Anxhela Tato
Julian Sinanaj rrëfen se porositësi për këtë krim është Genis Mëhillaj, pagesa 40 mijë euro
Në pamjet filmike shfaqet vetëm momenti kur Juliani qëllon personin që ndodhet brenda në makinë
Shënjestra e videos së tretë misterioze të gjetur në iPad-in e Julian Sinanajt është një biznesmen. Burime nga organi i akuzës bëjnë me dije se personi që “njeriu-bombë” ekzekuton në automjet ka qenë një porosi e Genis Mëhillajt, por ende nuk ka asnjë të dhënë rreth identitetit të tij apo periudhës kohore dhe vendit ku ka ndodhur vrasja. E vetmja provë në duart e Prokurorisë janë xhirimet e videos, ku shfaqet Julian Sinanaj dhe viktima e tij, i cili ndodhet brenda makinës. Asnjë shenjë dalluese për të bërë të mundur identifikimin e ambientit dhe në asnjë moment nuk shfaqet pamja e personit që ekzekuton Sinanaj. Mësohet se vetë vrasësi me pagesë ka pranuar që të “hapë thesin” për këtë krim misterioz, duke rrëfyer vetëm se viktima merrej me biznes. Por Juliani nuk ka treguar se në çfarë date e ka kryer rimin dhe as identitetin e viktimës. E vetmja dëshmi e dhënë para prokurorëve ka qenë për porositën dhe vleftën financiare. Juliani ka treguar se kjo porosi i ka ardhur nga Genis Mëhillaj, i cili i ka ofruar si shpërblim shumën e 40 mijë eurove. Edhe për këtë rast Juliani nuk është interesuar që të dinte motivin, pasi, sipas tij, kjo do të thoshte krijimin e dyshimeve tek kushërinjtë Mëhillaj. “Njeriu-bombë” ka nisur të përgjojë shënjestrën e radhës, duke zbuluar lëvizjen e tij, oraret, vendet që frekuentonte më shpesh dhe njerëzit me të cilët shoqërohej. Viktima është ekzekutuar kur ndodhej brenda në automjetin e parkuar. Nga ana e organit të akuzës, janë duke vijuar hetimet për këtë krim, i cili mbetet enigmatik. Verifikimi i të dhënave të Julian Sinanajt dhe i pamjeve filmike janë momentalisht e vetmja provë që disponon organi i akuzës.
Videot
Ndër provat e sekuestruara nga ana e organit të akuzës janë edhe tri video vrasjesh. Dy tregojnë momentet e ekzekutimit të Agron Çelës dhe peshkatarit Sokol Veizi, ndërsa nuk zbulohet dot se kush është viktima e tretë që shfaqet në pamjet filmike, pasi në fokus të kamerës është vetëm automjeti i zi, duke mos u shfaqur në asnjë moment targa e makinës. Në pamjet filmike duket vetëm automjeti i zi i parkuar dhe Julian Sinanajt, i cili afrohet dhe hap zjarr. Është e pamundur që të identifikohet fytyra e viktimës, pasi ai ndodhet brenda në automjet. Ky krim mbetet ende enigmë për organin e akuzës, në mungesë të gjetjes së të dhënave që mund të çojnë në identifikim. Nga ana tjetër, Juliani nuk ka pranuar të flasë për këtë krim. Vrasësi me pagesë ka thënë se nuk kishte lidhje me atentatin ndaj kryetarit të Komunës Qendër, Fredo Berberi, ndaj gjykatësit Skerdilajd Konomi apo atentatin ndaj biznesmenit Xhemal Çela në Durrës. Nuk ka asnjë deklaratë në rrëfimin e Sinanajt për veprimtarinë e tij kriminale në Greqi. Vrasësi me pagesë nuk ka treguar asgjë për ndonjë atentat të kryer në vendin fqinj, pavarësisht nga shkrimet në gazetat greke. Mjeshtëria me të cilën Sinanaj përgatiste atentatet i ka bërë prokurorët të mendojnë se ai ka qenë i trajnuar nga grupe ekstremiste në Greqi, por vrasësi me pagesë ka qenë i kujdesshëm të mos flasë. Familja e tij jetonte prej vitesh në shtetin fqinj dhe kjo e ka bërë Sinanajn të rezervohet. Pavarësisht nga shumat e mëdha të parave me të cilat paguhej, Julian Sinanajt i janë gjetur vetëm 10 milionë lekë në banesën ku jetonte me qira në Rrugën e Kavajës, ndërsa pritet të verifikohet nëse ka llogari bankare.
Prokuroria e Apelit
Kryeprokurori: Prioritet, dosjet e korrupsionit dhe të krimit ekonomik
Për kryeprokurorin Adriatik Llalla, korrupsioni dhe krimi financiar duhet të jenë prioriteti i punës së organit të akuzës. Deklaratat janë kryer në analizën e Prokurorisë së Shkallës së Parë dhe të Apelit në Tiranë. Llalla ka vlerësuar sensibilitetin dhe presionin e madh që ka për hetimin dhe dërgimin në Gjykatë të dosjeve për zyrtarët apo mashtrimet për përfitime të mëdha financiare. Kryeprokurori u ka kërkuar prokurorëve të Apelit të jenë kontrolluesit realë të vendimeve të Shkallës së Parë dhe të mos hezitojnë të çojnë në Apel dhe të kërkojnë vendosjen e plotë të drejtësisë dhe Ligjit. Për shefin e Prokurorisë së Apelit, Shkëlqim Hajdari, statistikat kanë shënuar një përqindje të lartë të vendimeve të Shkallës së Parë të mbrojtura nga prokurorët e Apelit, si dhe rrëzimin e dënimeve minimale në Shkallën e Dytë. Më herët, kryeprokurori vlerësoi rritjen e nivelit të punës në Prokurorinë e Tiranës gjatë analizës së zhvilluar në këtë organ të akuzës. Llalla ka ngritur problematikën e dosjeve të paplota, ndërsa ka vlerësuar rritjen e dosjeve të regjistruara për korrupsion dhe shpërdorim detyre. Në analizën e Prokurorisë së Apelit në Tiranë ishte i pranishëm edhe kryeprokurori Adriatik Llalla. Drejtori i Prokurorisë së Apelit, Shkëlqim Hajdari, gjatë kësaj analize vuri në dukje përhapjen e gjerë të veprave penale e korrupsionit, ndërsa kreu i organit të akuzës këshilloi mbajtjen e një qëndrimi të ashpër ndaj këtyre veprave penale. Llalla u shpreh më tej se do të ketë masa të larta dënimi për krimin ekonomik dhe korrupsionin.
Tiranë
Autobusi përplas kalimtaren, në gjendje të rëndë
Një kalimtare është plagosur lehtë pasditen e djeshme në kryeqytet, pasi është përplasur nga autobusi i një linje urbane. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 17:30 në afërsi të “Tajvanit” në kryeqytet. Kalimtarja është dërguar menjëherë në Spitalin Ushtarak, prej ku mësohet se është në gjendje të mirë shëndetësore. Ndërkohë, policia po punon për të zbardhur shkaqet e aksidentit.
Gjirokastër
I gjendet armë nën batanije, pranga 17-vjeçarit
Një student 17 vjeç u arrestua dje në mesditë, pasi në dhomën e konviktit në Gjirokastër i është gjetur një armë zjarri pistoletë dhe një krehër me 7 fishekë. Sipas policisë së Gjirokastrës, “gjatë një kontrolli në dhomën ku ishte i akomoduar shtetasi M. B., 17 vjeç, nga Tepelena, nxënës në vitin e dytë në Shkollën Industriale, poshtë batanijes në krevatin ku flinte u gjet një armë zjarri pistoletë dhe një krehër me 7 fishekë”. Pas gjetjes së mjeteve të zjarrit, policia arrestoi 17-vjeçarin, ndërsa sekuestroi edhe armën me fishekët në cilësinë e provës materiale. Studenti me iniciale M. B. nga Tepelena do të gjykohet për veprën penale “Prodhim dhe mbajtje pa leje të armëve luftarake dhe municionit”.