ARKIVI MINISTRISË SË BRENDSHME Telegrami i panjohur/ Mehmet Shehut për Enver Hoxhën: Si të pushkatohen 22 kryengritësit e Bërdicës

0
207

Veli Haklaj

Partisans_in_Tirana (1)Në krye të operacionit për shtypjen e lëvizjeve kundërkomuniste në Veri ishte vetë Mehmet Shehu. Nga dokumentet arkivore rezulton se ai mbante një komunikim të vazhdueshëm me Komandantin e Përgjithshëm, Enver Hoxhën, duke e informuar për situatën dhe për të marrë miratimin e tij për veprimet e mëtejshme

 

 

Në vijim, për lexuesit e gazetës “Standard”, telegrami urgjent që Mehmet Shehu i dërgon Enver Hoxhës për shtypjen e lëvizjes kundërkomuniste në Veri. Në krye të këtij operacioni ishte vetë Mehmet Shehu. Në dy numra të javës së shkuar, u paraqit organizimi, zhvillimi dhe shtypja e kryengritjes së grupit luftarak të Ded Shabanit; hetimi, gjykimi dhe fati i protagonistëve kryesorë, sipas dokumenteve që ndodhen në dosjet përkatëse të Fondit hetimor-gjyqësor, në Arkivin e Sistemit të Ministrisë së Brendshme. Për organizatorin dhe drejtuesin kryesor të kryengritjes, Ded Shabanin, u krye një hetim, gjykim dhe ekzekutim i menjëhershëm, duke shkelur dhe procedurat e parashikuara nga legjislacioni i regjimit komunist, tashmë i instaluar në Shqipëri. Më pas, u zhvilluan proceset hetimore-gjyqësore ndaj grupeve të tjera të pjesëmarrësve në kryengritjen kundërkomuniste nga fshatrat Mali Kolaj, Bërdicë etj. Më poshtë japim të plotë telegramin që dëshmon dënimin dhe pushkatimin e kryengritësve të parë antikomunistë të aprovuar nga Enver Hoxha, e dënuar nga Shehu.

 

***

 

Mehmet Shehu dënonte, Enver Hoxha miratonte

Në krye të operacionit për shtypjen e lëvizjeve kundërkomuniste në Veri ishte vetë Mehmet Shehu. Nga dokumentet arkivore rezulton se ai mbante një komunikim të vazhdueshëm me Komandantin e Përgjithshëm, Enver Hoxhën, duke e informuar për situatën dhe për të marrë miratimin e tij për veprimet e mëtejshme. Në vijim, po japim telegramin e datës 9 shkurt 1945, ku duket qartë se vendimet për dënimet me vdekje apo burgime nuk i merrte trupi gjykues (sipas ligjit komunist në fuqi), por Mehmet Shehu dhe i miratonte Enver Hoxha.

 

Telegrami i Mehmet Shehut

Tepër Urgjent

Nr. ekstra, datë 9.II.1945

Komandantit të Përgjithshëm

Gjeneral Kol. Enver Hoxhës

Nga shqyrtimi i proceseve të 21 të dënuarve me vdekje propozoj të pushkatohen këta 12 veta: Xhemal Mëlika nga Leshi, bashkëpunëtor i Ded Shabanit e bazë kryesore të reaksionarëve; Hider Dulin, Shaban Danin, Taip Halilin, Martin Rokun nga Bërdica, bashkëpunëtorë të ngushtë të Hasan Isufit; Mark Nikollë Alaj, Kol Lesh Lekën e Gjok Tom Kokaj nga Ivanaj, sulmues të Koplikut; Palok Ucin, Gjon Markun, Nikoll Keçin e Nikoll Baçin nga Mali Kolaj, bazë e bashkëpunëtorë të Ded Shabanit.

Për Llesh Zefin nga Grykë e Manatisë Leshit, sabotator, disfatist, kollon e pestë propozoj 15 vjet burg. Për Nikoll Ramën, Zef Tolën, Kol Gjetën, Gjok Gjonin e Kol Marashin nga Mali Kolaj, që i janë përgjigjë thirrjes së Ded Shabanit për të sulmuar Lezhën, por që s’janë fajtorë kryesorë por vetëm popull i gënjyer, propozoj dënimin e tyre me 30 vjet burg. Për Marl Luç Gjonin, Tom Lek Dakën e Gjon Nikollë Vocin nga Vukpalaj, tue qenë se nuk është faktuar akoma akuza e tyre e proceset duhet rishqyrtuar, propozoj pezullimin e ekzekutimit të tyre e rishqyrtimin e proceseve nga gjyqi. Gjyqi dënoj me burg këta 29 veta: Jak Lushin, Rrok Gjushin e Gjon Pjetrin, këshilltarë të Beltojës që kanë pasë diejni për veprimet e Hasan Isufit, me 30 vjet burgim; Geg Enjëllin, këshilltar i Beltojës, me 15 vjet; Shyqri Bushatin, Shefki Bushatin, Myfit Bushatin, nga Shkodra e strehues të Sulçe Begut, me 30 vjet burgim; Lal Metin e Kol Markun, këshilltarë të Trushit që kanë pasë lidhje me Hasan Isufin, me 30 vjet burgim; Dan Velin, Shaban Dinin, Martin Lorjan, Faik Lanin e Kin Shukun, këshilltarë të Bërdicës që kanë pasë lidhje me Hasan Isufin, me 30 vjet burgim; Gjeto Tolin, Prek Kolën, Gjokë Gjinin e Tom Zefin, nga Mali Kolaj, bashkëpunëtorë me armë me Ded Shabanin, me 30 vjet burg; Kol Gjokën nga Ivanaj, bashkëpunëtorë me Gjon Martinin, me 20 vjet burg; Zef Gjonin nga Ivanaj me 15 vjet; Ujk Shitin nga Ivanaj me 10 vjet; Met Shytin nga Ivanaj me 5 vjet; Dan Salën, Tom Markun, Rrok Pashukun, Idris Canin, Ali Mustafan e Emin Beqirin, këshilltarë të Melgushit, që kanë pasë lidhje me Ded Shabanin, por nuk i janë përgjigjë thirrjes së tij, me 1 (një) vit burg.

Për mungësa faktesh liruam 37 (tridhjetë e shtatë). Gjyqi vazhdon dhe mund të dënohen me vdekje rreth 20 veta të tjerë. Presim urgjentisht aprovimin për ekzekutim të vendimeve.

 

Mehmeti

Nr. 9, 10 fruer 1945

 

Aprovimi i Enver Hoxhës

Radiogram Urgjent

Korpusit III-të

Gjegje radiogramit nr. extra, datë 9 fruer 1945.

Aprovohen ndëshkimet me vdekje të 12 vetëve dhe ndëshkimi i të tjerëve me dënime të ndryshme propozue me të sipërmin. Na njoftoni datën e ekzekutimit.

Enver Hoxha

(firma)

Tiranë, më 10 fruer 1945

Nr. 35 regj, 1945

 

Gjykimi në Gjykatën e Naltë Ushtarake

Tetëmbëdhjetë ditë pas aprovimit të Enver Hoxhës për dënimin e tyre me vdekje, me komunikatën nr. 35, datë 28 shkurt 1945, Prokuroria e Gjykatës së Naltë Ushtarake ia përcjell çështjen për gjykim Gjykatës së Naltë Ushtarake me mejtimin që akt-gjykimi nr. 15, datë 31 janar 1945, i Gjykatës Ushtarake të Korparmatës III, Shkodër, të aprovohet.

Në vendimin nr. 35 të Gjykatës së Naltë Ushtarake shpallur në Tiranë, më 28 shkurt 1945, gjejmë:

Gjykata e Naltë Ushtarake e formueme prej Gaqo Floqit, Kryetar, dhe Frederik Nosi e Veledin Zejneli, anëtar, në prezencën e Prokurorit pranë kësaj Gjykate, major Myftar Tares, dhe me asistencen e sekretarit, Jani Thoma, mbasi shqyrtoi proceset e para mbi pyetjet e të pandehurve nga ana e autoriteteve kompetente; mbasi shqyrtoi procesin e rrjedhjes së gjykimit si dhe gjithë aktet e tjera që ndodhen në dosje; mbasi mori mejtimin e prokurorit, i cili kërkonte të vendosej aprovimi i këtij vendimi si i ligjshëm dhe i rregullshëm; mbasi bisedoi çështjen nga pikëpamja e faktit dhe e së drejtës, do observonte:

Në fakte: Haxhi Ahmeti, Lush Paloka, Veli Sala, Hidër Duli, Shaban Dini, Taip Halili e Martin Roku, më datë 20 janar 1945, kanë shkuar në katundin Beltojë e janë takuar me kriminelët e luftës dhe armiqtë e popullit t’arratisurit Hasan Isufi e Jup Kazazi, prej të cilëve ju është propozue për të organizuar një kryengritje reaksionare kundra Ushtrisë Nacionalçlirimtare e pushtetit të popullit. Këta, mbasi kanë pranuar propozimin e bamun, janë nisur bashkë me t’arratisurit e sipërm për në katundin e tyre Bërdicë, ku mbasi kanë bërë mobilizim në banorët e katundit, të cilët i kishin vu në dijeni më parë me anën e prorpogandës që kishin zhvillue, kanë pranue vetë së bashku me katundarët e mobilizuem të vihen nën urdhërat e udhëheqjen e kriminelave Hasan e Jup për të shkue te Ura e Bahçallëkut e për të sulmue Shkodrën. Kur kanë mbërritë në katundin Bërdicë, kanë marrë vesh se ndodheshin atje partizanët me një automobil, i kanë sulmue këta dhe mbasi i kanë vra e plagosur partizanët ju kanë marrë teshat që ndodheshin në automobil. Tue u ba organe të ndërgjegjshëm të reaksionit kanë mobilizue një pjesë katundare duke mos ju tregue qëllimin e tyre kryengritës. Me cilësinë e tyre si Këshill i katundit, kanë autorizue sabotatorin e luftës t’arratisunin Ded Shabanin me ba mobilizim në popullsin e katundit për ta hedhë në luftë kundra Ushtrisë Nacional Çlrimtare e Pushtetit të Popullit, fakt ky që provohet me aktin e datës 19 janar 1945, që ndodhet në dosje dhe se pretendimi i tyre se gjoja nuk kanë pasë dijeni se për ç’arsye Deda kërkonte autorizim mobilizimi është pa vend, për shkak se këta e kanë dijt shumë mirë qëllimin e Dedës për deri sa kanë qenë lidhun ngushtë me Hasan Isufin e Jup Kazazin dhe për që akti i autorizimit është lëshue dy ditë para komplotit reaksionar.

Të gjitha këto sa ma sipër janë provue plotësisht e bindësisht nga procesverbalet e mbajtura prej organeve të Mbrojtjes së Popullit, prej Hetuesisë, prej rrjedhimit të gjykimit, nga dokumentat dhe aktet e tjera që ndodhen në dosje si dhe nga pohimet dredharake të të dënuarve.

Në ligjë: Ndonëse prokurori në pretencën e tij të fundit nuk ka caktuar sasinë e ndëshkimit që kërkon (theksojmë që sasia e ndëshkimit i ishte kërkuar Enver Hoxhës nga Mehmet Shehu, me telegramin Tepër Urgjent, Nr. ekstra, datë 9.II.1945 -V.H.); megjithëse Gjykata së bashku me ndëshkimet me vdekje nuk ka urdhëruar dhe konfiskimin e pasurisë të të pandehurve në bazë të nenit 19, paragrafi III, të Ligjës nr 41, prap se prapë këto të meta formale nuk prekin esencën e vendimit, i cili është i drejtë dhe i ligjshëm, mbasi është në proporcion me damin e shkaktuem nga veprat e të dënuarve si sabotator të pushtetit të popullit.

Prandaj, në bazë të nenit I të Ligjës mbi sabotatorët e luftës nr. 21, datë 15 dhjetor 1944, dhe në bazë të neneve 19 e 31 të Ligjës mbi organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Ushtarake nr. 41, datë 14 janar 1945, konform dhe me kërkimin e Prokurorit, vendosi: Aprovimin e akt-gjykimit nr. 15, datë 31 janar 1945, të Gjykatës Ushtarake të Korparmatës III-të Shkodër, simbas të cilit është vendosë ndëshkimi i Haxhi Ahmetit, Lush Palokës, Veli Salës, Hidër Dulit, Shaban Danit, Taip Halilit, Martin Rrokut, nga katundi Bërdicë, ME VDEKJE, duke urdhëruar njëkohësisht dhe konfiskimin e pasurisë së tyre të luajtshme dhe të paluajtshme.

 

V. Publikimi i gjyqeve politike në shtypin e kohës

 

Proceseve politike u bëhej një jehonë e madhe në shtypin komunist të kohës, duke pasur si synim kryesor krijimin e një klime terrori në popull për ta pasur më të lehtë sundimin e tij. Po japim për lexuesin një shkrim që përzgjodhëm nga gazeta “Bashkimi” e datës 14 shkurt 1945.

 

Nisi në Shkodër spastrimi i tradhtarëve

Më 11 shkurt, n’ora 5.30, u pushkatuan këta tradhëtarë të dënuar nga Gjyqi Ushtarak i Korp Armatës së III-t:

Hider Dyli, Shaban Dani, Taip Halili, që të tre ish këshilltarë të Bërdicës dhe pjesëmarrës me armë kundra Pushtetit të Popullit; Mark Nikollë Malaj, Kolë Llesh Leka e Gjon Tom Kolaj, që të tre nga Ivanaj, strehonjës të tradhëtorit Gjon Martini dhe pjesëmarrës me armë kundra Pushtetit të Popullit; Xhemal Mlika nga Lleshi, Palok Uci nga Hoti dhe Gjon Marku, Nikollë Keçi e Nikollë Baci, këta të tre të fundin nga Malkolaj dhe që të pesë strehonjës reaksionarësh të arratisur, bashkëpunëtorë me tradhëtarin Ded Shabani dhe pjesëmarrës me armë kundra Pushtetit të Popullit.

U dënuan me vdekje dhe dy tradhëtarë, ekezekutimi i të cilëve do të lajmërohet më vonë, porsa që të kryhet: Sulçe-Beg Bushati e Dom Lazer Shantoja, që të dy bashkëpunëtorë me okupatorin dhe armiq të deklaruar të popullit.

U dënuan me tridhjetë vjetë burgim: bashkëpunëtorë me tradhëtorë kundra Pushtetit të Popullit Nikollë Toma, Zef Toli, Kolë Gjetja, Gjok Gjoni, Kolë Marashi, Gjeto Toli, Preg Kola, Gjok Gjini, Tom Zefi, që të nëntë nga Malkolaj; Jak Lushi, Rrok Gjushi, Gjon Pjetri, që të tre ish-këshilltarë të Beltojës; Lal Meti, Kolë Marku, që të dy ish-këshilltarë të Trushit; Dan Velija, Shaban Dini, Martin Lorja, Faik Lani, Kin Shuku dhe Kol Gjoka, pesë të parët nga Bërdica dhe i fundit nga Ivanaj, si strehonjës të Sylçe Begut; Shyqyri Bushati, Shefki Bushati e Myfit Bushati, që të tre nga Shkodra; u dënuan me nga 15 vjet burgim si përkrahës të armiqve të popullit Zef Gjoni nga Ivanaj, dhe Gegë Engjëlli, ish-këshilltar i Beltojës; si sabotator dhe disfatist i Lëvizjes Nacional Çlirimtare Llesh Zefi nga Gryk’ e Manatisë Leshit; u dënua me 10 vjet burgim si përkrahës i armiqve të popullit Ujk Shyti nga Ivanaj dhe po me këtë arsye me 5 vjet Met Shyti nga Ivanaj.

U dënuan me nga 1 vit burgim si sabotatorë të pushtetit të popullit Dan Sala, Tom Marku, Rrok Pashku, Ali Mustafaj, Idriz Cani, Emin Zeqiri që të gjashtë ish-këshilltarë të Melgushit dhe Engjëll Gjoka ish-këshilltar i Beltojës.

 

Bibliografia

1. Arkivi i Sistemit të Ministrisë së Brendshme, Fondi hetimor – gjyqësor, Dosjet e të gjykuarve për kryengritjen kundërkomuniste të Ded Shabanit.

2. Gjovalin Gjeloshi, Brezni të Kelmendit, 1, Gjergj Fishta, Lezhë, 2006

3. Kastriot Dervishi, Historia e shtetit shqiptar 1912-2005, Tiranë, 2006.

4. Nikoll Melyshi, Ngjarje historike të ndieme, të pame e të jetueme, 5571 Grandy, Detroit, MICH 48211, USA, 1976.

5. Uran Butka, Lufta civile në Shqipëri 1943-1945, Drier, Tiranë, 2006.

6. Uran Butka, Kryengritjet e para kundërkomuniste, ISKK, Tiranë, 2013.

7. Dokumente të Shtabit të Përgjithshëm dhe të Komandës së Përgjithshme të Ushtrisë Nacionalçlrimtare Shqiptare, V. I, botimi i dytë, “8 Nëntori”, Tiranë, 1976

8. Marubi, Shqipëria 1858-1950, Pegi, Tiranë, 2006

8. Epopeja e luftës antifashiste nacionalçlirimtare e popullit shqiptar 1939-1944 (album fotografik).

10. “Bashkimi”, 1945.

11 “Gazeta Zyrtare”, 1945.

12 “Në shërbim të popullit”, 1973.