Jurges Veizaj
Kapiteni i kombëtares kuqezi u shpreh se nuk ka dyshime se shqiptarët kanë vetëm një kombëtare. Ndërsa për sa i përket largimit të lojtarëve, si Ujkani apo Sadiku, ai u shpreh se nuk duhen parë vendimet e lojtarëve, por që vendimet duhen marrë në grup
Lorik Cana nuk ka dyshime, skuadra përfaqësuese e shqiptarëve duhet të jetë vetëm një. Mesfushori dhe kapiteni i kombëtares mbajti një qëndrim kategorik në lidhje me këtë çështje. Kapiteni ka theksuar se të dyja vendet duhet të bashkojnë forcat për një skuadër sa më solide dhe konkurruese. Në lidhje me emrat e përveçëm, si Ujkani e Sadiku, kapiteni nuk mbajti një qëndrim, por u shpreh se vendimet duhet të merren pas konsultimit me të gjithë pjesëtarët e kombëtares shqiptare. Në fokus të mesfushorit kuqezi pa dyshim që është edhe përballja e dyfishtë dhe shumë e komentuar me Serbinë. Lojtari i Lacios e pranoi faktin se kombëtarja në përballjen ndaj sllavëve duhet të zbresë në fushë një skuadër e bindur në forcat e veta. Në lidhje me pritshmëritë e kapitenit për grupin eliminator, i rëndësishëm është fakti që Shqipëria duhet të mësojë nga gabimet e së shkuarës. I pranishëm në konferencën përpara ndeshjes miqësore kundër Maltës, u rishfaq pas një viti mungesë edhe sulmuesi Edmond Kapllani. Lojtari durrsak po kalon një formë të mirë me ekipin FSV Frankfurt në Bundesligën 2, ku madje ka shënuar edhe mjaft gola të rëndësishëm. Sulmuesi nuk e fsheh kënaqësinë për këtë rikthim dhe shton se skuadra është rritur teknikisht krahasuar me momentin kur ai mbante të veshur këtë fanellë për herë të fundit. Në vijim, Kapllani shtoi se grupi aktual duhet të japë maksimumin, pasi tashmë nuk ka më ekipe të dobëta. E ardhmja e sulmuesit te skuadra gjermane është ende në dyshim por Kapllani pohon se do të nisë shumë shpejt bisedimet me klubin.
Statistika Maltë-Shqipëri
Ndeshja e parë për kuqezinjtë pas përfundimit të eliminatoreve të Botërorit Brazil 2014, shënon përplasjen e tetë mes dy përfaqësueseve, që janë ndeshur për herë të parë thuajse 20 vjet më parë. Nëse i referohemi renditjes botërore të FIFA-s për muajin shkurt, konstatojmë se kuqezinjtë tanë janë më superiorë. Ata mbajnë vendin e 55-të, ndërsa Malta është shumë më poshtë në këtë klasifikim, pikërisht në vendin e 131-të. Dhe, në fakt, fuqia e Shqipërisë lidhet logjikshëm edhe më statistikat që kanë prodhuar përballjet mes dy kombëtareve. Bilanci është i tillë: 4 fitore i përkasin Shqipërisë, 2 takime kanë përfunduar barazim, ndërsa 1 fitore i takon Maltës. Edhe golavarazhi flet dukshëm për kuqezinjtë, 12-3. Nga këto, 5 ndeshje kanë qenë miqësore dhe dy të tjera kualifikuese për Botërorin 2010. Në përplasjen e parë eliminatore mes Shqipërisë dhe Maltës, që u luajt në “Qemal Stafa”, kuqezinjtë triumfuan me rezultatin 3-0, falë golave të Bogdanit, Klodian Duros dhe Dallkut. Asnjëri prej këtyre lojtarëve nuk është më pjesë e përfaqësueses së De Biazit. Takimi i kthimit që u luajt në Maltë, përfundoi në barazim pa gola, një rezultat ky zhgënjyes, që e detyroi FSHF-në të shkëpuste marrëdhëniet me trajnerin Holandez Ari Han.
Thaçi takon lojtarët para takimit të sotshëm
Kryeministri Hashim Thaçi takoi ditën e hënë lojtarët e kombëtares së Kosovës, të cilët do të luajnë sot ndeshjen e parë ndërkombëtare. Në prag të takimit ndaj Haitit, Thaçi u tha futbollistëve se gjithë Kosova dhe kombi shqiptar i ka sytë nga ata. “Ju uroj një ndeshje të suksesshme dhe paraqitje dinjitoze në fushë”, – tha Kryeministri kosovar. Me këtë rast, kreu i Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri, i dhuroi Kryeministrit Thaçi fanellën e kombëtares. Përfaqësuesja e Kosovës e përzgjedhur nga Albert Bunjaki, pasditen e të hënës, zhvilloi stërvitjen e parë në stadiumin e KEK-ut, në Kastriot. Kosova dhe Haiti do të ndeshen të mërkurën pasdite në stadiumin olimpik “Adem Jashari”, në ndeshjen e parë për Kosovën nën ombrellën e FIFA-s.
Fabregas: Edhe ne e fitojmë tripletën
Çesk Fabregas nuk ka dyshime se Barcelona ka gjithë çfarë i duhet për të fituar tripletën këtë sezon. Katalanasit aktualisht qëndrojnë në vendin e dytë në La Liga. Një pikë prapa Realit të Madridit, ndërsa janë afër për të arritur në çerekfinale të Ligës së Kampioneve, pas fitores 2-0 në ndeshjen e parë në udhëtim ndaj Mançester Sitit. Blaugranët po ashtu kanë siguruar një vend në finalen e Kupës së Mbretit. “Ne duhet të përmirësohemi, por e gjitha ende është në duart tona. Ne kemi 19 ndeshje të mbetura në Ligë, Ligën e Kampioneve dhe Kupë dhe nëse i fitojmë të gjitha ,atëherë do të jetë një sezon i shkëlqyeshëm. Ne duhet të tregojmë se jemi më të uritur si çdokush tjetër për të fituar titullin e Ligës. Nëse fitojmë çdo ndeshje që ka mbetur, do të jemi kampionë. Më pëlqen të mendoj se ne do të jemi atje në fund të çdo gare. Duhet t’i trajtojmë këto ndeshje të mbetura si 19 finale”, – ka thënë Fabregas.
Ramsei bëhet lojtari i dytë më i paguar te Arsenali
“Mesfushori i Arsenalit, Aron Ramsei, do ta rinovojë kontratën me klubin anglez gjatë kësaj jave”, – raporton “The Guardian”. 23-vjeçari pritet të nënshkruajë kontratë pesëvjeçare, nga e cila do të përfitojë 100.000 funte më shumë në javë, në raport me atë që merr nga kontrata aktuale. Në këtë mënyrë, uellsiani do të bëhet lojtari i dytë më i paguar i “topçinjve” pas gjermanit Mesut Ozil. Kontrata aktuale e Ramseit është edhe për dy vite të tjera, por klubi ka vendosur që t’ia rinovojë atë. Kjo, në mënyrë që ta pamundësojë largimin e tij nga “Emirates”. Mësohet se përfaqësues të Arsenalit po bisedojnë me agjentin e lojtarit dhe në dy ditët e ardhshme pritet ta konfirmojnë marrëveshjen.
Pyjol largohet në 30 qershor nga Barcelona
Kapiteni i Barcelonës, Pyjol, ka bërë të ditur se do të largohet nga “Kamp Nou” në fund të këtij sezoni. Spanjolli 35-vjeçar ka pasur probleme me lëndimet në sezonet e fundit, ndërsa edhe pse ka kontratë deri në vitin 2016, ai ka vendosur që të largohet më herët. “Klubi është i njoftuar për vendimin tim. Nuk do të thotë se po largohem sot, kanë mbetur edhe tre muaj për të luajtur. Nuk e di se çfarë do të bëj pas 30 qershorit. Do të më duhet të pushoj dhe të mendoj, pastaj do të shohim. Desha ta mbaja këtë konferencë për shtyp që t’i falënderoj të gjithë, drejtorët, bashkëlojtarët, menaxherët, mediat. Faleminderit të gjithëve për gjithçka që keni bërë për mua!”, – ka thënë katalanasi. Karles Pyjol rrjedh nga Akademia e Barcelonës, ndërsa për ekipin e parë ka debutuar në vitin 1999. Që atëherë, mes të tjerash, ai ka fituar gjashtë tituj të La Ligas, dy Kupa të Mbretit dhe tre trofe të Ligës së Kampioneve.
Lëv: Gjermania, gati për Brazil 2014
Gjermania i ka të gjitha cilësitë për të triumfuar në Kampionatin Botëror 2014. Kështu mendon tekniku Hoakim Lëv. Edhe pse një ditë më parë tha se skuadra e tij nuk ishte akoma e gatshme për turneun e Brazilit, Lëv tashmë është shprehur se kombëtarja e tij mund ta fitojë trofeun, të cilin për herë të fundit e fitoi në vitin 1990. “Qëkur u hodh shorti, vazhdimisht po mendojmë për Kupën e Botës në Brazil. I gjithë përqendrimi ynë është mbi lojtarët, skuadrën, procesin dhe organizmin. Gjermania nuk e ka fituar titullin për një kohë të gjatë dhe në do të përpiqemi maksimalisht që ta kemi në dorë atë trofe”, – ka deklaruar trajneri në intervistë.
Bufon: Na duhet fitorja përballë Anglisë
Xhixhi Bufon beson se është shumë e rëndësishme që Italia ta fillojë Kupën e Botës me një fitore ndaj Anglisë. Axurrët do të përballen me ishullorët në grupin D së bashku me Uruguain dhe Kosta Rikan. “Është e qartë, nëse ne do të mposhtim Anglinë në ndeshjen e parë, kjo do të jetë një hap i madh drejt kualifikimit. Në fund, pavarësisht se ndaj kujt luani, ndeshja e parë është kartëvizita juaj, të themi kështu, dhe kjo ju mbush me vetëbesim dhe siguri për ndeshjet në vazhdim. Është e vërtetë se në ndeshjet e fundit nuk e kemi mposhtur Uruguain shumë shpesh, por po ashtu është e vërtetë se statistikat shpesh kanë dalë të gabuara. Po ashtu, ndeshja ndaj Uruguait është e fundit në fazën e grupeve dhe shpresoj se kjo nuk do të jetë ndeshja vendimtare. Kjo, sepse do të thotë që ne kemi dështuar në dy ndeshjet e para ose së paku njërën prej tyre”, – ka thënë kapiteni i të kaltërve.