Gëzim Saliu
Konsultimet me shoqatat e vendorëve. Çuçi: Proces sipas praktikave më të mira evropiane
Reforma parashikon që nga 385 njësi vendore të reduktohen në rreth 80 të tilla
Për reformën administrative territoriale është i domosdoshëm konsensusi dhe gjithëpërfshirja. Kështu bënë të ditur dje përfaqësuesit e shteteve që do t’i japin vulën kësaj reforme nga ana financiare, deklaratë e cila frenon qëndrimet e deritanishme të mazhorancës për përdorimin e kartonëve në Kuvend e në njëfarë mënyre është në unison me pretendimet e opozitës për një proces me garanci konsensusi deri në fund dhe përfshirjen e të gjitha grupeve të interesuara në këtë reformë. Pjesëmarrëse në tryezën e organizuar nga qeveria me shoqatat e bashkive, përfaqësuesja e Ambasadës Suedeze, Lisa Frederiksson, shtet i cili do të jetë një ndër tre kontributorët kryesorë financiarë për reformën territoriale, theksoi se ky proces duhet të ketë gjithëpërfshirje, pasi është në të mirë të qytetarëve. “Ne po e mbështesim Shqipërinë nga ana financiare, por duhet që të arrihet dialog edhe nga ana politike po e theksoj këtë, edhe pse është një çështje e brendshme e vendit tuaj. Kjo reformë duhet të ketë gjithëpërfshirje në mënyrë që të sjellë efekte pozitive për qytetarët”, – tha ajo.
Tryeza
Në tryezën e rrumbullakët “Reforma administrativo territoriale – sfidat e procesit”, ekspertët ndërkombëtarë, vendet e të cilëve edhe po financojnë reformën, sollën shembullin se si kjo është realizuar në vendet e tyre. “Kur ne e nisem këtë reformë, nuk kishim 100 për qind konsensus polik, kishim një mazhorancë të brishtë në favor të reformës, por edhe pjesa më e madhe e drejtuesve lokale nuk ishin dakord, pasi njëri nga efektet e reformës ishte se ata humbisnin vendin e punës, por ata kuptuan se është më mirë të jetë pjesë e një njësie të fortë lokale që u shërben atyre, sesa pjesë e njësive pa fuqi reale”, – tha ish-sekretari suedez i Shtetit, Lars Ericsson. Ndërkohë, ministri për Çështjet Vendore, Bledi Çuçi, theksoi dje se duhet bashkëpunim i palëve në këtë reformë. “Të bëjmë një proces sipas kërkesave kushtetuese e ligjore dhe praktikave më të mira evropiane. Donatorët kryesorë që asistojnë në vendin tonë për reformën e decentralizimit na kanë dhënë mbështetjen e plotë. Ne duam të bëjmë një reformë t’i shërbejë zhvillimit të Shqipërisë, dhe jo interesave të ngushta politike. Gjithsecili nga ne të kontribuojë që Shqipëria të ketë modelin më të mirë administrativ territorial që i përgjigjet dhe do t’i përgjigjet zhvillimit të Shqipërisë të paktën për 50 vitet e ardhshme”, – tha Çuçi. Ndërsa kryetari i Shoqatës për Autonomi Vendore, njëkohësisht kreu i Bashkisë së Pogradecit, Artan Shkëmbi, u shpreh se shumë njësi vendore aktualisht janë në vështirësi mbijetese, prandaj duhet reformim. “Reforma administrative duhet të jetë bashkim pjesësh që krijon një mekanizëm të gjallë, një mekanizëm që lëviz. Kjo do të mund të realizohej duke bashkuar komunat me bashkitë, që do të mund të ofronin standarde normale për njësinë e re dhe që do mund të shërbenin si lokomotiva zhvillimi edhe për pjesët e tjera që u shtohen këtyre njësive”, – theksoi Shkëmbi. Reforma administrative territoriale parashikon që nga 385 njësi vendore të reduktohen paraprakisht në rreth 80 të tilla. Pasi u ngrit komisioni parlamentar për këtë reformë me vetëm votat e mazhorancës, opozita ka bërë të ditur se për të marrë pjesë në të duhet më parë që të garantohet konsensusi deri në fund të procesit si edhe rikthimi i tij në disa reforma të rëndësishme të votuara në bazë të bashkëpunimit mes palëve.
Dreka në Bllok
Negociatat pa kamera për reformat, Rama dhe Meta, dy orë takim me Idrizin
Pas deklaratës se forca që ai drejton do të shërbejë si ndërmjetësuese mes mazhorancës dhe opozitës për bashkëpunimin për reformat, kreu i PDIU-së ka zhvilluar dje një takim me Kryeministrin Rama. Në takimin informal të zhvilluar në zonën e ish-Bllokut në vilën qeveritar numër 31, ku mësohet se pjesë e tij ka qenë edhe Kryeparlamentari Ilir Meta, në qendër të diskutimit mes bashkëbiseduesve ka qenë çështja e ndarjes së re territoriale si edhe negociatat mes palëve për reformat parësore për vendin. Për më shumë se 1 orë e 30 minuta, në takimin e nisur rreth orës 14:30 të mesditës, mësohet se palët kanë diskutuar mundësitë e ecurisë së reformës territoriale, ku nuk përjashtohet edhe pjesëmarrja e PDIU-së në proces, gjë që do t’i kthente vlefshmërinë komisionit parlamentar të ngritur për këtë çështje pak kohë më parë vetëm me votat e mazhorancës. Vetëm dy ditë më parë, në një takim me ambasadorin amerikan Alexander Arvizu, Idrizi tha se PDIU do të jetë katalizatore që mazhoranca dhe opozita të ulen për ligjin e nëpunësit civil dhe reformën territoriale. “Garantova ambasadorin Arvizu për rolin konstruktiv të PDIU-së për një axhendë të qartë reformash. PDIU do t’i nxitë palët që të ulen për ligjin e statusit të nëpunësit civil, pasi Gjykata Kushtetuese rrëzoi aktin normativ të qeverisë të miratuar në Kuvend, si dhe për kryerjen e reformës administrative dhe territoriale, pasi Partia Demokratike nuk merr pjesë në komisionin kuvendor”, – ka deklaruar kreu i PDIU-së. Ndërkohë, opozita ka bërë të qartë se pa u garantuar më parë konsensusi deri në fund të procesit, gjithëpërfshirja si element dhe rikthimi i besimit mes palëve i thyer me shkeljen e një sërë reformash të votuara me bashkëpunim mes palëve nuk mund të bëhet pjesë e Komisionit për reformën administrative. Në këtë kontekst, mbetet për t’u parë qëndrimi i PD-së dhe aleatëve të saj ndaj mundësisë së bashkëpunimit mes PDIU-së dhe mazhorancës, parti e cila aktualisht është pjesë e opozitës.
Qëndrimi i LSI-së
Vasili: S’ka nevojë për plane B apo C, duhet pjesëmarrja e opozitës
Kryetari i grupit parlamentar të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili, theksoi se reforma administrative territoriale ka nevojë për pjesëmarrjen e opozitës. I pyetur në intervistën për “Top Channel” se nëse ka një alternativë B, në rast se nuk do të ndryshojë qëndrimi i Partisë Demokratike, Vasili tha: “Nuk kemi pse të paragjykojmë skenarë B apo C për këtë çështje, por më mirë të shpenzojmë të gjitha energjitë tona që ky komision apo ky mekanizëm legjislativ të funksionojë sa më plotë në të mirë të të gjithëve, sepse do të ndërtohet një e mirë e një shteti më funksionues, më modern në të mirë të të gjithë shqiptarëve, të majtë dhe të djathtë dhe është mirë t’i shërbejmë fort e mirë këtij skenari A, i cili është një skenar pozitivist që na bën mirë të gjithëve”. Në këtë kontekst, deputeti i LSI-së bëri të ditur se, sipas tij, PD do të reflektojë dhe do të marrë pjesë në reformën administrative territoriale. “Unë nuk mendoj që PD-ja do të veprojë kundër interesave të shqiptarëve, pse jo, edhe kundër interesave të vetes së saj, sepse në fund të fundit PD-ja ka qenë një forcë politike që ka drejtuar vendin dhe ka sigurisht përgjegjshmërinë e duhur për të ndarë mirë atë që është reagimi politik i fortë taktik edhe emocional i një momenti nga ai që është veprimi afatgjatë politik”.