BSH: Si po ecën sistemi bankar në Shqipëri

0
215

banka shqipSistemi financiar në Shqipëri dominohet nga sistemi bankar, i cili mesatarisht përbën 81% të sistemit, ndërkohë që pesha e segmenteve të tjerë është e ulët. Aktualisht në Shqipëri ka gjithsej 16 banka, nga ku 92.2% e kapitalit në sistemin bankar shqiptar është kapital i huaj, ku ai me origjinë nga Bashkimi Evropian vijon të zërë peshën më të madhe në strukturën e kapitalit të sistemit bankar. Për sa i përket ecurisë së sistemit financiar, ajo paraqitet e qëndrueshme, ku sektori bankar është i mirëkapitalizuar dhe ka siguruar fitime. Kështu gjatë periudhës 2000-2008, raporti i majftueshmërisë së kapitalit për të gjithë sistemin ka qenë mesatarisht 24%, rreth 2 herë më e lartë se kapitali minimal rregullator i përcaktuar nga Banka e Shqipërisë (12%).

Këto konsiderata përfshihen në studimin “Modeli Financiar në Shqipëri: Qasje ndaj të Dhënave të Panelit”, i autorëve Elona Dushku dhe Vasilika Kota të Bankës së Shqipërisë, që synon që të sigurojë një strukturë për mënyrën se si goditjet makrofinanciare transmetohen në sektorin bankar, mundësisht edhe për parashikimin e ardhshëm të tyre. Modeli është ndërtuar për të analizuar goditje të ndryshme makroekonomike që ndikojnë në stabilitetin financiar, nëpërmjet rreziqeve që vijnë që nga jashtë sistemit financiar, ku më kryesoret që studiohen janë politika monetare e Bankës së Shqipërisë, ecuria ekonomike dhe kursi i këmbimit.

Mbas krizës financiare globale vëmë re një ulje të nivelit të raportit të mjaftueshmërisë së kapitalit, në 15%, duke treguar për një mirëkapitalizim të sektori bankar. Edhe në terma të fitimit, bankat në Shqipëri janë karakterizuar me fitime pozitive gjatë gjithë periudhës 2000-2012. Ajo që vihet re është rënia e fitimeve si nga aktivet e veta, ashtu edhe nga fondet e veta kryesisht mbas krizës së fundit financiare. Kreditimi në Shqipëri filloi të rritej me ritme të shpejta kryesisht mbas vitit 2004. Kështu nga 6.4% të PBB-së që zinte kredia totale, në fund të 2012 ajo ka arritur mesatarisht në 42% të PBB-së. Mbas vitit 2004 bankat zgjeruan kredinë e tyre ndaj ekonomisë me normë vjetore rritjeje në vlerën më të lartë prej mesatarisht 78% për individët dhe 72% për kompanitë. Pas këtyre zhvillimeve, në vitin 2008 kredia ndaj bizneseve arriti në 22.5% të PBB-së dhe kredia ndaj individëve arriti në 12.9%. Fillimi i krizës financiare pati ndikim madhor në rritjen e kredisë. Normat e rritjes vjetore u ngadalësuan ndjeshëm me 1.5% për kredinë ndaj bizneseve dhe me 0.43% për kredinë ndaj individëve, në fund të vitit 2012. Ndikimi i krizës financiare në kreditë me probleme është i konsiderueshëm. Cilësia e kredisë është përkeqësuar, nga një nivel i ulët prej 6.6% në fund të vitit 2008, në 23% në fund të vitit 2012. Ky përkeqësim pasqyron kryesisht stokun e kredive me probleme të bizneseve, i cili po rritet me shpejtësi. Pavarësisht trendit rënës të normave të interesit për kreditë dhe depozitat, marzhet e tyre nuk duket se janë ngushtuar ndjeshëm. Nga fundit i vitit 2000, marzhet e normave të interesit arritën në 5.94%, dhe u zgjeruan gjatë viteve 2004-2005, kryesisht për shkak të normave më të ulëta të interesit të depozitave. Pas 2008, marzhet e normave të interesit u zgjeruan për shkak të kostos më të lartë të kredisë, e cila u ngadalësua vetëm gjatë gjysmës së parë të vitit 2012. Megjithatë, gjatë kësaj periudhe, marzhi i normës së interesit u luhat përreth 5.1% deri në fund të vitit 2012, për të arritur aktualisht në 3 për qind.

 

Zhvlerësimi i lekut, ndikim pozitiv në tregtinë e jashtme

 Zhvlerësimi i kursit të këmbimit ka ndikuar pozitivisht në bilancin tregtar me Italinë dhe Greqinë. Kjo është një nga gjetjet e një studimi që vlerëson ndikimin e kursit të këmbimit në flukset tregtare dypalëshe ndërmjet Shqipërisë dhe partnerëve kryesorë tregtarë, përkatësisht: Eurozona, Italia, Greqia, Gjermaia, Kosova dhe Turqia. Studimi titullohet “Efekti i “kurbës – J” në tregtinë dypalëshe: Ndikimi i nënçmimit të monedhës në bilancin tregtar ndërmjet Shqipërisë dhe partnerëve kryesorë tregtarë”, i autorit Alban Pllaha të Bankës së Shqipërisë

Materiali synon të evidentojë ekzistencën e fenomenit të “kurbës – J” në tregtinë dypalëshe për periudhën 1998-2012.

Një nga gjetjet kryesore të këtij materiali është fakti se hipoteza e “kurbës – J” gjen mbështetje vetëm në rastet e tregtisë me Italinë dhe Turqinë (Në teorinë e tregtisë ndërkombëtare një ndodhi e tillë, përkeqësimi fillestar i bilancit tregtar dhe më pas përmirësimi i tij në afatin e gjatë, si rezultat i zhvleftësimit të kursit të këmbimit njihet si efekti i “kurbës – J”. Emri “efekti i kurbës – J” vjen për shkak të trajektores -7- në formë “J-je” që ndjek ecuria e bilancit tregtar, i cili ka trend rënës (përkeqësohet) në afatin e shkurtër, për t’u përmirësuar më pas në afatin e gjatë, duke ngjasuar me formën e germës “J”.).

Rezultatet empirike gjithashtu sugjerojnë se një zhvlerësim real i lekut shqiptar ndikon pozitivisht bilancin tregtar në afatin e gjatë, megjithatë, në afatin e shkurtër këto efekte duket se janë statistikisht jo të rëndësishëm.

Qëllimi kryesor i këtij studimi është të kërkojë për fakte empirike mbi ekzistencën e fenomenit të kurbës – J për bilancet tregtare të Shqipërisë me partnerët e saj kryesorë tregtarë. Gjatë përpjekjes për ti dhënë përgjigje pyetjes së mësipërme, synohet gjithashtu të merret një pasqyrë më e thelluar mbi ndikimet e kursit të këmbimit në bilancin tregtar të Shqipërisë dhe avantazhet konkurruese të produkteve vendase.

Sipas studimit, që teoria e kurbës – J të qëndrojë, duhet që në afatin e shkurtër të priten koeficientë negativë (statistikisht të rëndësishëm) të pasuar nga koeficientë pozitivë në afatin e gjatë.

Rezultatet afatshkurtra nga tabela e mësipërme tregojnë disa gjetje interesante. Në afatin e shkurtër koeficientët negativë pasohen nga koeficientë pozitivë në të paktën tre nga vendet e marra në konsideratë (në rastet e Greqisë, Italisë dhe Turqisë). Megjithatë, këta koeficientë afatshkurtër janë statistikisht të parëndësishëm në rastin e Greqisë. Rezultatet e mësipërme sugjerojnë se efekti i zhvleftësimit të kursit të këmbimit nuk ka një ndikim statistikisht të rëndësishëm në bilancin tregtar, të paktën në afatin e shkurtër. Vetëm në rastet e Italisë dhe të Turqisë duket që efektet afatshkurta të jenë statistikisht të rëndësishme dhe me shenjën negative sipas pritshmërive.

Për katër nga gjashtë partnerët tregtarë të marrë në shqyrtim zhvlerësimi real i kursit të këmbimit duket të ketë një efekt afatgjatë. Koeficientët e kursit të këmbimit të të gjashtë partnerëve tregtarë kanë shenjë pozitive në afatin e gjatë. Megjithatë, koeficientët afatgjatë të efektit të kursit të këmbimit mbi bilancin tregtar në rastin e Kosovës duket se janë statistikisht të parëndësishëm. Nga ana tjetër, zhvlerësimi i kursit të këmbimit në Shqipëri duket se ndikon pozitivisht bilancin e saj tregtar me Eurozonën, Gjermaninë, Greqinë, Italinë dhe Turqinë në afatin e gjatë.

Sipas modelit, bilancet tregtare përkeqësohen në afatin e shkurtër, dhe mbas disa tremujorëve (5 tremujorë në rastin e Turqisë dhe 4 tremujorë në rastin e Italisë) bilancet tregtare fillojnë të përmirësohen, duke arritur nivele të reja të përmirësuara të bilanceve tregtare.