HISTORIA E RRALLË QË PUSHTOI “ZËRIN E AMERIKËS”/ Dy motrat kundër Enverit

Isabela-me-nenen-e-saj-Nadiren dosieriIsabela Islami (Çoçoli) dhe Zamira Islami (Eduards), dy motrat që punojnë për “Zërin e Amerikës” (seksioni shqip) qysh nga viti 1985, një vit pasi u arratisën nga Shqipëria, u pezulluan nga puna muajin e kaluar, për motive ende të panjohura edhe për vetë ato. Në Shqipëri, Isabela dhe Zamira janë të njohura, sidomos nga brezat e rritur të viteve ‘80-‘90, të cilët e kishin “Zërin e Amerikës” si burimin kryesor të informacionit, për shkak se mediet shqiptare ishin të gjitha të kontrolluara nga regjimi komunist.

 

Çelo Hoxha

 

Isabela Islami (Çoçoli) dhe Zamira Islami (Eduards), dy motrat që punojnë për “Zërin e Amerikës” (seksioni shqip) qysh nga viti 1985, një vit pasi u arratisën nga Shqipëria, u pezulluan nga puna muajin e kaluar, për motive ende të panjohura edhe për vetë ato. Urdhri i pezullimit është lëshuar më 24 shkurt 2014, i firmosur nga Arben Xhixho, shefi i seksionit shqip, një ish-punonjës i RTSH-së gjatë diktaturës. Në këtë vendim nuk jepen arsyet e këtij pezullimi. Isabela e konfirmoi për gazetën “Standard” se në dokumentin e pezullimit nuk jepen arsyet për marrjen e kësaj mase administrative. Në SHBA ka një masë që quhet leje administrative. Ajo jepet në disa forma, por në këtë rast është e tillë: leje administrative, me të drejtë rroge, por pa të drejtën e ushtrimit të detyrës. Kjo është një fazë e ndërmjetme, më vonë personi përkatës mund të kthehet në punë, ose mund të largohet përfundimisht nga detyra. Në Shqipëri Isabela dhe Zamira janë të njohura, sidomos nga brezat e rritur të viteve ‘80-‘90, të cilët e kishin Zërin e Amerikës si burimin kryesor të informacionit, për shkak se mediet shqiptare ishin të gjitha të kontrolluara nga regjimi komunist. Jeta e tyre, e cila është e denjë për një skenar hollivudian, në SHBA nuk ka kaluar me indiferencën që është trajtuar në atdheun e tyre, e cila, por të ishte promovuar me libra, dokumentarë, do t’u kishte bërë bashkëkombësve, jo vetë personazheve. Në SHBA jeta e tyre është një nga pjesët e librit “Zëri i Amerikës: një histori”, 2003, (prej të cilit po e botojmë të plotë kapitullin ku flitet për motrat Islami), si dhe janë bërë kronika nga vetë “Zëri i Amerikës”. Kronikat i gjen lehtësisht në internet ose faqen zyrtare të “Zërit”. Më 18 dhjetor 2013, drejtori i “Zërit të Amerikës”, David Ensor, prezantoi para bordit të stacionit të njohur aktivitetin e “Zërit të Amerikës” në gjithë botën. Aty ai bëri dhe një përshkrim telegrafik, por më gjatë çdo përshkrim që ai bëri për gazetarët e tjerë, të sakrificës së Isabelës, Zamirës dhe Klementit, vëllait të tyre, i cili humbi jetën natën e arratisjes me not, nga Saranda në Korfuz. Motrat iu bashkuan “Zërit të Amerikës”, tha ai, dhe punuan për të çuar “lajme të pa censuruara në atdheun e tyre” (https://www.youtube.com/watch?v=wqPDvpahJRw). Në prezantimin e Ensor, Isabela dhe Zamira ishin dy gazetaret e vetme që u përmendën nga seksioni shqip, si emblema të “Zërit të Amerikës”. Mirëpo, dy muaj më vonë, këto ikona, u shpërblyen me pezullimin nga puna, nga njerëz për jetën e të cilëve, edhe po të flitet, nuk i bëjnë ndonjë nder stacionit ku punojnë. Ngjan shumë cinike, por është e vërtetë: dy gazetaret e njohura antikomuniste, të cilat e sfiduan regjimin kur ai ishte në kulmin e fuqisë së tij, janë pezulluar nga puna nga një person që në kohën e arratisë së tyre ose pak më vonë, punonte në institucionin më të madh të propagandës në Shqipëri, në mbrojtje të diktaturës. Biografia profesionale e Arben Xhixhos sugjeron që më shumë ai ka qenë rojtar (një nga të shumtët) i vijës së partisë në RTSH sesa gazetar. Ai pretendon, sipas kolegëve të tij në SHBA, se ka punuar në seksionin portugalisht të RTSH, por as pas kaq vitesh nuk di portugalisht. Thotë se ka mbaruar anglisht në Tiranë, gjithmonë sipas të njëjtave burime, por dhe anglishten e ka ende të çalë, megjithëse është vendosur në SHBA prej afro dy dekadash. Në Shqipëri, pezullimi i dy gazetareve të njohura kaloi pa shumë bujë. Vetëm gazeta dita dhe ndonjë faqe në internet botuan një shënim të shkurtër, bazuar në një raportim të Xhevdet Shehut, ish-gazetar i “Zërit të Amerikës”. Më 9 shkurt 2014, në gazetën “Dita” u botua një intervistë e Isabela Çoçolit, ku ajo rrëfeu historinë e saj dhe të familjes, e cila çoi në arratinë e tyre më 1984. E njëjta gazetë, pak ditë më vonë, kur shkroi për pezullimin e motrave nga puna, hodhi dhe dyshime për pasoja që mund të ketë pasur kjo intervistë. “Dëshirojmë që kjo intervistë e Isabelës të mos ketë pasur ndikim për pezullimin e dy motrave nga puna, përndryshe do ta konsideronim si një spastrim që funksionon edhe te ‘Zëri i Amerikës’, por në forma të ndryshme nga ato në Shqipëri”, – shkroi “Dita”.

 

 

 

 

Motrat Islami, krenaria e “Zërit të Amerikës”

Motrat Islami në seksionin shqip (të “Zërit të Amerikës”) – Isabela dhe Zamira – kanë lindur në Shqipërinë staliniste në dhjetëvjeçarin pas Luftës së Dytë Botërore. Ai vend i vogël policor buzë Adriatikut asokohe ishte një nga vendet më të shtypura dhe të izoluara. Ishte plot me informatorë, të cilët denonconin vazhdimisht miqtë e tyre te forcat e Sigurimit të diktatorit Enver Hoxha. Një ditë më 1975, sipas lajmeve të gazetave dhe faqes në internet të “Zërit të Amerikës”, Klement Islami, vëllai i Isabelës dhe Zamirës, i foli kundër qeverisë një shoku. Brenda pak orëve, ai u arrestua dhe gjithë familja u internua në Çermë, një fshat bujqësor me rreth 500 banorë në Shqipërinë e Jugut [në Lushnjë-përkth.]. Familja Islami u vendos në një kasolle të izoluar në periferi të Çermës, një grup godinash me mbrojtje të rreptë.

Për nëntë vitet e ardhshme, Islamët punuan në një kamp shtetëror me punë të detyruar, i quajtur Çerma 2 – një lloj gulagu bujqësor – duke hapur kanale, duke punuar tokën e ashpër dhe një duzinë punësh të tjera që u kërkonin forcat e regjimit. “Ishte një lloj arresti shtëpiak”, – kujton Isabela. “Paguheshim në një vlerë ekuivalente me 1-2.5 dollarë në ditë, por e kishim të ndaluar rreptësisht largimin nga qendra e banimit”. Familja nuk kishte shpresë të rikthehej në Tiranë, apo të martoheshim (Isabela ishte 22 vjeçe, në kohën e internimit; Klementi 20; dhe Zamira 18).

Familja e tyre kishte qenë në listat e zeza të regjimit të Shqipërisë prej vitesh. Gjyshi i tyre, kleriku mysliman i dyti në hierarkinë myslimane të vendit, ishte ekzekutuar nga komunistët menjëherë pas luftës. Nëna e tyre kishte kaluar 10 vjet në burg pas luftës. Pas nëntë vitesh në Çermë, Klementi i bindi motrat se e vetmja mundësi që të ata të ndërronin një të ardhme normale ishte të arratiseshin me not nga brigjet e Jonit. Prindërit pranuan dhe i nxitën të tre të arratiseshin. Ata ishin të vetëdijshëm që edhe mund të mos i shikonin më fëmijët e tyre.

 

Me not drejt lirisë

Dy motrat dhe vëllai i tyre vëzhguan gjendjen natën e fundit të korrikut 1984. Ato shkuan te bregu shkëmbor i Çermës [gabim në origjinal, ata u arratisën nga bregu i Sarandës, në qytet] pasi ra errësira, rreth orës nëntë. “menduam të hidheshim në ujë dhe të niseshim”, – kujton Isabela. “Por pas pak, projektorët e forcave të mbrojtjes nisën të luanin në ujë, dhe vendosëm të mos rrezikonim. Pritëm të shikonim frekuencën e përdorimit të projektorëve, dhe vumë re se ata u kthyen me projektorë rreth orës 11”. (Gjërat duken se gjithmonë zhvillohen në orar në atmosferën ushtarake të Shqipërisë komuniste).

Të nesërmen në mbrëmje – 1 gusht 1984 – dy motrat dhe vëllai ishin veshur me kostum banje. Ora ishte 10, midis patrullave me projektorë. Rrobat i kishin lënë poshtë shkëmbinjve në breg. Vajzat mbanin varur disa bizhuteri. Ato u lëshuan në ujë nga një shkëmb i lartë në Çermën 2 [gabimi përsëritet në origjinal: Sarandë] dhe nisën notimin maratonë nën dritën e hënës. “E bëmë me fjalë të notonim afër njëri-tjetrit”, – tha Isabela. Notuan për shumë orë dhe të tre u rraskapitën. Isabela vazhdoi të rezistonte më shumë se vëllai e motra dhe notonte mes tyre t’u jepte kurajo, ndërsa ata u ndanë gjithnjë e më shumë në detin e errët.

Dikur në të gdhirë, rreth 7.30 ose 8.00, Isabela shqoi përpara tokë dhe mendoi që ishte ishulli i Korfuzit. “Mund të dalloja një burr në breg me qenin për dore”, tha ajo. Papritur, ajo pikasi një jaht italian dhe notoi drejt tij. Jahti e hipi në bord, dhe ajo iu lut kapitenit të niste kërkimin për motrën dhe vëllain. “Kur hipa në varkë”, – tha Isabela, “e kuptova sa e rraskapitur isha”. Menjëherë anija gjeti Zamirën, e cila atë çast nuk ishte në gjendje të hidhte dhe një hap më tutje. Klementi nuk dukej gjëkundi, megjithëse ai kishte ecur krah motrave për më të shumtën e rrugës. Ai thjesht u zhduk, dhe s’është parë më kurrë.

 

Nga Çerma te “Zëri i Amerikës”

Dy motrat u çuan në Korfuz. Qeveria kreke u dha menjëherë statusin e azilit politik. Një shoqatë katolike i mori në kujdestari. Vetëm një muaj pas mbërritjes së tyre në Korfuz, shefi i seksionit shqip të “Zërit të Amerikës” dëgjoi për Isabelën dhe Zamirën gjatë një udhëtimi në Athinë. Ai i intervistoi dhe i këshilloi të mësonin anglisht. Motrat morën rrugën për në Shtetet e Bashkuara në vitin pasues dhe u vendosën në Detroit. Ato mësuan anglisht shumë shpejt në Institutin e Gjuhëve Ndërkombëtare në Miçigan dhe në më pak se një vit e gjysmë më vonë iu bashkuan “Zërit të Amerikës”.

“Kënaqësia e punës këtu dhe transmetimi në Shqipëri, ishin të mrekullueshme”, – kujton Isabela. “Në fillim përdorëm pseudonime, për të mbrojtur familjet në atdhe” (Prindërit e tyre u ridëbuan menjëherë, mësuan ato më vonë, në Pukë, një fshat i largët në Shqipërinë e veriut shumë larg nga bregu i detit).

Dy ose tri letra në vit mbërrinin në Shtetet e Bashkuara nga Islamajt e moshuar, njëra përmendte vdekjen e babait të tyre në fund të viteve ‘80. Vajzat e informonin familjen e tyre për lëvizjet e veta në Shtetet e Bashkuara. Isabela dhe Zamira e dinin që zërat e tyre u njohën menjëherë në vendin e tyre të lindjes, ku, siç mësuan ato më vonë, “njerëzit mezi i prisnin lajmet e “Zërit të Amerikës” në orën 18.00… të gjithë i dëgjonin”.

 

“Duhet të jetë mami!”

Viti 1990 rezultoi i rëndësishëm për dy motrat. Në Tiranë, më në fund regjimi po shkërmoqej dhe lajmi i shembjes së Murit të Berlinit i transmetuar nga “Zëri i Amerikës” – atëkohë i vetmi transmetues amerikan në shqip për Ballkanin – e shpejtoi procesin e ndryshimit.

Një mëngjes prilli më 1990, në dy të mëngjesit, Isabela u zgjua nga zilja e telefonit. Ishte një largësi e madhe, një zë i zbehtë që thoshte “Hello”. Një moment ajo kujtoi se ishte ndonjë nga miqtë e saj në Britani ose Greqi. “Pastaj, e kuptova që ishte në shqip”, – kujton ajo, duke fshirë lotët. “Duhet të jetë mami!” Folën rreth pesë ose dhjetë minuta, dhe Isabela i kërkoi nënës së saj të gjente një mënyrë për të shkuar në Itali dhe të aplikonte për vizë amerikane. Më 19 korrik 1990, Isabela dhe Zamira u bënë qytetare të Shteteve të Bashkuara. Më 1 nëntor, nëna e tyre mbërriti në Itali dhe më në fund u bashkua me to në Uashington.

Në dekadën që pasoi, të dyja motrat u martuan, dhe të dyja lindën nga dy fëmijë. Zamira, tani Zamira Eduards, e emërtoi si të mirën e dy botëve: transmetim lajmesh nga Amerika dhe rajoni për vendin e saj të origjinës, dhe pastaj kthimi në shtëpi te bashkëshorti i saj amerikan dhe fëmijët, Mei dhe Masoni. Isabela, tani Isabela Çoçoli, ka dy djem, Tomasi dhe Eriku. Djali i madh, për koincidencë, është mëkuar me traditën më të mirë të Zërit të Amerikës. Tomasi mban emrin askujt tjetër veç hartuesit të Deklaratës së Pavarësisë së vendit që Isabela e ka adoptuar rishtazi, Tomas Xhefersonit.

Përktheu: Ç. H.

Pjesët e librit “Zëri i Amerikës: një histori”, 2003

 

 

 

 

Intervista

 

Një histori arratie që bëri bujë në ‘84-ën

 

– Isabela, 30 vjet më parë ju u arratisët nga Shqipëria, ndërkohë që Enver Hoxha ishte ende gjallë. Pse e ndërmorët këtë hap të pazakontë për kohën?

Së pari dëshiroj ta bëj të qartë për ju dhe lexuesit tuaj të nderuar se pikëpamjet e shprehura në këtë intervistë janë thjesht personale dhe nuk pasqyrojnë politikat e qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe as të “Zërit të Amerikës”, ku unë punoj. Ju më pyesni pse u arratisëm 30 vjet më parë? Po ju përgjigjem drejtpërdrejt: Ne u internuam familjarisht në Çermë të Lushnjës pas arrestimit të vëllait, Klementit, i cili ishte atëherë 19 vjeç. Vendimi nuk ishte krejt i pazakontë. Kishin ikur edhe të tjerë para nesh, ashtu siç ikën edhe të tjerë pas nesh, deri në fillim të viteve 90’. Familja ka pasur një histori të gjatë dhe të rëndë persekutimi që nga tetori i vitit 1944 me arrestimin e gjyshit nga nëna, Maksut Selenica dhe vëllait të tij, të cilët u pushkatuan. Po ashtu edhe nga familja e babait patën një histori persekutimesh, jo të këtyre përmasave si familja e nënës, por gjithsesi me burgje dhe internime. Vëllai i babait, Shahsuvar Islami, një djalë i arsimuar mirë në Firence të Italisë, u burgos dhe u dënua me 15 vjet burgim. Vdiq në burg.

Shumë njerëz, të njohur dhe të panjohur, kanë thënë se ishte një nga familjet më të persekutuara në Shqipëri. Këtë nuk mund ta them. Kam takuar njerëz që e kanë ndjerë peshën e persekutimit që në moshë fare të njomë. Me pak fjalë, Xhevdet, në Shqipëri unë mund të them se kam pasur një fëmijëri të bukur, për aq kohë sa nuk isha në gjendje të kuptoja. Më pas gjithçka ka qenë gri për mua dhe natyrisht për gjithë familjen.

Në Çermë jetuam për gati 10 vjet dhe punonim në fermë, bënim një jetë monotone dhe fizikisht të mundimshme, si dhe pjesa më e madhe e familjeve që jetonin atje. Një pjesë e tyre jetojnë jashtë Shqipërisë tani dhe me të gjithë ata që kam mundur të lidhem, më thonë se jetojnë mirë. Mendoj se ata që kanë qenë fëmijë atëherë, kanë arritur t’i kapin ato vite të humbura, më shumë se ne të tjerët.

 

– Si vendosët që të arratiseshit?

Kur Klementi u kthye në shtëpi, pasi kaloi një periudhë në hetuesi dhe më pas në spitalin psikiatrik të Elbasanit, e biseduam gjatë mundësinë e arratisjes. Unë dhe Zamira hezitonim dhe e kishim të vështirë t’i linim prindërit pas. Prindërit ishin plotësisht dakord me Klementin. Babai veçanërisht, mendonte se pas vdekjes së Enver Hoxhës gjërat do të ndryshonin dhe do të ribashkoheshim. Në fakt, kjo kishte qenë historia e regjimeve diktatoriale gjetkë. Babai na thoshte gjithnjë se me vdekjen e diktatorit vdes edhe diktatura. Ishte Klementi që nguli këmbë për arratisjen dhe sidomos që nga janari i vitit 1983, e deri sa u larguam më 2 gusht 1984…

 

– Jemi pikërisht në momentin e arratisjes. Pse nga Saranda?

– Kufirin tokësor nuk e njihnim. Një pjesë e njerëzve që kishin tentuar të iknin nga kufiri tokësor ose ishin kapur, ose ishin vrarë në kufi. Rreziku ishte më i madh dhe probabiliteti i ndjekjes nga rojet e kufirit ishte më i lartë. Nga Saranda, veçanërisht në kohë të kthjellët, Korfuzi dukej shumë qartë dhe afër. Ishte një pikë e qartë referimi. Për më tepër, ato ditë zhvilloheshin Lojërat Olimpike Verore në Los Anxhelos dhe njerëzit ishin pranë televizorëve për t’i ndjekur. Menduam se kishte më pak vëmendje ndaj të ardhurve në qytet.

 

– Ju notuat 12 orë në det në drejtim të Korfuzit. Vëllai juaj i ndier Klementi humbi jetën, ndërsa ju dy motrave u shpëtoi me sa di një jaht italian. Gabuat në përllogaritjet tuaja?

– Kur e mendoj tani them se gabuam në vlerësimin e distancës në raport me mundësitë fizike dhe faktorin psikologjik. Në vijë ajrore distanca më e afërt tokë-tokë është rreth 7 milje detare, rreth 12 kilometra. Është distancë e gjatë edhe për notarë profesionistë, jo më për notarë amatorë, sado të mirë që të jenë. Por ishte dëshira e fortë për të qenë të lirë që na bëri ta gjykonin atë distancë të përballueshme…

 

 

– Nga Greqia ju shkuat në Shtetet e Bashkuara. Si arritët deri tek “Zëri i Amerikës”?

– Diku nga fundi i gushtit apo fillimi i shtatorit 1984, kur ishim ende në Athinë me strehim politik, z. Frank Shkreli, atëherë shef i Shërbimit Shqip, erdhi në Athinë me shërbim dhe na kontaktoi me propozimin për të punuar tek Zëri i Amerikës. Ishte së bashku me të shoqen, Vikin (Vitoren). Nuk iu përgjigjëm menjëherë pozitivisht propozimit, por i premtuam se do ta kontaktonim kur të mbërrinim në SHBA. Patëm menduar të shkonin më Belgjikë apo Australi, pasi kur ishim në Shqipëri ishin hapur fjalë se kishim tezen dhe dajën në Australi dhe një kushëri të parë të nënës në Belgjikë. Por njerëzit tanë në SHBA që e kishin mësuar nga shtypi këtë plan, na kontaktuan menjëherë dhe na thanë se nuk kishim njeri në Australi dhe se kushëriri i nënës që kishte jetuar në Belgjikë, ishte vendosur në SHBA. Në dhjetor 1984 mbërritëm në Detroit dhe në mes të janarit 1985 kontaktuam Frankun. Pjesa tjetër tashmë është histori e njohur.

 

– Ju dilnit me zërin tuaj tek “Zëri i Amerikës”, ndërkohë që këtu në Shqipëri kishit ende prindërit dhe një rreth të afërmish. A ju mundonte ky fakt?

– Jo. “Zërin e Amerikës” si “Zë i Amerikës” unë e kisha dëgjuar në shtëpi që kur isha fëmijë, kur prindërit dhe gjyshja e dëgjonin me veshin në radio. Më pas edhe unë dhe vëllai e motra e dëgjonim bashkë me ta. Nga fëmijëria më ka mbetur në mendje sigla e hapjes së programit, ishte një sinjal i fortë edhe kur e mbaje volumin e radios shumë të ulët. Kur vendosëm të largoheshim kontaktin me “Zërin e Amerikës” na i sugjeroi babai dhe kishim në plan ta kontaktonim, por “Zëri i Amerikës” u tregua më i shpejtë se ne.

 

– Si i kini përjetuar ngjarjet e dhjetorit 1990 në Shqipëri?

– Me shumë emocione. Që nga demonstratat në sheshin “Tien An Men” të Pekinit në 1986 dhe deri në heqjen e telave me gjemba në kufirin e Hungarisë me Austrinë, në 1989, bota ziente. Kjo ishte e dukshme. Pastaj filloi rënia e diktaturave në Evropën Lindore dhe megjithëse Shqipëria ishte e fundit, rënia e diktaturës ishte e pashmangshme.

 

– Ju kini ardhur 9 vjet pas arratisjes në Shqipëri me një shërbim, gjatë vizitës së ish-Presidentit Xhimi Karter në fillim të shtatorit 1993. Çfarë kujton Isabela pas më shumë se 20 vjetësh nga ajo vizitë?

Presidentin Karter e kisha takuar edhe në Xhorxhia, në qendrën Karter në një konferencë ndërkombëtare. Historianët e vlerësojnë si një politikan të avancuar për kohën e tij. Ai erdhi me një mesazh paqeje në Shqipëri dhe u prit shumë mirë. Njerëzit kishin mësuar edhe grafikun e tij të ditës dhe dilnin herët në mëngjes për ta parë e takuar gjatë shëtitjes.

Më kujtohet konferenca e shtypit që ai dha, të cilën e ndoqëm bashkë. Në përgjigje të një pyetjeje për Kosovën që i bëra atëherë, ai dha sinjalin e asaj që ndodhi pas rreth 15 vjetësh. Ndoshta ne nuk arritëm ta kapnim atëherë, por kur e dëgjoj tani, mesazhi është aty dhe i qartë.

 

 

– A vërehen paragjykime aktualisht në administratën amerikane ndaj krahëve të ndryshëm të politikës në Shqipëri?

– Jo, aspak. Shumë diplomatë të lartë amerikanë e kanë bërë të qartë, se është populli shqiptar që ata mbështesin fuqimisht; një nga popujt më pro-amerikanë në botë, e ndoshta më pro-amerikani. E kanë thënë qartazi dhe prerë se nuk mbështesin ndonjë krah të politikës shqiptare, por proceset demokratike në Shqipëri. Qartazi dhe prerë ky qëndrim u është bërë i ditur politikanëve shqiptarë edhe në bisedat e tyre me dyer të mbyllura.

Pjesë e intervistës nga Xhevdet Shehu, gazeta “Dita”, 9 shkurt 2014

Standard 7.3.2014

Kërko