Zhiti, ose jeta në rrugë e teatrit

0
174

Violeta Murati

 

Ringjallet pas 60 vitesh dorëshkrimi i komedisë “Nusja në thes” i Hekuran Zhitit, të riut që ëndërronte për skenën pa mbaruar një shkollë për teatrin. Komedia del’arte është përmbajtja e regjisë së Elma Doresit, pothuaj me të njëjtin kast aktorësh, në Teatrin e Metropolit, premiera e së cilës do të jetë më 21 shkurt

 

nusja ne thes Me logon e Bashkisë së Tiranës, si financuese e Teatrit të Metropolit, drejtorja Suela Konjari prezantoi dje repertorin e plotë për sezonin e parë të 2014. “Janë vepra që do të flasin vetëm shqip”, – thotë Konjari, madje me garën e zgjerimit të trekëndëshit të bashkëpunimit mbarëshqiptar Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni. Ndërsa grupi i aktorëve që e shoqëronin në konferencën e djeshme për shtyp po bëhej gati të prezantonin të skenën e parë, veprën e të riut të ‘44-ës, normalistin e Elbasanit, të burgosurin e komunizmit, hamallin në portin e Durrësit, por që pa bërë shkollë teatri ëndërronte skenën derisa shkoi. Bëhet fjalë për Hekuran Zhitin, veprën e tij “Nusja në thes”, ardhur dorëshkrim deri tani, shkruar midis viteve ‘44-‘45, ndërsa ngjarjet janë të Myzeqesë së ‘20-ës. Për të treguar fatin e autorit e të veprës, ishte ftuar shkrimtari Visar Zhiti.

Vepra është komedi. Arsyeja pse shohim sërish në teatrin e Metropolit të njëjtën regjisore, Elma Dorezi. Është i padiskutueshëm besueshmëria që kjo regjisore ka mbi drejtoren artistike, Konjari. Përtej fjalës, se punët e saj kanë pasur sukses duke u shfaqur dhe përtej kufijve, Konjari, ashtu si Doresi shfaqin tendencën e përbashkët: realizimin shqip të teatrit. Se sa kokëfortë është cilësia artistike, këtu është vështirë të vihen pikat mbi “i”, pasi së pari po lejojmë të çlirohen energjitë e nevojshme në të njëjtën drejtim mbi skenimin e veprave shqip, derisa të bëhet diferenca nga një konkurrence më e ashpër artistike. Konteksti nuk i ngjan shijes së verës, por rrahjes së gozhdës në po të njëjtin vend: të njëjtët aktorë, koncept, zhanër, stil pa mundur të perceptohet qartë e prerë puna kërkuese e regjisorit.

Megjithatë kërkimi për “ringjallje” të veprave si kjo e Hekuran Zhitit, ndonëse shpesh bëhet qëllim në vetvete, ka dhe të mirën e saj: sikur një pasqyrë rrëfimi, mendësie, kohe!

Nëse qëllimi është sa kemi ndryshuar, Doresi është në rrugën e duhur për të na treguar në skenën këtë ironi. Ridimensionimi i një ideje artistike, i një autori, i një vepre bëhen shkak zbulimi apo kërkimi do ishte akoma më mirë, që edhe “Nusja në thes” të mos e shihnim si vazhdim të “14 vjeç dhëndër” apo “Karnavalet e Korçës”, ndonëse vijnë nga e njëjta atmosferë historike.

Fjalën e saj si regji, Doresi e tha: tenton komedia del’arte, grotesk si gjithmonë, duke shtuar edhe pantonimën. Sa e lejon vepra në dorëshkrim e Zhitit? Doresi ka thënë dje, se prej kohës së fakultetit, përshtypja e parë ishte tema, mesazhi dhe ngacmimi i imagjinatës, duke i dhënë mundësi lojës me karakteret. Pjesa tjetër, dje ka qenë një paraqitje njerëzore. Konteksti i veprës është abuzimi me pushtetin, dhe hakmarrja ndaj tij.

Shkrimtari Visar Zhiti referuar veprës, këtë e kishte në arsye se “atë që kërkon politikisht, gjendet në teatër, te Metropoli”. Më tej, ka ngacmuar kujtimet si “fati i birit të autorit”, duke thënë se prej kohësh është marrë me dorëshkrimet e të atit, se “jeta e një vepre është skena”, në një kohë kur ky kontakt nuk ekzistonte. “E quaj me fat autorin kur jeta e tij ishte e pafat. Ai kishte optimizmin për jetën dhe veprën, dhe ja ku ndodhi. Vepra është shkruar në ‘44-‘45 në prag të çlirimit kur rinia ishte entuziaste. Ka pasur çlirim të Shqipërisë, por jo të shqiptarëve”.

Autori i veprës “Nusja në thes”, në kohën kur s’kishte teatër dhe drama ishte rrugëve, bashkë me të rinjtë shkruanin për dy-tre ditë pjesët dhe i skenonin. Pjesë jo të plota, ndaj është arsyeja pse janë të pambaruara dhe në dorëshkrim materialet sot. Për Hekuranin e ri, shkrimtari ka treguar se mbaroi normalen e Elbasanit me entuziazmin për të realizuar ëndrrën për teatrin. Në të shumtën kujtimet vijnë prej viteve ‘40 kur përkthenin komeditë franceze dhe improvizonin rrugëve, duke marrë edhe mobiliet nga shtëpia për të krijuar teatër.

“Ishte koha kur normalistët e Elbasanit ëndërronin që pas mbarimit të studimeve të shprehnin dëshirën që të shëtisnin gjithë Shqipërinë”. Në këto kujtime Zhiti, shkrimtari sot, vazhdon me hovin e të rinjve të ‘44-ës se si dilnin në rrugë e lëviznin nëpër pazar me portretet e aktorëve që do të vinin pjesën në skenë.

Një kujtim është dhe me Fishtën që vjen për autorit të veprës “Nuse në thes”, duke u konsideruar ndër më mbresëlënëse kur poeti epik i përgëzonte për nismën e teatrit.

Ndërsa të rinjtë vazhdonin, kur tregohet dhe historia e radio “Shosha”, një qendër zëri që shërbente për të shoshitur problemet dhe i referohej dëshirave për një jetë më të mirë. Komeditë, thotë Zhiti sot, ishin mjaft të pëlqyera prej publikut, ndiqeshin nga shumë njerëz edhe pse nuk kishte mundësi tjetër për të parë teatër.

Një italian i pikturonte skenën- kalon shpejt shkrimtari. Ndërsa e konsideron të rëndësishme të vërë në dukje faktin se Hekuran Zhiti rrinte më shumë me nacionalistët, duke menduar Frashërllinjtë e famshëm. Pas çlirimit, ashtu si fati i të tjerëve, dhe i ati i Visarit, arrestohet. Ndërsa në Berat po shfaqej një vepër, 300 metra larg skenës së improvizuar po arrestohej autori i saj. Është ringjallje pas 60 vitesh, vënia në skenë e “Nusja në thes”. Këtë e pohon Zhiti kur me droje e tregon mjaft shpejt kalvarin e ëndërrimtarit të skenës dhe pse nuk bëri shkollë teatri. Edhe pasi doli nga burgu, e punoi si hamall në portin e Durrësit, Hekurani improvizonte skenën dhe luante pjesë; në spital po ashtu, mjekët e konsideronin pasionin e tij “se ishin më me efekt se ilaçet”… “Nuk ka teatër të majtë apo të djathtë”, – e mbyll shkrimtari Visar Zhiti, rrëfimin e shkurtër për fatin e babait në teatër.