Anxhela Tato
Bashkim Dobrushi: “Në Kukës nuk do jenë kurrë vetëm, të shumtë do jenë ata që do i vënë lule të varri”
Pjesëmarrës në ceremoninë mortore në fshatin Dobrush familjarë të autores së krimit Edlira Çopa
Përcillen për në banesën e fundit në vendlindje tre të miturat, të cilat u therën barbarisht nga mamaja e tyre Edlira Dobrushi të dielën në Leço. Trupat e pajetë të tre vajzave mbërritën në portin e Durrësit rreth orës 11:30 të ditës së djeshme për t’u dërguar më pas në Kukës, ku do të prehen përgjithmonë. Ceremonia mortore për Sidnin 3 vjeçe, Kesit 10-vjeçare dhe Simonën vetëm 13 vjeçe u zhvillua rreth orës 16:00 në fshatin Dobrush të Kukësit. Vajzat janë pritur në vendlindjen e babait të tyre, mes lotësh dhe dhimbjes nga shumë familjarë dhe të afërm, mes të cilëve edhe familjarët e nënës vrasëse. “Në Kukës nuk do të jenë kurrë vetëm. Të shumtë do të jenë ata që do të shkojnë t’i vendosin lule në varrin e tyre”, – ka thënë Bashkim Dobrushi duke shpjeguar për mediat italiane vendimin për sjelljen e trupave në Shqipëri. Ndërkaq familja Dobrushi ka vendosur që të mos mbajë hasmëri me familjen e gruas, Edlira Çopa Dobrushit. Simona Keisi dhe Sindi shkonin në Kukës një herë në vit, për pushimet e verës. Dje, 3 vogëlushet u kthyen në Kukës për t’u prehur në tokë. Tre vajzat u masakruan barbarisht me thikë nga nëna e tyre Edlira Copa, e cila pranoi autorësinë e vrasjeve pas arrestimit. Ngjarja tronditëse ndodhi në datën 9 mars në Leço të Italisë. Motivet mbeten mister. Ndërsa nëna që me gjakftohtësi u mori jetën që u kishte dhuruar bijave të tyre deklaron se nuk është penduar për krimin makabër.
Ceremonia mortore
Janë përcjellë për në banesën e fundit tre motrat Simona, Keisi dhe Sidni Dobrushi që u vrarë nga nëna e tyre në Leço të Italisë. Ceremonia e varrimit ka nisur në orën 16:00 ashtu siç ishte parashikuar pasi familja, të afërmit dhe mijëra qytetarë i ka dhënë lamtumirën e fundit tre vajzave. Në ceremoninë e lamtumirës ishin të pranishëm edhe familjarët e Edlira Dobrushit, e cila ndodhet në qelitë e Leços. Ceremonia është organizuar sipas zakoneve të zonës dhe në të kanë marrë pjesë mijëra banorë të zonës dhe të ardhur nga fshatra të tjerë të zonës. Dje miqtë dhe kushërirat e tyre nuk do të mblidhen për të lozur, por për t’i dhënë lamtumirën e fundit, vajzave të cilat mbrëmjen e 9 marsit u vranë me thikë nga nëna e tyre, Edlira Dobrushi. Trupat e pajetë të 3 vogëlusheve Dobrushi mbërritën kanë mbërritur rreth orës 14:30 minuta në fshatin e tyre në Malzi të Kukësit.
Mbërritja në port
Trageti i nisur nga porti i Barit në Itali, i cili mbante trupat e pajetë, u ankorua në portin e Durrësit rreth orës 11:25. Tre arkivolet janë shoqëruar nga babai i vajzave, Bashkim Dobrushi dhe halla e tyre, ndërsa disa familjarë i kanë pritur në port të pikëlluar dhe me lule në duar. Motrat Simona 13 vjeç, Keisi 10 vjeç e Sindi 3 vjeç u masakruan me thikë nga e ëma e tyre Edlira Dobrushi të dielën e 9 Marsit 2014. Pas vrasjes, mamaja e tyre tha se e kishte kryer aktin e rëndë për shkak të gjendjes së rëndë ekonomike pasi ishte ndarë nga bashkëshorti. “I vrava sepse doja t’i mbroja nga mafiozët”, – kishte deklaruar Edlira Dobrushi gjatë marrjes në pyetje. Tre ditë më parë, në qytetin e Leço-s u mbajt dhe një meshë për tre motrat Simona, Keisi dhe Sindi.
Xhaxhai i vajzave: Nuk do të marrim hak, kush gabon do vuaj
Pas ceremonisë mortore ku janë përcjellë për në banesën e fundit tre motrat Dobrushi, familja e tyre ka vendosur që t’ia lërë drejtësisë në dorë këtë çështje, duke mos mbajtur hasmëri me familjen e Edlira Çopa Drobrushit. Duke folur për median, 45-vjeçari Haki Dobrushi, xhaxhai i vajzave ka thënë: “Nuk kemi punë me asnjë dhe nuk do të mbajmë hasmëri me asnjë. Kush ka bërë gabimin do të vuajë. I pritëm familjarët e Edlirës. Nga ky moment, secili në jetën e vetë. Ky vendim është marrë në emër të familjes dhe 8 vëllezërve të Bashkim Dobrushit”, – ka thënë xhaxhai i tre vajzave Simona, Keisi dhe Sidni Dobrushi, që u përcollën për në banesën e fundit.
Shkodër
Shkrumbohet banesat, mbeten në qiell të hapur 9 familje
Pas shkrumbimit të dy banesave dy javë më parë, një tjetër shtëpi është shkrumbuar mesditën e djeshme në Shkodër në zonën e Ish-Fermentimit. Ngjarja ndodhi mesditën e djeshme si pasojë e një shkëndijë elektrike. Banesa që është shkrumbuar tërësisht brenda një ore ishte në pronësi të familjes së Zef Lorjes që përbehet nga 9 pjesëtarë, që kanë ngelur në qiell të hapur. Në momentin e rënies së zjarrit brenda banesës ka qenë kryefamiljari Zef Lorja së bashku me bashkëshorten e tij të cilët pasi kanë parë zjarrin kanë dalë menjëherë jashtë. Kanë qenë komshinjtë të cilët kanë ndërhyrë menjëherë dhe kanë lajmëruar zjarrfikësen për të izoluar flakët por fatkeqësisht nuk ka arritur në kohë. Mbas shkrumbimit banesa ka nisur të shembet. Ndërkaq në vendngjarje ka mbërritur edhe grupi i ekspertizës, i cili ka nisur hetimet në lidhje me rënien e zjarrit. Nga burimet paraprake bëhet e ditur se shkak i zjarrit ka qenë shkëndija elektrike.
Laç
Përplasen 2 makina, në gjendje të rëndë 2 persona
Dy persona kanë mbetur të plagosur pas një aksidenti të ndodhur në Laç. Burime nga policia lokale kanë bërë të ditur se, dy makina janë përplasur në rrugën e vjetër Laç-Mamurras në fshatin Gjorm. Të plagosur rëndë kanë qenë në dy makinat që janë përplasur. Ata janë sjellë me urgjencë në Spitalin e Traumës në Tiranë ku ndodhen nën kujdesin e mjëkëve. Policia ka shkuar në vendin e ngjarjes dhe ka nisur hetimet në lidhje me shkaqet e aksidentit. Mendohet se dy makinat kanë qenë me shpejtësi në kohën kur janë përplasur.
Burrel
Goditën oficerin e rojës në burg, ndalohen 2 efektivët
Një incident ka ndodhur ditën e djeshme në ambientet e burgut të Burrelit. Dy efektivë policie kanë goditur për motive që ende nuk dihen oficerët e rojës. Lajmi bëhet me dije nga burime brenda burgut. Sipas burimeve efektivët e policisë Maks Kola dhe Haziz Duka kanë goditur dy oficerët e rojës Ramazan Selita dhe Elmaz Lika. Kola dhe Duka janë ndaluar në komisariatin e Burrelit ku po merren në pyetje për rrethanat e incidentit. Sipas të dhënave paraprake dyshohet që ata të kenë qenë në gjendje të dehur.
Mat
Përfshihen nga flakët 10 hektarë toke, nën rrezik banesat
Rriten përmasat e zjarrit në pyjet e Matit. Nga të dhënat më të fundit mësohet se rreth 10 hektarë pyje janë përfshirë nga zjarri i rënë pasditen e djeshme në Komunën Suç, të këtij rrethi. Gjithashtu bëhet e ditur se nga zjarri rrezikohen banesat e disa familjeve në komunë. Menjëherë pas rënies së zjarrit, për shuarjen e tij kanë ndërhyrë komuna edhe banorët, ndërkohë që në vendin e ngjarjes ka shkuar edhe një makinë zjarrfikëse.