Lënia e duhanit përmirëson shëndetin mendor

0
226

Smoking-1024x1008

Në mbi 3 vjet, njerëzit që kanë hequr dorë nga duhani, kanë thënë se kanë pakësim të çrregullimeve të humorit dhe problemeve të drogës dhe alkoolit. Një studim i ri këshillon se lënia e duhanit mund të jetë po aq e mirë për shëndetin tuaj mendor sa ç’është për shëndetin tuaj fizik. Hulumtuesit analizuan të dhënat nga 4800 duhanpirës të përditshëm në Shtetet e Bashkuara, që kanë marrë pjesë në dy sondazhe të kryera 3 vjet larg njëra-tjetrës. Ata që kishin një varësi apo probleme të tjera të shëndetit mendor, në hulumtimin e parë, kishin më pak të ngjarë që të kishin po këto probleme në anketën e dytë, nëse e kishin lënë duhanin. Sondazhi i parë zbuloi se 40% e pjesëmarrësve kishin çrregullime të ankthit ose humorit apo një histori të këtyre kushteve, 50% kishin probleme me alkoolin dhe 24% probleme me drogën. Vrojtimi i dytë tregoi se 29 % e atyre që e kishin lënë duhanin, kishin çrregullime humori, krahasuar me 42 për qind të atyre që ende pinin duhan. Probleme të alkoolit u raportuan nga 18 % e atyre që e kishin lënë dhe nga 28% e atyre që vazhdonin ta pinin. Problemet e drogës kishin ndikuar tek 5 përqindëshi i atyre që e kishin lënë dhe 16 përqindëshi i atyre që ende tymosnin. Studiuesit në Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit të Uashingtonit në Sent Luis, vunë në dukje në një deklaratë për shtypin universitar se kur trajtojnë pacientët me çrregullime të shëndetit mendor, mjekët mund të anashkalojnë vesin e duhanpirjes tek pacientët e tyre, me besimin se është më mirë të marren më pare me çështjet psikiatrike.

 

Kakaoja rrit kolesterolin

Pirja e kakaos çdo ditë mund ta rrisë nivelin e HDL kolesterolit (“të mirë”) bëjnë të ditur hulumtuesit japonez të “OchanOmizu University” nga Tokioja. Ata studiuan 25 burra të shëndetshëm japonezë me nivel normal ose mesatarisht të lartë të kolesterolit. Asnjëri nga ta nuk kishte marrë barna, antioksidues ose vitamina. Ata nuk kishin as mbipeshë, duke gjykuar sipas mesatares së indeksit të masës trupore dhe nuk kishin pirë shumë alkool. Së pari, hulumtuesit kontrolluan mostrat e gjakut dhe të urinës së pjesëmarrësve në studim dhe i ndanë në dy grupe. Grupi i parë u caktua të pijë sheqer me përmbajtje kakaoje çdo ditë për 12 javë. Grupit tjetër iu dha të pinte pije sheqerore që nuk përmbanin kakao, po ashtu për 12 javë. Por grupi i parë nuk pinin kakao të rëndomtë. Studiuesit blenë kokrra të kakaos i poqën, i qëruan dhe i copëtuan ato në laborator. Ata po ashtu analizuan edhe pudrën e kakaos për të qenë të sigurt se nuk kishte humbur sasi të madhe të antioksiduesve gjatë përpunimit. Në fund të eksperimentit 12 javor, pjesëmarrësit bënë disa analiza të mostrave të gjakut dhe të urinës. Njerëzit në grupin që morën kakao treguan një rritje 24% të nivelit të HDL kolesterolit. Nivelet e HDL po ashtu u rriten edhe në grupet tjera krahasuese, por në një nivel më të ulët (5% ngritje në HDL). Hulumtuesit kanë testuar edhe LDL kolesterolin (“e keq”) të tyre. Testet kanë përmbajtur disa lloje “të shprishura” të LDL kolesterolit me disa radikale të lira që mundësojnë procesin e oksidimit. LDL kolesteroli i oksiduar mund të jetë pjesërisht i rrezikshëm, pasi që oksidimi mund të ndihmojë që LDL kolesteroli të grumbullohet në arterie, shpjegojnë hulumtuesit. Testet laboratorike kanë treguar se LDL kolesteroli i njerëzve që kanë pirë kakao gjatë ditës, për 12 javë rresht, ishte më shumë rezistues ndaj oksidimit, se sa LDL kolesteroli i atyre që nuk kanë pirë kakao.

 

Mjekët rikthejnë në jetë njeriun që i ndaloi zemra 17 herë

Zemra i ndaloi së punuari 17 herë, brenda disa minutash, por arriti të rikthehej në funksion secilën herë me ndihmën e mjekëve. Personi që i mbijetoi asaj që ndoshta askush më herët nuk i kishte mbijetuar quhet John Gilmartin. Burri 41-vjeçar nga Çadesden, Angli, “rifitoi” zemrën 11 herë gjatë rrugës për në spital dhe gjashtë herë të tjera brenda spitalit “Royal Derby Hospital”, ngjarje kjo që ndodhi dy muaj më parë. Ai nuk ishte ndjerë mirë gjatë një dite, në muajin shtator, dhe ishte rrëzuar pa ndjenja, para se të zgjohej në dhomën e kujdesit intensiv. Gilmartin, i cili kurrë më herët nuk kishte pasur probleme me zemrën, tash është rikuperuar plotësisht dhe thotë se ishte me fat që mbijetoi. “Nuk kam pasur ndonjë problem me zemrën, gjithmonë kam qenë mirë me shëndet. Familja ime ishte tmerruar. Gruaja ime më ka lëshuar në dysheme dhe ka bërë reanimim kardiopulmonar në mua derisa kanë ardhur mjekët. Ka pasur shanse që unë tash të vuaja nga dëmtime të trurit pa një reanimim kardiopulmonar (ndihma e parë duke pompuar zemrën dhe dhënë oksigjen)”, – ka thënë ai. Punëtorët shëndetësorë vazhdimisht i kishin administruar goditje elektrike për ta mbajtur zemrën e tij të funksionojë, që ka funksionuar dhe personi nuk ka pasur as pasoja nga kjo. Dr. Gareth Hughes, i cili ka qenë në mesin e stafit që ka kryer ndërhyrjen kirurgjike në zemrën e personit, ka thënë se rastet kur zemra ndalon dhe ringjallet sërish me ngacmime elektrike, zakonisht përjetojnë dëmtime neurologjike, që nuk kishte qenë rast te Gilmartin. “Është jashtëzakonisht e pazakonshme të kesh një rezultat aq të suksesshëm, i cili jo vetëm që mbijetoi, por mbijetoi plotësisht pa dëme neurologjike”, – ka thënë mjeku.