Vazhdon pranimi i kërkesave pranë AKKP-së për kompensimin
Me propozimin e ministrit të Drejtësisë, Këshilli i Ministrave ka miratuar ndryshime në ligjin nr. 9235, datë 29.7.2004, “Për kthimin dhe kompensimin e pronës”. Projektligji i ka kaluar Parlamentit për miratim dhe propozohet që të shtyhet afati i kompensimit të ish- pronarëve deri në 30 prill 2015. “Në nenin 24, data “30.4.2014” zëvendësohet me “30.4.2015”. Në nenin 28, data “30.4.2014” zëvendësohet me “30.4.2015”, – thuhet në propozimin e qeverisë, i cili duhet të marrë “OK”-in e Parlamentit. Po çfarë parashikohet në nenin 24 dhe 28 të ligjit për kompensimin e ish-pronarëve? Në nenin 24 parashikohej që afati për kompensimin financiar të pronarëve të ishte data 30 prill 2014, ndërsa neni 28 parashikon që përveç kompensimit financiar duhet që deri në datën 30 prill të këtij vitit të ishte mbyllur dhe kompensimi fizik i ish-pronarëve. Kjo nuk është hera e parë që Këshilli i Ministrave shtyn afatin për kompensimin e ish-pronarëve. Prej disa vitesh qeveritë në pamundësi për të mbyllur kompensimin, zgjedhin rrugën më të thjeshtë, atë të shtyrjes së afatit.
Kompensimi
Ndërkohë, Agjencia për Kthimin dhe Kompensimin e Pronave vazhdon të pranojë kërkesat e ish-pronarëve të cilët presin kompensimin. Prej një muaj pranë këtij institucioni janë paraqitur me qindra kërkesa, kryesisht për dëmshpërblim financiar. Sipas AKKP-së, afati nuk do të jetë i limituar dhe çdo i interesuar mund të paraqitet pranë zyrave përkatës për të dorëzuar dokumentacionin e mëposhtëm. Të gjithë pronarët duhet të dorëzojnë:
-Kërkesën tip, që i vihet në dispozicion nga grupi i punës pranë AKKP-së, të plotësuar sipas rubrikave.
– Dëshminë e trashëgimisë për të gjithë trashëgimtarët e ligjshëm të subjektit përfitues, sipas radhës së trashëgimtarëve, në përputhje me përcaktimet e Kodit Civil. Për dëshmitë e trashëgimive të lëshuara nga gjykata për testamentin e bërë me akt noterial të sillet certifikatë familjare e personit për të cilin është lëshuar kjo dëshmi; (Në rast se subjekti përfitues ka vdekur).
-Prokurën e posaçme, të nënshkruar nga të gjithë subjektet që përfitojnë kompensim, ku si tagër i nevojshëm të jetë edhe e drejta për të tërhequr vlerën financiare, në emër të tyre. Në rastet kur nuk është e mundur të dorëzohet prokura e posaçme, secili bashkëpronar apo një pjesë e tyre, paraqesin kërkesë individuale apo të përbashkët, për pjesën takuese në pronën që kompensohet. Në rastin e kërkesave individuale të secilit bashkëpronarë apo të një pjese të tyre, për çdo aplikim të kryer, paguhet tarife shërbimi në vlerën 2 000 (dy mijë) lekë, pavarësisht se i përket të njëjtës pasuri të paluajtshme.
– Vërtetimin e lëshuar nga banka e nivelit të dytë për hapjen e llogarisë bankare dhe IBAN-in përkatës.
– Fotokopjen e dokumentit të identifikimit.
– Certifikatën familjare të kërkuesit/aplikuesit.
– Mandatpagesën për shumën 2 000 (dy mijë) lekë për çdo aplikim të veçantë. Subjektet përfituese, kërkesa e të cilëve nuk është pranuar për mungesë dokumentacioni gjatë procedurave të mëparshme, kanë të drejtë të riaplikojnë. Këto subjekte nuk paguajnë tarife shërbimi, nëse provojnë pagimin e saj gjatë aplikimit të mëparshëm.
Tregjet, Lati: Ka ende monopol dhe mungesë konkurrence
Kryetarja e Autoriteti të Konkurrencës, Lindita Lati, gjatë një raportimi në Komisionin e Ekonomisë, u shpreh se në Shqipëri ende ekzistojnë monopolet në tregje. “Gjatë vitit 2013, Autoritetit i janë adresuar 16 ankesa nga të cilat: 4 ankesa janë për marrëveshje të ndaluara apo sjellje të bashkërenduara, 8 ankesa janë për abuzimin me pozitën dominuese të një apo disa ndërmarrjeve, 1ankesë për revokimin e vendimit te Komisionit si dhe 3 ankesa që nuk ishin në përputhje me objektin e ligjit ”Për mbrojtjen e konkurrencës”, – tha Lindita Lati. Këto ankesa kanë ngritur shqetësimet e operatorëve për kufizime të mundshme të konkurrencës të shkaktuara nga operatorët apo grupe operatorësh të tjerë. Për këtë qëllim AK ka marrë 42 vendime penalizuese. ”Janë marrë dy vendime për gjoba (1 për marrëveshje të ndaluar dhe 1 për mos njoftimin e përqendrimeve); 13 (trembëdhjetë) vendime për autorizimin e kontrollit të përqendrimeve; 1(një) vendim për dhënie rekomandimesh për institucionet publike dhe entet rregullatore në kuadër të advokacisë së konkurrencës (pa përfshirë opinionet e Komisionit të Konkurrencës të dhëna jo në formë vendimi); 3 (tre) vendime për bazën ligjore sekondare”, – tha Lati.