Prej javësh drejtues të automjeteve të udhëtarëve 8 plus 1 në disa zona të Shqipërisë janë në protestë masive. Shkas është bërë vendimi i autoriteteve të transportit dhe policisë për të zbatuar një ligj të vitit 1998, i cili është amenduar dhe në vitin 2007. Në thelb zbatimi i ligjit i detyron automjete të tilla që kur lëvizin nga një qytet në një tjetër në kthim nuk duhet të kenë pasagjerë. Kurse për ato automjete 8 plus 1 që nuk janë licencuar operimi ndërqytetës nuk lejohet.
Ministria e Transportit ka ofruar disa rrugë zgjidhje për drejtuesit e taksive 8 plus 1, por që në thelb respekton zbatimin e ligjit, në kuptimin që taksitë do të operojnë si taksi, ndërkohë që autobusët do të operojnë sipas licencimit si autobusë. Variantet e zgjidhjes sipas ministrit Edmond Haxhonasto janë aplikimi i njërës prej tre opsioneve: ose që shoferët t’u binden kritereve të licencës që kanë marrë duke vendosur taksimetër duke marrë në rrugën e kthimit vetëm ata pasagjerë që kanë pasur në vajtje; ose drejtuesit e këtyre mjeteve të transportit të mos operojnë si taksi, por të pajisen me licencë transporti ndërqytetas; opsioni i tretë ka lidhje me mbulimin e linjave brenda një qarku, duke mbuluar ato segmente ku nuk ka autobusë.
Por shoqatat e transportit që mbrojnë kërkesat e drejtuesve 8 plus 1 si dhe Bashkimi i Sindikatave të Pavarura ka apeluar për qeverinë dhe konkretisht për Ministrinë e Transporteve që të bëjë ndryshime ligjore për të lejuar këtë shërbim, si një mundësi sociale dhe ekonomike për drejtuesit dhe familjet e tyre që të mbijetojnë. Sipas protestuesve mjaft shoferë kanë marrë kredi në bankë për blerjen e automjeteve të tyre dhe stopimi i këtij transporti do të ishte fatal për ekonominë e familjeve të tyre në këtë periudhë krize. Ndaj dhe ata kanë paralajmëruar se do ta vazhdojnë protestën deri sa të ketë një marrëveshje për mënyrën e transportimit të udhëtarëve nga një qytet në një tjetër me automjetet 8 plus 1.
Marrëdhënie me shumë aktorë në konflikt
Shpëtim Luku, analist i çështjeve të ekonomisë në media, e përshkruan si kaotik transportin ndërqytetës, ku sipas tij, ashtu si në sektorë të tjerë të ekonomisë “bashkëjetojnë” dhe “luftojnë” të ligjshmit dhe të paligjshmit, pra të licencuarit dhe të palicencuarit. Kjo sjell një shërbim pa cilësi për qytetarët, thotë Luku për “DW”.
“Mjetet e transportit janë të vjetër, sepse sipas mendimit tim mungojnë investimet pikërisht si rrjedhojë e dekurajimit që vjen prej ekzistencës së tregut informal. Ndalojnë vend e pa vend, nisen orar pa orar, si rrjedhojë e ‘garës’ për të fituar apo për të mos humbur pasagjerë. Zgjidhja më e mirë që duhet realizuar me taksitë 8 plus 1 është që së pari të bëhet një inventarizim i tyre, të eliminohen nga tregu ata që janë pa licencë, si dhe te pajisen të gjithë me taksimetër. Duhet të kuptojmë që kemi një marrëdhënie me shumë aktorë në konflikt: janë pronarët e automjeteve 8 plus 1 të licencuar si taksi me ata që nuk janë të licencuar si të tillë; në një kohë që janë pronarët e autobusëve kundër atyre të autoveturave 8 plus 1. Nevoja për të vendosur rregull është evidente”.
Inxhinieri i Transportit, Fatmir Hasho, që drejton një institut kërkimesh dhe analizash për aksidentet rrugore në Shqipëri është njëkohësisht dhe anëtar i Shoqatës Evropiane për Kërkime dhe Analiza të Aksidenteve Rrugore. Duke e ndjekur problematikën e transportit të udhëtarëve, ai mendon se duhet të bëhet një saktësim në shifra, ku bazuar në të dhënat zyrtare, automjete për transportin e udhëtarëve 8 plus 1 në të gjithë Shqipërinë janë të regjistruara 7266, prej të cilave vetëm 2149 prej tyre janë të licencuara për taksi, pra me targa të verdha. Pjesa tjetër, me targa të bardha, punon në mënyrë të paligjshme. Për ato që janë të licencuara si zgjidhje optimale duhet të ishte lënia në punë deri sa t’u mbarojë afati i përdorimit të licencës, thotë Hasho .
“Kurse automjetet e tjera me targa të bardha nuk duhet të lejohen për transport udhëtarësh ndërqytetas, pasi ato nuk plotësojnë kushtet teknike për një gjë të tillë. Ne kemi bërë monitorim të akseve Tiranë – Durrës dhe Tiranë – Krujë dhe performanca e furgonëve është jashtë kushteve normale. Ndalojnë ku të munden për të marrë pasagjerin, ndërkohë që drejtues të mjeteve kanë qenë jo personat që i kanë në pronësi, por të tjerë që nuk plotësojnë kriteret. Këto janë shkaqe për aksidente në rrugë”.
Të respektohet standardi evropian
Hasho i referohet përvojës së vendeve evropiane dhe konkretisht Gjermanisë, ku një transport i tillë është shumë i disiplinuar sa u takon burimeve njerëzore që angazhohen për drejtimin e mjeteve, kushteve teknike dhe motorike të mjeteve, por dhe infrastrukturës së këtij shërbimi.
“Terminalet e udhëtimit të udhëtarëve nuk mund të kuptohen pa përcaktimin dhe emërtimin e stacioneve, duke krijuar kushte për qëndrimin në to të udhëtarëve. Jo vetëm në Gjermani, por dhe në vende të tjera udhëtari në stacion merr info për oraret dhe destiancionet dhe orientohet përmes sinjalistikës. E theksoj që këto janë kushte bazike për evitimin e aksidenteve dhe për disiplinimin e transportit publik ndërqytetës. Kudo udhëtimi ndërqytetës bëhet vetëm me autobus ose me minibus, pra mbi 8 plus 1 vende, kështu që ky standard duhet të vendoset dhe në Shqipëri. Po kështu një prioritet tjetër është mënyra e licencimit të drejtuesve të këtyre automjeteve që merren me transportin e udhëtarëve”.
Fatmir Hasho thotë se prej vitit 2006 instituti që ai drejton ka bërë disa propozime për rritjen e profesionalizmit të ekspertëve që angazhohen me qarkullimin rrugor në tërësi dhe për problematikën e aksidenteve në veçanti sipas modelit europian, por ende nga autoritetet nuk ka marrë përgjigje. Shpëtim Luku mendon se shteti e ka për detyrë të luajë rolin e tij rregullator duke eliminuar pikësëpari të gjithë ato mjete transporti të cilat janë të palicencuara. “Pavarësisht kundërshtimeve, pavarësisht spekulimeve politike, pavarësisht ankimeve, duhet vepruar, sepse nëse ajo do karakterizohet nga logjika justifikuese e problemeve, atëherë i bie që, për shembull, edhe ata që prodhojnë e shesin pije alkoolike të pakontrolluara t’i justifikosh, edhe ata që shesin produkte ushqimore në rrugë t’i justifikosh! Mirëpo detyra e shtetit është vendosja e rregullit. Dhe ministria e transportit këtë duhet të bëjë në këtë sektor të transportit, të vendosë rregull”.