Florenc Drizari
Noka: OPDAT e ka konsideruar një tentativë për të kontrolluar hetimin dhe OSBE një hap prapa
Naço: Ligji synon t’i shpallë luftë të hapur fenomenit të korrupsionit mes zyrtarëve
Masat parandaluese kundër krimit dhe pasurisë të propozuara nga Ministria e Drejtësisë ndajnë në dy qëndrime të ndryshme pozitën dhe opozitën në Kuvend. Komisioni për Sigurinë Kombëtare miratoi dje vetëm me votat e mazhorancës projektligjin “Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar dhe trafikimit nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë”, ndërkohë që përfaqësuesit e opozitës votuan kundër draftit të qeverisë. Argumentet e pakicës parlamentare ishin se ky projektligj nuk lufton krimin dhe korrupsionin dhe se nisma shmang nga hetimi ministrat dhe Kryeministrin.
Përfaqësuesit e opozitës thanë se në këtë projektligj kanë shprehur vërejtje edhe organizma ndërkombëtare si OPDAT dhe OSBE dhe këto qëndrime bëjnë që mos ta votojnë draftin e qeverisë.
Nënkryetari i Komisionit të Sigurisë, Flamur Noka, tha se drafti i qeverisë është një tentativë për të vënë në kontroll politik hetimin, nuk lufton korrupsionin, por përkundrazi tha ai, drejtësinë dhe prokurorinë.
“Në këtë ligj thuhet se do të bëhet përparim në luftën kundër korrupsionit, në të vërtetë luftë kundër korrupsionit nuk parashikohet për ministrat dhe Kryeministrin. Për të gjithë zyrtarët e tjerë përfshihen, ndërsa ministrat dhe Kryeministri janë jashtë axhendës së këtij ligji. Praktikisht kjo nuk është luftë kundër korrupsionit dhe ne jemi në një linjë me vërejtjet e OPDAT dhe OSBE. OPDAT e ka konsideruar se kjo është një tentativë për të vënë në kontroll hetimin, ndërsa OSBE e ka konsideruar hap prapa në luftën kundër korrupsionit dhe ne si opozitës e konsiderojmë si një tentativë për të kapur pushtetin nga ana e shtetit dhe si një sulm të qartë për të mbajtur nën presion gjyqtarët, prokurorët dhe zyrtarët e tjerë të cilët janë të përfshirë në pika të veçanta të këtij ligji”, – deklaroi Noka në emër të opozitës.
Por për kryetarin e Komisionit të Sigurisë, Spatak Brahon, pavarësisht se opozita mban këtë qëndrim mohues që, sipas tij, bie ndesh me përpjekjet e mazhorancës për të luftuar fenomenin e korrupsionit direkt dhe indirekt, ai theksoi se nuk ka asgjë të vërtetë nga fakti që përjashtohen ministrat, Kryeministri apo persona të tjerë. “Gjithsesi, ky është mendimi i opozitës, ka të drejtën e fjalës”, – tha Spartak Braho.
Nga ana e tij, ministri i Drejtësisë, Nasip Naço, i ftuar për të mbrojtur nismën e qeverisë në këtë Komision, ftoi përfaqësuesit e opozitës që ta mbështesin këtë projektligj. Naço tha se ligji synon në mënyrë të drejtpërdrejtë t’i shpallë luftë të hapur fenomenit të korrupsionit mes zyrtarëve dhe funksionarëve të lartë shtetërorë. Sipas tij, nëse opozita e sotshme ndodhet në këtë pozicion për faktin se nuk luftoi korrupsionin. Mes tij dhe nënkryetarit të Komisionit të Sigurisë, Flamur Noka, i cili më parë ka mbajtur postin e ministrit të Brendshëm, pati edhe replika për qeverisjen e kaluar dhe përgjegjësitë për nivelin e lartë të korrupsionit që perceptohet edhe nga organizmat ndërkombëtarë të specializuara në luftimin e këtij fenomeni. Pas miratimit nen për nen mazhoranca votoi me votat e saj draftin e qeverisë, ndërkohë që përfaqësuesit e opozitës votuan kundër dhe kundërshtuan mënyrën e drejtimit të komisionit, duke thënë se fillimisht ministri duhet të mbronte projektligjin dhe të bëheshin pyetje e më pas ligji të votohej, ndryshe nga sa ndodhi. Më herët ky projektligji është votuar edhe në Komisionin e Ligjeve dhe pritet të votohet në seancën e ardhshme plenare.
DEBATET NË KOMISIONIN E SIGURISË
Flamur Noka: Në këtë ligj thuhet se do të bëhet përparim në luftën kundër korrupsionit, në të vërtetë luftë kundër korrupsionit nuk parashikohet për ministrat dhe Kryeministrin. Për të gjithë zyrtarët e tjerë përfshihen, ndërsa ministrat dhe Kryeministri janë jashtë axhendës së këtij ligji.
Spartak Braho: Pavarësisht se opozita mban këtë qëndrim mohues që sipas tij bie ndesh me përpjekjet e mazhorancës për të luftuar fenomenin e korrupsionit direkt dhe indirekt, nuk ka asgjë të vërtetë nga fakti që përjashtohen ministrat, Kryeministri apo persona të tjetër
Flamur Noka: Nuk është serioze për ne që pasi u votua të flasë ministri. Nuk është serioze as për ne e as për ministrin.
Spartak Braho: Ministrin këtu e kishit dhe mund t’i bënit pyetje.
Flamur Noka: Nuk është luftë kundër korrupsionit, pasi ministrat dhe Kryeministri përjashtohen nga fusha e këtij ligji, këtu është tentativë për t’i bërë presion politik pushteteve.
Spartak Braho: Nuk është e vërtetë.
Flamur Noka: Ky nuk është vetëm qëndrimi i opozitës, por edhe qëndrimi i OPDAD-it dhe i OSBE-së, që e konsideron hap prapa në luftën kundër korrupsionit. Këtu e konsiderojmë edhe ne.
Nasip Naço: Ky ligj është i 2009-ës. Unë e kam votuar dhe do ta votoj serish. Do t’i bëja thirrje opozitës që ta rishikojë rolin e saj që të jetë e denjë, sepse për mosluftim ndaj korrupsionit është këtu ku është.
Flamur Noka: Më vjen mirë zoti ministër që nxjerr disa shprehje nga Departamenti i Shtetit, ai mund të jetë edhe departamenti pranë Kryeministrit.
Debatet për kreun e SHISH-it, Klosi: Kryeministri kërkon njeriun e vet
“Në rast se nuk krijohet besim në Shërbimin Informativ Shtetëror dhe në rast se nuk konsiderohet si i rëndësishëm informacioni i tij, atëherë ky shërbim punon në boshllëk”. Kështu shprehet ish-kreu i SHISH-it në një prononcim për median. “Sigurisht, ai që është Kryeministër kërkon të ketë njeriun e vet dhe kushdo që është në krye të këtij institucioni nuk do të jetë i pëlqyer nga grupi i shumicës. Por unë vazhdoj të them se nuk do të dalë në dritë puna e këtij institucioni në rast se nuk krijohet besim. Në rast se nuk konsiderohet i rëndësishëm informacioni, SHISH punon në boshllëk”, – u shpreh Klosi për “News 24”. Ndërkohë, në lidhje me mungesën e certifikatës së sigurisë për kreun e SHISH-it, Klosi pohoi: “Në kohën tonë nuk ka qenë një kriter certifikata e sigurisë. Nuk di të them. Jam i interesuar për shërbimin në kohën tonë dhe kjo nuk ishte problem. Kjo ka dalë më vonë e cila përcakton se kush e jep, si jepet, nëse lejohet me dyshtetësi ose jo”. Ndërkohë, në lidhje me arrestimet, për të ashtuquajturit celulë e terrorizmit, Klosi u shpreh: “Në kohën tonë ne kemi punuar me të huajt dhe kemi punuar për të evidentuar prezencën e tyre. Pra, interesoheshim për të huajt që kishin ardhur këtu me organizatat bamirëse dhe punonin në ndërtimin e xhamive etj. Më vjen keq t’i quaj djemtë shqiptarë si terroristë, të cilët indoktrinojnë të rinjtë dhe ju mbushin mendjen për luftë. Për mua këto sjellje nuk është normale. Lufta në Siri filloi si një luftë civile ndërmjet pushtetit, ndërkohë sot ka përfunduar si një luftë e xhihadistëve. Kështu, sot flitet për shqiptarë që marrin pjesë në një luftë dhe unë besoj se shërbimi e ka pasur në vëmendje. Trafiqet dhe terrorizmi kanë qenë temat kryesore të bashkëpunimit me partnerët dhe kjo punë është bërë”, – u shpreh Fatos Klosi. I pyetur se a është normale që SHISH të verifikojë krerët e policisë në qarqe, ish-kreu i SHISH-it, Fatos Klosi, pohoi: “Ky institucion mund ta bëjë, në rast se Kryeministri ia kërkon atë.