Del udhëzimi i Financave/ Publikohen rregullat, si do të kryhet rimbursimi i TVSH-së bizneseve

0
157

Ervin Kaduku

 

 

Publikohen rregullat që duhen ndjekur për të përfituar brenda 60 ditëve shifrën që nuk ka dhënë shteti për biznesin.

Për eksportuesit, afati është 30 ditë  Pagesa do të jetë automatike dhe nuk ka nevojë për urdhër nga Tatimet

 kase fiskaleMinistria e Financave ka hartuar më në fund udhëzimin e shumëpritur për procedurat e reja të rimbursimit të Tatimit mbi Vlerën e Shtuar (TVSH), i cili do të mundësojë që thesari të bëjë pagesën në mënyrë automatike pas 60 ditësh, pa u varur nga rezultati i kontrollit të tatimeve, siç ndodhte më parë.

Pas diskutimeve e mbledhjeve pa fund me anëtarët e Këshillit Tatimor dhe grupet e tjera të interesit, Ministria e Financave ka gati udhëzimin “Për disa shtesa dhe ndryshime në udhëzimin nr. 17, datë 13.5.2008 “Për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar”, i ndryshuar”, i cili ka në thelb ndryshimin e procedurave të rimbursimit të TVSH-së për bizneset.

Mosmarrja e TVSH-së në kohën e duhur ishte kthyer në një shqetësim të madh për sipërmarrjet, sidomos ato eksportuese, që prej kohësh po kërkonin zgjidhjen e këtij problemi. Udhëzimi përcakton që thesari do ta bëjë pagesën në mënyrë automatike pas 60 ditësh.

Sipas burimeve nga financat, ky udhëzim vjen edhe në kuadër të strategjisë së shlyerjes së borxheve dhe moskrijimin e detyrimeve të reja.

 

Si do të kryhet rimbursimi

Sipas strategjisë për likuidimin e pagesave të vonuara, shuma që shteti u detyrohet bizneseve për rimbursimin e TVSH-së është 12.84 miliardë lekë ose rreth 18% të totalit të detyrimeve të prapambetura.

Strategjia parashikon që rimbursimi nga sistemi i thesarit i tepricës kreditore të kërkueshme të TVSH-së pas datës 1 janar 2014, sipas procedurës së miratuar me udhëzim të ministrit të Financave.

Pagesat do të fillojnë nga detyrimet më të vjetra tek ato më të reja, sipas datave të dorëzimit, vlerësimit dhe aprovimit nga institucionet përkatëse, të dokumentacionit që vërteton kryerjen e punimeve/shërbimeve/dorëzimin e mallrave dhe/ose kërkesën për rimbursimin e TVSH-së, tatimfitimit. Rimbursimi i TVSH-së dhe tepricës kreditore të tatimit mbi fitimin do të fillojnë gjatë vitit 2014. Pagesat e rimbursimeve, pas verifikimit, do të kryhen kundrejt fondeve buxhetore të miratuara për këtë qëllim dhe sipas parimit hyrje e parë dalje e parë, duke u bazuar në datën e paraqitjes së kërkesës nga subjekti tatimpagues në organin tatimor (data e protokollit të organit tatimor) pavarësisht se kur është vlerësuar dhe miratuar nga ky i fundit.

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve do të verifikojë, para se të bëhen pagesat, që pretendimet e rimbursimit të TVSH-së dhe Tatimit mbi Fitimin janë të vlefshme. Verifikimi dhe kontrolli do të kryhen bazuar në datën e paraqitjes së kërkesës nga subjekti tatimpagues në organin tatimor (data e protokollit të organit tatimor). Një grup ekspertësh i dedikuar do të ngrihet pranë Ministrisë së Financave për të siguruar minimizimin e riskut të abuzimeve në procesin e rimbursimit të TVSH-së.

 

Rimbursimi automatik brenda 60 ditësh

 

Sipas burimeve nga Financat, ndryshimi kryesor në mënyrën e rimbursimit të TVSH-së lidhet me faktin se tashmë rimbursimi do të bëhet automatikisht nga thesari brenda 60 ditësh. Më parë, procesi i rimbursimit kryhej vetëm pas rezultatit të kontrollit të tatimorëve, pavarësisht afateve që ishin të përcaktuara në ligj.

Procedura e re nuk e përjashton faktin që bizneset të jenë subjekt i kontrolleve tatimore, në bazë të analizës së riskut, por gjithsesi rimbursimi i TVSH-së tashmë do të jetë një proces i sigurt dhe i shpejtë, sepse ai nuk do të varet më në dorë të tatimeve, por garantohet me ligj, pasi thesari do ta bëjë pagesën pa “pyetur” tatimet.

Sipas udhëzimit, afatet e përcaktuara për rimbursimin e TVSH-së sipas kategorive të personave të tatueshëm fillojnë nga data e protokollimit të kërkesës për rimbursim të TVSH-së, në Drejtorinë Rajonale Tatimore, datë e cila është e njëjtë me datën e mbërritjes ose paraqitjes së kërkesës për rimbursim nëpërmjet shërbimit postar rekomande (me nënshkrim të marrësit).

 

Si do të bëhet kërkesa për rimbursim

Udhëzimi përcakton që çdo person i tatueshëm, i cili plotëson kushtet e parashikuara në nenin 50 të ligjit, ka të drejtë të kërkojë rimbursimin e TVSH-së. Për të kërkuar rimbursimin e TVSH-së, personi i tatueshëm, pasi të ketë plotësuar rubrikën përkatëse “Kërkesë për rimbursim të TVSH-së” të Formularit të Deklarimit të TVSH-së të periudhës së fundit tatimore, dërgon në Drejtorinë Rajonale Tatimore:

-Një kërkesë me shkrim me objekt “Kërkesë për rimbursim të TVSH-së”, në të cilën specifikohen të dhënat identifikuese të personit të tatueshëm, emri i administratorit/ët, adresën/at e saktë të veprimtarisë, degën e bankës dhe numrin e llogarisë bankare të personit të tatueshëm, një përshkrim të shkurtër të veprimtarisë dhe arsyet e krijimit të TVSH-së kreditore, periudhën përgjatë së cilës është krijuar TVSH-ja kreditore, si dhe nëse kërkesa për rimbursim është për herë të parë apo jo. Nëse personi i tatueshëm që kërkon rimbursimin e TVSH-së është eksportues, kjo shprehet në kërkesën e paraqitur.

– Formularin “Kërkesë për Rimbursim” sipas modelit të treguar në foto.

Më pas, Drejtoria Rajonale Tatimore, me marrjen e kërkesës për rimbursim, protokollon kërkesën në regjistrin e protokollit dhe brenda ditës së nesërme e regjistron atë në një regjistër të veçantë për rimbursimet e TVSH-së, sipas rendit kronologjik të datës së paraqitjes së kërkesës.

Më pas, punonjësi i ngarkuar me mbajtjen dhe administrimin e regjistrit të rimbursimeve, brenda 3 (tri) ditëve punë, nga data e regjistrimit në regjistrin e rimbursimeve, kryen dhe përfundon procesin e verifikimit paraprak të kërkesës për rimbursim në lidhje me të dhënat identifikuese të personit të tatueshëm dhe të shumës së paraqitur në formularin “Kërkesë për Rimbursim”, nëse ajo është e barabartë me shumën e paraqitur në rubrikën përkatëse të FDP-së së muajit korrespondues, si dhe periudhën për të cilën është kërkuar rimbursimi.

Më pas verifikohet plotësimi i kërkesave ligjore mbi kërkesën për rimbursim, të cilat konsistojnë në:

-Për personat e tatueshëm të përcaktuar eksportues sipas VKM-së për këtë qëllim, verifikimin e plotësimit të kriterit ligjor nëse teprica kreditore e kërkuar për rimbursim është e barabartë ose më e madhe se 400.000 lekë;

-Për personat e tatueshëm të tjerë joeksportues, verifikimin e plotësimit të kriterit ligjor nëse personi i tatueshëm ka mbartur tepricë kreditore të TVSH-së për të paktën tri periudha tatimore radhazi dhe kjo tepricë është e barabartë ose më e madhe se 400.000 lekë.

Në rastin kur nga procesi i verifikimit paraprak të kërkesës për rimbursim rezulton se kriteret nuk janë plotësuar, udhëzimi përcakton që kërkesa konsiderohet e parregullt dhe nuk pranohet.

Në rastin kur nga procesi i verifikimit paraprak të kërkesës për rimbursim rezulton se kriteret janë plotësuar, kërkesa konsiderohet e pranuar.

 

Si do të kryhet pagesa për eksportuesit

Në ditën në të cilën kërkesa konsiderohet e pranuar, ajo adresohet për kontroll në vend, të personit të tatueshëm. Sipas udhëzimit, radha e kontrollit ndjek në çdo rast dhe pa asnjë përjashtim, radhën kronologjike të paraqitjes së kërkesave për rimbursim të TVSH-së.

Për personat e tatueshëm të klasifikuar si eksportues me risk zero, kontrolli tatimor në vend nuk është i detyrueshëm përpara miratimit të rimbursimit nga Drejtoria Rajonale Tatimore. Për këtë kategori të eksportuesve, kontrolli tatimor mund të kryhet në çdo moment sipas planifikimit për kontroll.

 

 

 

 

INSTAT: Inflacioni 1.9%, sërish nën kufirin minimal të Bankës së Shqipërisë

Në muajin shkurt 2014 ndryshimi vjetor i indeksit të çmimeve të konsumit (Inflacioni) është 1,9%, njoftoi Instituti i Statistikave. Një vit më parë, në të njëjtin muaj inflacioni ishte në masën 2.5%. Në këtë mënyrë, niveli i inflacionit vijon të mbetet nën kufirin minimal të përcaktuar nga Banka e Shqipërisë (2-4%) për të disatin muaj radhazi. Sipas BSH, kjo situatë vjen nga rënia e konsumit dhe vështirësitë financiare të qytetarëve dhe biznesit.

Rritja më e madhe e çmimeve vërehet në grupin “Pije alkoolike dhe duhan” me 6,3% pasuar nga grupi “Mallra dhe shërbime të ndryshme” me 5,6%, “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 2,9%, “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me 2,0%, “Hotele, kafene dhe restorante” me 1,9% etj. Ndërsa ulja me e madhe e çmimeve vërehet në grupin “Veshje dhe këpucë” me 3,4%, pasuar nga grupi “Komunikimi” me 2,8%, dhe “Shëndeti” me 1,3% etj.

Rritja vjetore në muajin Shkurt është ndikuar kryesisht nga grupi “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 1,14 pikë për qind. Në këtë grup çmimet e nëngrupit “Fruta” janë rritur me 16,7% dhe nëngrupit “Zarzavate” me 13,7%. Ndërsa çmimet e nëngrupit “Vajra dhe yndyra” u ulën me 4,4% pasuar nga nëngrupi “Sheqer e ëmbëlsira” me 3,8%, “Kafe, çaj e kakao” me 1,6%, “Qumësht, djathë e vezë me 0,6% etj. Rritja e çmimeve të grupit ”Pije alkoolike dhe duhan” ka kontribuar me 0,23 pikë për qind në ndryshimin vjetor. Krahasuar me një vit më parë çmimi i duhanit u rrit me 11,6%. Çmimet e grupit “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” kanë kontribuar me 0,33 pikë për qind. Në këtë grup çmimet e materialeve për mirëmbajtjen e shtëpisë u rritën me 2,6% dhe çmimi i ujit të pijshëm me 0,7%.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency