Anxhela Tato
Hetimet, vidhnin lekët e konsumatorëve duke mos i furnizuar me vlerën reale të karburantit të paguar
Të arrestuarit kanë ndërhyrë në matësin e elektronik duke e dëmtuar, zhbllokuan pompat e bllokuara nga Metrologjia
Mashtrimi me karburantet çon në pranga një administrator dhe dy menaxherë pikash karburantesh. Prangosja është bërë pas lëshimit të urdhrit të arrestit të Prokurorisë së kryeqytetit. Nga ana e forcave të policisë janë arrestuar K.Mersinaj, administrator i “D….sh.p.k”; E. Tauzi, menaxher i një pike “F…..sh.p.k dhe Sh. Berliku, menaxher i një pike “P….. T….. Këta shtetas akuzohen se nëpërmjet veprimeve të paligjshme kanë dëmtuar në mënyrë të vullnetshme matësit e sasisë së karburantit në pikat ku ushtronin detyrën e tyre. Hetimi vijon dhe është shtrirë në disa drejtime, për të sqaruar, ndër të tjera edhe dëmin e shkaktuar.
Hetimet
Në bazë të informacioneve të siguruara nëpërmjet medias dhe asaj të shkruar rezultonte se në periudhën Qershor–Gusht 2013 pika të tregtimit të karburantit në rrethin e Tiranës dhe rrethe të tjera abuzonin me sasinë e karburantit që iu shitej klientëve, ku rezultonte se sasia e furnizuar ishte më e vogël se ajo për të cilën paguanin konsumatorët. Ky fakt është konstatuar edhe nga kontrollet e ushtruara nga Metrologjia, në bazë të të cilave subjekte të ndryshme janë gjetur me shkelje dhe ndaj tyre janë marrë edhe masa administrative. Nga sekuestrimi i praktikave të kontrollit të subjekteve tregtare të karburantit dhe deklarimet e inspektorëve që kanë konstatuar këto shkelje rezulton se: kanë ndërhyrë duke zhbllokuar pistoletat të cilat ishin të bllokuara me vulat e Drejtorisë së Përgjithshme të Metrologjisë, fakt që pasqyrohet në akt kontrollet; kanë përdorur pistoleta furnizimi me karburant me afate kohore të skaduar dhe që japin mangët; kanë ndërhyrë në instrumentet matëse duke prishur (këputur) shenjat e verifikimit (vulat), në të cilin kanë qenë të bllokuara. Në këtë mënyrë, subjektet nisur edhe nga detyrimet ligjore kanë kryer veprime me dashje si, duke dëmtuar instrumentin matës dhe duke furnizuar konsumatorët me anë të instrumenteve të paverifikuar, duke përdorur pompa furnizimi më afate të skaduar apo duke përdorur pompa furnizimi jashtë parametrave të lejuar dhe që japin sasi mangët të karburantit, pra dyshohet se në mënyrë të vazhdueshme ka vjedhur pasurinë e tyre me anë të gënjeshtrës, e cila konsiston në faktin e furnizimit të një sasie më të vogël karburanti nga ajo për të cilën është paguar nga konsumatori. Këto veprime vijnë në kundërshtim edhe me ligjin nr.9902, datë 17.4.2008 “Për mbrojtjen e konsumatorit” i ndryshuar, i cili ka për qëllim mbrojtjen e interesave të konsumatorëve në treg, duke përfshirë të gjitha llojet e marrëdhënieve ndërmjet tregtarëve dhe konsumatorëve.
Tiranë
Terrorizoi banorët me armën e babait, arrestohet i ati
Burimet zyrtare kanë bërë me dije se, një djalosh 12-vjeçar ka terrorizuar banorët e zonës pranë shkollës “Bajram Curri”, pasi gjithë guxim ka provuar të qëllojë me armë zjarri në drejtim të qiellit. Ngjarja mësohet të ketë ndodhur në kryeqytet, ku shtetasi K.Cungu 12 vjeç, ka qëlluar me armë zjarri tip kallashnikov në ajër . Autoritetet lokale kanë bërë me dije se, i ati i 12-vjeçarit e ka shtyrë këtë të fundit për të vepruar në këtë mënyrë që të krijonte situata paniku te banorët, të cilët kanë mbetur jo vetëm të frikësuar, por edhe të shokuar nga tentativa e adoleshentit për të treguar ‘burrërinë’ me shkrepjen e një arme zjarri. Ndërkohë është bërë me dije se, në Komisariatin nr 4 është shoqëruar shtetasi K.Cungu 12 vjeç dhe babai i tij, i cili mesa bëhet e ditur nëpërmjet të dhënave paraprake, është arrestuar nga uniformat blu pasi ka shërbyer si nxitës kundrejt këtij veprimi nga ana e djalit të tij. Faktet kanë vërtetuar se adoleshenti që në moshë fare të mitur është akuzuar dhe është provuar fajësia e një serie vjedhjesh të bujshme. Madje, ai ishte bërë i njohur në Tiranë, si super hajduti që zhvaste qytetarët.
Policia
I dënuar me burgim të përjetshëm për 2 vrasje, pranga Avni Majallarit
Policia e kryeqytetit ka arrestuar mesnatën e së premtes, Avni Majallarin, i dënuar me burgim të përjetshëm për dy vrasje. Arrestimi i 44-vjeçarit, është bërë në banesën e tij në rrugën “Ibrahim Brahja”, në Tiranë dhe në momentin e arrestimit, ai mbante një pistolete në dorë. Gjatë kontrollit të banesës iu gjetën një automatik, një pistolete tjetër dhe një sasi e konsiderueshme fishekësh. Sipas policisë, Majallari, rezulton i dënuar nga Gjykata e Tiranës me burgim të përjetshëm në janar të 2001, pasi ka ekzekutuar me armë zjarri shtetasit, Armando Nelaj dhe Ilir Gjuzi. Ekzekutimi ka ndodhur në segmentin rrugor Tiranë-Dajt, ku Majallari i kishte zënë prite dy viktimave, me të cilët ishte konfliktuar disa ditë më parë.
Aksion anti-drogë
Sekuestrohet 379 kg kanabis, pranga 4 persona
Aksion anti-drogë në mbarë vendin sekuestron një sasi prej rreth 379 kilogramë kanabis sativa. Kakavijë, Vlorë dhe Muriqan janë tre zonat ku është gjetur lënda narkotike e llojit kanabis sativa, ndërsa në prangat e bluve akne rënë katër persona. Nga Policia e Vlorës u sekuestrua një sasi prej 200 kg lëndë narkotike kanabis sativa. Droga u kap në një fugon me targa “AA 124 HS” që drejtohej nga Leon Osmanaj, para se të imbarkohej në tragetin e linjës Vlorë-Brindisi. Në fugon udhëtonin edhe dy pasagjerë, të cilët bashkë me drejtuesin e mjetit janë shoqëruar në polici. Ndalimi u bë rreth orës orës 15:00 në Pikën e Kalimit Kufitar Portual Vlorë gjatë kontrollit në vijën e parë të automjeteve që do të imbarkoheshin për në tragetin e linjës Vlorë-Brindisi. Lënda narkotike u sekuestrua në cilësinë e provës materiale. Nga strukturat e Luftës Kundër Narkotikëve filloi procedimi penal për identifikimin dhe kapjen e autorëve. Ndërkohë që një sasi prej 157 kg drogë e tipit marijuanë është sekuestruar ditën e djeshme pranë kufirit Shqiptaro-Grek. Lënda narkotike u kap nga policia greke në automjetin e një 22-vjeçari shqiptar pranë pikës së kalimit kufitar të Kakavijës. Sipas policisë droga vinte nga Lazarati dhe kishte për destinacion Athinën. Nga ana e bluve u shoqërua në komisarit 22-vjeçari, i cili është marrë në pyetje për të zbuluar persona të tjerë që mund të kenë qenë bashkëpunëtor në këtë linjë. Ndërsa në Muriqan është gjetur një sasi prej 22 kilogramësh kanabis dhe në pranga kanë rënë dy persona.