Atentati ndaj policit/ Ndihmësi i Julian Sinanajt i shpëtoi 2 herë arrestimit

0
251

Anxhela Tato

 

Alibia e djalit vlonjat: Isha në kazino duke lozur bixhoz, ka pamje filmike që më shfajësojnë

 Vlonjati u arrestua nga policia në 2012-ën dhe pas 10 ditësh u la i lirë në mungesë provash

 

 

prokuroria e-krimeve-te-renda (1)Ndihmësi i Julian Sinanajt arriti t’u shpëtonte prangave të policisë pas alibisë që e shfajësonte nga atentati ndaj punonjësit të policisë, Naim Hyska. Sipas burimeve të Prokurorisë, djali vlonjat ka qëndruar në qeli për vetëm 10 ditë dhe është lënë i lirë në mungesë provash për akuzën e plagosjes së rëndë. Mësohet se ndihmësi i vrasësit me pagesë, i dyshuari si vrasësi i dytë i bandës, është prangosur në 2012 si autori i ngjarjes së 24 dhjetorit 2011. Por ai është shfajësuar para bluve duke u shprehur se ka prova faktike që tregojnë se nuk ka lidhje me ngjarjen. Pamjet filmike të një kazinoje ku vlonjati është duke lozur bixhoz ishin prova më e fortë që ndihmësit të Sinanajt t’i hiqeshin prangat. Po ky nuk do të ishte i vetmi episod kriminal në të cilin është përfshirë emri i djalit vlonjat. Mësohet se nga policia e Vlorës ndihmësi i Sinanajt është arrestuar për armëmbajtje pa leje, por sërish ka arritur që t’ia hedhë, duke mos përfunduar në qeli. Ndërkohë, që prokuroria e kërkon për ta marrë në pyetje, i dyshuari si vrasësi i dytë me pagesë ka humbur gjurmët. Blutë e Vlorës nuk kanë gjetur askënd në banesë, duke u detyruar që ta shpallin në kërkim. Duke qenë se emri i djalit vlonjat është përmendur nga Sinanaj, Prokuroria ka aludime se ai mund të ketë qenë në dijeni të krimeve, duke mos i rrëfyer ato. Gjetja e këtij personi për Prokurorinë është fija lidhëse me personazhet e tjerë të përfshirë në rrjetin e vrasësve me pagesë, duke nisur nga kupola deri tek ekzekutuesit.

 

Atentati dhe alibia

 Gjithçka lidhet me atentatin e 24 dhjetorit të vitit 2011, kur punonjësi i Policisë Rrugore, Naim Hyska, u qëllua me plumb në kokë nga persona të paidentifikuar. Atentati ndaj tij u krye në zonën e “21 Dhjetorit” në sy të fëmijës së policit 46-vjeçar dhe për këtë arsye, disa muaj më vonë, Prokuroria për Krimet e Rënda ngriti dyshimet mbi ndihmësin e Sinanajt. Dyshimet e organit të akuzës u bazuan në motivin e hakmarrjes, pasi sipas të dhënave në vitin 1997, Naim Hyska ishte përplasur me persona të armatosur, ku një prej tyre kishte mbetur i vrarë. Bëhet fjalë për vrasjen e A. Aliajt, për të cilën dyshohej se është vrarë nga Hyska. A. Aliaj rezulton se ka qenë daja i djalit vlonjat. Mbi këto dyshime, Prokuroria mendonte se ndihmësi ishte atentatori i Hyskës. Në vitin 2012, vlonjati u thirr në Prokurori si person nën hetim për atentatin ndaj punonjësit të policisë, por ai mohoi në mënyrë kategorike përfshirjen e tij në këtë krim. Madje, ai ngriti alibi se ditën kur është qëlluar me armë Hyska, ai ndodhej në një kazino në Vlorë. Duke u nisur nga kjo alibi, Prokuroria kontrolloi pamjet e kazinosë në Vlorë dhe rezultoi se ai ka qenë aty, duke hedhur poshtë variantin se ai mund të ishte ekzekutuesi i policit. Menjëherë pas këtij verifikimi, ndihmësi është lënë i lirë nga Prokuroria.

 

Sinanaj e mohon

 Vrasësi me pagesë është pyetur për këtë atentat, por ka mohuar çdo lidhje të mundshme me një ngjarje të tillë. 29-vjeçari ka treguar se për këtë ngjarje nuk ka dëgjuar ndonjëherë dhe se nuk kishte të dhëna se kush ishte organizatori i atentatit, ku mbeti i plagosur rëndë Naim Hyska. Pavarësisht nga mohimi prej Julian Sinanajt, burimet hetimore shtuan se nëse dalin prova të reja, çështja e plagosjes së policit do të verifikohet me imtësi. Dëshmia e Julian Sinanajt konsiderohet si “thesar” nga ana e hetuesve të çështjes. Në bazë të thënieve të tij dhe verifikimeve në terren, është dokumentuar përfshirja e disa personave të tjerë në krimet që ka treguar Julian Sinanaj. Nisur nga kjo situatë, pritet që në ditët në vijim të ketë arrestime të tjera lidhur me këtë çështje. Megjithatë, Prokuroria është treguar e rezervuar për emra konkretë. Nga ana tjetër, mësohet se disa kërkesa janë dërguar në Gjykatën e Krimeve të Rënda për masa sigurie.

 

 

Prokuroria

Ripyetet Andon Mëhillaj: Konflikti me Sokol Veizin, më prishi murin e shtëpisë

 Andon Mëhillaj mohon për herë të dytë çdo akuzë të ngritur në ngarkim të tij nga Julian Sinanaj. I dyshuar si një nga sekserët e bandës së vrasësve me pagesë, Mëhillaj ka kundërshtar përfshirjen e tij në ekzekutime dhe eksploziv me pagesë. Ai ka tentuar sërish të sqarojë për prokurorët njohjen dhe lidhjen e tij me Julian Sinanajn. Para prokurorëve të çështjes, Mëhillaj ka rrëfyer se me Julian Sinanajn ka pasur njohje të vjetra dhe ishte në dijeni se 29-vjeçari ishte i përfshirë në krime. Por krisja e raportit shoqëror ka filluar me çështjen e Sokol Veizit, i cili është pika lidhëse. Andon Mëhillaj ka treguar se pas vrasjes së Veizit të gjithë e shikonin si vrasës, si kriminel. Ai e dinte që ky krim ishte bërë nga dora e Julianit dhe i kërkoi shpjegime për motivin e ekzekutimit si dhe për zbulimin e personit që fshihej pas këtij krimi. Por Juliani nuk i është përgjigjur dhe të dy janë konfliktuar. “Juliani e dinte që unë kisha probleme me Veizin për 800 metër tokë. Familja e Veizit përfitoi tokën që e kisha në pronësi dhe Veizi më prishi murin e shtëpisë. Atë ditë bëra sherr dhe u konfrontova me Veizin, por ndërhynë kushërinjtë e mi për të na ndarë. Tani kur Veizi u vra, të gjithë më shikon mua si autor dhe i thashë Julianit të tregonte të vërtetën. Por ai nuk pranoi dhe të dy bëmë sherr. Unë u ftoha dhe u largova nga Juliani, i cili filloi të më kërcënonte. Tani ia kisha frikën se e dija se me çfarë merrej. Unë nuk kam lidhje me asgjë dhe jam i pafajshëm. Ai më akuzon qëllimisht, pasi do të marrë hak për sherrin tonë”, – pjesë e rrëfimit të Mëhillajt. Nga ana e prokurorisë bëhet me dije se gjendja e tij shëndetësore është normale dhe nuk shfaq asnjë shenjë depresioni apo çrregullimi mendor gjatë gjithë marrjes në pyetje.

 

 

Peshkopi

Rrëzohet gjatë lojës, në koma 7-vjeçari

 Një nxënës i klasës së parë në Peshkopi u aksidentua në shkollë gjatë një loje. I mituri është dërguar me urgjencë me helikopter drejt Tiranës. Ngjarja ndodhi në një shkollë 9-vjeçare në Komunën Tomin, ku nxënësi 7 vjeç me inicialet G. D. është rrëzuar duke rënë në pjesën e pasme të kokës. Mjekët në spitalin rajonal kanë konstatuar dëmtime të rënda në kokë, ndaj rekomanduan dërgimin për trajtim më të specializuar drejt Tiranës. Mjekët thanë se fëmija aktualisht ndodhet në gjendje kome.

 

 

Durrës

Kapet me 500 doza kanabis, pranga 26-vjeçarit

 Forcat e policisë së Durrësit ndaluan dje në mesditë një 26-vjeçar, të cilit iu gjet një sasi lënde narkotike e përgatitur për shitje. Burime zyrtare nga Drejtoria e Policisë së Qarkut bënë të ditur se Arjan Sado, 26 vjeç, u ndalua, pasi gjatë kontrollit në banesën e tij u gjetën 500 doza kanabis sativa, me një peshë të përgjithshme prej 4 kg. Sipas të njëjtave burime, lënda narkotike ishte përgatitur për t’u shpërndarë në lagje të ndryshme të qytetit bregdetar. Tashmë hetimet janë përqendruar në identifikimin e personave të tjerë të mundshëm, të përfshirë në këtë veprimtari të paligjshme.

 

 

Elbasan

1000 euro për moszbatim vendimi, pranga përmbaruesit

 I kërkoi 1000 euro për të mos ekzekutuar vendimin e Gjykatës, por plani i tij ka dështuar dhe ka rënë në prangat e policisë. Përmbaruesi Mehmet Cerraga është arrestuar ditën e djeshme nga blutë për akuzën e korrupsionit pasiv. “Arrestimi i tij u bë pasi ky shtetas dyshohet se i ka kërkuar një personi shumën prej 1000 euro, në këmbim të mosekzekutimit të një vendimi të Gjykatës së Elbasanit. Shtetasi Mehmet Cerraga ka konsumuar elementët e veprës penale të “Korrupsionit pasiv”, parashikuar nga neni 259 Kodit Penal”, – thuhet në njoftimin e bluve.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency