Sonja Caka
Propozimi, i akuzuari pas ndalimit, bisedë konfidenciale me mbrojtësin. Nëse nuk realizohet, rrëzohet si provë deklarimi i marrë
Për herë të parë në Kodin e Procedurës Penale legjislatori ka menduar edhe për të akuzuarin, të pandehurin, të ndaluarin apo dhe thjesht të shoqëruarin. Asnjë prej tyre nuk duhet të japë asnjë deklarim para policisë apo oficerit të Policisë Gjyqësore nëse më parë nuk ka komunikuar me avokatin e tij. Çdo deklarim i marrë pa praninë e këtij të fundit nuk mund të paraqitet si provë në gjykatë, pra rrëzohet. Sipas ndryshimeve të propozuara, personi ka të drejtën e tij legjitime që të bisedojë konfidencialisht me avokatin e tij para se të japë deklarime. Nëse nuk i sigurohet kjo e drejtë, atëherë çdo thënie e marrë rrëzohet dhe nuk është provë. Sipas ndryshimeve, i pandehuri ka të drejtë të njoftohet në një kohë sa më të shkurtër, me detaje dhe në gjuhën që kupton për akuzat kundër tij dhe se gjithçka që ai deklaron mund të përdoret si provë kundër tij; të mos bëjë deklarime, të mos u përgjigjet pyetjeve të caktuara, të prezantojë lirisht mbrojtjen e tij, të pranojë ose të mos pranojë fajësinë e tij; të mbrohet vetë ose me ndihmën e një mbrojtësi, në përputhje me dispozitat e këtij Kodi; të dërgohet në gjykatë në kohën më të shkurtër të mundshme dhe të gjykohet me drejtësi e paanësi në një kohë të arsyeshme; të ketë kohën dhe lehtësitë e mjaftueshme për të përgatitur mbrojtjen; të lexojë dhe të marrë kopje të akteve të fashikullit të prokurorit; të mbledhë prova që i shërbejnë mbrojtjes së vet; të deklarojë qëndrimin e tij në lidhje me faktet dhe provat kundër tij, të prezantojë fakte dhe prova në favor të tij, të pyesë dëshmitarët e akuzës dhe të kërkojë që dëshmitarët e mbrojtjes të pyeten në prani të tij.
Deklarimet që tregojnë vetëpërgjegjësi
Kur një person, që nuk është marrë si i pandehur, bën deklarime, nga të cilat dalin të dhëna që tregojnë se ai mund të ketë kryer një vepër penale, autoriteti procedues ndërpret pyetjen, duke e paralajmëruar se pas këtyre deklarimeve mund të zhvillohen hetime ndaj tij dhe e fton të caktojë një mbrojtës. Deklarimet e mëparshme nuk mund të përdoren kundër personit që i ka bërë”.
Detyrimet e mbrojtësit
Ekspertët që kanë përgatitur ndryshimet kanë bërë ndërhyrje dhe rregullime edhe në dispozitat ku flitet për rolin e palës mbrojtëse. Mbrojtësi i zgjedhur është detyruar të sigurojë mbrojtje efektive të interesave të të pandehurit brenda tagreve që i njeh legjislacioni në fuqi. Avokati i zgjedhur nga i pandehuri nuk mund të mungojë në gjykim pa një shkak të arsyeshëm. Në rastin e pengesës së arsyeshme për të qenë i pranishëm në seancë gjyqësore, avokati është i detyruar të caktojë një mbrojtës zëvendësues. Mbrojtësi zëvendësues ushtron të drejtat dhe merr përsipër detyrimet, edhe në rastet e mos aprovimit të tij nga i pandehuri, deri në sigurimin e mbrojtjes efektive për të, sipas afateve të parashikuara nga neni 55 i këtij Kodi. Mbrojtësi i zgjedhur nuk mund të largohet nga seanca gjyqësore, në rast se i pandehuri mungon ose largohet nga seanca gjyqësore si dhe në rastet kur atij nuk i garantohet e drejta për mbrojtje”. Gjithashtu, sipas ndryshimeve, në rastet e flagrancës, mbrojtësi i të pandehurit ka të drejtë të marrë pjesë në verifikimet e ngutshme në vend nga policia gjyqësore, nëse është e mundur dhe kur vonesa apo çdo shkak tjetër nuk u shkakton dëm hetimeve. Oficeri i policisë gjyqësore informon prokurorin për shkaqet e moslajmërimit të mbrojtësit”.
Ndëshkimi
Në rast se një avokat apo prokuror nuk është i pranishëm gjatë zhvillimit të procedurave gjyqësor pa ndonjë shkak të arsyeshëm ose pa të drejtë pengon apo vonon procedimin normal të seancave gjyqësore, Gjykata, me kërkesën e palës ose palëve pjesëmarrëse në gjykim, ose me nismën e vet, pas dëgjimit të avokatit ose prokurorit, përcakton nëse ka pasur një pengesë për të marrë pjesë, apo mungesa apo vonesa e procedimit normal të Gjykatës ka qenë pa shkaqe të arsyeshme. Në rastin e dytë, kryetari i trupit gjykues mund ta dënojë me gjobë deri në 50.000 lekë. Gjoba përcaktohet në proporcion me dëmin e shkaktuar nga dështimi për të marrë pjesë, nga pengimi i padrejtë ose vonesa. Në çdo rast, gjoba i njoftohet dhomës së avokatëve.
Risi
Të drejtat e viktimës së veprës penale
Viktima e veprës penale ka të drejtë të kërkojë procedimin e fajtorit; të kërkojë shpërblimin e dëmit dhe vendosjen e masave të përkohshme për të garantuar pagimin e dëmshpërblimit; të kërkojë mbledhjen e provave nga prokurori dhe të ankohet në gjykatë, brenda 5 ditëve nga marrja dijeni për refuzimin e kësaj kërkese; të kërkojë informacion për gjendjen e procedimit në çdo kohë, si dhe të njihet me provat, pa cënuar parimin e sekretit hetimor; të njoftohet në kohë për çdo zhvillim të rëndësishëm të çështjes, veçanërisht për arrestimin/lirimin e të akuzuarit, pushimin e çështjes, fillimin dhe përfundimin e gjykimit; të ankohet kundër vendimit të prokurorit për pushimin e procedimit; të thirret në seancën përgatitore dhe seancën e parë gjyqësore; të dëgjohet nga gjykata, edhe nëse asnjëra nga palët nuk ka kërkuar thirrjen si dëshmitar; të zgjedhë një përfaqësues dhe të përfitojë ndihmë ligjore falas, në kushtet e përcaktuara me ligj; të përjashtohet, në kushte të caktuara me ligj, nga pagimi i çdo takse apo tarife gjyqësore për paraqitjen e kërkesave që lidhen me statusin e viktimës. Viktima që nuk ka zotësi për të vepruar i ushtron të drejtat që i janë njohur me ligj nëpërmjet përfaqësuesit ligjor të tij”. Në padinë civile brenda procesit penal, viktima ka të drejtë të paraqesë padi civile në procesin penal kundër të pandehurit ose të paditurit civil, për të kërkuar kthimin e pasurisë dhe shpërblimin e dëmit material e jomaterial. Madje, mund të paraqesë edhe kërkesë për sigurim padie, ku parashikohet se “paditësi civil mund të kërkojë marrjen e masave të përkohshme, përfshirë sekuestrimin e pasurisë së të pandehurit ose të të paditurit civil, për të garantuar kthimin e pasurisë dhe shpërblimin e dëmit. Kjo masë qëndron deri në përfundimin e çështjes”.
Shtesa
Rastet e procedimit të një deputeti apo gjyqtari
Kur për deputetin, Gjyqtarin e Gjykatës Kushtetuese, Gjyqtarin e Gjykatës së Lartë apo gjyqtarin e një gjykate të zakonshme parashikohet autorizimi për t’u arrestuar ose për heqjen e lirisë në çfarëdo lloj forme apo që ndaj tij të ushtrohet kontroll personal ose i banesës, prokurori bën kërkesë në organin përkatës. Kërkesa për autorizim paraqitet nga prokurori kur ekziston një dyshim i arsyeshëm i mbështetur në prova dhe kur plotësohen kushtet ligjore të parashikuara në Kodin e Procedurës Penale për arrestin ose për heqjen e lirisë në çfarëdo lloj forme apo që ndaj subjekteve të parashikuara në pikën 1 të këtij neni të ushtrohet kontroll personal ose i banesës. Kërkesa për autorizim shoqërohet nga një relacion ku prokurori parashtron provat dhe argumentet ligjore për kërkesën e parashtruar. Kur subjekti i parashikuar në pikën 1 të këtij neni është arrestuar në flagrancë, autorizimi kërkohet menjëherë dhe, sidoqoftë, para seancës së vleftësimit. Deri në dhënien e autorizimit, për personat e parashikuar në nenin 288, nuk lejohet arrestimi ose heqja lirisë në çfarëdo lloj forme, apo të ushtrohet kontroll personal ose i banesës, pa autorizimin e organit përkatës (të parashikuar me ligj).
Neni 34/b
Të drejtat e të pandehurit të arrestuar
Përveç të drejtave të parashikuara nga pikat b) dhe c) të paragrafit të parë të nenit 45 të këtij Kodi, i pandehuri i arrestuar ka të drejtë:
a) të njoftohet menjëherë dhe në gjuhën që kupton për arsyet e arrestimit të tij;
b) të zhvillojë, përpara dhënies së deklarimeve të para, një takim konfidencial me mbrojtësin e tij;
c) të kërkojë që një anëtar i familjes ose një person tjetër i afërt të njoftohet pa vonesë për arrestimin e tij. Në rast se i pandehuri i arrestuar është shtetas i huaj, ai ka të drejtë të kërkojë njoftimin e përfaqësisë konsullore ose diplomatike të vendit të tij dhe, në rast se është person pa shtetësi apo refugjat, ai ka të drejtë të kërkojë njoftimin e një organizate ndërkombëtare.