Nëse s’është propagandë politike për shkrimtarët?!

0
181

Për herë të parë në Shqipëri do të jepet Çmimi Evropian i Letërsisë 2014, që shënon edhe hapjen e projektit “Creative Europe”. Autorët shqiptarë do të kenë mundësinë të konkurrojnë për të fituar Çmimin Evropian të Letërsisë, duke mos imagjinuar juri të huaja, por sërish shqiptare me garancinë e kreut të Shoqatës së Botuesve se menaxhimi i procesit do të jetë: i ndershëm! Në të kundërt, emra të anatemuar politikë si Diana Çuli do të kompromentojnë edhe këtë mundësi financiare për shkrimtarët

 

 

libri_1Përfaqësuesi i Bashkimit Evropian në Tiranë, Ettore Sequi, tha dje se 400 milionë euro janë ndarë nga BE-ja për programet kulturore. Kjo është konsideruar si një nga investimet më të mëdha për kulturën. Se çfarë ka ndikuar në përfshirjen edhe të Shqipërisë në nënprogramet e këtij projekti financiar që jepen nga BE-ja, realitet është politika. Program i Bashkimit Evropian për sektorin krijues dhe të kulturës ose Evropa krijuese duket më e arsyeshme për ta konsideruar lëvizje, ku pjesëmarrëse është propozuar së fundi edhe Shqipëria, por në nënprogramet e saj, krah fqinjëve, si e drejtë politike e paraprirë prej procesit të marrjes së statusit.

Për artistët, botuesit, organizatat kulturore etj. ka një këmbanë konkrete tani, kur deri dje shihnin si të vetmin burim financiar Ministrinë e Kulturës. Në këtë kuadër, për herë të parë përfshihet edhe letërsia shqiptare në Çmimet Evropiane të Letërsisë 2014.

Ky çmim është nismë prej 2009-ës dhe ka për qëllim të prezantojë në një market më të madh se kufijtë shtetërorë, si diversitetin e gjuhëve, ashtu dhe letërsinë, autorët. “Kjo është një mundësi e mirë”, – tha Sequi. Dje, në takimin për prezantimin e Çmimit Evropian të Letërsisë 2014, i pranishëm Sequi dhe Shoqata e Botuesve kanë sqaruar se kjo nismë percepton talentet e rinj në letërsi, autorë pavarësisht nga mosha, që botojnë për herë të parë ose kanë prurje të re në letërsi.

Secili shtet nxjerr një autor fitues për ta hedhur në tregun e madh evropian të letërsisë. Kështu, edhe Shqipëria do të përcaktojë një vetëfitues, pasi procedurat do të jenë krejt të brendshme, nga vetë shqiptarët.

Nuk lëshohet fjala: cilësi, si princip themelor i Çmimit. Kontributi i kulturës, si për çdo shtet, vlerësohet tani si pararendëse e proceseve politike të Shqipërisë në Evropë.

Kryetari i Shoqatës së Botuesve, Petrit Ymeraj, ka dhënë orientimet për praktikat që do të ndjekin në përcaktimin e autorit fitues për Shqipërinë. Ymeraj nuk ndan edhe në këtë rast problematikën në Shqipëri mbi piraterinë e të tjera, ndërsa ka ndalur aty ku mprehtësia e letërsisë ndalet, tek paratë dhe publiciteti. “Komuniteti ynë ka nevojë për mbështetje, si dhe ndihmesë të madhe në shkëmbimin e ideve”. Për Ymerajn hapja e këtij programi edhe me përfshirjen e Shqipërisë në Çmimet Evropiane të Letërsisë është “një lajm shumë i mirë”.

Botuesit janë njohur me këtë proces, duke e konsideruar kreu i SHBSH-së jo vetëm si çështje biznesi për librin, por edhe për lexuesin, për të pasur botime cilësore referuar për këtë buxhetit të lartë vënë në dispozicion nga BE-ja. Në Çmimin Evropian të Letërsisë deri tani janë 37 vende dhe prej secilit del një vepër e autorit fitues. Sipas procedurës, Ymeraj ka treguar se në vitin 2017 i vjen radha vendit tonë për dhënien e çmimit. Si procedurë për të nxjerrë veprën më të mirë në Shqipëri ka nisur prej një muaji. Ndërsa lider për këtë çmim është Federata Evropiane e Letërsisë, në Shqipëri organizimi i është besuar Shoqatës së Botuesve deri në përcaktimin e një autori shqiptar. Për këtë është ngritur një juri, për ta menaxhuar procesin, e prezantuar dje nga Ymeraj me: Diana Çulin, me kriter si aktiviste e njohur e shoqërisë, Marjana Misha drejtore e rrjetit të librarisë “Adrion”, Moikom Zeqo, si shkrimtar, Bujar Hudhri nga botuesit më të rëndësishëm në vend dhe vetë kreu i SHBSH, Petrit Ymeraj. Si duket s’ka pasur ndonjë kriter për jurinë, por qartë anëtarët janë politikë. Kështu, mund të dyshohet edhe për çmimin shqiptar, si çdo herë. Nëse ky nuk i jepet, fjala vjen, Ben Blushit, i vetmi politikan si shkrimtar dje në zyrat e Qendrës së Informimit të BE-së.

Ymeraj ka garantuar në këtë proces: ndershmëri. Sa mund të konsiderohet kjo, kreu i botuesve ka sqaruar se do të bashkëpunojë me botuesit dhe autorët vetë për të paraqitur veprën. Përzgjedhja do të bëhet çdo muaj. Vetëm në këtë rast, e fundit për nga mendimi, Ymeraj ka përmendur kritikën. Një hallkë zero në gjuhën e mendimit mbi vlerësimin praktik të letërsisë ose dallimit të zërit.

Fituesit e 13 vendeve do të shpallen në Panairin e Librit në Frankfurt në tetor dhe ceremonia zyrtare është më 18 nëntor, vendosur në Bruksel. Shkrimtarët shqiptarë janë të etur për njohje jashtë kufijve. Më shumë se vlerësimi monetar merr vlerë rekomandimi i shtëpive botuese të huaja. Kështu tregojnë përvojat e mëparshme, se si një shkrimtar maqedonas u përkthye në 15 gjuhë pas çmimit! Kjo bëhet shumë tunduese për shkrimtarët shqiptarë, nëse do të munden të kapërcejnë kufijtë lokalë të gjykimit! Politika bëhet më e rrezikshme përherë, sidomos edhe për fatet e shkrimtarit në Shqipëri!

V. Murati