, Luçjan Bedeni, vazhdoi konferencën dhe foli për historikun e institucionit të cilin ai e drejton. Fototeka Kombëtare “Marubi” ishte një studio e thjeshtë, e cila u themelua nga italiani Pietro Marubbi, i cili arriti në Shkodër në vitin 1855. Marubi në vitin 1856 hapi studion e parë fotografike në Shqipëri të quajtur Foto Studio “Marubi”. Më pas studio do të vazhdonte krijimtarinë nga Mati Kodheli dhe Kel Marubi të cilët ishin dy fëmijë të familjes Kodheli. Në vitin 1907 Studio merr emrin “Dritëshkroja Marubi” dhe udhëhiqet nga Kel Maurbi. Studio do të vazhdoj krijimtarinë deri në fund të viteve 1970 drejtuar më pas nga Gegë Marubi i cili ishte ndër 11 nxënësit e parë të cilët mbaruan Shkollën e Fotografisë së vëllezërve Lumiere në Paris. I gjithë koleksioni i dinastisë Marubi ka 100.000 fotografi, por në vitet 1970, politikat e shtetit të asaj kohe vendosin që të gjithë këtë koleksion ta shtetizojnë dhe ta kalojnë në Muzeun Historik të qytetit të Shkodrës dhe kështu për herë të parë merr formë ky arkiv. Sot, Fototeka Kombëtare “Marubi” ruan rreth 500.000 negativë, që e bëjnë atë një nga arkivat më të pasura jo vetëm të Ballkanit, por edhe të Evropës. Bedeni tregoi se në ekspozitë do të paraqiten fotografët nga familja Marubi; Pietro Marubbi, Kel Marubi, Gegë Marubi si dhe fotografë tjerë po aq të rëndësishëm si Kol Idromeno, Pjetër Rraboshta, Dedë Jakova, Shan Pici dhe Angjelin Nënshati. Bedeni në fund theksoj rëndësinë e kësaj ngjarje kulturore e cila hap edhe bashkëpunimin e parë të kalendarit të përbashkët të aktiviteteve kulturore të Shqipërisë dhe Kosovës.
Bashkëkuratori i ekspozitës, artisti Zef Paci, foli më tej për aktivitetin e studios “Marubi”, duke treguar se mediumi i fotografisë në Shqipëri arriti dhe u zhvillua në të njëjtën kohë me vendet e tjera të Evropës. Fotografët e studios “Marubi” kuptuan se përveç përmbushjes së dëshirës së njerëzve për të pasur një imazh të njëmend dhe asaj të fotografit për të pasur një shpërblim shpirtëror e material, studio mund të shërbente edhe si një vend ku mund të bëhej i mundur kujtimi i gjërave të humbura. Marubët u kujtuan se duke ruajtur negativët mund të ndihmonin kujtesën e njerëzve. Paci tha se në arkivin “Marubi” gjejmë fotografi të çmueshme si në aspektin antropologjik dhe në atë historik duke përfshirë njerëz të shtresave, besimeve, prejardhjeve të ndryshme si dhe ngjarje, ceremoni, gara, festa dhe varrime ku pikërisht mund të hetohet një aspekt i objektivit të lëvizshëm të një ekspozite.

 

Shqipëria në Çmimin Evropian të Letërsisë

Për herë të parë në Shqipëri do të jepet Çmimi Evropian i Letërsisë 2014. Lajmi bëhet i ditur nga Shoqata e Botuesve Shqiptarë, të cilët sot mbajnë një konferencë për shtyp në Qendrën e Informimit Evropian të BE-së. Në këtë mënyrë autorët shqiptarë do të kenë mundësinë të konkurrojnë për të fituar Çmimin Evropian të Letërsisë shqiptare.
Shoqata e Botuesve Shqiptarë është përzgjedhur nga Komisioni Evropian për koordinimin dhe dhënien e këtij çmimi për vendin tonë. Gjithashtu, gjatë konferencës do të njoftohet edhe për hapjen e projektit “Creative Europe”, projekt i Bashkimit Evropian për vitin 2014-2020, nëpërmjet programit “Culture”, edhe për Shqipërinë.