Gëzim Saliu
Zv.kryeministri grek: Jemi optimistë se Shqipëria do të marrë statusin në muajin qershor
Greqia shpreh besimin se marrëveshja për kufirin detar me Shqipërinë e nënshkruar në vitin 2009 do të vihet në zbatim. Kështu deklaroi dje zv.kryeministri dhe njëkohësisht ministri i Jashtëm grek, Evangelos Venizelos, në nisje të forumit për energjinë 2014 në Athinë, duke theksuar se pas bisedimeve mes palëve, Greqia pret që marrëveshja të ratifikohet e të hyjë në fuqi. Sipas tij, kjo marrëveshje është një prej objektivave të Presidencës greke të Bashkimit Evropian në fushën e energjisë. “Shpresojmë që pas bisedimeve që kemi bërë me qeverinë shqiptare nën një frymë miqësie dhe fqinjësie të mirë, marrëveshja që u nënshkrua në 2009 për delimitimin e zonave detare, shelfit kontinental dhe zonave ekonomike ekskluzive do të ratifikohet dhe do të hyjë në fuqi. Ky është vullneti i të dyja palëve, gjithmonë në kuadër të së drejtës ndërkombëtare, me të njëjtat rregulla referimi dhe në kuadrin e gjerë të marrëdhënieve tona të shkëlqyera që e çojnë Shqipërinë drejt anëtarësimit në BE, pas anëtarësimit në NATO”, – deklaroi Venizelos. Ndërkohë marrëveshje detare mes Shqipërisë dhe Greqisë e arritur në vitin 2009 u rrëzuar nga Gjykata Kushtetuese, pas ankimimit që u bë nga socialistët që në atë kohë ishin në opozitë. Tashmë duket se qeveritë kanë shprehur gatishmërinë për përmbylljen e saj sipas të drejtës ndërkombëtare.
Greqi-Shqipëri
Në takimin e zhvilluar një ditë më parë, Venizelos shpalosi objektivat e Presidencës greke të BE-së lidhur me energjinë, por edhe objektivat e Greqisë për hartën energjetike evropiane, ku tha se presidenca greke iu kushton rëndësi të veçantë çështjeve të energjisë, pasi ato ndikojnë drejtpërdrejt edhe në politikën e jashtme. Në këtë kontekst, zv.kryeministri grek u shpreh se vendimi për ndërtimin e gazsjellësit TAP i jep mundësinë Greqisë të bashkëpunojë me 2 vendet partnere, Shqipërinë dhe Italinë. Nga ana tjetër, ministri i Jashtëm i Greqisë u shpreh optimist për marrjen e statusit kandidat për në BE të Shqipërisë në muajin qershor. Marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Greqisë janë ndikuar gjithnjë nga një sërë çështjesh të cilat kanë mbetur pezull dhe pa zgjidhje mes palëve. Kufiri detar, ligji i luftës si edhe së fundmi çështja e toponimeve janë tri nga çështjet e nxehta mes dy shteteve fqinje. Në takimet e fundit të zhvilluar nga përfaqësues të lartë të të dyja shteteve, është pohuar publikisht se palët kanë shënuar ecuri pozitive në zgjidhjen e këtyre çështjeve, megjithëse duket se rezultatet janë të pakta apo ka edhe çështje që kanë mbetur në pikën zero. Gjatë vizitës së fundit të Venizelos në Tiranë u theksua se sa i përket toponimeve, çështja nuk është politike e se zgjidhja do të vijë përmes zbatimit të praktikave ndërkombëtare. Ndërkohë ligji i luftës si edhe marrëveshje detare janë trajtuar si çështje mes përfaqësuesve të qeverisë shqiptare edhe me Presidentin grek Karolos Papoulias, ku u theksua: “Problemet e mbartura mes Shqipërisë dhe Greqisë duhet të trajtohen në bazë të realitetit të ri në rajon”.
Kritika PS-LSI
OMONIA: Mazhoranca po largon nga puna grekët, ka pasiguri në zonat e minoritetit
Organizata e minoritetit grek në Shqipëri, OMONIA, duket e pakënaqur nga qeveria Rama dhe aleanca e PBDNJ-së me Partinë Socialiste. Në mbledhjen e fundit të kryesisë së OMONIA-s, mbajtur në Sarandë, nën drejtimin e Vasil Bollanos, është diskutuar ndër të tjera aleanca PS-PBDNJ si edhe largimi nga sektori publik i punonjësve me origjinë greke. Po ashtu një problem sipas OMONIA-s është edhe pasiguria në zonën e minoritetit grek. Pjesë e diskutimit në mbledhje ka qenë rruga e vështirë e aleancës politike mes Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut dhe Partisë Socialiste të Shqipërisë, ndarja e re administrative dhe zona gjeografike që i përket minoritetit kombëtar grek. “U fol gjerësisht mbi heqjen e pensioneve greke për të moshuarit e zonave të Jugut, problemet e shkaktuara nga heqja e linjave të autobusëve që lidhin këtë zonë me Greqinë, pushimet nga puna të zyrtarëve publikë me origjinë greke nga qeveria socialiste e Tiranës, çështja e sigurisë në fshatrat me banorë grekë etj. Çështjet në fjalë do të jenë edhe në rend të ditës së mbledhjes së Këshillit të Përgjithshëm të OMONIA-s, që do të mbahet së shpejti në Sarandë”, – thuhej në njoftimin e OMONIA-s.
Marrëveshja
Kosova dhe Shqipëria, konsullatë të përbashkët në Milano dhe Kanbera
Shqipëria dhe Kosova do të kenë konsullata të përbashkëta në Milano dhe në Kanbera të Australisë. Kjo u finalizua dje falë marrëveshjes së nënshkruar nga Ministrat e Jashtëm të Kosovës dhe Shqipërisë, në kuadër të vizitës zyrtare që kryediplomati shqiptar Bushati zhvilloi në Prishtinë. Pas takimit dhe marrëveshjes së nënshkruar me Hoxhajn, ministri i Jashtëm i Shqipërisë veçoi bashkëpunimin dypalësh, duke iu referuar mbledhjes së Prizrenit dhe nënshkrimit të dokumentit për partneritetin strategjik ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës. Ai po ashtu foli edhe për mbledhjen e ardhshme që është planifikuar të mbahet në Vlorë, duke e cilësuar si një mundësi të mirë për dy ministrat e Jashtëm si koordinatorë të qeverive përkatëse, për të rishikuar progresin dhe për të shikuar mangësitë që mund të jenë hasur në praktikë dhe hapat që mund të jenë hedhur përpara për mbledhjen e radhës. Gjatë vizitës në Kosovë, Bushati zhvilloi takime të veçanta me Presidenten e Republikës Atifete Jahjaga, Kryetarin e Kuvendit Jakup Krasniqi, Kryeministrin Hashim Thaçi dhe zëvendëskryeministrin për Administrimin e Pushtetit Lokal Slobodan Petroviç. Bisedimet u përqendruan në dy çështje kryesore, zhvillimi dhe intensifikimi i bashkëpunimit dypalësh dhe domosdoshmëria e zbatimit të marrëveshjes Kosovë-Serbi, të arritur me ndërmjetësimin e BE-së dhe mbështetjen e fuqishme të SHBA-së. Presidentja Jahjaga shprehu mirënjohjen për rolin dhe kontributin e Shqipërisë në çdo hap dhe arritje që ka shënuar Kosova, përfshi këtu edhe marrëveshjen e 19 prillit, e arritur mes Kosovës dhe Serbisë. Nga ana e tij Ministri Bushati siguroi për mbështetjen e Qeverisë Shqiptare në zbatimin e kësaj marrëveshje, e cila ka dy garantues të mëdhenj, partnerët dhe miqtë e mëdhenj të Kosovës dhe Shqipërisë, BE dhe SHBA. Ndërsa në takimin me Kryeministrin Thaçi palët nënvizuan idenë se qëllimi kryesor i partneritetit strategjik mbetet veprimi konkret i të dy qeverive tona në funksion të përmirësimit të jetës së qytetarëve tanë.