Zbardhen hapat / Si përfitohet prona shtetërore, kush e merr tokën me qira 1 euro. Procedura e konkursit

0
166

Gëzim Saliu

 Në total janë 3500 asete shtetërore, ku 1400 objekte do të jepen për investim. Cilat projekte kanë përparësi

 

Pallati-11Pasi qeveria miratoi kriteret dhe procedurat e dhënies me qira të pasurive shtetërore, zbardhen detajet lidhur me mënyrën se si do të përfitohet kjo pronë, kush do të jenë përfituesit parësorë si edhe cila do të jetë forma e konkursit për projektet që do të hyjnë në garë. Sipas Ministrisë së Ekonomisë, për biznesin fason, i cili ka edhe një numër të madh punonjësish, kontrata do të jetë vetëm një euro e ndërsa qiraja shtetërore për investimet e tjera do të jetë në varësi të bashkisë. “Investimet që do jenë mbi 10 milionë euro, pra investime në fusha të ndryshme për një investitor që do të vijë, është për investimet në fushën e fasonëve, sepse ky investim ofron vende të shumta puna. Njëkohësisht është edhe për projektet mbi 2 milionë euro, por që u adresohet fushave si ajo e sportit, e kulturës, e turizmit apo e trashëgimisë kulturore”, – bëri të ditur dje zv.ministrja e Ekonomisë, Brunilda Paskali, për “Vizion Plus”.

 Qiraja

Sipas Ministrisë së Ekonomisë, në total janë 3500 asete shtetërore, në të cilat përfshihen 1400 objekte që do të jepen për investim. “Një pjesë e madhe është për 1-euroshin, ndërsa pjesa tjetër është me konkurrim, ku do paraqitet një plan biznesi, një plan edhe për punësim se sa të punësuar do të ketë, pra do të ketë një grup të dytë që do të futet në konkurrim”, – pohoi Paskali. Në kriteret dhe procedurat e dhënies me qira të pasurisë shtetërore janë përcaktuar si parësore niveli i investimit, niveli i punësimit dhe oferta e detyrimit mujor të qirasë. Ndërsa kriteret e konkurrimit për dhënien me enfiteozë të pasurisë shtetërore (enfiteoza është një kontratë, me të cilën një personi i jepet e drejta të përdorojë e të përmirësojë një pasuri të paluajtshme) kërkojnë që aplikuesi të paraqesë nivelin e investimit në pasuri të paluajtshme për përmirësimin e pronës, i cili të jetë mbi 200 për qind të vlerës së pasurisë së shpallur për konkurrim, qëllimin dhe nivelin e investimit në tërësi në pasurinë që jepet me enfiteozë, nivelin e punësimit, ofertën e detyrimit mujor. Vendimi i qeverisë për dhënien me qira të pasurive shtetërore parashikon që ky proces të realizohet përmes konkurrimit, ndërsa pasuritë që jepen me qira janë ndërtesat, sipërfaqet funksionale (jo nën ndërtesë), trualli i lirë, makineritë e pajisjet e linjat e prodhimit të institucioneve shtetërore, ndërmarrjeve dhe shoqërive tregtare me kapital 100 për qind shtetëror (“shoqëri shtetërore”). Nga ana tjetër qeveria ka përcaktuar edhe dokumentacionin që duhet për marrjen me qira ku përfshihen: propozimi për dhënien me qira ose enfiteozë të objektit; vendimin e organit drejtues të institucionit shtetëror, ndërmarrjes apo shoqërisë shtetërore; miratimin e organit të varësisë administrative; genplanin e objektit, në 6 (gjashtë) kopje origjinale, të konfirmuar nga drejtuesi i institucionit shtetëror, ndërmarrjes apo shoqërisë shtetërore dhe nga organi i prefekturës, në territorin e së cilës ndodhet pasuria, ku të jenë përcaktuar qartë sipërfaqja e truallit gjithsej, sipërfaqja e truallit nën ndërtesë dhe sipërfaqja funksionale; tarifën dysheme të detyrimit mujor për sipërfaqet nën ndërtesë dhe konfirmimin nga Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme për pronësinë shtet të objektit dhe truallit, si dhe nga Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave për vendimet që mund të ketë dhënë për njohje ose kthim prone.

 

Çmimet dhe vlerat për pasuritë shtetërore që jepen me qira ose enfiteozë

Kur jepet me qira truall i lirë, pra kur jepet me qira ose enfiteozë vetëm truall, tarifa dysheme e qirasë mujore është 100 lekë/m2.

Për pasuritë e institucioneve shtetërore apo shoqërive shtetërore me karakter kombëtar (kulturor, historik, muzeor, arkeologjik), të shpallura të tilla me akte ligjore, tarifa dysheme e detyrimit mujor e përcaktuar më sipër, shumëzohet me 2 (dy).

Kur ndërtesa është me dy ose më shumë kate, për efekt të llogaritjes së qirasë mujore do të merret parasysh sipërfaqja e çdo kati.

Për objektet voluminoze si: rezervuarët, depozitat dhe siloset, që jepen me qira me qëllim tregtimi, brenda vijave kufizuese të qyteteve: Tiranë, Berat, Durrës, Fier, Korçë, Lushnjë, Pogradec, Sarandë, Shkodër, Elbasan, Vlorë, Gjirokastër, Kavajë, Krujë, Laç, Lezhë, tarifa dysheme e qirasë është 400 lekë/m3 në muaj, ndërsa jashtë vijave kufizuese të qyteteve të sipërpërmendura, si dhe në të gjitha zonat e tjera tarifa e qirasë është 200 lekë/m3 në muaj.

Për terrenet sportive, përcaktuar si të tilla me akte ligjore dhe kur do të kryhet aktivitet sportiv, tarifa dysheme e qirasë mujore është 10 lekë/m2 në muaj.

 

Zyra e Punësimit

Vlorë, Rama: Nxisim punësimin e grave dhe të vajzave

Kryeministri Edi Rama vizitoi dje mjediset e Zyrës së re të Punës në qytetin e Vlorës, ku theksoi se këto zyra do shërbejnë si pika kontakti mes punëdhënësve dhe punëkërkuesve, në kushtet kur shteti nuk mund të jetë sipas tij i punëdhënësi më i madh. “Duhet të punojmë intensivisht për t’u vënë në kontakt me të gjithë sipërmarrjet për të vënë në dispozicion të gjithë vendet e lira të punës. Të jepet sa më shumë informacion për njerëzit që kërkojnë punë, që nëse duan punë, punë ka dhe punët janë këtu”, – u shpreh ai në bashkëbisedim me drejtuesen e këtij institucioni. Duke marrë për bazë 8 Marsin, Ditën e Gruas, Rama tha: “Zyra e Punës, me siguri, mund të kthehet në një instrument që të nxisë punësimin e grave dhe të vajzave, si dhe të nxisë përpjekjen për barazi në trajtim mes burrave dhe grave, për të njëjtën punë”. Referuar statistikave, kryeministri theksoi se gratë dhe vajzat sot e vuajnë papunësinë shumë më tepër sesa burrat dhe, fatkeqësisht, gratë paguhen 35% më pak se burrat, për të njëjtën punë. Në këtë kontekst, ai pohoi se krahas rëndësisë që ka punësimi dhe arsimimi profesional i grave dhe vajzave, në Strategjinë për Punësim dhe Aftësim zë një vend të veçantë dhe angazhimi për të nxitur dhe mbështetur në mënyrë të posaçme të gjitha ato biznese që punësojnë gra dhe vajza. “Unë besoj se të gjitha masat për zhvillim dhe rimëkëmbje ekonomike, duke filluar që nga shlyerja e borxhit, për të cilin qeveria është angazhuar dhe tanimë kemi arritur të sigurojmë edhe marrëveshjen me Fondin Monetar Ndërkombëtar, do të ketë padyshim një efekt pozitiv edhe në punësimin e grave dhe të vajzave”, – deklaroi kreu i qeverisë, Rama.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency