Krimi në Durrës/ Arrestohet Tereza Ndoji, vrau krushkun me kallash

0
191

Anxhela Tato

 

Vdekja e 52-vjeçarit, babai i nuses e plagosi me thikë brenda banesës gjatë debatit

Ndarja e çiftit, prindërit e djalit e kthyen nusen në shtëpi, nuk pranonin që të rinjtë të jetonin në shtëpi më vete

 

 

vrasja_Durres-415x260Nënë e bijë goditën me thikë dhe armë zjarri në drejtim të dhëndrit dhe krushkut, i cili humbi jetën në spital. Nga hetimet e policisë ka rezultuar se vjehrra i ka ardhur në ndihmë burrit të saj, duke marrë armën dhe duke hapur zjarr në drejtim të krushkut. Nga ana tjetër vajza ka qëlluar me sende të forta në drejtim të bashkëshortit dhe vjehrrit. “Pas hetimeve rezulton se ka qëlluar Tereza Ndoji”, – bën me dije policia. Ndërsa thekson se drejt vdekjes së krushkut kanë ndihmuar dhe plagët që babai i nuses i kishte bërë me thikë brenda banesës. “Ka qenë gruaja që ka shtënë me çifte në drejtim të Përparim dhe Xhulian Hoxhës”, – thuhet në njoftimin e policisë. Blutë zbardhin kështu krimin e së shtunës në zonën e ish-Kënetës, ku mbeti i vrarë Përparim Hoxha, u plagos i biri Xhulian Hoxha si dhe kalimtarja e rastit, Nurie Shahini.

Ngjarja

Bashkëjetesa mes Antoneta Ndoj dhe Xhulian Hoxhës, banues në të njëjtën lagje (ish-Kënetë) ka nisur me konflikte. Mësohet se studentja e Infermierisë (viti i tretë) i ka kërkuar bashkëshortit të saj, Xhulianit që të mos jetonte në shtëpinë e prindërve, por të ndahej dhe të jetonin në shtëpi më vete. Edhe babai i të resë, Anton Ndoj, i ka kërkuar dhëndrit që të jetonin më vete, në shtëpi me qira. Kjo kërkesë ka indinjuar prindërit e 24-vjeçarit, Përparim dhe Bahije Hoxha, me origjinë nga Elbasani. Pas grindjeve të vazhdueshme në lidhje me këtë çështje, prindërit e dhëndrit kanë vendosur që të prishin martesën. Pasditen e së shtunës, rreth orës 14:30, Përparim Hoxha së bashku me të birin kanë shkuar në banesën e familjes Ndoj për të kthyer “nishanet” dhe rrobat e nuses. Por, kthimi në “derë” i së bijës ka fyer pa masë Anton Ndojn, i cili ka debatuar ashpër me krushkun dhe dhëndrin. Sherri mes palëve ka degjeneruar në përleshje. 50-vjeçari ka goditur fillimisht babë e bir me mjete të forta (me tavlla) brenda në kuzhinën e tij. Më pas është përdorur kallashi në oborr të shtëpisë. Në këtë moment ka mbetur e plagosur dhe kalimtarja e rastit, Nurije Shahini. Krismat e armës kanë alarmuar banorët, ndërsa tre të plagosurit janë dërguar në Spitalin Rajonal të Durrësit, ku iu është dhënë ndihma e parë mjekësore. Pavarësisht ndihmës së dhënë, 52-vjeçari Përparim Hoxha ka ndërruar jetë pas 90 minutash për shkak të plagëve të marra. Sipas mjekëve, djali i viktimës dhe Nurije Shahini ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Arrestimi

Policia mbërriti menjëherë në vendngjarje dhe arrestoi në derë të banesës së tij, Andon Ndojin, me armën e krimit në dorë. Blutë shoqëruan mbi 20 persona nga të dyja familjet për të sqaruar rrethanat e ngjarjes së rëndë. Autori ka pranuar para policisë autorësinë e krimit duke u shprehur se e vrau krushkun dhe plagosi dhëndrin për të mbrojtur nderin. Ndërkaq, burime pranë grupit hetimor u shprehën se dyshohet se autore e plagosjes me çifte të 24-vjeçarit (dhëndrit) të jetë vajza ose bashkëshortja e 50-vjeçarit. Dje nga hetimet e kryera rezultoi se kallashi është përdorur nga bashkëshortja e nga ana tjetër, Bahije Hoxha ka deklaruar gjatë marrjes në pyetje se burrin dhe djalin i gjeti të mbuluar në gjak. “U thashë të mos shkonin tek krushqit se ata janë të pabesë. Të vrasin pas shpine. Dhe në fakt ashtu ndodhi”, – tha bashkëshortja e viktimës.

 

 

Antidroga

Sekuestrohet heroinë në Itali dhe kanabis në Greqi, pranga 5 shqiptarëve

Aksion antidrogë në Itali dhe Greqi, ku është sekuestrua heroinë dhe kanabis. Sekuestrohen 3.5 kilogramë heroinë dhe në pranga është vënë një shqiptar dhe një vajzë rumune. Policia e Romës ka bërë të ditur se, në orët e para të ditës së djeshme ka vënë në pranga të riun shqiptar me inicialet C. E., dhe vajzën rumune S. V., të dy rezidentë në kryeqytetin e Italisë. Sipas policisë, lënda narkotike është gjetur pas një kontrolli të imtësishëm të makinës që ishte ndaluar nga një postbllok i policisë. Kontrolli ka nisur në momentin kur dy personat që ndodheshin në automjet kanë treguar nervozizëm në kohën kur janë ndaluar. Në përfundim është gjetur dhe lënda narkotike e llojit heroinë me peshë prej 3.5 kilogramë e ndarë në 7 pako me nga 500 gramë secila. Policia tha se, kjo lëndë narkotike mund të ndahej nga 7 deri në 10 mijë doza për tu shitur. Policia ka bërë të ditur se, prej kohësh nuk ishte sekuestruar ndonjë sasi e tillë me lëndë narkotike të fortë.  Bllokimi i një sasie prej 200 kilogramë, kanabis sativa, dhe ndalimi i gjashtë trafikantëve, mes të cilëve katër shqiptare dhe dy greke. Ky është bilanci i një operacioni të policisë greke të finalizuar mesditën e se dielës në Filat. Lënda narkotike u kap në një automjet në aksin rrugor Konispol-Filat, ndërsa mësohet se policia e shtetit fqinj kishte dijeni për sasinë e drogës. Policia Greke arrestoi gjashtë persona, katër nga të cilët janë shqiptar dhe dy greke, ndërsa ka shpallur në kërkim edhe pesë shtetas të tjerë. Këta të fundit dyshohet se kanë kaluar kufirin drejt Shqipërisë, ndërsa në lëvizje janë vënë edhe forcat e policisë së Sarandës.

 

Korçë

Konfliktohet me 32-vjeçarin, i këput veshin

Ashtu si boksieri Mike Tyson gjatë një ndeshje në ring i këputi veshin me dhëmbë kundërshtarit të tij Evander Holyfield, ashtu edhe një burrë nga Bilishti i Korçës ka sulmuar një të ri, me të cilin është konfliktuar. Siç bëhet me dije nga policia Ferdinant Mulla nga Bilishti pas një sherri me 32-vjeçarin F.LL. e ka goditur me grushte dhe më pas i ka kafshuar veshin, duke i këputur një pjesë të tij. Menjëherë pas kësaj 32-vjeçari është dërguar me urgjencë në spital, ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën, ndërsa Mulla u arrestua në kushtet e flagrancës nën akuzën e plagosjes së rëndë me dashje.

 

Fier

Marrëdhënie seksuale me 14-vjeçaren, nën hetim 15-vjeçari

Një djalë 15-vjeçar në Fier është denoncuar se ka kryer marrëdhënie seksuale me një vajzë të mitur dhe për këtë ndaj tij ka nisur një procedim penal nga policia. Djaloshi I.M., banues në qytetin e Fierit, është gjetur së bashku me 14-vjeçaren M.H. duke kryer marrëdhënie seksuale. Në lidhje me këtë rast komisariati i policisë së Fierit tha se filloi procedimi penal në gjendje të lirë për adoleshentin I.M. “Procedimi penal ndaj 15-vjeçarit për veprën penale të marrëdhënies seksuale me të mitur, pasi dyshohet se ka konsumuar elementë të kësaj vepre penale. Pas kallëzimit të bërë në polici është gjetur së bashku me shtetasen M.H., me të cilën dyshohet të ketë kryer marrëdhënies seksuale. Materialet procedurale do i kalojnë Prokurorisë së Vlorës për hetime të mëtejshme.