Anxhela Tato
Ministria e Arsimit Lindita Nikolli: “Do krijojmë çdo mundësi që të riintegroheni për një të ardhme të sigurt
Vasilika Hysi: Ne gratë në Parlament do të jemi gjithmonë krahu juaj
Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Gruas Ministrja e Arsimit dhe Sportit, znj. Lindita Nikolla, deputetet e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, zonjat Vasilika Hysi dhe Ermonela Felaj, vizituan dje institucionin penal “Ali Demi “ (325), ku rreth 60 gra vuajnë dënimin. Në një atmosferë festive dhe krejtësisht të çlirët, zonjat e mirënjohura u pritën në këtë institucion nga gratë e dënuara, të cilat në një ditë si kjo mendojmë më shumë se kurrë për lirinë. Nisur nga qëllimi i kësaj dite, që është evokimi i të drejtave të grave kudo në botë, pavarësisht gjykimeve dhe përkatësisë së tyre, edhe gratë politikane në fjalën e tyre përshëndetëse dhanë mesazhe optimiste dhe universale. Ministrja e Arsimit dhe Sportit, znj. Lindita Nikolla, u shpreh e emocionuar në fjalën e saj para grave dhe vajzave të dënuara të institucionit penal “Ali Demi”. “Jam këtu sot për t’iu përcjellur një përgjegjësi të Qeverisë, që ju të mos jeni thjesht të mbyllura në këtë institucion, por që ne të krijojmë të gjitha mundësitë brenda këtij institucioni për riintegrimin tuaj dhe përmirësimin e kushteve gjithnjë e më shumë. Ajo i siguroi ato se për fëmijët e tyre po bëhet gjithçka që ata të mirë shkollohen, të mirë edukohen, në mënyrë që e ardhmja e tyre të jetë padyshim një e ardhme e sigurt. “Përtej kësaj vizite, ne do të jemi duke punuar e duke vepruar në mënyrë që dhe kushtet për gjithë zonjat, gratë dhe vajzat e Shqipërisë të jenë më të mira, që jeta e tyre të jetë më e qet, më e sigurt dhe të kenë mundësi që të mirë rrisin fëmijët e tyre, në familjet e tyre, bashkërisht me bashkëshortët e tyre. Gëzuar dhe njëherë festën e 8 marsit, është kënaqësi e veçantë të jem këtu me ju sot”. – u shpreh ministrja Nikolla.
Mesazhi
Një mesazh mjaft shpresëdhënës transmetuan edhe dy deputet e Parlamentit të Shqipërisë, znj. Vasilika Hysi dhe Ermonela Felaj, të cilat bashkë me urimet e tyre në këtë ditë feste, prezantuan iniciativën parlamentare për projektligjet “Për dhënie amnistie” dhe “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim”. Ato theksuan nevojën që ka shoqëria për gruan dhe faktin, se gruaja mbërrin në kryerjen e një vepre penale kur rrethanat e detyrojnë atë. Në fjalën e saj, znj. Hysi u ndal tek ndryshimet ligjore, që do tu vinin në ndihmë grave të dënuara. “Ne po e shikojmë projekt- ligjin për amnistinë me shumë vëmendje. Pikësynimi ynë është trajtimi më i mirë për gratë në paraburgime dhe burgje. Ne gratë në Parlament do jemi gjithmonë në krahun tuaj. Do luftojmë për sa më pak gra të dhunuara dhe sa më pak gra të burgosura.” Ndërsa deputetja tjetër, znj. Felaj, gjatë fjalës së saj theksoi rëndësinë e projektligjit të Amnistisë, i cili pas diskutimeve në Komisionin e Ligjeve, pritet të kalojë së shpejti në Parlament për votim dhe më pas, të hyjë në fuqi. Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Artur Zoto, pas fjalës së zonjave politikane, theksoi në fjalën e tij se kjo është dita e grave, ndaj gjithë vëmendja është tek to. “Lajmet e mira ju i mësuat sot nga zonjat deputete. Dua edhe unë t’iu siguroj, se gratë e dënuara ne i shohim me prioritet në procesin e rehabilitimit. Sot duhet të festoni, pasi kjo është dita juaj.” Më pas ministrja Nikolla, së bashku me zonjat deputete dhe drejtuesit e Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, dëgjuan dhe diskutuan për të gjitha shqetësimet dhe sugjerimet që gratë dhe vajzat e këtij institucioni ngritën gjatë takimit.
Shkolla e Policisë
18 Mars data e provimit të parë me shkrim për aplikantët
Testimi me shkrim i kandidatëve, që kanë aplikuar për të ndjekur studimet për Shkollën Bazë të Policisë “Për Patrullë të Përgjithshme”, do të fillojë më datë 18 mars dhe do të shtrihet dhe në ditët pasuese, nisur nga numri tepër i lartë i aplikimeve. Në njoftimin për shtyp të policisë bëhet me dije se në të gjithë vendin kanë aplikuar 10.035 persona, nga të cilët 1.558 femra dhe 8.477 meshkuj. Testimi me shkrim do të zhvillohet tek Pallati i Kongreseve dhe korrigjimi i testimi do të kryhet me skaner, duke mundësuar që kandidatët brenda ditës të njihen me rezultatin e pikëve të grumbulluara gjatë testimit, duke mënjanur çdo keqkuptim për rezultatin. Në njoftimin e policisë përfshihet edhe elementët që do të bëhen publike për çdo kandidat në konkurs. Listat e aplikantëve, që do të përmbajnë: Të dhënat mbi kandidatin (emër, atësi, mbiemër); qarkun ku është bërë aplikimi; kodin e aplikantit dhe datën dhe orën e testimit, do të shpallen ditën e hënë, datë 10.03.2014, në të 12 Drejtoritë e Policisë në Qarqe. Çdo informacion i nevojshëm mbi procesin, përfshirë dhe listën e sipërcituar sipas datave të testimit, do të publikohet dhe në faqen e internetit të Policisë së Shtetit. Për ditët e testimit me shkrim sipas grupeve kandidatët do të njoftohen në vijimësi, ndërkohë që çdo informacion i nevojshëm mbi procesin do të publikohet dhe në faqen e internetit të Policisë së Shtetit, ëëë.asp.gov.al.
Mali i Zi
Gjendet i vdekur punonjësi i Bashkisë Burrel, nisin hetimet
Një 34-vjeçar, punonjës i Bashkisë së Burrelit, është gjetur i vdekur në Mal të Zi. Trupi i pajetë i 34-vjeçarit Erjon Ibrahimi, sipas policisë së Malit të Zi, është gjetur në një pellg me ujë në datë 15 shkurt. Ndërkohë, nuk jepen informacione për shkaqet që mund të kenë çuar në vdekjen e tij. Tronditës është fakti se familjarët e kanë mësuar ngjarjen vetëm ditën e sotme. Këta të fundit kanë shkuar në Mal të Zi për të tërhequr trupin. Ata janë shprehur se 34-vjeçari, i cili punonte si specialist transporti pranë Bashkisë së Burrelit, ishte nisur me pushime në Mal të Zi.
Lushnje
Dhunoi bashkëshorten, arrestohet 53-vjeçari
Një kryefamiljar ka përfunduar në prangat e Policisë së Lushnjes, i akuzuar për dhunë në familje. Burime zyrtare nga policia bënë me dije se u bë arrestimi i 53-vjeçarit Dilaver.K, nga fshati Pirrë. Mësohet se 53-vjeçari ka ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike, duke e goditur me mjete të forta bashkëshorten e tij. Për pasojë gruaja është dërguar drejt Spitalit të Lushnjes në gjendje të rëndë, ku falë ndihmës së mjekëve ndodhte jashtë rrezikut për jetën. Lidhur me këtë rast u bë ndalimi i bashkëshortit dhunues, ndërsa materialet në ngarkim të tij i kaluan Prokurorisë së Lushnjes, për veprën penale “Dhunë në familje”.