OPOZITA/ Shkarkimi i kreut të ILDKP-së, Paloka: Do të rishohim qëndrimin ndaj Parlamentit

0
127

Florenc Drizari

 

“Parlamenti përfundoi një proces, që nisi si antikushtetues, vazhdoi me hapa të njëpasnjëshëm në shkelje të Kushtetutës, ligjit dhe Rregullores së Parlamentit deri sa arriti në puçin e djeshëm të shkarkimit të kryeinspektores që ishte caktuar në atë post, e votuar nga Parlamenti i legjislaturës së kaluar”

 

Edi_Paloka,_21_shkurtPas vendimit të Parlamentit për shkarkimit të kryeinspektores së ILDKP-së, kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Edi Paloka, theksoi se opozita do të rishohë marrëdhëniet me Kuvendin e Shqipërisë. Duke e quajtur vendimin e shumicës parlamentare për shkarkimin e Xhukës si antikushtetuese dhe tendencë për të kapur institucionet e pavarura, Paloka paralajmëroi mazhorancës për një bojkot të mundshëm të opozitës në Kuvendin e Shqipërisë.

“Në këto kushte, kur kjo mazhorancë po e bën Parlamentin Shqiptar të paqenë, në këto kushte kur opozita dhe populli shqiptar injorohen dhe përbuzen në këtë mënyrë, me arrogancë nga kjo mazhorancë, në emër të grupit parlamentar të Partisë Demokratike unë deklaroj se Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike do të rishohë qëndrimin e tij ndaj Parlamentit Shqiptar”, – deklaroi Paloka.

Kreu i grupit parlamentar demokrat, gjatë një daljeje publike që bëri dje në mjediset e Kryesisë së Kuvendit, kritikoi ashpër mazhorancën e majtë për shkarkimin e Xhukës. Sipas tij vendimi i marrë në seancën e fundit plenare, ishte në kundërshtim me çdo procedurë parlamentare dhe ligj të vendit. Paloka deklaroi se qëllimet e mazhorancës janë për të vënë nën kontroll institucionet e pavarura në vend. “Parlamenti shkarkoi në shkelje të të gjitha procedurave, të Kushtetutës dhe të ligjit, kryetaren e Inspektoratit të Lartë të Deklarimit të Pasurive, zonjën Zana Xhuka. Parlamenti përfundoi një proces, që nisi si antikushtetues, vazhdoi me hapa të njëpasnjëshëm në shkelje të Kushtetutës, ligjit dhe Rregullores së Parlamentit deri sa arriti në puçin e djeshëm të shkarkimit të kryeinspektores që ishte caktuar në atë post, e votuar nga Parlamenti i legjislaturës së kaluar.

Është rast i paprecedentë në çdo vend demokratik të botës por edhe në Shqipëri, që një parlament, një legjislaturë e ardhshme, të hedhë poshtë vendimet që ka marrë parlamenti paraardhës. Ky votim nuk kishte thjeshtë synim vetëm atë që tashmë është bërë linjë e kësaj mazhorance, sulm ndaj institucioneve të pavarura, por kishte brenda dhe një hakmarrje personale të kryeministrit Rama”, – tha Paloka.

Sipas përfaqësuesit të Partisë Demokratike, kërkesa për shkarkimin e kryeinspektores Xhuka nga ILDKP-ja, erdhi për faktin se ajo kishte kërkuar hetimin e kryesocialistit Edi Rama.

“Dje në Parlament, ne publikuam korrespondencën që Kryeministri aktual Rama kishte pasur me kryeinspektoren e Inspektoratit të Lartë të Deklarimit të Pasurive, lidhur me kërkesën ligjore të bërë prej saj ndaj Ramës, dhe përgjigjes krejtësisht jo vetëm në kundërshtim me ligjin por dhe një përgjigje të mbushur me kërcënime e abuzive ndaj kërkesës ligjore të zonjës Xhuka, që i kishte bërë z. Rama për të deklaruar, për të bërë transparencë si detyrim ligjor, lidhur me pallatin e ndërtuar prej bashkëshortes së tij apo edhe për pasuritë e tjera për të cilat deri më sot Rama akoma nuk ka deklaruar askund se me çfarë parash janë vënë”, – tha kreu i grupit parlamentar demokrat.

Sipas Palokës, nisma e mazhorancës rrezikon edhe krerët e tjetër të institucioneve të pavarura në vend. Qëndrimi i kreut të grupit parlamentar demokrati, u bë një ditë pas vendimit të Kuvendit për të shkarkuar kryeinspektoren Zana Xhuka. Në këtë votim, opozita nuk mori pjesë për faktin se ndodhej në protestën e 20 shkurtit.

 

 Kuvendi shkarkon Xhukën, Ganaj kreu i ri i ILDKP-së

 Kuvendi i Shqipërisë votoi dy ditë më parë me 77 vota pro shkarkimin e kryeinspektores Zana Xhuka nga Inspektorati i Lartë i Deklarimit Kombëtar të Pasurive. Në të njëjtën kohë, Kuvendi miratoi Shkëlqim Ganajn në vend të Xhukës me 75 vota. Opozita nuk mori pjesë votimin që u bë në seancën plenare për faktin se ndodhej në protestën e paralajmëruar në sheshin “Skënderbej”, por më herët ajo kishte kundërshtuar si antikushtetuese nismën e mazhorancës, duke akuzuar krerët e qeverisë se po tentojnë të kapin institucionet e pavarura. Deputetë të opozitës theksuan se me shkarkimin e paligjshëm të Xhukës nga ILDKP-ja, deputetët socialist dhe qeveritarët, kanë mundësi të fshehin të ardhurat e tyre të padeklaruara. Mbledhja e djeshme e Kuvendit të Shqipërisë shoqërua me tensione të forta mes mazhorancës dhe opozitës për shkak të futjes në seancë plenare të kërkesës se miratuar dy ditë më parë në Komisionin e Ligjeve, që synon të shkarkojë kryetaren e Inspektoratit të Lartë të Deklarimit të Pasurive, Zana Xhuka.

 

 

 

KQZ, thirrje partive politike: Dorëzoni në kohë raportet financiare

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve u bëri thirrje partive politike që të zbatojnë ligjin dhe të sjellin raportet vjetore financiare pranë KQZ-së, brenda datës 31 mars 2014. Shkelja e këtij afati, sipas komisionit më të lartë të administrimit zgjedhor në vend, do të ndëshkohet me gjobë. “Partitë politike të regjistruara në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor të Tiranës, në mbështetje të nenit 23 të ligjit “Për partitë politike” kanë detyrimin që të depozitojnë raportin financiar një herë në vit pranë KQZ-së. Raportet duhet të jenë sipas rregullave për raportimin e financimit, për monitorimin, mbikëqyrjen dhe auditimin financiar të partive politike”, – thuhet në njoftimin e KQZ-së. Sipas dispozitës së sipërcituar raportet financiare duhet të përmbajnë informacion të hollësishëm për: a) burimet e financimit në bazë të formatit të standardizuar, të miratuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve; b) shpenzimet c) subjektet e lidhura, drejtpërdrejt ose tërthorazi, me partitë politike apo që kontrollohen prej tyre, të cilat deklarohen nga vetë partia politike. Raportet duhet të depozitohen nëpërmjet personave përgjegjës për financat e partive politike sipas formateve të standardizuara për raportimet financiare vjetore të miratuara me vendim të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve me aktet nënligjore ka përcaktuar datën 31 mars të çdo viti si afat kohor të dorëzimit të raportit vjetor financiar të partive politike.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ngre shqetësimin se nga partitë politike të regjistruara në Gjykatë, deri tani këtë raport e kanë dorëzuar vetëm 6 parti politike, PD, PS, PDIU, LSI, FRD dhe PBDNJ.

Sipas KQZ-së, mosrespektimi i këtij detyrimi dhe shkelja e afatit të dorëzimit të raportit financiar në kohën e duhur apo paraqitja e raporteve në shkelje të formateve të standardizuara, të miratuara nga KQZ, dënohet me gjobë nga 50.000 deri në 100.000 lekë.