Kush po bllokon 2.7 miliardë euro investime në HEC-e?

0
218

Ervin Kaduku

 

Si u bllokuan 12 investime të mëdha në hidrocentralet lokale, me të cilat vendi do të prodhonte rreth 9 miliardë kilovat-orë në vit më shumë sesa ç’është konsumi

 

U çuan dëm politikat e lehtësimeve fiskale ndaj importit të materialeve që përdoren për centrale elektrike

 

Hidrocentrali-fierzeNë një lëvizje të dukshme politike, por që bie ndesh me interesat e shqiptarëve dhe të zhvillimit të ekonomisë, qeveria Rama duket se ka “ngrirë” strategjinë energjetike të zhvillimit të hidrocentraleve të vegjël privatë. Flitet për një periudhë shqyrtimi “hap pas hapi” për kontratat e nënshkruara apo edhe ato në proces, që kanë të bëjnë me prodhuesit e vegjël të energjisë elektrike, nga burimet hidrike, por nuk ka ende një fushëpamje të qartë se deri ku do të shkojë ky bllokim.

 

Kontratat

Ashtu sikundër ishte paralajmëruar, me marrjen e pushtetit, qeveria “Rama” i preu “udhën” një serie kontratash për ndërtimin e hidrocentraleve të vegjël. Numërohen rreth 12 procedura jo të vogla të bëra tashmë “nul”. Po cilat janë shifrat e deritanishme sa u përket kontratave të koncesionit, për ndërtimin e hidrocentraleve të vegjël?

Sipas burimeve zyrtare të Ministrisë së Energjisë dhe Industrisë, që nga hyrja në fuqi e ligjit nr. 9663, datë 19.2.2006 “Për koncesionet”, i ndryshuar, si dhe akteve nënligjore në zbatim të tij, Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës ka nënshkruar që nga viti 2007 e deri në shtator të vitit 2013, 164 kontrata koncesioni për ndërtimin dhe rehabilitimin e 435 hidrocentraleve. Nga të njëjtat burime mësohet se fuqia e instaluar deri tani llogaritet në 1,93 miliardë kilovat, me prodhim vjetor të parashikuar në total në 345 milionë kilovat-orë. Ndërsa investimi total, sipas burimeve zyrtare, kap vlerën e 2 miliardë e 654 milionë eurove. Kjo është një shifër e jashtëzakonshme për Shqipërinë, e tërhequr nga privati dhe të huajt si pasojë e përpjekjeve të qeverisë së mëparshme.

Mësohet se aktualisht kanë përfunduar punimet për kontratat e nënshkruara nga viti 2007 e deri në shtator të vitit 2013 dhe janë në fazën e prodhimit 44 hidrocentrale me fuqi të instaluar 195.432 kilovatë. Këtu janë përfshirë edhe hidrocentralet Ashta 1 dhe Ashta 2 me fuqi të instaluar 56 mijë kilovatë. Sipas të dhënave të ministrisë, gjatë vitit 2013 filluan nga puna disa prej veprave të rëndësishme në fushën e gjenerimit të energjisë elektrike, ku mund të përmendim:

hidrocentralet mbi lumin Devoll, me një fuqi të instaluar prej 279 MW, me një vlerë investimi prej rreth 940 milionë eurosh;

hidrocentralet mbi lumin Fan i Madh dhe Fan i Vogël, me një fuqi të instaluar prej 87,700 kW, me një vlerë investimi rreth 142 milionë euro; hidrocentralet mbi lumin Curraj, me një fuqi të instaluar prej 97,570 kW, me një vlerë investimi rreth 100 milionë euro;

hidrocentralet mbi lumin Osum, me një fuqi të instaluar prej 152 MW, me një vlerë investimi prej rreth 231 milionë eurosh, etj.

 

Strategjia

Qeveria e djathtë i konsideroi këto investime me të drejtë si motorin kryesor të gjenerimit të energjisë dhe që do të ulte varësinë nga importi, në kushtet kur Shqipëria njihet si një vend me burime të mëdha hidrike. E për të nxitur këtë, u ndërmorën edhe masa lehtësuese fiskale, ku kujtojmë përjashtimin nga TVSH-ja për asetet kapitale, si dhe për hekurin e çimenton, si dhe përdorimi i pronës shtetërore gjatë të gjithë periudhës koncesionare për vetëm 1 euro në ndërtimin e hidrocentraleve.

Ishte parashikuar që me kontratat e HEC-eve dhe 15 autorizimet e dhëna për ndërtimin e parqeve me erë, eolike dhe paneleve diellore, Shqipëria do të plotësonte nevojat e saj për energji elektrike brenda vitit 2015. Por, qeveria e re e kthen gjithçka në letër pa vlerë. Studimet e kryera në atë kohë tregonin se vendi ynë kishte mundësi për të ndërtuar hidrocentrale deri në 4.500 MW fuqi të instaluar, me një prodhim mesatar vjetor prej rreth 16 miliardë kilovat-orësh, në një kohë që kërkesa aktuale është për rreth 7 miliardë. Në ndërtimin e burimeve të reja të prodhimit të energjisë ishte parashikuar edhe ndërtimi i disa termocentraleve që do të përdornin gazin natyror, i cili do të futej në Shqipëri nëpërmjet gazsjellësit të projektit Trans Adriatic Pipeline (TAP).

 

Anulimi

Por, qeveria e re duket se do të bëjë “nul” të gjitha këto. Çdo strategji e ndjekur do të rishikohet. Do të rikonfigurohen edhe objektivat. Nuk dihet me saktësi se cili do të jetë orientimi i ri për sigurimin e energjisë elektrike, por ajo që pranohet nga Ministria e Energjisë dhe Industrisë është fakti se një gjë e tillë nuk mund të thuhet “kështu mbi dy këmbë”, por do të kërkojë studime të mirëfillta, të bazuara në kosto dhe që do të jenë në përputhje me direktivat dhe objektivat evropiane.

Problemi i vërtetë duket se është hakmarrja ndaj subjekteve të caktuara, që po ndërtojnë këto vepra madhore dhe jo aq rishikimi tekniko-financiar i gjithë skemës. Pra, qeveria e re preferon të lejë pa energji shqiptarët, nën logjikën e mbrapshtë “për inat të sime vjehrre…”

Gjatë periudhës 2007 – korrik 2013, Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës (METE) shqyrtoi rreth 1200 dosje privatizimi dhe koncesionesh. Vetëm për privatizimin dhe dhënien me koncesion për ndërtim të ri hidrocentralesh u regjistruan 727 kërkesa. Në funksionim janë rreth 20% e totalit të hidrocentraleve të parashikuar që arrijnë të sigurojnë një përqindje të caktuar shtesë kundrejt prodhimit total të energjisë elektrike. Deri më sot, nga biznesi vendas dhe i huaj janë marrë 164 kontrata koncesioni për ndërtimin e rreth 435 HEC-eve, e që në total vlejnë miliarda euro. Situata nuk është nga më të mirat, pasi deri në shtator të vitit 2013 në fazën e prodhimit ishin vetëm 44 HEC-e me fuqi të instaluar 195,432 kW.

 

Koncesionet

 Zhvillimi i një koncesioni kalon në disa faza që ndahen në: fazën e përzgjedhjes (identifikimi dhe përzgjedhja e koncesionarit) që përfshin ndër të tjera zhvillimin e procedurës konkurruese dhe përfundon me lidhjen e një kontrate koncesioni dhe në fazën e zhvillimit të projektit koncesionar (ndërtimin, operimin) e cila përfshin financimin, marrjen e lejeve, shfrytëzimin (që në vetvete lidhet me marrjen e licencave dhe lidhjen e kontratave të shitjes së energjisë, me tregun në vend e rajon dhe përfundon me transferimin e këtij projekti pranë autoritetit kontraktor shtetëror. Çdo hallkë e procedurës ka problematikën e vet që ndikon në realizimin e një projekti koncesionar. Por, më tepër se vështirësitë teknike, koncesionet shqiptare i ka penalizuar mungesa e plotë e përvojës së kompanive që u janë dhënë këto koncesione. Shumë nuk ishin të papërgatitura për të përballuar sfidat.

Një pjesë e madhe e tyre nuk kanë pasur të parashikuar fazën e marrjes së lejeve të nevojshme për zhvillimin e tyre. E drejta e koncesionarit për të kërkuar shtyrje afati për investimet e tij është përdorur nga 92% e kompanive fituese. Kjo e drejtë varion nga 12 muaj për projektet me fuqi të instaluar deri në 5 MW, deri në 24 muaj për projektet me fuqi të instaluar deri me 20 MW. Rreth 70% rezultuan me vonesa përtej këtyre afateve ligjore. Pavarësisht garancive që jepnin autoritetet kontraktuese për lidhjen e kontratave të shitblerjes së energjisë nga subjekti shtetëror i furnizimit me energji elektrike, fakti është që shoqëritë koncesionare mund të vendosin asetet e tyre si garanci për marrjen e financimeve (si dhe e drejta e financuesit për zëvendësimin e koncesionarit në rast shkelje serioze të kontratës nga koncesionari), nuk kanë rezultuar garanci të mjaftueshme për shumë prej projekteve. Në dhënien e financimeve ndikoi edhe gjendja e tregut të energjisë elektrike. Shqipëria ka ende shumë vështirësi në eksportimin e energjisë (projektet e linjave 400 KW që lidhin Shqipërinë me vendet e rajonit janë ende në fazën e zhvillimit. Në këto kushte, shumica e shoqërive koncesionare (të krijuara brenda afatit 30-ditor nga data e hyrjes në fuqi e kontratave koncesionare) kanë mbetur vetëm në letër, pa zhvilluar aktivitet dhe në pritje që pronarët e tyre (koncesionarët) të gjejnë investitorët e duhur, të cilët do të ndërhyjnë për zbatimin dhe zhvillimin e këtyre projekteve.

Ligji “Për koncesionet” parashikon që në rast mosrespektimi të afateve në kontratë, qeveria apo autoriteti kontraktues (ministria) ka të drejtë të aplikojnë një sërë sanksionesh kundrejt koncesionarëve, deri edhe në prishje në mënyrë të njëanshme të këtyre kontratave. E kjo duhet të kishte ndodhur që në vitet 2009-2010, kur u vunë re vonesat e tejskajshme. Sot, shumica e projekteve të koncesioneve të dhëna kanë rezultuar të pasuksesshëm. Bëhet fjalë për investime që minimalisht llogariten në një milion euro për çdo megavat të instaluar.

 

Logjika ekonomike

Në Shqipëri vlerësohet se shfrytëzohen vetëm 53.9% e burimeve totale të energjisë që mendohet se ekzistojnë. Potenciali është shumë i madh, por mundësitë që ofrohen nuk janë shfrytëzuar gjatë 10-vjeçarit të fundit. Gjithmonë është theksuar fakti se “prodhimi nga HEC-et private dhe me koncesion edhe pse zinte vetëm 2% të prodhimit total të energjisë, mund të kishte pasur ndikim të madh në vitet që do të vinin”. Ekspertë të energjetikës e shpjegojnë një fakt të tillë me rritjen e normës së shfrytëzimit të burimeve hidrike në vendin tonë, që rezulton të jetë relativisht e ulët, për vetë potencialet që Shqipëria ofron.

Ekspertët theksojnë edhe problemet që lidhen me rrjetin shqiptar të transmetimit, i cili operon në nivele shumë të larta nga ato që mund të ofrojnë hidrocentralet e vegjël. Ata thonë se ky është një problem që duhet zgjidhur, sepse nuk mundet që transmetimi i energjisë së prodhuar nga HEC-et të kalojë përmes rrjetit të shpërndarjes. Në këtë pikë duhen ndarë kompetencat dhe duhen krijuar kapacitetet e nevojshme.

Një tjetër problem ka të bëjë edhe me largësinë nga rrjeti i shpërndarjes. Vetëm për linjat e lidhjes së këtyre impianteve me këtë rrjet nevojiten miliona dollarë, çka i shton një barrë të konsiderueshme financiare faturës fillestare të investimit.

Por, ajo që përforcojnë ekspertët është se koncesionarët privatë janë të nevojshëm për të shtuar me disa mijëra megavat më tepër prodhimin total të energjisë elektrike në rang vendi. Pavarësisht nga këto konsiderata, qeverisja e re, me qëllime krejtësisht politike, e ktheu mbrapsht programin më të madh të ringjalljes energjetike që nga viti 1990…