Me dyer të mbyllura/ Pakënaqësitë e reformës territoriale, çfarë u tha Rama vendorëve socialistë

0
154

Gëzim Saliu

 

Takimi me 180 vendorë të zgjedhur të majtë, prezantohet drafti me kriteret

 Tur takimesh në bazë në të gjitha qarqet e Shqipërisë për konsultimin e reformës

 

Rama me kryebashkiaket e majteMarrë shkas nga pakënaqësitë e ngritura në bashki e komuna të drejtuara nga socialistët për shkak të reformës administrative territoriale, Kryeministri Rama thirri dje në një takim konsultativ krerët e këtyre njësive vendore. Në takimin e zhvilluar me dyer të mbyllura në sallën e Universitetit të Arteve, kreu i qeverisë, i shoqëruar nga ministri për Pushtetin Vendor, Bledi Çuçi, kanë kërkuar mbështetjen e 180 të zgjedhurve vendorë të majtë, duke theksuar se reforma territoriale ka një rëndësi parësore për vendin. Ata kanë paraqitur draftin për këtë reformë së bashku me kriteret që e shoqërojnë atë, pjesë e cila pavarësisht konsensusit të përgjithshëm, nuk ka kaluar pa diskutime. Ndonëse takimi i djeshëm ishte thjesht konsultativ, pa hyrë në thellësi e detaje të ndarjes së re administrative, një pjesë e krerëve të bashkive dhe komunave mbeten skeptik lidhur me reformën. Ky shqetësim i tyre vjen pasi ndarja e re administrativo-territoriale propozon 160 komuna, nga 308 që janë aktualisht, gjë që sjell automatikisht reduktimin në mënyrë drastike të shanseve të drejtuesve aktualë për të qenë në krye të njësive vendore.

 

Takimi

 

Në takimin me krerët e njësive vendore të majtë, mësohet se Kryeministri Edi Rama ka kërkuar mirëkuptimin e gjithsecilit për reformën administrative, e cila, sipas tij, është një domosdoshmëri për vendin. Sipas tij, është me rëndësi parësore bashkëpunimi i të gjithëve për këtë reformë, duke nënvizuar se ajo duhet të mbyllet përpara muajit shtator. “Reforma administrative territoriale jo është instrument modernizimi për vendin dhe shtysë e fortë për zhvillimin e integruar të tij. Ajo mundëson daljen nga një prapambetje e thellë në strukturën administrative”, – mësohet të jetë shprehur kreu i qeverisë përpara drejtuesve të majtë vendorë. Ndërkohë, në përfundim të takimit, ministri Çuçi tha se pas sqarimit të reformës për krerët vendore, do të fillojë edhe puna me turin e takimeve në gjithë qarqet e vendit. “Sqarimi fillon nga administrate që janë zgjedhur nga komunitetet dhe më pas fillon puna. Ne do të fillojmë me turin e takimeve në bazë në të gjitha qarqet e Shqipërisë. Diskutuam kriteret. Ajo që na takon ne ka të bëjë me procesin sa më transparent. Fokusi është tek garantimi i procesit sa më gjithëpërfshirës dhe transparent”, – tha ministri Çuçi. Ndërkohë, në diskutim janë bërë të ditur hapat që do të ndiqen për të bërë realizimin e reformës, ku nuk kanë munguar edhe deklaratat për vështirësitë e përmbylljes së saj para zgjedhjeve vendore. Projektligji që qeveria propozon për reformën territoriale ka në bazë të tij kriteret dhe metodologjinë që do të ndiqet për ndarjen e re administrative të Republikës së Shqipërisë. Kriteri i popullsisë do të jetë një kriter i rëndësishëm pasi me ndarjen e re nuk do të ketë ndarje vendore nën 20 mijë banorë për njësi. Sipas draftit, nga rreth 390 njësi të qeverisjes vendore që ka sot vendi, ndarja e re pritet të krijojë jo më shumë se 160 njësi. Ky reduktim i njësive vendore ka sjellë kundërshtimet e para jo vetëm nga drejtuesit e njësive vendore të djathta, por edhe të atyre të majta.

 

 

Vizita

Venizelos sot në Tiranë, statusi kandidat në qendër të takimeve

 Zëvendëskryeministri i Greqisë, njëkohësisht edhe ministër i Punëve të Jashtme, Evangelos Venizelos, do të vizitojë sot Tiranën në kuadër të një turi vizitash në Ballkan, në cilësinë e kryesuesit të Këshillit të Ministrave të Bashkimit Evropian. Ditën e sotme ai pritet të takohet me Kryeministrin Edi Rama e ndërsa ditën e nesërme Venizelos do të pritet nga Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, dhe pastaj zhvillojë takime të tjera, me Kryetarin e Parlamentit, Ilir Meta, ministrin e Jashtëm Ditmir Bushati dhe kreun e opozitës, Lulzim Basha. Vizita e kryediplomatit grek do të jetë më shumë një shtysë më shumë në marrëdhëniet e Shqipërisë me Bashkimin Evropian, teksa pas marrjes së presidencës së BE-së, Venizelos ka deklaruar se “Athina do të promovojë dhënien e statusit të kandidatit në BE Shqipërisë brenda kohës së Presidencës helene”. “Ka vende që mund të promovohen më shpejt, si Mali i Zi. Performanca e Shqipërisë gjithashtu është e kënaqshme dhe ne u shprehëm në favor të dhënies menjëherë tani, të statusit të vendit kandidat dhe do të shqyrtojmë këtë përsëri në qershor, gjatë presidencës greke”, – ka pohuar Venizelos. Ndërkohë, në vizitën e djeshme në Kosovë, Venizelos deklaroi se mesazhi i tij për qytetarët e këtij shteti është që Greqia beson në normalizimin e plotë të marrëdhënieve me Kosovën. “Kemi krijuar faktikisht premisat për prezencën e një zyre të fuqishme përfaqësimi, kryesisht ekonomik, të Kosovës në Athinë dhe synimi ynë është që procesi që ka filluar për negociatat dhe anëtarësimin e Serbisë në BE, të shërbejë si një levë e ndryshimit të klimës edhe për Kosovën. Çdo gjë që ka lidhje me Serbinë dhe mbështetjen e dialogut Beograd-Prishtinë ka një impakt shumë pozitiv në gjithë rajonin, njëkohësisht edhe në perspektivën evropiane të Kosovës, të cilën do ta mbështesim pse besojmë edhe në marrëdhëniet tona të mira dypalëshe, por besojmë edhe në atë se duhet të kapërcehen problemet historike të së kaluarës”, – vuri në dukje zëvendëskryeministri. Greqia do të mbajë presidencën e Bashkimit Evropian në gjysmën e parë të vitit 2014, para dorëzimit të Presidencës së BE-së tek Italia më 1 korrik 2014. Kjo është hera e pestë që Greqia do të mbajë Presidencën e BE-së që prej pranimit të saj në Komunitetin Evropian në vitin 1981.

 

 

Reforma administrative

LSI: Pjesëmarrja e opozitës mbetet e rëndësishme

Kryetari i grupit parlamentar të LSI-së, Petrit Vasili, u shpreh dje se reforma administrative ka nevojë për pjesëmarrjen e opozitës, pavarësisht nga raportet parlamentare. Duke u ndalur tek kjo çështje, Vasili tha se nuk do reshtet së insistuari për të gjetur të gjitha rrugët e mirëkuptimit në mënyrë që opozita të jetë pjesë e komisionin parlamentar të ngritur për këtë reformë. “Vullneti ekziston për këtë reformë. Edhe opozita, e cila nuk merr pjese fizikisht, ka shprehur qartë vullnetin që ajo është për një reformë të tillë. Ndaj nuk kemi asnjë premisë objektive që na shtyn të besojmë që kjo është e pamundur të realizohet”, – tha ai në një intervistë për “TCH”. E rëndësishme, sipas kreut të grupit parlamentar të LSI-së, është që të gjitha energjitë të vihen në shërbim që ky komision apo ky mekanizëm legjislativ të funksionojë në mënyrë sa më plotë, “sepse do të ndërtohet një e mirë e një shteti më funksionues, më modern në të mirë të të gjithë shqiptarëve, të majtë dhe të djathtë”. Sa i përket çështjes se sa do të jetë pritja që anëtarët e opozitës të bëhen pjesë e komisionit të ngritur për reformën administrative, Vasili sqaroi se pas mbledhjes së parë të tij, parametrat kohorë të funksionimit të këtij komisioni mundësojnë dhe lejojnë kohën edhe për reflektimet e duhura të opozitës.

 

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency