Gëzim Saliu
Ministrja Harito: Konkurset e panisura pezullohen, me ligjin e ri administrata funksionon ndryshe
Me hyrjen në fuqi të ligjit të ri “Për nëpunësin civil”, pas botimit në Fletoren Zyrtare të vendimit të Gjykatës Kushtetuese që rrëzoi aktin normativ të qeverisë, ndryshon edhe procedura për rekrutimet në administratën publike. Ministrja e Inovacionit,Milena Harito, bëri të ditur dje se që nga momenti kur ka hyrë në fuqi vendimi i Kushtetueses, konkurset pezullohen, duke theksuar se vetëm ato që janë kryer tashmë do të jenë të vlefshme. Sipas ministres, me ligjin e ri do të ketë një mënyrë krejtësisht tjetër të funksionimit të administratës publike. “Hyrja në administratën publike nuk mund të zhvillohet më ashtu siç zhvillohej deri tani. Ajo që ndryshon esencialisht është fakti që nuk është më institucioni që organizon konkurs për vendet e saj të lira. Me ligjin e ri konkurset organizohen vetëm nga Departamenti i Administratës Publike dhe jo për një drejtori të caktuar, por për profesionin. Konkurset janë në rang kombëtar. Kandidatët janë ata që përzgjedhin vendin ku do shkojmë dhe jo më institucionet që zgjedhin kandidatët. Ky ligj do të jetë shumë i rëndësishëm për administratën, por efektet do t’i japë pas disa vitesh”, – bëri të ditur ministrja në një intervistë për “Ora News”.
Ligji
Ndërkohë, mazhoranca qeverisëse nga ana e saj, duke bërë të ditur se nuk ndryshon qëndrim për ndryshimet e ligjit të nëpunësit, të kundërshtuara nga opozita, pohoi se vendimi i Gjykatës Kushtetuese nuk ka fuqi prapavepruese. “Nuk mund të zhbëhet më ajo që është bërë në këta muaj. Vendimi i Kushtetueses nuk ka fuqi prapavepruese, sepse në rast se kjo ndodh, do ta fuste vendin në një çmenduri, kaos total”, – tha Harito. Nga ana tjetër, ministrja theksoi se ndryshimet në ligjin e ri kanë të bëjnë me pjesën e varësisë së administratës, organizimin e këshillit mbikëqyrës së administratës publike si edhe me çështje që lidhen me daljen nga shërbimi civil. “Kemi rastin e reformës territoriale dhe do ketë vende që do mbyllen. Çfarë ndodh në këtë rast, ligji nuk parashikonte asgjë. Ne me ndryshime parashikojmë që të marrin një rrogë për një farë kohe”, – pohoi ministrja. Me hyrjen në fuqi të ligjit të ri për nëpunësin, ndryshojnë procedurat për emërimin dhe shkarkimin e punonjësve të administratës publike. Kur deri më tani shkarkimi apo pranimi i punonjësve në administratë ka funksionuar në bazë të ligjit të vjetër të shërbimit civil, me ligjin e ri qeveria detyrohet të zbatojë procedurat e reja, të cilat pezullojnë çdo konkurs të shpallur deri më tani nga institucionet shtetërore. Po ashtu, edhe rekrutimet e reja duhet të bëhen sipas normave që vendos ligji i ri i “Nëpunësit civil” dhe përparësi do t’u jepet atyre nëpunësve që janë aktualisht të punësuar në një institucion. Një tjetër ndryshim ka të bëjë edhe me listën e pritjes, e cila bie, pasi ligji i ri detyron që nëpunësi civil, të cilit i preket vendi nga ristrukturimi, duhet të lëvizet në një pozicion paralel. Po ashtu, me hyrjen në fuqi të ligjit të ri, çdo nëpunës që gëzon statusin e “Nëpunësit civil” dhe që nga 1 tetori e këtej ata që për shkaqe të ndryshme janë larguar apo pezulluar nga puna, do të duhet t’u drejtohen gjykatave të Shkallës së Parë për të kërkuar rikthimin në vendet e tyre të mëparshme të punë. Lidhur me këtë ndryshim, opozita ka theksuar se me rrëzimin e aktit të gjitha veprimet e ndërmarra nga mazhoranca në 5 muaj për nëpunësit civilë bien poshtë. Të djathtët kanë kërkuar që qeveria të heqë dorë nga ndryshimet e ligjit për nëpunësin, pasi sipas tyre, ato janë kërcënim për të gjithë punonjësit e administratës publike pasi synojnë që në administratë të mos ketë nëpunës që gëzon statusin civil.
Dialogu i nivelit të lartë
Füle, vizitë në Shqipëri më 6 mars, Stano: Angazhim për integrimin e Shqipërisë
Komisioneri për Zgjerimin në Bashkimin Evropian, Stefan Füle, viziton të enjten tjetër, më 6 mars, Tiranën për të marrë pjesë në një tjetër raund bisedimesh të nivelit të lartë mbi reformat kyçe në vend. Lajmi u konfirmua dje nga zëdhënësi i komisionierit Füle, Peter Stano, i cili thekson se zyrtari i lartë evropian është i angazhuar për të vazhduar punën me Shqipërinë në rrugën e saj drejt integrimit, mes të cilave edhe dialogun e nivelit të lartë të nisur vitin e kaluar me synim për të ndihmuar Shqipërinë në procesin e integrimit evropian thuhet në një njoftimin e Komisionit Evropian. Edhe takimi i së enjtes së ardhshme mes Füles dhe delegacionit të nivelit të lartë shqiptare për reformat e integrimit do të zhvillohet me dyer të mbyllura, ku pritet të bëhen publike hapat e ndërmarra nga qeveria në fushën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Ashtu si edhe më parë në këtë takim pritet pjesëmarrja e një përfaqësuesi të opozitës, i cili do të bëjë publik qëndrimin e së djathtës për zhvillimet e fundit në vend muajt e fundit. Vizita e eurokomisionerit Füle ishte parashikuar të ndodhte me 13 shkurt, por u shty për shkak të angazhimeve të tij në situatën e krijuar në Ukrainë.