Komisioni i Ligjeve/ PS e PD përplasen për AMA-n dhe ILDKP. Mazhoranca gati shkarkimet, opozita: Nisma, antikushtetuese

0
251

Florenc Drizari

 

51 deputetë të mazhorancës firmosin kërkesën për shkarkimin e kryeinspektores së ILDKP-së, Xhuka

 

xhafaMazhoranca ka bërë gati 51 firmat e deputetëve të saj për shkarkimin e inspektores së Përgjithshme të Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive (ILKDP), Zana Xhuka. Kryetari i Komisionit të Ligjeve, Fatmir Xhafaj, tha në mbledhjen e djeshme të këtij komisioni se më herët ka vënë në dijeni znj. Xhuka, për masën e marrë ndaj saj. Komisioni vendosi që ditën e martë në orën 11:00, të zhvillojë një seancë dëgjimore me Inspektoren e Përgjithshme, ndërkohë që mazhoranca e cilësoi këtë nismë si antikushtetuese dhe një sulm që i bëhet institucioneve të pavarura në vend. Deputetët e opozitës sollën në vëmendje qëndrimet e mbajtura nga krerët e mazhorancës edhe për institucionin e SHISH-it, institucion për të cilin pritet të riformatohet. Më herët ministri i Brendshëm dhe Kryeministri Rama kanë deklaruar se shërbimi i inteligjencës shqiptare nuk përmbush kërkesat e kohës dhe për këtë pritet të bëhen ndryshime në strukturë dhe përmbajtje.

Lidhur me kryeinspektoren e ILDKP-së, mazhoranca pak kohë më parë ngriti një grup kontrolli për të verifikuar punën e këtij inspektorati. Kjo lëvizje e shumicës parlamentare u argumentua me faktin se erdhi pas ankesave të punonjësve të këtij institucioni, për mangësi në drejtimin e tij. Raporti i hartuar nga deputetët socialist konstatoi shkelje në ILDKP, ndërsa veprimet e kryeinspektores Xhuka i konsideroi penalisht të dënueshme dhe në shpërdorim të detyrës, duke propozuar shkarkimin e saj nga detyra.

 

AMA

 Përtej ndryshimeve që priten në krye te ILDKP-së, mazhoranca kërkon të ristrukturojë edhe Autoritetin e Medias Audiovizive (AMA). Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut mori dje në shqyrtim projektligjin “Për ratifikimin e instrumenteve që ndryshojnë Kushtetutën dhe Konventën e Bashkimit Ndërkombëtar të Telekomunikacioneve (Gjenevë, 1992), të ndryshuar nga Konferenca fuqiplotë (Guadalajara, 2010)” dhe projektligjin “Për disa ndryshime në ligjin nr. 97/2013 “Për mediat audiovizive në Republikën e Shqipërisë” nisëm kjo e nënkryetarit të Komisionit për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik, z. Alfred Peza.

Në fjalën e tij përpara komisionit Alfred Peza sqaroi arsyet se përse ai ka ngritur këtë amendament, ku sipas tij, ndërhyrja është bërë në nenin për të cilin nuk është rënë dakord mes mazhorancës dhe opozitës dhe korrigjimi i kësaj dispozite mund të rikthejë ligjin për ta bërë të zbatueshëm në tërësinë e tij dhe për rrjedhojë ta bëjë institucionin të funksionojë në binarët ligjore dhe të marrë vendimet që i takojnë, kjo në kuadër edhe të detyrimeve që ka Shqipëria në procesin e integrimit evropian. Peza tha se ky institucion nuk ka kuorumin e nevojshëm për t’u mbledhur dhe për të marrë vendime në punën e saj dhe bëri me dije se mandati i kryetares së AMA-s dhe katër anëtarëve të saj ka përfunduar .Deputetët e opozitës shtruan një sërë pyetjesh lidhur me projektligjin në fjalë dhe kërkuan shpjegime nëse janë bërë konsulta me partnerët ndërkombëtarë apo kanë ardhur reagime nga OSBE, BE dhe KE në lidhje me këtë nismë. Në përgjigje të pyetjeve të deputetëve Peza tha se është kërkuar asistencë teknike e ekspertëve të OSBE-së dhe KE-së. Në vijim, deputetët e opozitës propozuan që të dëgjohen rezultatet e ekspertëve të OSBE-së lidhur me këtë çështje dhe më pas të shihen mundësitë për të ndërhyrë tek AMA.

 

 

 

PD: Rama e Tahiri mburren në Parlament, jashtë sallës grabitje e aksidente

 Partia Demokratike akuzoi Kryeministrin Edi Rama dhe ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri për shtimin e pasigurisë dhe manipulimin e realitetit nga qeveria. Në një deklaratë për mediat, zëdhënësja e selisë blu, Laura Vorpsi, theksoi se Rama e Tahiri mburren në Parlament, ndërsa jashtë sallës ndodhin grabitje e aksidente. “Në kohën kur në Parlament, Kryeministri dhe ministri i Brendshëm valëvisin me mburrje statistikat e tyre për krimin dhe sigurinë në rrugë, – tha Vorpsi, – brenda 4 orëve, tre shqiptarë humbën jetën nga aksidentet në Pogradec, Laç e Kurbin dhe një shitës marketi mbeti i lënduar në mes të Tiranës, në një zonë shumë të populluar, nga grabitësit që i morën dhe paratë e xhiros ditore. Sot në mëngjes, dita ka nisur si përherë me kronikë grabitjeje, ku është hapur me dhunë kasaforta në një zyrë të rëndësishme të shtetit në Bulqizë. Kryeministri dhe ministri i Brendshëm i kanë hyrë një rruge pa krye, pasi është e pamundur të bindin shqiptarët se siguria është në rregull, kur çdo ditë, vërtetohet e kundërta në rrugë, në lagje, në banesa e kudo, ku krimi po krijon ankth publik”, – deklaroi zëdhënësja e PD-së. Sipas zonjës Vorpsi, Rama dhe Tahiri po bëhen qesharakë, teksa tundin ca fletë me të dhënat që i shkruajnë vetë, pasi realiteti është ajo çfarë përjetojnë çdo ditë vetë shqiptarët. “Kjo e bën këtë dyshe edhe më shumë përgjegjëse, pasi ata jo vetëm krijuan terrenin për rritjen e kriminalitetit dhe pasigurisë me shkatërrimin e Policisë së Shtetit, por nga ana tjetër tentojnë të manipulojnë realitetin me shifra dhe propagandë të turpshme. Rama dhe Tahiri mund të jetojnë vetë në kopshtin e Edenit, ku ata ruhen nga dhjetëra forca të Gardës dhe u sigurohet rruga nga shtëpia në zyrë prej policisë, por përtej kësaj, realiteti është i frikshëm dhe përgjegjësit kryesorë për këtë janë Edi Rama dhe Saimir Tahiri”, – thuhet në deklaratën e PD-së.