Gëzim Saliu
Kanalizimet, qeveria vendos shpronësimin e banorëve të Tiranës së Madhe, sa do të jetë vlera
Qeveria vendos kalimin e 25 mijë ha tokë Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave për fondin e kompensimit fizik të pronarëve. Në mbledhjen e djeshme të Këshillit të Ministrave u miratua vendimi për identifikimin e sipërfaqes së tokës prej 25 mijë ha, në pronësi shtetërore, dhënë në përdorim njësive të qeverisjes vendore, e cila do të kalojë në fondin e kompensimit fizik, në dispozicion të AKKP-së. “Këshilli i Ministrave vendosi që në fondin e kompensimit fizik, në dispozicion të Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, do të kalojë një sipërfaqe toke prej 25.000 (njëzet e pesë mijë) ha, në pronësi shtetërore, dhënë në përdorim njësive të qeverisjes vendore. Për zbatimin e këtij vendimi ngarkohen Agjencia e Inventarizimit dhe Transferimit të Pronës, drejtoritë e administrimit dhe mbrojtjes së tokës, pranë këshillave të qarqeve, Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave dhe Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme të identifikojnë dhe të vlerësojnë sipërfaqen e tokës, e cila do të kalojë në fondin e kompensimit fizik, në dispozicion të Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave”, – thuhej në vendimin e qeverisë. Ndërkohë lista për sipërfaqen e tokës në përdorim të njësive të qeverisjes vendore, që do të kalojë në fondin e kompensimit fizik, në dispozicion të Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, duhet t’i paraqitet për miratim Këshillit të Ministrave pas përfundimit të saj. Vetëm pak kohë më parë, qeveria dhe ish-pronarët u përfshinë në një konflikt mes tyre për shkak të vendimit të Këshillit të Ministrave, i cili i mori Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave 18 mijë hektarë tokë që ishin për kompensimin fizik të kësaj shtrese.
Shpronësimi
Një tjetër vendim i marrë dje në mbledhjen e Këshillit të Ministrave ishte ai për shpronësimin për interes publik të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronave private që preken nga ndërtimi i projektit “Përmirësimi i sistemit të kanalizimeve të Tiranës së Madhe”. “Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga ndërtimi i projektit “Përmirësimi i sistemit të kanalizimit të Tiranës së Madhe”; shpronësimi bëhet në favor të Drejtorisë së Përgjithshme të Ujësjellës-Kanalizimeve; Pronarët e pasurive të paluajtshme, që shpronësohen, të kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës së kompensimit përkatës, që paraqitet në tabelën bashkëlidhur këtij vendimi, për tokë bujqësore me sipërfaqe 148 971 (njëqind e dyzet e tetë mijë e nëntëqind e shtatëdhjetë e një) m2, vlerësuar me çmimin konfirmuar nga AKKP-ja prej 448 (katërqind e dyzet e tetë) lekë/m2, me vlerë të përgjithshme shpronësimi prej 66 739 008 (gjashtëdhjetë e gjashtë milionë e shtatëqind e tridhjetë e nëntë mijë e tetë) lekësh. Shpenzimet procedurale, në vlerën 1 240 000 (një milion e dyqind e dyzet mijë) lekë, të përballohen nga Drejtoria e Përgjithshme e Ujësjellës-Kanalizimeve”, thuhej në vendimin e qeverisë. Më tej në të bëhej e ditur se vlera totale e shpronësimit, prej 66 739 008 (gjashtëdhjetë e gjashtë milionë e shtatëqind e tridhjetë e nëntë mijë e tetë) lekësh, të përballohet nga buxheti i vitit 2014 për Drejtorinë e Përgjithshme të Ujësjellës-Kanalizimeve. Ndërkohë në vendim theksohej se pronarët e pasurive për të cilat është bërë shënimi “Konfirmuar nga ZVRPP-ja”, të likuidohen, për efekt shpronësimi, në bazë të dokumentacionit të plotë të pronësisë (certifikatë, hartë kadastrale dhe kartelë të rifreskuar), që do të dorëzojnë pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Ujësjellës-Kanalizimeve. “Brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e miratimit të këtij vendimi, Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, Tiranë, në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Ujësjellës-Kanalizimeve, të fillojnë procedurat për hedhjen e trupit të rrugës në hartat kadastrale, sipas planimetrisë së shpronësimit që do t’i vihet në dispozicion nga Drejtoria e Përgjithshme e Ujësjellës-Kanalizimeve dhe, me fillimin e procesit të likuidimit, të fillojë edhe procesi i kalimit të pronësisë, për pasuritë e shpronësuara, në favor të shtetit”.
Statusi kandidat
Përafrim i legjislacionit shqiptar me BE-në. Liberalizim i tregut të punës nga Mitrovica në Gjirokastër
Në pritje të vendimit të qershorit, qeveria shqiptare ka miratuar një sërë vendimesh që e afrojnë Shqipërinë me statusin e kandidatit dhe me çeljen e negociatave. Ministrja e Integrimit Evropian, Klajda Gjosha, dhe ministri i Mirëqenies Sociale, Erion Veliaj, bënë me dije dje miratimin e 17 projektvendimeve nga Këshilli i Ministrave, që shënojnë plotësimin e detyrimeve që Shqipëria ka ndaj BE-së për tregun e punës. Vendimet ndihmojnë edhe lëvizjen e lirë të shtetasve të huaj që kanë dëshirë të vijnë të punojnë në Shqipëri dhe nxisin edhe krijimin e më shumë vendeve të reja të punës. “Dua të theksoj se këto 17 marrëveshje janë një pararendje e liberalizimit të tregut të punës, që ne synojmë ta bëjmë edhe me vende të tjera, sidomos me Kosovën, pas mbledhjes së Prizrenit. Duke filluar nga ky muaj, ne do të kemi një seri reformash legjislative në tregun e punës, çka do të thotë, që ne do të liberalizojmë tregun e punës nga Mitrovica në Gjirokastër”, – tha Veliaj. Ndërkohë, ministrja e Integrimit, Klajda Gjosha, theksoi se me këto vendime synohet në radhë të parë hapja e vendeve të reja të punës. “Sigurisht, për të gjithë ata persona të shkolluar dhe që duan të vijnë dhe të investojnë në Shqipëri, pra për të hapur bizneset e tyre apo kompanitë e tyre përkatëse, sepse në radhë të parë dhe në mënyrë direkte, kjo ka të bëjë me hapjen e vendeve të reja të punës”, – tha ajo.
Vizita
Në 20 shkurt vjen në Tiranë zv.kryeministri grek Venizelos
Ambasadori grek në Tiranë, Leonidas C. Rokanas, bëri të ditur dje se zv.kryeministri dhe ministri i Jashtëm grek, Evangelos Venizelos, do të vizitojë në 20 shkurt Tiranën. Gjatë punimeve të një seminari në Ministrinë e Jashtme për perspektivat evropiane të Shqipërisë, ambasadori Rokanas, vendi i të cilit kryeson Presidencën e BE-së, tha se në procesin e integrimit detyra kryesore u takon institucioneve shqiptare dhe BE është e gatshme të ndihmojë. “Pas vendimit në dhjetor kam dëgjuar nota pesimiste tek ju, por duhet të jete e kundërta. Ju keni ecur shumë që prej viteve ‘90, keni arritur shumë që prej atëherë dhe ndryshime të mëdha kanë ndodhur në vendin tuaj. Shpresoj se nëse keni bërë gjithë këto jam i bindur se mund të bëni dhe ato që duhen për të hyrë në BE, gjithçka varet nga ju”, – theksoi ambasadori grek. Në këtë kontekst, kryediplomati grek në vend tha: “Kur kishim Presidencën promovuam zgjerimin prej 10 vendesh, që ishte zgjerimi më i madh në BE. Kjo u quajt Axhenda e Selanikut dhe erdhi pasi deri në atë periudhë vendet e Ballkanit nuk ishin në itinerarin evropian, kishte njerëz që mendonin se vendet e Ballkanit s’kishin interes për BE-në. Së dyti ishte liberalizimi i vizave që erdhi prej Axhendës së Selanikut. Sot po përpiqemi së bashku me Presidencën italiane që zgjerimi të vijë, duke monitoruar ecurinë e vendeve që duan të bëhen pjesë e BE-së”.