Anxhela Tato
Autori nuk kapërdiu dot dhunën që ushtrohej ndaj motrës së tij nga burri, i kërkoi shpjegime viktimës
Hetimet, 28-vjeçari e qëlloi me breshëri viktimën, refuzoi t’i përgjigjej duke iu shprehur se nuk i interesonte
Prokuroria kërkon dënimin me 35 vjet burgim për vrasësin e 67-vjeçarit Zef Ejlli. Në pretencën e lexuar para trupës gjykues përfaqësuesi i akuzës ka kërkuar shpalljen fajtor të Ermir Gjergjit për akuzën e vrasjes me paramendim për hakmarrje dhe armëmbajtje pa leje. Ndërsa është kërkuar masa e dënimit me 1 vit heqje lirie për të pandehurin Nadir Shiroka, si përkrahës i autorit të krimit për kryerjen e veprës penale. Sipas hetimeve të organit të akuzës autori nuk ka duruar dot më dhunën që ushtronte bashkëshorti ndaj motrës së tij dhe ka tentuar disa herë të komunikojë për këtë fakt me viktimën Ejlli. Autori ishte vënë në dijeni nga spitalet amerikane se e motra ishte shtruar disa herë me plagë në trup nga dhuna e djalit të viktimës. I alarmuar dhe pa mundësi për të vepruar, pasi çifti jetonte në Amerikë, autori ka vajtur tek banesa e viktimës për të biseduar, që t’i jepej një zgjidhje përfundimtare. Por nga hetimet ka rezultuar se viktima nuk pranonte të bisedonte me autorin. Herën e fundit që autori vihet në dijeni se e motra ndodhej në gjendje të rënduar shëndetësore është nisur në drejtim të banesës së 67-vjeçarit Zef Ejlli. Të dyja palët janë konfliktuar dhe përleshur fizikisht, kur autori ka humbur logjikën dhe ka qëlluar në drejtim të 67-vjecarit, i cili ka humbur jetën në spital për shkak të plagëve të marra.
Krimi
Ngjarja e rëndë ka ndodhur në 23 tetor të vitit të kaluar rreth orës 17:20, në fshatin Gur i Zi, kur viktima bashkë me disa persona të tjerë, po loznin domino në një ambient, ku rrinin çdo ditë. Por, gjatë lojës, aty është afruar vëllai i nuses së djalit të Zef Ejllit, Ermir Gjergji, i cili ka filluar të zihet me të, duke u fyer me fjalë të ndryshme. Kaq ka mjaftuar dhe 29-vjeçari është larguar për disa metra, për tek makina e tij, nga e cila ka nxjerrë një automatik “Kallashnikov”. Pa paralajmërim, ai ka qëlluar me breshëri ndaj vjehrrit të motrës, i cili ka marrë plagë të shumta në trup. Menjëherë pas këtij krimi, autori është larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes, ndërkohë që të pranishmit e tjerë kanë tentuar t’i japin ndihmën e parë Zef Ejllit, të cilin e kanë nisur me urgjencë për në spital. Megjithatë, Ejlli ka ndërruar jetë rrugës, ndërkohë që dëshmitarët kanë njoftuar policinë.
Telefonata
“Më datë 23.10.2013, rreth orës 17:20 është marrë njoftim nga salla operative e Drejtorisë së Policisë së Qarkut Shkodër se në urgjencën e Spitalit Rajonal Shkodër ishte paraqitur një shtetas i plagosur me armë zjarri dhe pas verifikimit ka rezultuar se ishte vrarë shtetasi Zef Ejlli, i biri i Franos dhe i Lukes, i datëlindjes 15.09.1946, lindur dhe banues në fshatin Gurë i Zi i rrethit Shkodër, i cili megjithëse ndihmën mjekësore të dhënë nga personeli mjekësor i urgjencës së Spitalit Shkodër ka gjetur vdekjen në ambientet e këtij spitali”, – thuhet në pretencën e akuzës. Në vendin e ngjarjes, i cili ndodhet në fshatin Guri i Zi të komunës Guri i Zi të rrethit Shkodër, e pikërisht përpara portës së banesës së shtetasit Mark Ejlli janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale një gëzhojë metalike ngjyrë bakri në formë cilindrike me rreth unazor në fundin e saj me diametër 8mm me gjatësi 15.4 mm, me kapsollë të goditur me diametër 6.3 mm, mbishkrimet në pjesën fundore të saj “CBC 25 AUTO” , një fishek metalik me karakteristika të njëjta si gëzhoja, me kapsollë të goditur të pa shkrepur, me gjatësi 22.2 mm.
Rrëfimi i viktimës
“Zef Ejlli nuk më përfilli, më tha se nuk e çante kokën për motrën time”
Në dëshminë e tij para oficerëve të policisë gjyqësore autori i krimit ka sqaruar se nuk mund të përballonte faktin që djali i viktimës ushtronte herë pas here dhunë ndaj motrës së tij, e cila ka përfunduar në spital për shkak të plagëve. Problemi me vjehrrin e motrës ishte, pasi ai nuk donte të ndërhynte në këtë situatë duke e ofenduar dhe injoruar autorin e krimit, i cili i kërkonte një zgjidhje për këtë situatë të rëndë. “Ka rreth dy vite që Arbeni me motrën time kanë pasur probleme, pasi Arbeni e ka rrahur dhe e ka dërguar në spital dy herë motrën time Albinën atje në Amerikë. Këto gjëra i kam mësuar nga motra ime Albina kur kam komunikuar me telefon me të, gjithashtu për këtë fakt une kam komunikuar dhe personelin e Spitalit në Bafula në SHBA. Për këto probleme kam komunikuar në telefon me kunatin tim Arben Ejlli, i cili më ka kërcënuar në telefon si mua dhe familjen time. Gjithashtu për këto probleme kam komunikuar dhe me Zef Ejlli që është babai i kunatit tim, i cili nuk më ka përfillur në bisedë për këto probleme, duke më thënë se nuk e çante kokën për në. Sot rreth orës 16:30, pasi e mësova se motra ime Albina ishte përsëri në Spital në Amerikë, une jam nisur nga shtëpia ime me qëllim për t’u takuar me shtetasin Zef Ejlli, me vete kam marrë dhe një pistoletë të vogël, të cilën e kisha në shtëpi. Kur kam shkuar në fshatin Guri i Zi, e pikërisht para shtëpisë së shtetasit Mark Ejlli, që është kushëriri i Zef Ejllit, kam parë Zefin së bashku me Markun. Unë isha në makinën time tip “Mercedez-Benc” ngjyrë gri, me targa “AA 164 GB”. Kam ndaluar makinën dhe kam zbritur në tokë për të folur me ta për punen e motrës sime Albinës”.
Biseda me viktimën
“Unë i kam thënë Zefit: “A i kemi diskutuar dhe një herë këto punë, çfarë janë këto gjëra që i ndodhin përsëri motrës time”. Zef Ejlli më tha: “Mos fol me mua për këto punë, nuk e kam problem punën tane fare dhe më ka shtyrë me duar në gjoks”. Në këto momente unë kam rënë në gjunjë dhe ngritur përsëri në këmbë dhe kam nxjerrë pistoletën që kisha me vete. Mbaj mend se një fishek më ka shkrepur dhe e kam mbushur përsëri armën time e pastaj kam qëlluar një herë në trup, kur e kam goditur me armë Zefin, kam qenë trup me trup me të duke tentuar të më kapte pistoletën Zef Ejlli. Kur është rrëzuar përtokë Zefi unë kam hipur në makinën time dhe kam ikur në shtëpinë time, ku iu kam treguar familjes sime se kam gjuajtur me armë Zef Ejllin. Kam lënë makinën time në shtëpi dhe kam dalë në këmbë dhe në rrugën e Rrencit që shkon në Vaudejës. Kur kam dalë në rrugë pas pak minutash ka ardhur një fugon i vogël gjashtë vendesh i zi, i kam nxjerrë dorën dhe ka ndaluar. Kam hipur në këtë fugon ku ishte vetëm shoferi, i cili më tha se ku doja me shku dhe unë i thashë se do shkoj në Laç-Vaudejës dhe kështu kemi vazhduar rrugën deri në fshatin “Ganjollë” ku aty kishte qenë policia. Na ndaloi dhe më pyetën nëse isha unë Ermir Gjergji dhe unë iu thashë se unë jam dhe kështu policia më ndaloi dhe më shoqëruan këtu në komisariat”.
Akuza
I pandehuri Nadir Shiroka shoqëroi me makinë dhe fshehu autorin e krimit
Gjatë hetimeve paraprake janë pyetur të pandehurit për veprat penale, për të cilat janë akuzuar dhe kanë dhënë deklarime rreth tyre. I pandehuri Nadir Shiroka, i akuzuar se ka kryer veprën penale të përkrahjes së autorit të krimit të parashikuar nga neni 302/1 i Kodit Penal. Objekti i krimit të përkrahjes së autorit të krimit të parashikuar nga neni 302/1 i Kodit Penal janë marrëdhëniet juridike, të vendosura për të siguruar funksionimin e rregullt të organeve të policisë në luftën kundër kriminalitetit, kapjen e autorëve të krimit të mbrojtura posaçërisht me legjislacionin penal kundër veprimeve ose mosveprimeve kriminale. Në rastin e të pandehurit Nadir Shiroka, ky person ka kryer veprime aktive duke marrë të pandehurin Ermir Gjergji me makinë dhe duke e larguar nga vendi i ngjarjes, duke e fshehur atë me qëllim për të mos u kapur nga policia e shtetit.