Vakanca për anëtar të Gjykatës së Lartë/ Mazhoranca “përplaset” me Presidentin, Paloka: PS i ka shpallur luftë kreut të shtetit

0
153

Ruçi: Ky këshillim nuk është produktiv, duhet të kishte filluar kur krijohet vakanca

 

 

presidenti-nishani-edi-palokaMes mazhorancës dhe kreut të shtetit nuk gjendet konsensus për emërimet në gjyqësor. Edhe pse Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, zhvilloi dje takime këshillimore me krerët e grupeve parlamentare për emërimin e një anëtari të Gjykatës së Lartë, mes tij dhe përfaqësuesve të mazhorancës nuk pati një qëndrim të përbashkët. Takimet me kreun e shtetit erdhën si pasojë e vakancës së krijuar në piramidën e gjyqësorit, pas përfundimit të mandatit të gjyqtarit Ardian Dvorani. Paraditen e së martës, të gjithë krerët e grupeve parlamentare zhvilluan takime më vete me Presidentin Nishani dhe në mbyllje të bisedimeve, palët dhanë edhe komentet e tyre për median.

 

TAKIMET

I pari që u prit në takim nga Presidenti Nishani ishte kreu i grupit parlamentar socialist, Gramoz Ruçi. Në përfundim të takimit, Ruçi deklaroi se ky këshillim nuk është produktiv. “Ky këshillim nuk është produktiv, duhet të kishte filluar kur krijohet vakanca. Nëse do t’i referohemi këshillimeve apo konsulencave me presidentin ka një interpretim të Gjykatës Kushtetuese. Fryma e këshillimit nuk ishte në kuadrin e interpretimit që ka bërë Gjykata Kushtetuese. E drejta e presidentit për të propozuar kandidate me të drejtën e parlamentit për të votuar duhet të jetë koperuese. Edhe në këtë rast nuk ishte koperuese. Nuk u diskutua për emra, as na u kërkua dhe as nuk kishim emra”, – u shpreh Ruçi. Qëndrimi i kreut të grupit parlamentar socialist, vjen pak ditë pasi kreu i shtetit Bujar Nishani, zhvilloi një takim me Kryeministrin, Edi Rama, takim në të cilin mësohet se ai nuk ka dhënë pëlqimin për dy kandidaturat për ambasador në Vatikan dhe në Emiratet e Bashkuara Arabe.

Ndërkaq, gjatë tryezës së djeshme me krerët e grupeve parlamentare, Presidenti i Republikës, u takua kryetari i grupit të PD-së, Edi Paloka. Pas takimit, deputeti demokrat akuzoi mazhorancën se i ka shpallur luftë të hapur Presidentit dhe nuk do të miratojë asnjë nga kandidaturat që do të propozojë kreu i shtetit.

“Nuk pres gjë tjetër nga zoti Ruçi, lufta me Presidentin është e hapur, ka filluar hapur ndaj të gjitha institucioneve dhe veçanërisht ndaj Presidentit. Nuk presim që zoti Ruçi apo Rama të bien dakord me Presidentin për asgjë. Është thjesht një luftë e Presidentit nga kjo mazhorancë. Çfarëdo emri që të japë Presidenti ata do jenë kundër. Për ne është konsultim i mjaftueshëm dhe në kushtet e nevojshme. Presidenti ka një listë me emra që për ne i plotësojnë kriteret e duhura, është në dorën e Presidentit ta përcaktojë”, – deklaroi Paloka. Takim me kreun e shtetit zhvilloi edhe kreu i LSI-së, Petrit Vasili, i cili mbajti një qëndrim të ngjashëm me kreun e grupit socialist, Gramoz Ruçin. Për vendin vakant në Gjykatën e Lartë, Presidenti Nishani prezantoi ditë më parë edhe listën e kandidatëve që vijnë nga radhët e gjyqësorit, të cilët janë Alaudin Malaj, Astrit Kalaja, Entela Prifti, Fatos Qato, Luan Dervishi, Sokol Ngresi dhe të kandidatëve që vijnë nga radhët e juristëve: Adnor Shameti, Ermir Dobjani, Genti Shala, Gjet Kola, Ilir Panda, Luan Daci, Pranvera Strakosha, Prel Martini, Rexhep Bekteshi, Sokol Sadushi dhe Shpëtime Pitaku.

 

 

Deklarata e Presidentit

 Presidenti i Republikës, SH.T.Z. Bujar Nishani, në zbatim të detyrimit kushtetues, si dhe në zbatim të ligjit nr. 151/2013 “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 8588, datë 15.3.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës së Lartë të Republikës së Shqipërisë”, zhvilloi sot takime këshillimore me krerë dhe përfaqësues të grupeve parlamentare. Gjatë takimeve u diskutua për kriteret e kandidatëve si dhe procedurat e dekretimit dhe miratimit të anëtarëve të Gjykatës së Lartë. Në këto takime grupet parlamentare u përfaqësuan nga zoti Gramoz Ruçi i Partisë Socialiste, zoti Edi Paloka i Partisë Demokratike, zoti Petrit Vasili i Lëvizjes Socialiste për Integrim, zoti Tahir Muhedini i Partisë Drejtësi, Integrim dhe Unitet dhe zoti Ylli Shehu i Partisë Republikane.

 

 

Petrit Vasili goditet me vezë para Presidencës, reagon Nishani: Akt i shëmtuar

Kreu i grupit parlamentar i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili, u godit me vezë teksa po fliste para medieve për takimin që pati dje me kreun e shtetit, Bujar Nishani, për vakancat e krijuara në Gjykatën e Lartë. Incidenti ndodhi para Presidencës dhe mësohet se Vasili u sulmua nga 68-vjeçari Mustafa Gjyzeli, i cili e ka goditur me vezë makinën e Vasilit edhe një vit më parë. Kreu i grupit të LSI-së ruajti qetësinë, duke vijuar deklaratën për mediat, ndërsa efektivët e Gardës bënë të mundur ndalimin e autorit, i cili u dërgua në komisariatin nr. 2. I pyetur nga gazetarët lidhur me këtë incident, Vasili tha se nuk kishte asnjë dijeni për personin që kreu këtë veprim. 68-vjeçari është marrë në pyetje nga policia dhe aty ka sqaruar motivet që e kanë shtyrë të ndërmarrë këtë veprim. Burime nga policia kanë bërë të ditur se Gjyzeli e kreu veprimin në shenjë hakmarrjeje ndaj prishjes që iu bë një lokali, biznes i familjes së tyre në vitin 2004-2005. Ai akuzoi politikën për shkatërrimin e lokalit e si rrjedhojë, ekonomisë së familjes. Pas 8 orësh ai është lënë i lirë dhe ndiqet penalisht në gjendje të lire. Sipas policisë, Gjyzeli e kreu veprimin në kushtet e një gjendjeje të rëndë depresive. Ndërkaq, në lidhje me incidentin reagoi edhe Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, duke e quajtur këtë një akt të shëmtuar.

 

“Kalimi i planit nga Doganat dhe Tatimet”/ Rama: Siguri për rilindjen ekonomike

Tejkalimi i kufirit të parashikuar të Tatimeve dhe Doganave, e thënë kjo nga krerët e këtyre institucioneve, për Kryeministrin Edi Rama ka shënuar siguri për rilindje ekonomike në vend. Në një reagim në “Facebook”, Rama shkruan: “Nën vëzhgimin e rreptë të Fondit Monetar Ndërkombëtar, Doganat dhe Tatimet kapërcyen kufirin e parashikuar nga plani i këtij viti; një plan shumë ambicioz dhe mjaft i vështirë, i cili po përballohet deri tani me një sukses që përbën një sinjal të sigurt se rilindja e shumëpritur ekonomike do të jetë realitet i prekshëm i këtij viti kthese vendimtare për ekonominë e Shqipërisë”.

Reagimi i plotë i Ramës

“Edhe në shkurt, për të dytin muaj rresht, nën vëzhgimin e rreptë të Fondit Monetar Ndërkombëtar, Doganat dhe Tatimet kapërcyen kufirin e parashikuar nga plani i këtij viti; një plan shumë ambicioz dhe mjaft i vështirë, i cili po përballohet deri tani me një sukses që përbën një sinjal të sigurt se rilindja e shumëpritur ekonomike do të jetë realitet i prekshëm i këtij viti kthese vendimtare për ekonominë e Shqipërisë. Administrata Tatimore ka realizuar planin me 102.5% duke mbledhur 12 miliardë e 295 milionë lekë të ardhura, 1.2 miliardë lekë më shumë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar, ose një rritje prej rreth 16% më shumë. Administrata doganore ka realizuar planin e të ardhurave për muajin shkurt 104% duke arkëtuar 393 milionë lekë më shumë se plani dhe 1.2 miliardë lekë më shumë se muaji shkurt 2013. Të dhënat e përmbledhura të dymujorit janar – shkurt 2014, tregojnë se janë mbledhur në total 26 miliardë e 262 milionë lekë dhe krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2013, rritja është 2 miliardë e 639 milionë lekë ose 11.2% më shumë”.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency