Gëzim Saliu
Kreu i PD-së: Pengesa e vetme për integrimin, arritja dhe ruajtja e standardeve ndërkombëtare
“Mesazhi i shteteve anëtare: Qeveria po rrezikon statusin me antikushtetutshmërinë e saj”
Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha dhe ish-kryeministri Sali Berisha morën pjesë në Kongresin e Partisë Popullore Europiane PPE, ku drejtues të shteteve dhe qeverive anëtare të Bashkimit Evropian dhe institucioneve të BE kanë shprehur shqetësimin për veprimet antidemokratike të ndërmarra nga qeveria në këto 6 muaj. Në takimet e zhvilluara me kryetarin e PD Lulzim Basha gjatë punimeve të Kongresit të PPE, personalitete të larta të politikës vendimmarrëse të BE kanë dhënë alarmin për përkeqësimin e standardeve demokratike në vend. “Mesazhi nga kryetarët e qeverive të shteteve anëtare dhe drejtueseve të institucioneve europiane të pranishëm në këtë kongres ishte i qartë dhe pa ekuivok. Me frymën e saj antikushtetuese, me goditjet e njëpasnjëshme kundër institucioneve të pavarura dhe tentativës për t’i kapur ato, me goditjet ndaj administratës publike dhe në tërësi frymën e konfliktualitetit që ka injektuar në marrëdhëniet me opozitën, qeveria rrezikon seriozisht statusin në qershor. Jo vetëm kaq, por kjo sjellje e cila konsiderohet se po zhbën disa standarde të arritura tashmë në Shqipëri po rrezikon imazhin e Shqipërisë dhe progresin e gjithanshëm të Shqipërisë në raport me aspiratën e saj për integrim ne BE “, u shpreh Basha pas takimit me drejtues të qeverive anëtare të BE dhe institucioneve europiane.
Integrimi
Në takimet e zhvilluara gjatë punimeve të Kongresit të PPE-ve, Basha ka marrë përgëzime për orlin e PD-së në opozitë nga kreu i partive popullore evropiane Joseph Daul. Ky i fundit vlerësoi përpjekjet e Partisë Demokratike në mbrojtje të demokracisë dhe shtetit ligjor. Ndërkohë pasi ka uruar Jean-Claude Juncker për zgjedhjen si kandidat të PPE për president të Komisionit Europian, kreu i PD-së ka marrë mbështetjen e tij për integrimin europian të Shqipërisë. “Është e qartë se institucionet e BE, qeveritë mike të përfaqësuara në PPE mbështesin pa rezerva perspektiven europiane të Shqipërisë, mbështesin pa asnjë paragjykim ecjen përpara të Shqipërisë drejt statusit të vendit kandidat por edhe drejt hapjes së negociatave. Pengesa e vetme është arritja e standardeve të kërkuara, pengesa e vetme është ruajtja e standardeve të arritura më parë. Nga ana tjetër pati një vlerësim të njezëshëm për rolin konstruktiv qe PD po luan ne opozite ne mbrojtje te vlerave te demokracisë, te shtetit ligjor, ne mbrojtje te institucioneve, ne mbrojtje te perspektives europiane dhe po kështu një vlerësim pozitiv për politiken e ndjekur nga PD për mbështetjen pa kushte të integrimit europian te vendit “, theksoi Basha. Po ashtu, kreu demokrat mori pjesë edhe në konferencën “Ballkani Perëndimor në BE, perspektiva dhe sfida “ ku theksoi nevojën për angazhim dhe fokus të vazhdueshëm për ruajtjen dhe konsolidimin e standardeve demokratike në Ballkanin Perëndimor dhe shprehu angazhimin dhe përkushtimin e PD ashtu si dje në qeverisje të vendit edhe sot në opozitë për anëtarësimin e Shqipërisë në BE. Partia Piopullore Evropiane është partia më e madhe parlamentare e Bashkimit Europian, anëtarë të së cilës janë 12 kryetarë shtetesh dhe qeverish të vendeve anëtare të BE-së, 13 komisionerë të Komisionit Europian, Presidentin e Komisionit dhe të Këshillit Europian.
Mbyllen punimet e PPE-së
Berisha: Miqtë evropianë kundër sulmeve të qeverisë mbi ligjet, institucionet e gjykatat
Përmbylljen e punimeve të kongresit të PPE-ve në Dublin e komentoi dje edhe ish-kryeminsitri i vendit Sali Berisha, i cili ishte pjesë e tyre së bashku me kreun e PD-së Lulzim Basha. Duke bërë të ditur se Joseph Daul u zgjodh President i PPE e ndërsa ish-kryeministri i Luksemburgut Jean Claud Juncker u zgjodh si kandidat i PPE për postin e presidentit të ardhshëm të Komisionit Europian, Beriosha zbardhi axhendën e diskutimeve të kongresit. “Kongresi vleresoi lart rezultatet premtuese të ekonomisë së Eurozonës, e cila tani paraqitet si një ishull stabiliteti. Nën moton “besojmë njerëzve”, Kongresi hapi fushatën elektorale të PPE për zgjedhjet europiane të majit 2014. Në Kongres Kancelarja e Gjermanisë Angjela Merkel dhe oratore të tjerë dënuan agresionin ndaj Ukrainës dhe pushtimin e Krimesë nga forcat ruse, kërkuan largimin e tyre nga Ukraina dhe zgjidhjen paqësore të problemit. Në Kongres morën pjesë mbi 2000 delegatë përfaqësues të 73 partive simotra, 17 kryeministra dhe presidente të vendeve ku partitë simotra anetarë të PPE janë në pushtet, kryetarët e partive të tjera, ndër të cilët dhe zoti Basha kryetar i PDSH si dhe miq ndërkombëtarë”, shkruante Berisha në rrjetin social “facebook”. Më tej, ai bëri të ditur se gjatë takimeve me drejtues kryesorë të EPP-së dhe kryetarë të partive simotra, europarlamentare si dhe të ftuaren e nderit të Kongresit Julia Tymoshenko, ka lobuar për statusin e vendit kandidat për Shqipërinë. “I njoha të gjithë miqtë e mi me zhvillimet në Shqipëri gjatë këtyre muajve si, rrëzimin e neneve të Kushtetutës, ligjeve dhe vendimeve të gjykatave dhe institucioneve të pavarura nga Edi Rama, i cili në një paranojë të vërtetë e ndjen veten mbi Kushtetutën, ligjet, gjykatat e vendit. Në Dublin, shumë nga bashkëbiseduesit e mi, ishin të bindur se për Shqiperine, demokracinë dhe shtetin ligjor problem kryesor është shëndeti mendor i Edi Ramës, gjë që e beën atë të besojë se me fuqinë e ekzekutivit mund të tejkalojë Kushtetutën, ligjet, gjykatat dhe të gjitha institucionet e tjera si në ndonjë vend diktatorial”, pohoi ish-kryeministri.