Protesta para Kryeministrisë, gratë që janë pushuar nga puna kërkojnë të drejtat e tyre
Politika uron gratë: Kjo është dita juaj. Berisha: Gratë, themeli i suksesit të individit
Nga një arenë betejash dhe akuzash politike, salla e Parlamentit të Shqipërisë ka zhvilluar një mbledhje të veçantë. Deputete nga të gjitha trevat shqiptare me moton “Sfidat e gruas në mijëvjeçarin e tretë”, kanë lënë mesazhin e tyre drejtuar shoqërisë shqiptare. Seanca e Kuvendit u çel nga kryetarja e Aleancës së Grave Deputete Shqiptare, Mesila Doda, e cila theksoi se sfidat e grave janë të shumta, por asgjë nuk mund të përballohet nëse nuk ka një bashkëpunim konstant mes deputeteve shqiptare. Zv.kryeministrja e Kosovës, Edita Tahiri, përshëndeti të gjitha gratë e trevave shqiptare dhe vlerësoi iniciativën e Aleancës së Grave të Parlamentit të Shqipërisë për këtë bashkim. Sipas saj, ideali i grave shqiptare është ai i fuqizimit të kombit. “Sot (dje) po e shënojmë 8 Marsin me arritje të rëndësishme, por kaq nuk është e mjaftueshme, ka shumë punë për të bërë, që gratë shqiptare të zënë vendin e merituar. Sot jemi në shekullin e 21-të, ndërsa mentaliteti mashkullor mbetet i shekullit të kaluar. Përpjekjet tona dhanë rezultate, por kemi një rrugë të gjatë për të bërë atë demokraci që duhet të vlejë njësoj për të dyja gjinitë dhe në radhë të parë në vendimmarrje”, – tha Tahiri. Ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli, tha se duhet të vihet theksi në luftën ndaj dhunës në familje, si dhe në rritjen e përfaqësimit të gruas në shoqëri. Kodheli tha se qeveria Rama-Meta ka numrin më të madh të grave në ekzekutiv, si dhe deputeteve në Parlament. “Shumëkush e percepton këtë ditë si ditë feste e ca si ditë kërkesë pavarësisht nga këndvështrimi. Ndërsa po mundohesha të hidhja dy rreshta, shikoja komentet në disa rrjete sociale, dhe është për të ardhur keq se kur shikon se pas disa pseudonimesh në disa komente që bëjnë shumë burra shqiptarë i shohin gratë si të paafta për të bërë diçka. Ata shpesh sillen si në përrallën e dhelprës së Ezopit. Ata janë të paaftë për të reaguar ndaj dhunës. Kur flas për dhunë shpesh herë ajo e padukshmja është më e keqe dhe më e vështirë për t’u luftuar”, – përmendi Kodheli. Deputetja e PD-së, Majlinda Bregu, theksoi se beteja e vjetër e të drejtave të grave do të mund të fitohet nëse gratë do të jenë të vërteta me njëra-tjetrën. Deputetja Bregu tha se gratë shqiptare janë sot në protestë para Kryeministrisë, kundër largimit nga vendet e punës. “Sot (dje) në rrugë para Kryeministrisë, gratë shqiptare janë në protestë, nga administrata shqiptare janë larguar 5 mijë veta nga puna, një pjesë ë të cilave janë gra”, – tha Bregu.
Protesta
Lidhja Demokratike e Gruas ka zhvilluar një protestë përpara Kryeministrisë. Me pankarta në duar gratë kanë akuzuar qeverinë “Rama” për mosmbajtjen e premtimeve dhe spastrimit politik në administratë. Deputetja demokrate Albana Vokshi, ka paralajmëruar se nëse situata e krijuar nga Kryeministri Rama nuk ndryshon, protestat e grave do të vijojnë. “8 Marsi i sotëm do të shënohet si një histori e trishtë për të drejtat e grave në Shqipëri. i siguroj Kryeministrit se ne gratë dhe vajzat e Shqipërisë do të jemi çdo ditë në këmbë për të mbrojtur vlerat e vërteta të jetës. Ne, gratë shqiptare, do të refuzojmë të bëhemi fasadë koloresh, në ndërtesën gri të stisur nepotike. Kjo ditë e shënuar, për gratë dhe vajzat shqiptare do të shënojë fillimin e pranverës së protestave për të drejtave të njeriut, për sigurinë e jetës, pronës dhe për të drejtën për të punuar me dinjitet”, – tha Vokshi.
Basha: Gratë të ngrenë zërin
Me anë të një mesazhi në rrjetin social “Facebook” kreu i Partisë Demokratike dhe njëherësh kryetar i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, ka uruar festën e 8 Marsit. Sipas Bashës, kjo ditë i gjen gratë dhe vajzat, nënat, motrat dhe bashkëshortet e shqiptarëve më shumë arsye për të ngritur zërin në protestë për të drejtat e tyre të nëpërkëmbura. “Me mijëra janë hequr paligjshmërisht nga puna, mijëra të tjera janë nën presionin e përditshëm të qeverisë. Gjendja ekonomike e rënduar dhe mungesa e perspektives nuk godet askënd me fort e me dhimbshëm se gratë dhe vajzat shqiptare. Jo feste për një ditë, por solidarizim çdo ditë me dhe për gratë dhe vajzat e Shqipërisë!”, – përfundon Basha.
Rama uron 8 Marsin me foton e nënës dhe bashkëshortes së tij
Në këtë ditë të shënuar për gratë, nuk mund të mungonte edhe urimi i Kryeministrit të vendit, Edi Rama. Në rrjetin social “Facebook”, Rama me anë të një statusi ka uruar: “GËZUAR 8 MARSIN – Qoftë e lumtur sot e në sa më shumë ditë e vite si sot, çdo nënë e grua që kaq shumë kuptim, dashuri e jetë i jep jetës sonë!” Përpos statusit, Kryeministri Rama ka postuar edhe një foto, ku paraqiten dy gratë më të rëndësishme të jetës së tij, nëna Aneta dhe bashkëshortja Linda.
Berisha: Gratë, themeli i suksesit të individit
Ish-kryeministri Sali Berisha në urimin e tij për 8 Marsin, ka vlerësuar rolin e nënës, grave dhe vajzave. “Gezuar 8 Marsin! Te dashur miq, sot(dje) eshte dita e nderimit dhe e mirenjohjes me te thelle ndaj nenave, grave, vajzave, motrave tona, qe me sakrificat, perkushtimin, aftesite dhe dashurine e tyre jane themel i suksesit te individit, familjes dhe shoqerise. Duke ju uruar me krenari dhe dashuri atyre kete dite, le te zotohemi te vazhdojme betejen tone per barazine reale midis burrit dhe gruas, nenes dhe babait, motres dhe vellait, vendimtare kjo per emancipimin e familjes, shoqerise dhe kombit tone”, – ishte urimi i ish-kryeministrit në një postim në “Facebook”.