Ministria e Financës publikoi dje listën e detyrimeve të prapambetura për punët publike dhe rimbursimin e TVSH, vlera e të cilave arrin në rreth 27.4 miliardë lekë. Në grupin e punëve publike, 14.7 miliardë lekë janë fatura me informacion të plotë, për të cilat pagesat do të fillojnë menjëherë gjatë javës në vijim, pas verifikimeve finale rutinë të dokumentacionit brenda procedurave të thesarit.
Rreth 5.3 miliardë lekë janë fatura që kërkojnë plotësim/saktësim informacioni, që do të bëhet shumë shpejt nga institucionet përkatëse për t’u renditur sipas datës në listpagesat e faturave. Faturat që i takojnë TVSH-së, janë rreth 7.4 miliardë lekë dhe procesimi i tyre, gjithashtu, do të fillojë menjëherë gjatë javës që vjen, duke filluar nga pagesat e viteve më të hershme. Fatura e rimbursimit të TVSh pritet të rritet me aprovimin e kërkesave të bëra përpara fundit të vitit 2013. Një grup tjetër pagesash që ka të bëjë me shpenzimet korrente (shërbime, vendime gjyqësore), me vlerë rreth 5 miliardë lekë, është duke u finalizuar dhe do publikohet dhe do fillojë të procesohet brenda dy javëve në vijim. Ministria njofton se mbetet e gatshme për të ndjekur me institucionet përkatëse dhe Thesarin të gjitha rastet që, për arsye të ndryshme, kanë mbetur jashtë këtyre listave. Duhet theksuar që listat janë për punime/shërbime, për të cilat është lëshuar faturë. Punimet/shërbime të kryera, për të cilat nuk është lëshuar faturë, duhet të ndjekin të gjitha hapat deri në lëshimin e faturës dhe duhet të përfshihen në buxhetin e vitit aktual. Pagesat e punëve publike janë kryesisht në sektorët e infrastrukturës (mbi 90%), arsimit (5.4%), shëndetësisë (0.2%).
Listen e plote e gjeni ne brendesi te gazetes “Standard”