Xhorxh Best, 7-a legjendare e Mançester Junajtidit

0
201

Një ndër legjendat e futbollit britanik që bëri një karrierë të madhe në vitet ‘60. Ai mbahet si ndër lojtarët më të mirë të historisë së futbollit, duke u bërë kështu dhe një ndër legjendat e sportit më të ndjekur në botë

 

GeorgeBestCCCXhorxh Best u lind më 22 maj 1946 në Belfast (Irlandë e Veriut). Ai u dashurua me futbollin që në moshë të vogël dhe filloi të shënonte golat e parë për skuadrën Creghag Boy’s Club. Vëzhguesit e Mançester Junajtid, që nuk e nënvlerësuan nga shtati i shkurtër e fiziku i dobët që e karakterizonin 15-vjeçarin (1961) nga Belfasti, e vlerësuan talentin e tij menjëherë. Best u vu nën urdhrat dhe diktatin e të madhit Mat Basbi. Ai, sigurisht edhe për ndihmë të të mëdhenjve si Bobi Çarlton e Denis Lou, në Mançester shkroi historinë, historinë e fanellës me numrin 7, historinë e Mançesterit të Madh. Shtatë vite më vonë, duke fituar Kupën e Kampioneve në, në finalen kundrejt Benfikës së Eusebios (ku Besti do të shënonte në fitoren madhështore 4-1), djajtë e kuq hynë në histori. Ishte viti ‘68 dhe do të ishte viti ku ai do të fitonte “Topin e Artë”. Ky do të ishte dhe kulmi i karrierës së tij.

 

Jeta jashtë fushe

Best e dashuronte t’i surprizonte të tjerët, kritikët e veçanërisht femrat. Një herë ndodhi që në aeroport, në kthimin pas një ndeshje, ai të prezantohej me një sombrero në kokë. Fansat e tij, që po e prisnin në terminal, u ekzaltuan. Që nga ky moment ai do të lakohej përherç e më shpesh për jetën e shfrenuar që do të bënte dhe gjithnjë e më pak për futbollin që luante. Best është i pari futbollist që shfaqet në një reklamë promocionale dhe sa hap e mbyll sytë u bë një idhull dhe përfaqësues i modës. Aq saqë të quhej një “Ikonë Popi” apo si “I 5-sti i Beatles-ave” (u quajt kështu sepse nga do që ishin Beatles do ishte dhe Best, por edhe sepse bateristi i parë i grupit e kishte mbiemrin Best dhe supozohej sikur ai kishte lidhje me të).

 

Periudha e rënies

Pas periudhës së ngjitjes së shpejtë (dhe të kulmit), për Bestin do të vinte një periudhë zbritje po e shpejtë, që do ta shkatërronte atë njëherë si lojtar, e më pas si njeri. Problemet për të do të fillonin me vartësinë ndaj alkoolit, me pasionin e tij për jetën e natës, me “dobësinë” ndaj femrave, probleme që më pas do të ndikonin dhe në disiplinën sportive. Ai shumë shpejtë filloi të mungonte rregullisht në stërvitje dhe për këtë gjë do debatonte ashpër me trajnerin Tomi Doçerti. Kështu, në moshën 28-vjeçare, erdhi largimi nga Junajtid dhe për Geroge Bestin nuk do të kishte më shkëlqim. Ai u largua nga Anglia drejt Amerikës ku luajti për skuadrën e San Jose Earthquakes. Me këtë skuadër ai do shënonte dhe golin më të bukur të karrierës së tij duke tribluar të gjithë kundërshtarët në zonën e rreptësisë e më pas duke shënuar me të majtën. Best nuk kishte, e nuk do të ketë, si të harrohet nga anglezët. Ishte viti 1971, zhvillohej ndeshja midis Irlandës së Veriut dhe Anglisë. “Windsor Park”, Belfast, Besti, me këmbë i rrëmben topin portierit Gordon Benks (një mit i tifozerisë angleze e sidomos Liverpulit) duke e kaluar me shpejtësi e duke shënuar një gol shumë përbuzës për anglezët. Përball një loje të pa-parë ndonjëherë tifozët irlandezo-verior do të kalonin në delir pavarësisht se goli do anulohej. Best do të shtonte një kritikë më shumë në karrierën e tij por do të ngulitej akoma më shumë në faqet e Historisë së futbollit si dhe në kujtesat e tifozëve të tij.

 

Problemet me alkoolin

Në vitin 1984, pasi la futbollin, qëndroi në vëmendjen e mediave për shkak të “marrëdhënieve të këqija” me alkoolin. Pas më shumë se një dhjetëvjeçari midis problemeve familjare, ndarjes me gruan dhe problemeve me alkoolin, do të vinte data 3 Tetor 2005, ku ai do të shtrohej në një klinikë për probleme respiratore. Best kishte kaluar shumë, madje dhe një transplantimit të mëlçisë kohë më parë, por kësaj radhe ai nuk do t’ia dilte mbanë dhe do të shuhej si një yll në qiell të hapur. Më 25 nëntor 2005 tabloidi anglez “News of the World” (sipas dëshirës së fundit të “Djaloshit nga Belfasti”) do të publikonte një foto që tregonte Xhorxh Bestin në orët e fundit të jetës, bashkë me të dhe fjalët e tij të fundit: Mos vdisni si un!. I madhi “Numri 7″ urdhëronte të gjithë të rinjtë që të mos lejonin që ashtu siç i kishte ndodhur atij, alkooli t’u rrëmbente talentin, aftësitë e bashkë me to dhe paratë, familjen e në fund jetën. Best do të mbahet mend për talentin e madh, golat, gjakftohtësinë në lojë, ikjet e shpejta si dhe driblimet tejet të veçanta të tij. Numri 7 do t’u jepej vetëm talenteve të mëdha ashti siç Best. Xhorxh u përfshi në listën e 100 lojtarëve më të mëdhenj të shekullit XX (i 8-ti), si dhe në listën e 125 më të mëdhenjve të të gjitha kohërave (listë e bërë nga Pele). Në karrierën e tij, zhvilloi 706 ndeshje në të cilat shënoi 256 gola.

 

Pasaporta:

Emri: Xhorxh

Mbiemri: Best

Lindur më 22 maj 1946

Vdekur më 25 nëntor 2005

Lartësia: 1.75 m

Nr I ndeshjeve te realizuara: 706 ndeshje

Gola të shënuar: 256 gola

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency