Intervistoi: Gëzim Saliu
Gazetari Blendi Fevziu rrëfen eskluzivisht per gazeta “standard” ngjarjet e ndodhura në 20 shkurtin e vitit 1991, të cilat kulmuan me rrëzimin e bustit të diktatorit Enver Hoxha. Si protagonist i kohës, përmes shkrimeve në gazetën “Rilindja demokratike”, si edhe pjesëmarrës i lëvizjes studentore, Fevziu bën të ditura për gazetën detaje të ditëve të rëndësishme të shkurtit të atij viti, të cilat sollën ndryshimin e madh në jetën politike e shoqërore në Shqipëri. Ai rrëfen kujtimet e 20 shkurtit, protagonistët kryesorë të atyre ditëve, momentet e grevës së studentëve, si edhe mbërritjen e monumentit të Hoxhës në Qytetin Studenti. Po ashtu, Fevziu thekson edhe deklaratat e dhëna më pas në kohë nga ish-presidenti i vendit Ramiz Alia dhe ministri i Brendshëm Hekuran Isai për protestën e 20 shkurtit.
Kur nesër opozita do të rikujtojë me një protestë kundër qeverisë 20 shkurtin e vitit 1991, ditën e rrëzimit të bustit të ish-diktatorit Enver Hoxha, do të doja t’ju pyesja se si e kujtoni ju këtë ditë?
Si një nga ditët më të bukura dhe pa dyshim si një nga ato ditë që shenjojnë thellë jetën e një njeriu; që kujtohen gjatë dhe që u referohen të gjithë. Sa herë hapet kjo bisedë, çdo njeri kujton me saktësi ku ka qenë dhe si e ka marrë këtë lajm. Kam qenë aty në shesh atë ditë, zbrita nga Qyteti Studenti për të parë ç’po ndodhte dhe u ngjita sërish të jepja lajmin që e prisnin të gjithë, edhe pse lajmi kishte mbërritur ndërkohë. Për ta përmbledhur, ajo ishte një ditë që na ndryshoi të gjithëve; një ditë që i dha jetës së gjithkujt një drejtim të ri. Edhe atyre që u entuziazmuan, edhe atyre që e vuajtën atë ditë. Ishte ndarja përfundimtare simbolike nga Shqipëria e Hoxhës e ishte njëkohësisht një gjest lirie!. Ka shumë pak popuj që kanë pasur kurajon të rrëzojnë shtatoren e diktatorit ndërkohë që regjimi i tyre ka qenë në fuqi. Kjo ishte edhe një vlerë e shtuar e asaj dite.
Greva e urisë e 720 studentëve të Universitetit Shtetëror të Tiranës në datat 18-20 shkurt cilësohet si shtysa kryesore për arritjet demokratike të vendit në ato ditë shkurti. A mund të na thoni shkurtimisht se si u bë e mundur kjo grevë? Cilët ishin nismëtarët e saj dhe cilat ishin synimet që qëndronin në themel të kërkesave të studentëve?
Unë e kam përshkruar me detaje këtë situatë në librin tim “Piedestale pa statuja”. Protesta e studentëve të Universitetit nisi në fillim të shkurtit, në shenjë solidariteti me studentët e Institutit të Lartë Bujqësor në Kamëz dhe u nxit nga PD-ja. PD mendonte thjesht të bënte presion, por me kalimin e ditëve kërkesat e studentëve, por edhe qëndrimet e tyre u radikalizuan. Pa dyshim që lideri kryesor në ato javë u evidentua Blendi Gonxhe. Bashkë me Gonxhen u zgjodh edhe një komision nismëtar, emrat e të cilëve nuk më kujtohen të gjithë, po ku hynte Arian Manahasa, Mesila Doda, Arben Lika, Ardi Stefa etj. Komisioni në fakt u modifikua edhe gjatë ditëve të grevës dhe u shtuan emra të tjerë. Një figurë me karizëm ishte Shinasi Rama. Plus disa pedagogë midis të cilëve Ylli Vejsiu dhe Omer Stringa. Në ditën e parë të grevës PD tentoi të gjente një zgjidhje me Alinë, që kërkesa të plotësohej, por Alia nuk lëshoi. Berisha, Selami, Zogaj dhe Hajdari patën një takim të gjatë me të, por nuk arritën asnjë përfundim. Ndërkohë, në sallat e grevës situata u radikalizua. Vendimtar ishte një takim që BSPSH mbajti në Pallatin e Kulturës ku arriti në përfundimin që në datën 20 shkurt të organizohej grevë e përgjithshme dhe të gjithë punonjësit e Tiranës të ngjiteshin në Qytetin Studenti. Mbaj mend që njëri prej tyre, minator më duket, u shpreh: “Të bëjmë barrikadë njerëzore për të mbrojtur studentët, nëse ndërhyn policia”. Në fakt, 20 shkurti nisi në atë mbledhje të 19 shkurtit vonë.
Në natën e parë të grevës, ju keni shkruar në atë kohë tek gazeta “Rilindja demokratike” një reportazh lidhur me këtë ngjarje. Çfarë përshkruat në të?
Unë kam shkruar të gjitha reportazhet nga protesta studentore dhe deri tek greva e urisë. S’di të them sot se çfarë kam shkruar, por mbaj mend që kanë qenë ditë të ethshme. Më kujtohet që natën e 19 shkurtit, rreth orës 3 pas mesnate, bashkë me Armand Shkullakun dhe Ben Blushin u ngjitëm nga Kombinati Poligrafik për në ndërtesën ku bëhej greva. Kishim me vete afro 200 gazeta “RD” dhe “Zëri i rinisë”. Godina ishte e rrethuar me policë dhe ne menduam se do na ndalonin ose do krijonin problem. Njëri prej tyre thjesht u afrua dhe na pyeti nëse kishim ndonjë “RD” me vete.
Nga kërkesa për heqjen e emrit të Enver Hoxhës në Universitetin Shtetëror të Tiranës e deri tek mbërritja e bustit të rrëzuar të ish-diktatorit në Pallatin e Kulturës në Qytetin Studenti, cilat ishin, sipas jush, momentet më delikate të tri ditëve (18-19-20) që ndikuan thellësisht në realitetin politik në Shqipëri?
E thashë më sipër. Greva nisi në datën 18, në orën 16:00 pasdite. Të nesërmen Alia mblodhi plenumin dhe injoroi grevën, duke imponuar një axhendë krejt tjetër. Në fund të deklaratës thuhej se studentët kanë kushtet më të mira që kanë pasur ndonjëherë; se ata po kërkonin diçka që i takonte ta vendoste populli shqiptar dhe gjëra si këto. Po atë mëngjes u njoftua në gazetën “Zëri i popullit”, krijimi i grupimit “Vullnetarët e Enverit” që kërcënuan se do të marshonin drejt Tiranës. Në datën 20 nisi greva e përgjithshme dhe rreth godinës së grevës u mblodhën mbi 100 mijë njerëz. Një përfaqësi grash u nis drejt Presidencës për të takuar Ramiz Alinë dhe turma i ndoqi mbrapa, për të protestuar. Afër TVSH-së, nga frika se mund të hynin në Bllok, Garda e bllokoi pjesën kryesore të turmës dhe ajo u sul drejt sheshit. Përleshja me policinë qe e shkurtër dhe në orën 14:05 busti ra. Më pas, kokën e thyer të monumentit e tërhoqën me makinë për në Qytetin Studenti dhe deshën ta ngjisnin sipër. Rreth orës 19:30, Skënder Gjinushi dhe Ismail Ahmeti erdhën në selinë e grevës dhe sollën shkresën që Universitetit i hiqej emri Enver Hoxha, por letra nuk kishte numër protokolli dhe studentët kërkuan që ata të rrinin aty derisa të lexohej në lajmet e orës 20:00. Kur u dha njoftimi, greva u quajt zyrtarisht e mbyllur.
Ju keni deklaruar më parë se ish-presidenti Ramiz Alia dha urdhër të qëllohej me armë më 20 shkurt të vitit 1991. Pse nuk u zbatua ky urdhër, sipas jush?
Jo, këtë gjë unë nuk e di. Unë thjesht kam cituar dy deklarata, atë të ministrit të Brendshëm Hekuran Isai, që deklaronte për shumë vite më pas se mori urdhër nga Alia ta mbronte me armë monumentin, por nuk iu bind urdhrit; dhe deklaratën e Alisë që thoshte: “I kam thënë Hekuran Isait: ‘Në asnjë mënyrë të mos ketë gjak dhe viktima nuk na duhen’”. Të dy i kanë bërë këto deklarata në “Opinion”. Nga kërkimet e mëvonshme nuk figuron asnjë dokument për këtë gjë. Domethënë urdhër me shkrim a gjë…
Cili është komenti juaj për dokumentin e Ministrisë së Brendshme të kohës, ku arsyetohej se policia ishte e paaftë të ndalonte rrëzimin e monumentit, qoftë edhe duke përdorur armët?
Nuk jam në dijeni të këtij dokumenti, por kjo është më se logjike. Ishte e pamundur të përballej një numër aq i madh protestuesish. Kjo u dëshmua edhe në ngjarjet e Shkollës së Bashkuar në ditët në vijim.
Por pas gjithë lavdisë së ngjarjes së 20 shkurtit, situata në ditët e 21, 22 dhe 23 shkurtit do të rëndohej shumë në Tiranë. Si do t’i përshkruani ju këto ditë të vështira?
Situata u tensionua ashpër dhe filluan përplasjet e Shkollës së Bashkuar. Atje u organizua një lloj grushti shteti, që ende sot e kam të vështirë të kuptoj se çfarë synonte. Filluan arrestimet e atyre që kishin marrë pjesë në rrëzimin e monumentit; goditjet ndaj opozitës; përplasjet fizike nëpër qytetet më të vogla, por situata u stabilizua shpejt. PD organizoi një miting madhështor në Kavajë dhe Frrok Çupi botoi në “RD” një shkrim të mrekullueshëm, thelbi i të cilit ishte: Mos i merrni seriozisht këta që po ikin.
Sot, pas 23 vitesh nga rrëzimi i bustit të Enver Hoxhës, si e shihni ecurinë e Shqipërisë?
Jo ashtu siç e mendoja atëherë, por pa dyshim në atë nivel që meriton të jetë!