Ekzekutimi/ Viktima, jo i skeduar, dyshime për ngatërrim shënjestre ose konfliktet

0
172

Anxhela Tato

 

 

Motra e Sami Shetës: Vëllai im nuk përzihej me askënd, nuk kishte probleme, jemi të tronditur

 Autorët trokitën në derën e banesës dhe qëlluan viktimën me 2 plumba, trupi u gjet nga fëmijët

 

vrasja tirane sami shetaVrasja në zonën e Xhamllikut mund të jetë ngatërrim shënjestre ose ndonjë konflikt i vjetër i viktimë, por policia është ende në mëdyshje, duke mos pasur asnjë lloj sinjalizimi ose indikacioni për motivin e krimit. Viktima, Sami Sheta, nuk rezulton person me precedentë penalë, ndërsa për banorët ai njihet si një njeri i qetë dhe pa probleme me askënd. Nga familjarët përshkruhet si një person që i kushtohej vetëm familjes së tij dhe nuk përzihej me askënd. E përlotur, motra e viktimës shprehet se Samiu nuk ka pasur asnjë konflikt. 50-vjeçari Sheta ishte një njeri që nuk i bënte keq askujt dhe përkujdesej për gruan dhe fëmijët, ndërsa mohon që vëllai i saj të ketë qenë emigrant jashtë shtetit. Ky krim i ka tronditur familjarët, të cilët nuk dinë çfarë të thonë. Janë ende të tronditur, duke mos pasur asnjë dyshim për shkakun e vrasjes. “Vëllai im ishte një njeri shumë i mirë dhe i qetë, që e respektonte gjithë lagjja. Nuk dimë farë çfarë të themi, jemi ende të tronditur nga çfarë ka ndodhur. Nuk po marrim dot vesh asgjë dhe nuk dimë asgjë. Vëllai im ishte i papunë dhe çdo ditë shoqëronte dhe merrte gruan nga puna. Ai qëndronte me fëmijët dhe s’i ka bërë keq askujt. Nuk ishte problem dhe as konflikte me askënd. Ai shikonte vetëm hallin e tij dhe nuk përzihej me asnjë”, – shprehet motra e viktimës, ndërsa fqinjët tregojnë se nuk kanë mundur dot që të dëgjojnë të shtëna, por vetëm britmat e familjarëve. Kanë parë pellgun e gjakut dhe trupin e 50-vjeçarit Sheta të mbuluar me batanije. “Në orën shtatë unë ika te lokali ku punon burri im dhe kur u kthyem në orën dhjetë pamë policinë. Më pas pashë edhe trupin e viktimës që i kishin hedhur batanije brenda portës së banesës. Unë e njihja si një njeri të qetë dhe nuk ka pasur asnjëherë përplasje apo sherre me ndokënd. Nuk e dimë se me çfarë merrej, por e shikoja që ikte dhe vinte me gruan. Nga ato që dëgjova nga familjarët, e kanë gjetur fëmijët të vdekur te dera dhe kanë ulërirë. As vetë familjarët nuk kanë dëgjuar të shtëna dhe nuk di çfarë të të them”, – tregon fqinja.

 

Policia

 Autorët e krimit kanë goditur në derën e banesës private të viktimës, i cili në momentin që ka hapur portën, është qëlluar me dy plumba. Sipas hetimeve të policisë, Sami Sheta është goditur me armë zjarri kallashnikov dhe ka dy plagë në trup, që i kanë marrë jetën. Kanë qenë fëmijët, që të habitur nga vonesa e babait kanë dalë jashtë dhe e kanë gjetur të shtrirë në tokë. Të alarmuar kanë njoftuar policinë, e cila ka sekuestruar pamjet filmike të kamerave të sigurisë që ndodhen në pjesën e përparme të pallatit ku ndodhi krimi. Këto pamje do të ndihmojnë policinë që të arrijë të identifikojë autorët e krimit të rëndë, të cilët kanë qenë të maskuar me kapuç në kokë, ndërkohë që në komisariat janë shoqëruar rreth 12 persona, prej të cilëve 8 janë anëtarë të familjes, të cilët janë pyetur për konfliktet e mundshme që mund të ketë pasur viktima. Familjarët kanë mohuar që 50-vjeçari Sami Sheta të ketë pasur konflikte, duke kundërshtuar edhe emigrimin jashtë shtetit. Për policinë motivi dhe autorët mbeten mister, duke qenë se viktima nuk është i skeduar. Është ndër të paktat raste kur nuk ka asnjë lloj dyshimi për shkakun e krimit. Sipas hetimeve të policisë, pistat hetimore mund të përqendrohen vetëm te ngatërrimi i shënjestrës ose tek ndonjë konflikt i vjetër i viktimës, por çdo gjë mbetet në rangun e dyshimit, i cili duhet vërtetuar dhe faktuar nga blutë.

 

 

Berat

Trafik narkotikësh në Belgjikë, sekuestrohet pasuria e Riza Mahmutajt

 Sekuestrohet pasuria e Riza Mahmutajt, i njohur me emrin Irakli Zyka. Mahmutaj akuzohet për tregtim dhe mbajtje të lëndëve narkotike të kryer në bashkëpunim në Belgjikë. Në aksionin e djersëm, ku u angazhua policia shqiptare dhe përfaqësues të policisë belge, është bërë sekuestrimi i një vile trekatëshe në fshatin Cukalat, një pronë prej 30.000 m2 tokë, mjeti tip “Nissan” me targë VL 6292 C dhe motori “Harley Davidson” me targë VL 796 A. Gjatë kontrollit në banesën e 39-vjeçarit janë sekuestruar edhe dokumente të ndryshme si: certifikatë të regjistrimit të pasurisë, fatura të ndryshme, libreza kursimi, karta memorieje etj. Sekuestrimi i pasurisë vjen në zbatim të urdhrit për ekzekutimin e vendimit penal të datës 28 shkurt 2013 të Gjykatës së Shkallës Parë për Krimet e Rënda Tiranë, si dhe bazuar në detyrimet e përcaktuara në ligjin “Antimafia”.

 

 

Fier

Varrezat, pre e grabitësve, vidhen bizhuteritë

 Në varrezat e fshatit Grecall në rrethin e Fierit, varri i një vajze 20-vjeçare është hapur nga persona ende të paidentifikuar natën e mbrëmshme dhe kanë marrë bizhuteritë e florinjta që familjarët i kishin lënë. Varri është hapur me kazma dhe lopata, ndërsa autorët kanë tentuar të hapin edhe varrin tjetër ngjitur me atë të 20-vjeçares. Banorët shprehen të indinjuar nga kjo ngjarje dhe bëjnë thirrje të merren masa për të parandaluar ngjarje të tilla. “Këtu caktohen njerëz vetëm për të marrë paratë, jo për të bërë punën. Edhe kryetarit të Komunës i është thënë. Mirë ne na sulmojnë, por me të vdekurit çfarë kanë?”, – shprehet një banor i Grecallit. Banorët kanë njoftuar policinë për ngjarjen, por deri tani askush nuk është vënë në pranga si person përgjegjës.

Laç

Terrorizoi me armë familjen, arrestohet Enver Dika

 Policia e Laçit ka arrestuar dje një kryefamiljar, pasi terrorizoi me armë familjen e tij. Sipas burimeve të policisë së këtij qyteti, shtetasi Enver Dika ishte në gjendje të dehur dhe kërcënonte me jetë familjarët e tij. Pas denoncimit të këtyre të fundit, policia ka arrestuar Dikën dhe i ka sekuestruar atij armën tip pushkë, me të cilën po i kërcënonte.

 

Greqi

Policia, 2 tonë e 845 kg marijuanë u sekuestruan në muajin shkurt

 Policia greke ka bërë ditën e djeshme bilancin e drogës të sekuestruar gjatë muajit shkurt. Sipas kësaj policie, gjatë muajit shkurt janë sekuestruar 2 tonë e 845 kg marijuanë. Sasitë më të mëdha të drogës janë kapur në Igumenicë. Po ashtu policia greke saktëson se sasi të mëdha lënde narkotike janë sekuestruar edhe në Prevezë, Selanik, Janinë, Athinë. Nga analiza ka rezultuar se 216 kg drogë janë kapur nga policia bregdetare.