Vendimi i qeverisë/ Si do të bëhet vlerësimi i 86.500 punonjësve të administratës, kriteret dhe procedurat

0
199

Gëzim Saliu

 

Zbardhja e vendimit: Detyrat e nëpunësve, mënyra e vlerësimit dhe kërkesa e ankimimit kur nëpunësi nuk është dakord me vlerësimin e dhënë nga superiori

 

mbledhja e qeveriseQeveria ka miratuar dje vendimin për vlerësimin e rezultateve në punë të nëpunësve civilë, ku janë të përcaktuara kriteret që duhen përmbushur si nga drejtuesit e institucionit ashtu edhe nga punonjësit e administratës. Ky vendim vjen pas rrëzimit nga Gjykata Kushtetuese të aktit normativ të qeverisë për shtyrjen e nëpunësit civil dhe në të publikohen 6 aktet nënligjore me 56 pika në tërësi që kanë të bëjnë me vlerësimin e punës së punonjësve të administratës. Vendimi përcakton procedurën e vlerësimit të rezultateve në punë të nëpunësve civilë në institucionet e administratës shtetërore, institucionet e pavarura e njësitë e qeverisjes vendore dhe kompetencat për vlerësimin. Ndërkaq në pjesën e dytë të vendimit të Këshillit të Ministrave përcaktohet sistemi i vlerësimit të rezultateve në punë, ku theksohet se ky proces do përsëritet çdo vit, dhe do konsistojë në vlerësimin e realizimit të objektivave; dhe vlerësimin e sjelljes profesionale. Në këtë kontekst është parashikuar edhe formulari i vlerësimit, ku në rastet kur nëpunësi civil i kategorisë ekzekutive, të ulët ose të mesme drejtuese nuk është dakord me vlerësimin përfundimtar të rezultateve në punë, ka të drejtë të kërkojë shqyrtim të vlerësimit nga sekretari i Përgjithshëm/pozicioni i barasvlershëm me të/titullari i institucionit. Nga ana tjetër, vendimi parashikon detyrat e nëpunësve të përfshirë në procesin e vlerësimit të rezultateve në punë. Sipas qeverisë, vlerësimi për vitin 2014, do të përfshijë edhe muajt nëntor dhe dhjetor të vitit 2013 e ndërsa përjashtim për këtë vit do të bëjë faza e planifikimit (ku përfshihen përgatitja e objektivave dhe e një plani veprimtarish për arritjen e objektivave kryesorë), e cila do të përfundojë deri më 30 prill 2014.

 

Vendimi

Qeveria përcakton se vlerësimi i rezultateve në punë për nëpunësin civil të kategorisë ekzekutive, të ulët dhe të mesme drejtuese kryhet bashkërisht nga zyrtari raportues, zyrtari kundërfirmues dhe zyrtari autorizues. Sipas vendimit, para dhënies së vlerësimit përfundimtar,KKP-ja zhvillon një intervistë me nëpunësit që do të vlerësojë. “Vlerësimi i rezultateve në punë ka të bëjë me: vlerësimin e realizimit të objektivave; vlerësimin e sjelljes profesionale”. Po ashtu bëhet e ditur edhe se ku konsiston vlerësimi i sjelljes profesionale të nëpunësit civil të kategorisë ekzekutive, të ulët dhe të mesme drejtuese. “Ka të bëjë me vlerësimin e a) gabimeve/saktësisë në punën e kryer; b) realizimit në kohë të punës; c) kolegjialitetit të marrëdhënieve; ç) gatishmërisë për punë në grup; d) shpeshtësisë së orëve të punës jashtë orarit; dh) kërkesave për këshillim; e) trajnimit dhe ngritjes profesionale. Ndërkohë në vendim theksohet se gjatë vitit, çdo katërmujor, zyrtarët raportues takohen me secilin prej nëpunësve që do të vlerësohen për të rishikuar progresin e bërë në arritjen e objektivave të planifikuar, për të shprehur mendime dhe për të dhënë komente, si dhe për të bërë përmirësimet e nevojshme në planin e hartuar me shkrim. Sa i përket vlerësimit përfundimtar në punë vendimi përcakton se zyrtari raportues bën një vlerësim të përmbledhur të suksesit të nëpunësit që do të vlerësohet në arritjen e objektivave kryesorë të punës, të përcaktuar në fazën e planifikimit dhe të rishikuar gjatë bisedimeve të ndërmjetme, fazë e cila realizohet në periudhën 15 nëntor – 15 dhjetor. Vlerësimi do të ketë 4 shkallë kryesore që fillojnë nga: shumë mirë, mirë, kënaqshëm dhe në fund jokënaqshëm, ku niveli i parë tregon se nëpunësi ka realizuar shumë mirë të gjithë objektivat e ndërsa niveli i fundit tregon se nëpunësi nuk ka realizuar objektivat dhe nuk ka përmbushur pritshmëritë lidhur me qëndrimin dhe sjelljen profesionale. Gjithashtu qeveria me vendimin e saj ka përcaktuar edhe rastet e ankimit të nëpunësit civil të kategorisë ekzekutive, të ulët ose të mesme drejtuese, të cilët mund ta ushtrojnë këtë të drejtë sipas ligjit kur nuk janë dakord me vlerësimin përfundimtar të rezultateve në punë. “Zyrtari autorizues, brenda 5 (pesë) ditëve, shqyrton ankimin dhe bën vlerësimin përkatës, i cili shënohet dhe nënshkruhet nga ky i fundit në formularin e vlerësimit të rezultateve në punë”.

 

Çfarë vlerësohet tek nëpunësi

a) gabimet/saktësia në punën e kryer

b) realizimi në kohë i punës

c) kolegjialiteti i marrëdhënieve

 ç) gatishmëria për punë në grup

 d) shpeshtësia e orëve të punës jashtë orarit

dh) kërkesa për këshillim

e) trajnimi dhe ngritja profesionale

 

 

Detyrat e zyrtarit

a) Përcakton kohën e nevojshme për t’u takuar me nëpunësin që do të vlerësohet; b) I jep autoritet dhe përgjegjësi të mjaftueshme nëpunësit me qëllim që ai të realizojë plotësisht dhe kënaqshëm detyrat e tij; c) Mund të përdorë vlerësimin në terma sasiorë, si plotësues të standardeve cilësore të vlerësimit në ato rrethana kur një gjë e tillë është e mundshme dhe e përshtatshme; ç) Zhvillon takime të rregullta me nëpunësit për t’i monitoruar dhe për t’i vënë në dijeni lidhur me ecurinë në punë. Takimet e ndërmjetme që zhvillohen çdo 4 muaj janë të strukturuara dhe të shkurtra; d) Gjatë takimeve diskuton hapur me nëpunësin lidhur me realizimin e objektivave dhe profesionalizmin e treguar; dh) Me kërkesë të nëpunësit ofron këshillim dhe sqarim lidhur me vlerësimin e rezultateve individuale në punë.

-Kur ka mosmarrëveshje midis zyrtarit autorizues dhe/ose zyrtarëve kundërfirmues dhe raportues lidhur me nivelet e vlerësimit, kjo çështje diskutohet dhe zgjidhet ndërmjet tyre. Nëse nuk bien dakord, vendimi përfundimtar për vlerësimin e rezultateve në punë, në mënyrë të arsyetuar, merret nga zyrtari autorizues. Mosrealizimi i detyrave, të këtij vendimi, konsiderohet “mospërmbushje detyre” nga zyrtarët përkatës.

 

 

Detyrat e nëpunësit

a) Merr pjesë aktivisht në procesin e vlerësimit të rezultateve në punë

b) Analizon detyrat e përcaktuara në përshkrimin e punës dhe kontribuon në përcaktimin e objektivave që janë objekt i vlerësimit të rezultateve në punë

c) Duhet të krijojë një kuptim të qartë të objektivave individualë dhe të këshillohet me zyrtarin raportues për çdo paqartësi të mundshme

ç) Kontribuon me sugjerime gjatë fazës së bisedimeve të ndërmjetme

d) Sugjeron trajnime dhe mundësi të tjera për zhvillimin e tij/e saj profesional

 

box

Procesi i ankimimit

1. Nëpunësi civil i kategorisë ekzekutive, të ulët ose të mesme drejtuese, kur nuk është dakord me vlerësimin përfundimtar të rezultateve në punë, ka të drejtë të kërkojë shqyrtim të vlerësimit nga sekretari i Përgjithshëm/pozicioni i barasvlershëm me të/titullari i institucionit.

2. Zyrtari autorizues, brenda 5 (pesë) ditëve, shqyrton ankimin dhe bën vlerësimin përkatës, i cili shënohet dhe nënshkruhet nga ky i fundit në formularin e vlerësimit të rezultateve në punë

 

  Botohet në Fletoren Zyrtare/ Nis efektet e “Nëpunësit civil”, si ndryshon procedura për emërimin dhe shkarkimin nga puna

 Pezullohen konkurset me ligjin e vjetër të qeverisë, rekrutimet sipas ligjit të ri

Botohet në Fletoren Zyrtare vendimi i Gjykatës Kushtetuese për rrëzimin e aktit normativ të qeverisë për ligjin e Nëpunësit Civil. Me këtë akt, që nga dje ka nisur të japë efektet ligji i ri i nëpunësit i miratuar me konsensus mes palëve në vitin 2013, gjë që ndikon nga ana tjetër në ndryshimin e procedurave për emërimin dhe shkarkimin e nëpunësve civile. Kur deri më tani shkarkimi apo pranimi i punonjësve në administratë ka funksionuar në bazë të ligjit të vjetër të shërbimit civil, me ligjin e ri qeveria detyrohet të zbatojë procedurat e reja të cilat pezullojnë çdo konkurs të shpallur deri më tani nga institucionet shtetërore. Po ashtu edhe rekrutimet e reja duhet të bëhen sipas normave që vendos ligji i ri i “Nëpunësit civil” dhe përparësi do tu jepet atyre nëpunësve që janë aktualisht të punësuar në një institucion. Një tjetër ndryshim ka të bëjë edhe me listën e pritjes, e cila bie, pasi ligji i ri detyron që nëpunësi civil të cilit i preket vendi nga ristrukturimi duhet të lëvizet në një pozicion paralel. Po ashtu me hyrjen në fuqi të ligjit të ri, çdo nëpunës që gëzon statusin e “Nëpunësit civil” dhe që nga 1 tetori e këtej për shkaqe të ndryshme është larguar apo pezulluar nga puna, do duhet t’iu drejtohen gjykatave të shkallës së parë për të kërkuar rikthimin në vendet e tyre të mëparshme të punë. Por të gjitha këto ndryshime të ligjit të ri, do të kenë efekt vetëm për sa kohë mazhoranca të miratojë 16 amendamentet e reja për ligjin për nëpunësin civil, të kundërshtuar si antiligjore nga opozita.

 

Ligji i ri

Ndërkohë që për punonjësit e shkarkuar nga puna procedura e rikthimit duket disi e vështirë, duke marrë parasysh se mazhoranca qeverisëse ka gati ndryshimet në ligj dhe aktet nënligjore, pasojat e vendimit të Kushtetueses prekin direkt konkurset e shpallura nga qeveria për punësimet në administratë. Me rrëzimin e aktit normativ, çdo konkurs i shpallur nga institucionet shtetërore sipas përcaktimeve që bën ligji i vjetër i “Nëpunësit civil”, pezullohet. Po ashtu edhe rekrutimet do të bëhen sipas normave që vendos ligji i ri, ku përparësi për të zënë një vend të caktuar pune u jepet së pari atyre nëpunësve që janë aktualisht të punësuar në një institucion të caktuar. Lidhur me këtë situatë, deputeti i Partisë Socialiste, Armando Subashi, bëri të ditur dje qëndrimin e mazhorancës duke pohuar se me hyrjen dje në fuqi të ligjit të ri, nuk ka vakum ligjor. Ligjvënësi socialist theksoi se vendimi i Kushtetueses nuk ka fuqi prapavepruese dhe se vendimet e marra deri më tani nga qeveria sipas tij janë të vlefshme. Ndërkohë nga ana e saj opozita pretendon tërësisht të kundërtën, duke theksuar se me rrëzimin e aktit të gjitha veprimet e ndërmarra nga mazhoranca në 5 muaj për nëpunësit civilë bien poshtë. Opozita kërkon gjithashtu nga mazhoranca që të heqë dorë nga ndryshimet e ligjit, të cilat sipas saj, janë në kundërshti të plotë me konsensusin e arritur mes palëve vitin e kaluar për një ndër tri ligjet më të rëndësishme të kërkuara nga Brukseli.

 

 Plani vjetor

Si do të punësohen punonjësit e rinj të administratës shtetërore

Një tjetër vendim i rëndësishëm i marrë dje nga qeveria lidhur me shërbimin civil ishte edhe ai për përcaktimin e përmbajtjes, afatit të miratimit e të mënyrës së bërjes publike të planeve të pranimit për institucionet e administratës shtetërore, institucionet e pavarura dhe njësitë e qeverisjes vendore, si dhe përgatitjen e miratimin e planit të përgjithshëm të pranimit për institucionet e administratës shtetërore. Sipas vendimit, në institucionet e pavarura dhe organet e qeverisjes vendore për planifikimin vjetor duhet të përcaktohet: “a) numri i vendeve vakante për të cilat duhet të shpallet konkurrimi për çdo kategori dhe klasë; b) numri i anëtarëve të TND-së që do të rekrutohen gjatë vitit; c) grupet e administrimit të përgjithshëm dhe të posaçëm; ç) institucionet ku planifikohen vendet vakante”. Ndërkohë që vendimi kërkon që institucionet e administratës shtetërore, institucionet e pavarura dhe njësitë e qeverisjes vendore, të kenë parasysh në planifikimin vjetor të pranimit në shërbimin civil: “a) mbushjen e moshës së pensionit të nëpunësit civil;b) parashikaaimin e vendeve të reja në shërbimin civil; c) ecurinë e krijimit të vendeve vakante në shërbimin civil për arsye të tjera të paparashikuara”. Sipas qeverisë, institucionet në varësi të Kryeministrit apo të ministrave, jo më vonë se muaji tetor i çdo viti kalendarik, e paraqesin planin e nevojave për rekrutim, përkatësisht te sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave apo te ministri përkatës deri në fund të muajit tetor. “Njësia e menaxhimit të burimeve njerëzore në Kryeministri dhe çdo ministri hartojnë planin e konsoliduar të nevojave për rekrutim për të gjithë sistemin përkatës që përfshin aparatin e tij dhe institucionet e varësisë. Departamenti i Administratës Publike, deri në fund të muajit dhjetor, harton projektvendimin për planifikimin vjetor të pranimit për administratën shtetërore”, – thuhej në vendim. Pas kryerjes së këtyre procedurave, Këshilli i Ministrave jo më vonë se fundi i muajit shkurt, miraton planin vjetor të pranimit për institucionet e administratës shtetërore. “Njësitë e qeverisjes vendore dhe çdo institucion tjetër i pavarur, jo më vonë se fundi i muajit shkurt, miratojnë planet e veta të pranimeve vjetore. Vendimi i Këshillit të Ministrave për planin vjetor të pranimit publikohet nga Departamenti i Administratës Publike në portalin “Shërbimi Kombëtar i Punësimit”. Njësitë e qeverisjes vendore dhe institucionet e pavarura publikojnë vendimet për miratimin e planeve vjetore të punësimit në portalin “Shërbimi Kombëtar i Punësimit”, në faqet e tyre zyrtare dhe në stendat për njoftime publike të institucionit”.