Ekzekutimi në Durrës/ Plumb në kokë 2 djemve për 74 kg kanabis

0
197

Anxhela Tato

 

 

Autori i vrau në banesë, i futi në makinë dhe u vuri flakën për të fshehur gjurmët

 Viktimat Arben Kasalla dhe Shaban Babasi, të skeduar nga policia për trafik droge

 

kufomat_461656Krimi makabër ka tronditur qytetin e Durrësit, ku dy djem të rinj janë ekzekutuar me plumb në kokë dhe u është vënë flaka. Trupat e pajetë janë djegur brenda në automjetin, i cili është gjetur në zonën e ish-Kënetës në orën 23:00 të mbrëmjes së të enjtes. Policisë i është dashur gati dy orë për të nxjerrë trupat e karbonizuar, ku njëri prej tyre ndodhej i kyçur në bagazhin e automjetit “Mercedes-Benz”, me targë AA 930 BJ. Ndërkaq, policia ka identifikuar autorin e vrasjes së dyfishtë në Durrës, 32-vjeçarin Odise Verbofshi, banues në lagjen numër 14 në Shkozet, Durrës, i cili është shpallur në kërkim. Sipas policisë, ngjarja dyshohet të ketë ndodhur për prishje të pazareve të drogës. Makina tip “Mercedes-Benz” me targa AA 930 BJ është gjetur e shkrumbuar rreth orës 22:45 minuta të mbrëmjes së të enjtes (20 shkurt 2014), pranë tregut të makinave në zonën ku para viteve 1990 kanë qenë ish-vaska e peshkut. Mendohet se viktimat Albert Kasalla, 34 vjeç, dhe Shaban Babasi, 27 vjeç, nga Fushë-Kruja, janë ekzekutuar me armë në banesën e autorit në lagjen nr. 14 në Shkozet dhe më pas janë transportuar me makinë (e cila i përkiste njërit prej viktimave) rreth 3 km më tutje, drejt zonës ku edhe i është vënë flaka makinës. Trupat e djemve janë gjetur të karbonizuar njëri në sediljen e pasme të mjetit dhe tjetri në bagazhin e makinës.

 

Zbardhet vrasja

 Pas hetimeve të ndërmarra gjatë natës së të enjtes dhe ditës së djeshme, policia ka identifikuar autorin e dyshuar të vrasjes së dyfishtë në Durrës, shtetasin Odise Verbofshi, 32 vjeç, banor i lagjes nr. 14 Shkozet, Durrës, i padënuar më parë, i cili është shpallur në kërkim. Policia bën me dije se po punohet me intensitet për kapjen e 32-vjeçarit Verbofshi. Sipas hetimeve të policisë, rezulton se dy shtetasit Shaban Babasi, 27 vjeç, dhe Albert Kasalla, 32 vjeç, banues në Fshat Fushë-Krujë, ishin vrarë paraprakisht me armë zjarri dhe më pas ishin transportuar për t’u djegur nga autori i ngjarjes së bashku me automjetin në funksion të fshehjes së gjurmëve e provave. Vrasja e dy të rinjve rezulton se ka ndodhur brenda mjediseve të banesës së autorit në Shkozet, me armë zjarri, pistoletë. Paraprakisht, dyshohet se motivi i kësaj ngjarjeje është prishja e pazarit lidhur me lëndën narkotike të llojit kanabis sativa. Sipas policisë, për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes u shoqëruan dhe u pyetën në polici 36 persona që kishin dijeni mbi hetimet në fjalë. Ndërsa bëhet me dije se krahas provave të tjera, në banesën ku ka ndodhur krimi u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 74 kg kanabis sativa e ndarë në pako, e stivuar në rafte në mjediset e banesës; 1 pistoletë e markës “Ekol Special”, e kalibrit 9 mm; 1 pistoletë me krehër, e markës “Lady K Italy”, e kalibrit 8 mm dhe 1 krehër pistolete me një fishek në të.

 

Viktimat

Nga të dhënat e para të hetimeve të kryera mësohet se personat janë të skeduar për vepra penale të mëparshme. Kështu, Babasi rezulton ish-i dënuar për trafik droge në Itali, ku edhe ka kryer dënim me 3 vjet burg, kurse Kasalla rezulton i skeduar për transport narkotikësh. Viktimat janë nga fshati Kamberas i Fushë-Krujës, Shaban Babasi dhe Albert Kasalla. Mësohet se Babasi ishte banakier i një lokali në qendër të fshatit Kamberas, ndërsa Kasalla punonte në një gurore në Fushë-Krujë. Personat e vrarë dyshohet se janë me precedentë penale. Nga ekspertiza në vendin e ngjarjes dyshohet se vdekja është shkaktuar pasi të rinjtë janë qëlluar me plumb. Sipas policisë, dy viktimat u ekzekutuan pas orës 22:00 të së enjtes dhe më pas i është vënë zjarri automjetit.

 

Familjarët

 Familjarët e viktimave në një intervistë për median shprehen se djemtë e tyre nuk kanë pasur konflikte me njeri dhe nuk dinë se çfarë ka çuar në këtë ngjarje. Familjarët e Shabanit tregojnë se ai sapo ishte fejuar dhe punonte në një lokal që kishte në fshat. Ndërsa të afërm të Albert Kasallës, babai i një fëmijë të mitur, shprehen se djali i tyre punonte në një firmë ndërtimi dhe nuk kishte përplasje me njeri. Ata kërkojnë zbardhjen e ngjarjes dhe vënien para drejtësisë së autorëve.

 

 

Aksidenti

Përmbyset autobusi, plagosen 10 persona

 10 persona kanë mbetur të plagosur në një aksident rreth orës 16:55 të ditës së djeshme në dalje të kryeqytetit. Policia bën me dije se një autobus ka dalë nga rruga pasi është përplasur me një automjet tip “Mercedes-Benz”. Ngjarja ka ndodhur në segmentin rrugor Tiranë – Elbasan. Nga hetimet paraprake dyshohet se shkak i aksidentit është bërë një manovër e gabuar e automjeteve, ku njëri prej tyre dyshohet të ketë qenë me shpejtësi tej normave të lejuara. Ndërkohë, pesë të plagosurit janë nisur menjëherë drejt Spitalit Ushtarak për të marrë ndihmën mjekësore. Burime nga vendi i ngjarjes bëjnë me dije se autobusi me targë AA 955 HG i linjës Tiranë – Elbasan pas përplasjes është përmbysur në krahun e shoferit. Në aksident kanë mbetur të plagosur Eriselda Doko, 22 vjeçe; Aldo Dervishi, 23 vjeç; Ramadan Rama, 23 vjeç; Ikbale Rama, 25 vjeçe; Ana Kotorri, 23 vjeçe; Arjana Kurti, 40 vjeçe; Enea Çakrezi, 19 vjeç; Xheni Prishka, 23 vjeç; Lumturie Braho, 65 vjeç dhe Ermonela Doko, 23 vjeçe. Personat e mësipërm po mjekohen në Spitalin e Traumës në kryeqytet. Mjekët bëjnë me dije se ata po mbahen në trajtim intensiv mjekësor. Krahas personave të plagosur ka pasur edhe pasagjerë të tjerë që janë lënduar lehtë dhe nuk janë paraqitur në spital për ndihmë mjekësore. Automjeti tip “Mercedes-Benz” ka goditur në pjesën e pasme autobusin që po shkonte nga Tirana drejt qytetit të Elbasanit. Autobusi ka qenë i mbushur plot me pasagjerë, pjesa më e madhe e të cilëve studentë që ktheheshin në shtëpi për fundjavë. Sipas policisë, në autobus kishte rreth 30 pasagjerë. Një nga pasagjerët e dëmtuar lehtë, Selman Merxhani, është shprehur se nuk mban mend asnjë gjë. Ai thotë se kujton vetëm që autobusi është goditur nga një makinë dhe më pas është përmbysur. “Autobusi ishte nisur nga Tirana drejt Elbasanit. Jemi përplasur me një makinë. Kujtoj vetëm momentin kur autobusi ra”.