Urdhri i ri/ Deklarimi i pasurisë, ja kur dhe sa do të gjobiten zyrtarët e lartë

0
131

Gëzim Saliu

 

Shkeljet e tjera që përfshihen në parandalimin e konfliktit të interesave

 

Shkelqim-GanajKreu i Inspektoratit të Lartë të Deklarimit, Kontrollit të të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit, Shkëlqim Ganaj, ka urdhëruar përcaktimin e disa shkeljeve të reja në kontrollin e pasurive të detyrimeve financiare të të zgjedhurve dhe nëpunësve civilë. Sipas këtij urdhri, i cili ka hyrë në fuqi tashmë, të mbështetur në ligjin nr. 9049 datë 10.4.2003, do të ndëshkohen me gjobë, e cila shkon në 1 milion lekë të vjetra, një sërë rastesh kur zyrtari i lartë nuk plotëson në formën e duhur kriteret dhe procedurat për deklarimin e pasurisë. “Deklarimi i pasurive, burimeve të krijimit të tyre dhe detyrimeve financiare nga subjekti apo personi i lidhur me të, nuk bëhet sipas kërkesave të parashikuara në ligj: a) zyrtari nuk ka plotësuar formularin e duhur të deklaratës së interesave privatë, sipas llojit të detyrimit për deklarim ose sipas modelit të formularit të miratuar nga Inspektori i Përgjithshëm dhe të botuar në Fletoren Zyrtare; b) zyrtari, apo personat e lidhur me të, nuk kanë nënshkruar të gjitha fletët e formularit të deklaratës së interesave privatë ku janë pasqyruar të dhëna lidhur me objektin e deklarimit.; c) zyrtari nuk ka plotësuar autorizimin dhe nuk ka pasqyruar në deklarimin e tij të interesave privatë faktin nëse ka ose jo persona të tjerë të lidhur me të, sipas kërkesave të nenit 21 të ligjit nr. 9049, datë 10.4.2003, të ndryshuar””. Po ashtu në këtë pjesë kërkesash janë përfshirë edhe rastet kur zyrtari deklaron të dhënat edhe për personat e lidhur,në kohën kur këto të fundit disponojnë pasuri të regjistruar veçmas dhe për pasojë detyrohen ligjërisht të plotësojnë fletët përkatëse të këtij formulari. “Kur zyrtari, apo personat e lidhur me të, nuk deklarojnë sipas kërkesave të formularit të interesave privatë vlerën e të ardhurave neto; f) zyrtari nuk ka pasqyruar saktë vlerën e aseteve, të ardhurave apo të detyrimeve sipas monedhës përkatëse; g) zyrtari, në deklarimin e interesave privatë periodikë vjetorë apo pas largimit nga funksioni, nuk pasqyron sipas kërkesave ligjore shtesa dhe ndryshime të gjendjes pasurore, por deklaron gjendjen e tyre”.

 

Shkeljet

Sipas urdhrit të kryeinspektorit të deklarimit të pasurive, me të njëjtën masë gjobe do të ndëshkohet edhe subjekti deklarues, apo personat e lidhur me të që nuk marrin masa për të rregulluar brenda afatit ligjor pasaktësitë e konstatuara gjatë përpunimit paraprak të deklaratës së interesave privatë, sipas kërkesave të parashikuara në nenin 24 të ligjit nr. 9049, datë 10.4.2003, të ndryshuar. “Subjekti deklarues, apo personat e lidhur me të, nuk paraqitet brenda afatit ligjor të përcaktuar në nenin 27 të ligjit nr. 9049, datë 10.4.2003, të ndryshuar, për të dhënë shpjegime mbi deklarimin e interesave privatë. Subjekti deklarues apo personat e lidhur me të nuk depoziton dokumentet justifikues për pasuritë, detyrimet financiare dhe burimet e krijimit të tyre, gjatë kontrollit dhe hetimit administrativ”, – thuhej në urdhër. Ndërkohë urdhri tjetër i kryeinspektorit lidhet me përcaktimin e shkeljeve të tjera të ligjit nr. 9367, datë 7.4.2005 “Për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike”, të ndryshuar. Sipas urdhrit, shkeljet që do konstatohen në këtë pjesë, do të sanksionohen sipas masës së parashikuar në pikën 1, germa “e” të nenit 44 të këtij ligji, e cila përcakton: “gjoba jepet nga Inspektori i Përgjithshëm, me propozimin e eprorit ose të institucionit epror ose, kur shkelja verifikohet drejtpërdrejt, nga Inspektorati i Lartë”. Në këtë kontekst, urdhri përcakton edhe rastet kur do vendoset gjoba të cilët renditen: “kur autoriteti përgjegjës për parandalimin e konfliktit të interesave, nuk dokumenton dhe regjistron në regjistrin e konfliktit të interesit të dhënat e kërkuara në nenin 11 të këtij ligji, lidhur me rastet e konfliktit të interesave në institucionin publik përkatës; kur zyrtari, eprori apo struktura përgjegjëse në institucionin epror, në kundërshtim me kërkesat e nenit 37/9 të ligjit nr. 9367, datë 7.4.2005, të ndryshuar, nuk njofton në kohë Inspektoratin e Lartë, mbi masat e marra rast pas rasti në kompetencë të tyre, për trajtimin apo zgjidhjen konfliktit të interesit sipas përcaktimit të bërë nenin 37 të këtij ligji”.

 

 

Në Kavajë

Rama: Me tri zyra punësimi, kemi mundësuar 1055 vende pune

Kryeministri Edi Rama, duke folur në ceremoninë e hapjes së Zyrës së re të Punës në qytetin e Kavajës, tha dje se punëdhënësi më i madh në vend është sipërmarrja private, ndaj dhe sipas tij prioriteti kryesor i qeverisë si rritja e punësimit, është domosdoshmërisht e lidhur me krijimin e kushteve dhe nxitjen e zhvillimit të kësaj sipërmarrjeje. Ai e vlerësoi si shumë të rëndësishëm dhe me efekte pozitive të ndërsjella, bashkëpunimin e Zyrës Kombëtare të Punësimit dhe atyre rajonale me biznesin privat. Ndërsa përsëriti angazhimin tashmë drejt legalizimit të plotë, të paketës fiskale me masa lehtësuese për industrinë fasone, Kryeministri bëri të ditur se shumë shpejt, në afërsi të qytetit të Kavajës do të ndërtohet një zonë industriale, në përbërje të së cilës do të ngrihen kapanone në shërbim të zhvillimit të industrisë fasone, çka, sipas tij, do të krijojë mundësinë për punësim të mijëra grave dhe vajzave të këtij qyteti. Në këtë kontekst, kreu i qeverisë theksoi: “Në vetëm një muaj tre zyra të sapoçelura kanë ndërmjetësuar dhe kanë mundësuar punësimin e 1055 personave, ndërkohë që gjithë rrjeti kombëtar i punësimit në Shqipëri vitin e kaluar, ka arritur të punësojë vetëm 600 vetë”. Sipas kryeministrit, 2855 gra dhe vajza të qytetit të Kavajës, të regjistruara si punëkërkuese, do të mund të punësohen nëpërmjet kooperimit të zyrës së punës me nevojat për kapitale njerëzore të sipërmarrjes.

 

 

 

Reforma territoriale

Nisin konsultimet në Lezhë. Fino: Kërkojmë me insistim që opozita të jetë pjesë

Ministri i Shtetit për Çështjet Vendore, Bledi Çuçi, i shoqëruar nga bashkëkryetari i Komisionit të posaçëm Parlamentar për Reformën Administrativo-Territoriale, Bashkim Fino, nisën dje konsultimet për reformën administrativo-territoriale. Takimi i parë u zhvillua në qytetin e Lezhës, qytet për të cilën Çuçi theksoi se ka një arsye pse ai u zgjodh si i pari për të nisur konsultimet. “Ashtu si rreth 600 vjet më parë shqiptarët u bashkuan për të krijuar formacionin e parë politik në kërkim të identitetin të parë shtetëror shqiptar, po kështu edhe sot Shqipëria ka nevojë urgjente që të bashkohet për t’u riorganizuar administrativisht dhe ekonomikisht për të shfrytëzuar sa më mirë burimet natyrore dhe njerëzore që disponon, në funksion të rritjes së mirëqenies të shqiptarëve dhe pasurimit të kombit”, – u shpreh Çuçi. Ndërsa bashkëkryetari i Komisionit Parlamentar për Reformën Administrativo-Territoriale, Bashkim Fino i bëri edhe një herë thirrje opozitës që t’i bashkohet këtij procesi. “Kërkojmë me insistim që opozita të jetë pjesë e kësaj zgjidhje. Kemi mundësi që bashkë me opozitën të ndryshojmë edhe kushtetutën. Reforma bëhet e plotë dhe nuk mund të bëhet gjysmake. Me reformën territoriale të bëjmë edhe një reformë të paktën për këto nene të kushtetutës që i kushtohen organeve të pushtetit vendor”, – tha ai. Gjatë takimeve që do të zhvillohen në 12 qendrat e qarqeve dhe në qytetet kryesore të vendit, ministri Çuçi do të informojë të pranishmit për nevojën e reformës si edhe do të prezantohen e diskutohen kriteret teknike që do të përdoren për ndarjen administrativo-territoriale të Shqipërisë.