Për të edukuarat te “Nana Mbretneshë”

0
232

Meri Lalaj

meri-lalaj-foto-20112Kaluan 80 vite nga çelja e Institutit Femnor “Nana Mbretneshë”, nuk mendoj se në vendin tonë të ketë ekzistuar shkollë tjetër e përmasave të tilla ku u edukuan mijëra vajza, të cilat punuan në çdo cep të Atdheut e nëpër duart e tyre kaluan mijëra nxënës të tjerë. E kështu vijon rruga e bukur e mësimnxënies. Po rendis vetëm disa prej tyre:

 

Age Qeraxhija: Vajzë nga një familje e mirë shkodrane. Ndoqi Institutin Femnor “Nana Mbretneshë” bashkë me të motrën, Bernardina Qeraxhija. Shoqet e saj më të afërta ishin Kadrije Dosti dhe Fiqret Sanxhaktari. Pas çlirimit të vendit, Ageja u caktua drejtoreshë e Shtëpisë së Fëmijës në Durrës. Më vonë e dërgojnë me punë në Gjirokastër. Vëllai i saj ishte larguar nga Shqipëria sepse ishte martuar me një austriake dhe daja i saj pat qenë ministër në kohën e Mbretit Zog. Këto ishin arsye për t’u parë me sy të keq nga pushteti komunist, por nga ana tjetër familja e tyre kishte strehuar gjatë kohës së luftës Sul Bahollin. Sërish e sjellin me punë në Durrës. Martohet në Shkodër dhe gjatë gjithë jetës punon edukatore kopshti. Ageja e fillonte ditën e punës me vogëlushët duke i rreshtuar ata për të bërë gjimnastikën e mëngjesit. Vazhdimisht mbante në zyrën e saj kutinë e ndihmës së shpejtë e në të ndodheshin jod, pambuk, kamomil e mjete të domosdoshme për të dhënë ndihmën e parë tek fëmijët.

Tek shtëpia e saj kishte kopshtin e perimeve ku mbillte perime si: angjinare, selino, domate Kalifornie (farërat i vinin edhe nga Amerika). Ajo gatuante në mënyrë të përsosur. Me njohuritë e fituara si në Shkollën e Vashave Amerikane të Kavajës si edhe në Institut, Ageja jepte mësime në gjuhën angleze. E gjithë familja dinte dhe fliste anglisht. Ageja lexonte letërsi në gjuhë të huaj, vazhdimisht dëgjonte muzikë të bukur. po ashtu për të fituar pak të holla qëndiste çarçafë për pajat e nuseve.[1]

 

Bernardina Qeraxhija: ndërsa ishte nxënëse në Institutin femnor “Nana Mbretneshë” merrej me veprimtari të shumta artistike dhe fizkulturore. Bernardina ka luajtur rolin e nënës tek poemthi “Nanë e bi” të Vinçenc Prenushit. Pasi u diplomua në Institut vijoi studimet në Itali në qytetin Orvieto në Akademinë e Edukimit Fizik, kur u kthye në Atdhe u bë trajnerja e parë e boksit në Shqipëri. Familja e tyre jetonte në Durrës dhe aty Bernardina punoi trajnere e ekipit të notit. Ajo ishte mësuese e fizkulturës dhe e gjuhës angleze. Shkolla e Mesme e Fizkulturës në Durrës në ditët tona mban emrin “Bernardina Qeraxhija”. [2]

 

Dituri Protopapa (Shtylla):

Pasi kreu shkollën fillore në Berat, Diturija u ul në bankat e Institutit Femnor “Nana Mbretneshë”. Gjatë qëndrimit në këtë Institut, kujdestari i saj ishte Safet Butka. Ka marrë pjesë në të gjitha veprimtaritë artistike dhe sportive të shkollës. Ka luajtur një rol tek dramatizimi i Vinçenc Prenushit “Nan e bi”. Tek dokumentari i dasmës së Mbretit Zog e shohim të rreshtuar bashkë me vajzat e tjera tek presin hyrjen në pallat të Mbretëreshës Geraldinë.Vazhdoi për tre vjet studimet e larta dhe u diplomua në Akademinë e Edukimit Fizik në Orvieto të Italisë. Në vitin 1942 u kthye në Shqipëri, ndërsa kishte filluar Lufta Nacionalçlirimtare. Diturija doli malit partizane me Brigadën e 7-të. Gjatë luftimeve u plagos dy herë. Pas çlirimit kthehet në Berat. Në fund të vitit 1945 fillim i 1946-ës Diturijen e arrestojnë duke e akuzuar për tentativë të vrasjes së kuadrove të larta të udhëheqjes dhe si pjesëtare të Ballit Kombëtar. E dënojnë me 20 vite burg, nga të cilët bën vetëm tre vjet e gjysmë midis torturash nga më çnjerëzoret dhe më të llahtarshmet. Pasi lirohet nga burgu vjen në Tiranë dhe në vitin 1956, martohet me Skënder Shtyllën, paskëtaj e dëbojnë familjarisht në Milot dhe më vonë në Laç. Përmes shumë pengesash dhe vështirësish të panumërta ka punuar arsimtare duke dhënë lëndën e edukimit fizik dhe matematikën, por me ndërprerje sepse pesë herë e pushuan nga puna i hoqën edhe pensionin si pjesëmarrëse në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare. Ndonëse nga koha e luftës ka dy dekorata “Medalja e Trimërisë” dhe “Medalja e Kujtimit”. Në vitin 1992, Presidenti Sali Berisha e ka dekoruar me titullin “Mësuese e Merituar”.[3]

 

Vezire Gjiraku (Mezini):

Ka lindur në Prishtinë në vitin 1922. Vezirja ishte motake kur familja e saj e përndjekur nga serbët erdhi në Shqipëri e ndihmuar nga patrioti Ahmet Gashi. Babai i vdes shumë shpejt pas ardhjes në Tiranë dhe nëna e saj hyri në punë si kuzhiniere tek familja e Hasan Prishtinës. Veziren e futën në Strehën Vorfnore, ku ndoqi shkollën fillore. Pastaj vazhdoi mësimet në Institutin Femnor “Nana Mbretneshë”. Në këtë shkollë të jashtëzakonshme Vezirja u pajis me një kulturë të gjithanshme, u formua si karakter me ndjenjat e atdhedashurisë, falë punës së lavdërueshme të kolektivit pedagogjik të Institutit. Në dhjetor të vitit 1943 u emërua mësuese në Prishtinë në shkollën “Hasan Prishtina”. Në këtë kohë kishin ardhur për të dhënë mësim në Kosovë edhe shumë mësues dhe mësuese nga Shqipëria. Ajo tregon: “Të gjithë e bënim punën me përkushtim për t’u dhënë nxënësve sa më shumë dije dhe për t’i ushqyer me ndjenjën kombëtare përmes mësimit, këngëve, vjershave, valleve”. Adem Demaçi, i cili ka qenë nxënës i mësuese Vezires, në librin e tij “Dashuria kuantike e filanit” kujton mësuesen e tij:

Ajo ishte mësuesja ime në klasën e parë dhe të dytë. Ishte e bukur, e dashur dhe përplot imagjinatë në punën e saj. Në klasën tonë çdo ditë, para se të fillonte mësimi, ne, nën dirigjimin e mësuese Vezires, këndonim “Himnin Kombëtar” dhe këngën “Po çka je o djalë i bardhë…” Ne e donim mësuesen baras me nënat tona. Kam shumë gjëra për të treguar për mësuesen Vezire, por një ngjarje më ka mbetur e thadruar fort në kujtesën time…

Atëherë ishte koha e okupimit italian, koha e Musolinit dhe e Viktor Emanuelit… Po e festonim Ditën e Flamurit, 28 Nëntorin, ishim në klasën e dytë. Ne ishim fare të vegjël për të ditur rëndësinë e kësaj feste, por mësuesja jonë shqiponjë e organizoi festën në mënyrë të jashtëzakonshme, duke i dhënë rëndësinë e merituar. Gocave ua lidhi flokët me nga një fjongo kuqezi, ndërsa neve çunave na e lidhi fjongon kuqezi rreth qafës. Mbi tabelën e zezë të klasës ajo nguli flamurin e kuq me shqiponjën dykrerëshe dhe me dy sëpata në të dy anët e shqiponjës. Mësuesja nxori nga sirtari i tavolinës së vet të punës një qeskë letre të madhe dhe të gjithëve me radhë na vuri përpara mbi banka nga dy karamele.

“Këto karamele” na tha mësuesja “keni për t’i hëngër pasi ta këndojmë “Himnin e Flamurit” dhe këngën që e këndojmë përditë…”

Mirëpo, unë duke shikuar herë karamelet, herë flamurin, harrova karamelet, sepse më tërhoqën më fort vëmendjen ato sëpatat në të dyja anët e shqiponjës. E pyeta unë shoqen time të bankës, me faqe të kuqe, me sy të shkruar e me gojë të vockël, Nihal Hasanin, se për çfarë ishin ato dy sëpata në të dy anët e shqiponjës, mirëpo ajo vetëm shtrëngoi buzët e kuqe, m’i hapi sytë e shkruar dhe rrudhi krahët. Dhe unë pa një e dy, iu drejtova mësueses Vezire me pyetjen:

“E dashura mësuese, për çfarë janë ato dy sëpata në të dyja anët e shqiponjës?”

Mësuesja Vezire së pari më shikoi me habi të madhe, vështroi edhe gjithë të tjerët, pastaj, vrik, mbuloi fytyrën e vet me pëllëmbët e duarve, na ktheu neve shpinën dhe nisi të qante… Pas dy-tre çastesh edhe ne nxënësit, një nga një iu bashkuam vajit të mësueses, pa ditur përse qanim… Pas pak mësuesja jonë ndali vajin, u kthye kah ne, rrahu shuplakët e me zë të lartë na tha:

“Këto, në të dyja anët e shqiponjës sonë janë sëpatat e pushtuesve fashistë, por shqiponja jonë shumë shpejt ka për t’i lëvizur krahët e vet të fuqishëm dhe ka për t’i bërë copë e grimë sëpatat fashiste!…”

Ne nga gëzimi, rrahëm shuplakat.

“Tash, tha mësuesja Vezire, “ngrehuni në këmbë dhe le ta këndojmë Himnin e Flamurit tonë!…” [4]

Për shkak të veprimtarisë së bashkëshortit, Veziren e burgosin në Ferizaj, kur djali i saj ishte vetëm dy javësh. Pas lirimit ajo punon ca kohë në shkollën “Bajram Curri” të Prishtinës dhe më vonë detyrohet të kthehet në Tiranë, siç bënë edhe shumë mësues të tjerë.

Mësuese Vezirja emërohet në fshatin Shullaz të Krujës ku përveç mësimit, zhvillonte kurse kundër analfabetizmit, punonte edhe me grupet artistike duke dhënë mësim në një dhomë të vogël përdhese pa banka dhe dritë të mjaftueshme. Ishin vitet kur hynin e dilnin diversantë dhe në fshatin ku jetonte mësuese Vezirja. Kështu më 16 tetor 1947 Sigurimi i Shtetit e arreston brenda në shkollë me akuzën se ishte takuar me diversantë, por shkaku i vërtetë ishte se bashkëshorti i saj donte bashkimin e Shqipërisë me Kosovën. E lirojnë në mars të vitit 1948, kur po prisheshin marrëdhëniet me Jugosllavinë.

Emërohet mësuese në Kashar, pastaj punon një vit në Tropojë, një vit në Mallakastër. Nga viti 1951 e deri sa del në pension në vitin 1972 punon në shkolla të ndryshme të Tiranës si: “Hasan Vogli”, “Kongresi i Përmetit”, “Migjeni”, “Luigj Gurakuqi”. Më 7 mars të vitit 2001 nderohet me Urdhrin e Lartë “Naim Frashëri” klasi i parë.[5]

 

 



[1] Sipas bisedës me mbesën e saj, zonjën Elvira Çapaliku

[2] Sipas bisedës me mbesën e saj, zonjën Elvira Çapaliku

[3] Sipas bisedës me birin e Diturijes, zotin Genci Shtylla.

[4] Adem Demaçi, libri “Dashuria kuantike e filanit”, fq. 180-181.

[5] Sipas shënimeve të të birit, zotit Bardhyl Selimi.