Analfabetizmi, kjo barrë e rëndë e shoqërisë kosovare

0
220

 Mr. Sc. Faton Krasniqi

 

analfabAnalfabetizmin nuk ka peshore që e mat, por që janë mjetet e tjera të cilat flasin për shifra relativisht të sakta e që janë: anketat, hulumtimet, intervistat, gjendja në teren, që na bëjnë të besojmë se analfabetizmi i ka lëshuar rrënjët thellë në “shoqërinë patriotike intelektuale kosovare”. Analfabetizmi në Kosovë është bërë një fakt që pranohet nga gjithë shoqëria kosovare, mjerisht. Shkaqet e analfabetizmit në Kosovë janë të shumta, si: faktorët socio-ekonomik, familjar, shkollore-braktisja e shkollimit fillor etj. Braktisja e shkollës është një dukuri ku ndërthuren shumë shkaqe, si: historike, politike, kulturore, ekonomike, sociale, psikologjike. Por, numri i atyre që po braktisin shkollimin e ulët është shqetësues për shoqërinë tonë. Shumica e prindërve të atyre fëmijëve që po braktisin shkollimin fillor në Kosovë janë të papunësuar dhe kryesisht prindërit e tyre kanë probleme shëndetësore apo kanë edhe nivel të ulët arsimor. Komunat e Kosovës ende nuk ndonjë plan konkret apo ende nuk janë konsoliduar mirë sa për të hartuar strategji zhvillimi, jo vetëm për fushën e arsimit, por edhe për fusha të tjera jetike për komunitetin, me kohë do të duhej që nga thirrjet sintagmatike të kalohej në pragmatizëm konkret. Braktisja e shkollës në Kosovë është ndër më të lartat jo vetëm në Ballkan, por edhe në Evropë. Ministria e Arsimit dhe drejtoritë në nivele komunale do të duhej të kenë plane: afatshkurtra, afatmesme dhe afatgjata, për ta trajtuar dhe për t`u marrë me këtë problem serioz. Drejtoritë e shkollave përpos që do të bënin raportimet tek drejtoritë e Arsimit në nivele komunash, do të duhej që t`i bënin publike edhe para qytetarëve numrin e nxënësve që po braktisin shkollimin, por gjithsesi edhe shkaqet se për se po e braktisin; ky do të ishte informim i mirëseardhur sensibilizues për shoqërinë. Drejtori i shkollës, kujdestari apo mësuesi i nxënësit duhet të mbajnë barrën kryesore, ai pas familjes është më kryesori në këtë zinxhir, llogaridhënia duhet të kërkohet nga ta, duhet interesim, vëzhgim dhe masa sensibilizuese për të trajtuar këtë problem kronik arsimor. Por kemi edhe një problem tjetër arsimor, në shkollat fillore nëpër fshatrat e Kosovës 60% e mësuesve janë pa arsim përkatës, mungesa e kualifikimit dhe e profesionalizmit i bën ata që t`i kushtojnë shumë kohë përgatitjes për mësim se sa punës edukative me nxënësit e klasës. Në Kosovë pas përfundimit të luftës në vitin 1999, kanë vepruar shumë OJQ që kanë ushtruar veprimtaritë, në një mënyrë ose në një tjetër, problemin e braktisjes së nxënësve nga shkolla. Shkollat e para të gjuhës shqipe në trojet shqiptare datojnë që herët, si: shkolla e parë në gjuhën shqipe në Kosovë u hap në fshatin Stubëll të Vitisë në vitin 1584 ku vazhdoi aktivitetin deri në vitin 1905, mësues të parë kishin Gjon Shkodranin dhe Dhërmiun; shkolla në Velë të Mirditës 1632; në Kurbin 1632; në Pdhanë (Pllanë) 1638; në Shkodër 1698; dhe krejt vonë kemi shkollën “e parë” shqipe të Korçës të vitit 1887. Këto shkolla kryesisht ishin shkolla ku mësonin shkrim-leximin në manastire katolike priftërinjtë shqiptarë, ata mësonin shkrim-leximin dhe gjuhët latine-italiane, kurse në mejtepe mësohej shkrim-lexim dhe gjuhët osmanisht-arabisht, por prapë mbetëm analfabetë. Një shembull për analfabetizmin ndër shqiptarë është viti 1878 në kohën e Lidhjes Shqiptare, krerët e Lidhjes nuk dinin gjuhët e Evropës Perëndimore, nuk dinin as anglisht, frëngjisht, gjermanisht, ata u vonuan për ta shkruar letrën dhe kërkesat e tyre drejtuar Kongresit të Berlinit në vitin 1878, kurse atje në Berlin na përfaqësonin pashallarët e Stambollit si Kara Thedhor Pasha dhe Mehmet Ali Pasha. Në atë krerët e Lidhjes dinin osmanisht, persisht, arabisht, aty-këtu ndonjë italisht, pra analfabetizmi në atë kohë ishte 99% në mbarë shqiptarinë, jo vetëm në Kosovë. Në vitin 1912, në kohë e shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, analfabetizmi ishte 96%. Në vitet e Mbretërisë së mbretit Zog I, fillon të punohet në zhdukjen e analfabetizmit, në kohën e tij, pra vitet 1920, `30 vijnë edhe mësuesit, librat e parë në gjuhën shqipe, ku fillojnë të hapen edhe disa shkolla ku mësohej shkrim-leximi i gjuhës shqipe në Kosovë. Mbas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore (1945) dhe mbetjes së Kosovës nën Jugosllavi fillojnë të hapen shkollat në gjuhën shqipe nëpër qytetet dhe fshatrat e Kosovës, në këtë periudhë kohore analfabetizmi në Kosovë ishte 85%. Por, sot në vitin 2014 në shekullin XXI, ku kemi aq shumë liri, aq shumë kolegje dhe universitete private, universitete publike në qendrat më të mëdha të Republikës së Kosovës, në epokën e hovit madhor të internetit analfabetizmi i “shoqërisë patriotike intelektuale kosovare” është më i madhi jo vetëm në Ballkan, por edhe në Evropë. Analfabetë sot kemi në të gjitha fushat e shoqërisë sonë, kemi në: kolegje, universitete, çerdhe, shkolla fillore të mesme dhe teknike, kemi në administratat komunale, kuvendet komunale, por edhe në Parlament. Sot, kemi intelektualë analfabetë me nga dy-tri diploma në xhep, por prapë jemi analfabetë. Jemi vendi më ideal kur prodhojmë me diploma në duar puro analfabetë!