Florenc Drizari
Kreu i PD-së, Basha: Protesta e shoferëve të furgonëve, pasojë e vendimeve të qeverisë
Opozita shqiptare vazhdon të kritikojë ashpër mazhorancën qeverisëse për situatën e fundit ekonomike në vend si dhe për vendimet e marra nga kjo e fundit për miratimin e paketës fiskale. Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, gjatë forumit të djeshëm të zhvilluar për lirinë ekonomike, tha se “përkeqësimi i indikatorëve të ekonomisë, rendit, sigurisë po shoqërohet me një rritje të frymës së protestës nga kategori të ndryshme shoqërore që nuk kanë dhe nuk ndjekin asnjë axhendë politike, por axhendën e tyre personale, familjare, dhe mbrojnë interesat e tyre si grupe interesi”. Tema e këtij forumi të zhvilluar në Tiranë ishte “Kërcënimi i ekonomisë, largimi nga politikat liberale në Shqipëri”. Në komentin e tij, Basha theksoi se tema është e tejkaluar dhe për këtë ai iu referua shembujve konkret. Duke folur për protestën e furgonëve dy ditë më parë në rrugët dhe bulevardet e kryeqytetit, Basha iu përgjigj edhe disa akuzave të bëra nga përfaqësues të qeverisë për organizime politike nga opozita. Sipas kreut të PD-së, protesta vjen si një revoltë qytetare ndaj një sërë vendimesh kundër punësimit dhe zhvillimit ekonomik që, sipas tij, po ndjek qeverisja e majtë e jo si një nxitje nga opozita shqiptare. “Pra, kjo frymë proteste duhet lexuar për atë që është. Nuk mund dhe duhet të ketë asnjë alibi se këtu paska një faktor politizimi të tejskajshëm apo se opozita po fërkon duart që shqiptarët po hidhen në protestë. Është e kundërta. Shqiptarët po hidhen në protestë për shkak të një goditje të intensifikuar të themeleve të ekonomisë, të tregut, të lirive, të sigurisë juridike, të shtetit ligjor”, – deklaroi Basha.
Gjatë forumit të djeshëm për lirinë ekonomike, Basha u ndal në zhvillimet e fundit në vend, duke vënë theksin tek rritja e taksave dhe përkeqësimi i klimës për të bërë biznes në Shqipëri. Sipas tij, të dhëna tregojnë se në vend një përkeqësim të qartë për sa i përket indikatorëve kryesorë të ekonomisë që kanë të bëjnë me eksportin, me importin, kanë të bëjnë me prodhimtarinë në tërësi.
Sipas kreut të opozitës, përkeqësimi i klimës së biznesit ka të bëjë me mentalitetin që kanë krerët e qeverisë për të drejtuar shtetin. “Mentaliteti se Shqipëria mund te menaxhohet si kazermë ku për çdo problem çon policinë, bën task-forcën e çon policinë, mentaliteti se policia është përgjigja e çdo problemi, çfarë ka sjellë? Ka sjellë që policia po përdoret dhe po keqpërdoret në çdo fushë vend e pa vend përveç fushës në të cilën i është besuar mandati nga taksapaguesit shqiptarë që është fusha e rendit dhe e sigurisë. Vetëm në këtë fushë polica nuk ndihet por kemi përkeqësim të jashtëzakonshëm të indeksit të krimit, të indeksit të vjedhjeve, krimit kundër jetës të shpeshtimit të kriminalitetit të formave më të rënda siç është ai i përdorimit të eksplozivëve kundër jetës dhe pronës së qytetarëve, në këtë fushë nuk ndjehet shteti”, – deklaroi Basha.
Në këto tetë vite, sipas tij, sfida e qeverisë është ta mbajë vendin larg krizës, “por ata kanë zhytur me sukses vendin në krizë”. Kjo që po prodhon qeveria shqiptare në këtë vend tha Basha është “pasiguri, recesion, krizë, frikë, tkurrje dhe një armiqësi gjithmonë e më pak të heshtur midis faktorëve të ndryshëm shoqërorë dhe shtetit e politikave të shtetit”.
Manjani: Protesta e furgonëve s’ka mbështetje popullore, do të zbatojmë ligjin
Ministria e Transporteve shprehet e vendosur të zbatojë ligjin për shoferët e furgonëve dhe, sipas zëvendësministrit Ylli Manjani, do të bëhet e qartë ndarja mes shërbimit taksi dhe atij publik. “Licencën drejtuesit e furgonëve e kanë marrë në çdo komunë apo bashki që kanë aplikuar. Pika 5 thotë ndalohet shërbimi taksi i udhëtarëve në linjë të rregullt, që korrespondon me detyrimin që ka neni 37 i ligjit për transportet. Asnjë kërkesë nuk duket e pranueshme që të cenojë standardin që ju thashë, taksia të bëjë punën e vet, autobusi të bëjë punën e vet. Të dy, duhet të punojnë në mënyrë të ndershme”, – tha Ylli Manjani, zëvendësministër i Transportit dhe Infrastrukturës. Zëvendësministri Manjani thotë se ministria mund të shohë si alternativë për pronarët e automjeteve 8 plus 1 akomodimin në akset rrugore që nuk mund të përshkohen nga autobusët. “Kemi hedhur idenë dhe jemi gati ta bëjmë që shërbimi taksi i furgonëve 8+1 mund të shtrihet jo vetëm brenda juridiksionit të Bashkisë, por brenda qarkut”,- tha Manjani. Zëvendësministri Manjani komentoi protestën e një dite më parë, duke e quajtur atë të politizuar. “Ata mendojnë se Shqipëria duhet të shkatërrohet sipas skenarit grek. Konstatojmë se është e izoluar, nuk ka mbështetjen popullore, siç ishte proklamuar”, – tha Manjani.
Situata e rendit, Berisha: Shqipërinë po e merr krimi!
Ish-kryeministri Sali Berisha, duke bërë një përmbledhje të ngjarjeve kriminale të ndodhura ditët e fundit, akuzon krerët e qeverisë për politika të gabuara në fushën e rendit dhe të sigurisë. Berisha thotë se në dy ditë, tre biznesmenë të vrarë, 5 tritole, 7 grabitje me maska, 20 tonë drogë të nisura drejt Italisë, duke e krahasuar këtë si një bilanc tejet dramatik për sigurinë.
“Vendi, me qeverine Rama-Meta te sponsorizuar nga bandat dhe krimi, po rrokulliset me shpejtesi drejt kaosit dhe gremines. Qeveritaret kane vendosur ne krye te rendit, porteve, aeroporteve, ne dogana e polici, trafikantet e tyre me uniforme. Ata shkrine policine rrugore dhe ate kriminale per ti hequr krimit ndjekjen dhe hapur droges korridoret. Ata sollen tritolin e partise kunder kundershtareve politik dhe njeri – tjetrit.
Te dashur miq, gjendja eshte dramatike dhe me kete qeveri vetem perkeqesim do te kete. Eshte koha te mendojme ne menyren me serioze per sigurine e jetes se femijeve tane, te vetes tone dhe vendit ne teresi. Te ngrihemi kunder shokeve te krimit ne pushtet, perndryshe pasiguria e plote do te jete fati yne. sb”, – ka shkruar ish-kryeministri Berisha në rrjetin e tij social, “Facebook”. Më herët komentet e ish-kreut të qeverisë në lidhje me situatën e rendit publik kanë qenë të shpeshta dhe në fokus të deklaratave të tij kanë qenë zyrtarët e lartë të shtetit, si Kryeministri Edi Rama, ministri i Brendshëm Saimir Tahiri, Kryeparlamentari Ilir Meta si dhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Artan Didi.