Tritoli/ Kallëp dinamiti nën bluzë, pranga 50-vjeçarit

0
215

Anxhela Tato

 

Dëshmia e Gëzim Allushit: Dinamitin e kam prej vitit 1997 dhe e kam marrë nga depot në periudhën e trazirave

 Hetimet, 50-vjeçari u arrestua në 2011-ën para spitalit të Durrësit me 4 kallëpe, u dënua me 8 muaj

 

arrestNjë 50-vjeçar është arrestuar në mesditë nga forcat e komisariati nr. 5 në Tiranë në qendër të Kamzës, pasi gjatë kontrollit të ushtruar, i janë gjetur në trup katër kallëpe dinamiti të fshehura. Burime nga policia e Tiranës bëjnë të ditur se i arrestuari është 50-vjeçari Gëzim Allushi. Arrestimi i tij është bërë pas një ndjekjeje dhe hetimi disaditor, ku dyshohet se Allushi ishte i përfshirë në trafikun e armëve. Menjëherë pas arrestimit, 50-vjeçari është dërguar në mjediset e Drejtorisë së Policisë së Qarkut Tiranë, për t’iu nënshtruar hetimeve të mëtejshme nga oficerët e policisë dhe nga prokurorët. Sipas të dhënave të uniformave blu, Allushi kishte udhëtuar nga Mati në drejtim të Tiranës, ndërsa kallëpet e dinamitit ishin fshehur poshtë rrobave. “Kapja e tij u bë pas marrjes në kohë të një informacioni të strukturave të policisë për vendndodhjen e tij dhe posedimit të lëndëve plasëse. Pas kontrollit të imtësishëm të ushtruar në ambientet e një lokali ku po qëndronte shtetasi i lartpërmendur, iu gjetën të fshehura në trup disa kallëpe lëndë plasëse (dinamit)”, – thuhet në njoftimin për shtyp të policisë. Nga të dhënat mësohet se 50-vjeçari ndodhej brenda mjediseve të një lokali duke pirë kafe. Sapo ka konstatuar forcat e policisë që po afroheshin, ai ka tentuar që të largohet, por nuk ia ka arritur dot. Pas arrestimit 50-vjeçari është mbajtur në mjediset e komisariatit numër 5, ku është marrë në pyetje. Ai është munduar të justifikohet me faktin se eksplozivin e kishte prej vitit 1997 dhe se e kishte marrë nga depot e hapura në vitin e mbrapshtë të rrëmujave. Policia ka nisur kontrolle në banesën e Allushit në Mat, si dhe ka nisur shoqërimin e të afërmve për marrjen në pyetje në cilësinë e personave që mund të kenë dijeni për ngjarjen. Burimet policore thanë se ishte e paqartë nëse Allushi e kishte maskuar eksplozivin me peshë rreth 1 kilogram për ta shitur apo kishte për qëllim kryerjen e ndonjë akti terrorist me të.

 

Precedenti

 Por kjo nuk është hera e parë që Gëzim Allushi arrestohet nga policia për të njëjtën vepër. Më datë 24 prill 2011, në oborrin e spitalit të Durrësit është arrestuar në flagrancë, pasi nga kontrolli i ushtruar atij iu gjenden me vete një sasi prej 4 kallëpe lëndë plasëse dhe një kapsollë detonator me fitil. Kanë qenë efektivët e policisë, të cilët në ambientet e spitalit Durrës po ruanin një të dënuar, të cilët kanë vënë re Gëzim Allushin, i cili bënte lëvizje të shpeshta e të dyshimta në oborrin e spitalit dhe pas kontrollit të ushtruar kanë zbuluar sasinë e eksplozivit që kishte me vete. Lidhur me këtë ngjarje, Gëzim Allushi, më datë 12.7.2011, nga Gjykata e Durrësit është dënuar me 8 muaj burgim. Po ashtu mësohet se Allushi rezulton së është dënuar dhe për “Dhunë në familje”. Nga ana e saj, policia e Tiranës është duke vijuar hetimet për të zbuluar prejardhjen dhe destinacionin e lëndës eksplozive.

 

 

Analiza

Dy struktura të reja në Prokurorinë e Përgjithshme për luftën kundër korrupsionit

Rritja e cilësisë dhe shpejtësisë së hetimit janë dy ndër problematikat e evidentuara nga ana e kryeprokurorit gjatë analizës së Prokurorisë së Përgjithshme. Ndërsa janë themeluar dy struktura të reja që do t’i shërbejë luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. “Duke e vlerësuar prioritare luftën kundër korrupsionit sektori i Hetimit të Krimit Ekonomik dhe Korrupsionit ngrihet në nivel më të lartë, në Drejtori të Hetimit të Korrupsionit. Kjo strukturë, e cila do të drejtohet nga prokurori Altin Binaj, do të synojë të koordinojë veprimtarinë e njësive task-forcë dhe do të rrisë rolin e tyre në luftën kundër korrupsionit”. Duke folur për aktivitetin e këtyre njësive, prokurori i Përgjithshëm u shpreh se “është e nevojshme që të ketë ristrukturime në këto struktura për të rritur efiçencën dhe dinamikën e tyre. Këto ndryshime do të prekin, sidomos njësitë task-forcë në qytetet kryesore, përfshirë edhe Tiranën”. Në kuadër të hetimit dhe parandalimit të krimeve kompjuterike dhe bankare, kryeprokurori njoftoi gjithashtu krijimin e sektorit të Krimeve Kibernetike në Prokurorinë e Përgjithshme, e cila do të drejtohet nga prokurori Arqile Koça. “Krijimi i kësaj njësie, e cila mbështetet edhe nga partnerët ndërkombëtarë, ka ardhur si një nevojë për rritjen e efikasitetit të luftës kundër krimit bankare dhe kompjuterik në përgjithësi. Kjo strukturë do të kontrollojë aktivitetin e njësive të posaçme që po ngrihen në të gjithë prokuroritë e rretheve gjyqësore”, – u shpreh Adriatik Llalla. Në mbledhjen e djeshme u prezantua edhe riformatimi i Drejtorisë së Studimeve në Prokurorinë e Përgjithshme, e cila do të formalizohet brenda pak ditëve dhe do të drejtohet nga një prokuror.

 

 

Durrës

E panë nën shoqërinë e një djali, hidhet nga pallati 15-vjeçarja

 

Nxënësja e një shkolle në Durrës i ka dhënë fund jetës, pasi mësuesja e kishte parë duke u shoqëruar me një bashkëmoshatar me të cilin dyshohet se kishte një lidhje dashurie dhe pasi ka debatuar me të në klasë. 15-vjeçarja, personazh i kësaj historie, nuk ka mundur t’i mbijetojë depresionit pas këtyre ngjarjeve dhe ka vendosur t’i japë fund jetës, duke u hedhur nga kati i tetë i një pallati. Ngjarja e rëndë është shënuar në lagjen nr. 5 të qytetit bregdetar të Durrësit mbrëmjen e së martës. Adoleshentja me inicialet G. Sh. mësohet se pas një debati që ka bërë me mësuesen në shkollë gjatë paradites së djeshme, ka shkuar në banesën e një shoqes saj të klasës. Ajo i ka rrëfyer shoqes saj gjithçka ka ndodhur gjatë ditës në raport me bashkëmoshatarin e saj dhe më pas debatin në klasë më mësuesen. Pasi i ka rrëfyer gjithë ngjarjen, adoleshentja ka marrë edhe vendimin drastik për t’i dhënë fund jetës. Ajo, teksa ka dalë nga apartamenti i shoqes së saj, ka qëndruar në sheshpushimin e katit të tetë të pallatit dhe është vetëhedhur. Ky veprim i ka kushtuar jetën së resë, ndërsa në vendngjarje kanë mbërritur menjëherë forcat e policisë. Këta të fundit kanë nisur hetimet për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes. Trupi i pajetë i adoleshentes është çuar në morgun e spitalit të qytetit në pritje për t’u tërhequr nga familjarët.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency