Në mbrëmjen artistike të organizuar me këtë rast morën pjesë përfaqësues të lartë të politikës shqiptare, zëvendëskryeministri Niko Peleshi, kryetari i Parlamentit Ilir Meta, ministra të kabinetit qeveritar, ambasadorë, përfaqësues të financave, bizneseve më të mëdha në vend dhe artistë të shumtë. Në përshëndetjen e tij z. Peleshi shprehu mirënjohjen për punën që SIGAL dhe UNIQA kanë bërë përgjatë këtyre viteve për zhvillimin e tregut dhe ekonomisë shqiptare si dhe garantoi mbështetjen e qeverisë shqiptare për zhvillimin e tregut të sigurimeve. Gjatë mbrëmjes artistike, e cila u drejtua nga prezantuesi Ardit Gjebrea, performuan emra të njohur të artit shqiptar: balerini, solist i Operas Shtetërore të Vjenës Eno Peci, tenori i mirënjohur Josif Gjipali, virtuozi Fatos Qerimi. Artistët u shoqëruan nga orkestra rajonale Klubit të Artit dhe Kulturës të SIGAL UNIQA nën dirigjimin e Mjeshtrit të Madh Ermir Dizdari.
Konferenca
Bordi Mbikëqyrës i SIGAL UNIQA dha në të njëjtën ditë një konferencë për mediat duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve mbi performancën e SIGAL UNIQA përgjatë 15 viteve, zhvillimet e tregut në Shqipëri dhe planet e UNIQA Insurance Group për Shqipërinë. Në fjalën e tij, drejtori i Përgjithshëm i SIGAL UNIQA Z. Avni Ponari foli për arritjet e kompanisë përgjatë këtyre viteve dhe sfidat aktuale të tregut. Z. Andreas Brandstetter, CEO i UNIQA foli për potencialin e madh që ka tregu shqiptar i sigurimeve për zhvillimin e mëtejshëm të tij veçanërisht për sa i përket sigurimeve të jetës dhe shëndetit. Dr. Erhard Busek, ish-koordinator i Paktit të Stabiliteti dhe anëtar i Bordit Mbikëqyrës të SIGAL UNIQA u shpreh se suksesi i SIGAL UNIQA është jo thjesht një histori suksesi në Shqipëri por një shenjë e mirë e zhvillimit të të gjithë rajonit.
Shifra dhe fakte përgjatë 15 viteve
Në vitin 1999, SIGAL, e cila në atë kohë ishte një kompani e vetme sigurimi jo-jetë me aktivitet vetëm në Shqipëri, kishte një kapital prej 400,000 USD dhe një volum primesh prej rreth 8 milionë euro dhe staf prej vetëm pesë personash. 15 vjet më pas, SIGAL UNIQA është shndërruar në një prej grupeve më të mëdha të sigurimeve në rajon, ka mbi 30 milionë euro kapitale të vetat, mbi 43 milionë euro prime dhe 1100 punonjës dhe agjentë.
Në fillimet e aktivitetit të saj, SIGAL UNIQA ofronte vetëm 3 produkte sigurimi dhe përgjatë viteve ka rritur gamën në 43 produkte të të gjitha klasave të sigurimit. Përgjatë 15 viteve SIGAL UNIQA ka ruajtur pozicionin si lider i tregut duke zotëruar mesatarisht 30% të tregut në Shqipëri, si në kohën kur në treg operonin vetëm 5 kompani ashtu edhe sot kur ushtrojnë aktivitetin 12 kompani sigurimi. Një ndër synimet e Kompanisë që prej fillimit të aktivitetit ka qenë profesionalizmi dhe përgjegjshmëria ndaj klientëve prandaj pagesa në kohë e dëmeve është gjithmonë në plan të parë. Shuma totale e paguar për dëmet materiale dhe shëndetësore të klientëve në të gjithë rajoni, përgjatë 15 viteve arrin shifrën mbi 90 milionë euro.
SIGAL UNIQA Group AUSTRIA u shpall sërish ketë vit si një ndër 100 kompanitë më të mëdha të Evropës Juglindore. Si një grup kompanish i përbërë nga 7 kompani sigurimi dhe 1 fond pensionesh private, SIGAL UNIQA ofron të gjitha llojet e sigurimeve të jetës, jo-jetës, risigurime dhe pensione private më shumë se rreth 1.5 milionë klientëve në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni. Që prej vitit 2002, SIGAL UNIQA është lider i tregut të sigurimeve si për dëmet e paguara ashtu edhe për volumin e primeve. Përgjatë viteve SIGAL UNIQA është vlerësuar në nivel ndërkombëtar nga institucione të ndryshme si Bussiness Initiative Directions, South-East Europe News, Finance Central Europe etj.