Gëzim Saliu
Kërkesa e Nishanit për konsultime, Ministrja e Mbrojtjes: E kemi marrë asistencën e aleatëve
Pas debatit për Shërbimin Informativ Shtetëror, është reforma për Forcat e Armatosura ajo që përplas mazhorancën e majtë me Presidentin Nishani. Fill pas deklaratës së dy ditëve më parë të ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri, i cili hodhi poshtë pretendimet e Presidentit se SHISH ka bashkëpunuar me policinë, ka qenë ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli që dje ka rrëzuar kreun e shtetit mbi deklaratat se reforma ne Forcat e Armatosura nuk është konsultuar me Parlamentin, por dhe me partnerët ndërkombëtarë. Sipas ministres së Mbrojtjes, Dokumenti i Rishikimit të Strategjisë së Mbrojtjes është bërë nën asistencën e aleatëve evropianë dhe SHBA-së një vit më parë. “Aleatët janë konsultuar, madje Dokumenti i Rishikimit të Strategjisë së Mbrojtjes është bërë nën asistencën e tyre dyvjeçare, në veçanti të SHBA. Parlamenti është konsultuar, kur ky dokument ka dalë nga dora e Forcave të Armatosura një vit më pare. Në fakt të jem e hapur me ju në atë kohë, kur komisioni i sigurisë nuk lejohej të futej në Ministrinë e Mbrojtjes. Gjithsesi, për këtë janë konsultuar kryetari dhe nënkryetari i atëhershëm i komisionit të mbrojtjes”, – deklaroi Kodheli, pas mbledhjes së Komisionit të Ligjeve, ku u miratua marrëveshja e bashkëpunimit ushtarak financiar ndërmjet Këshillit të Ministrave të Shqipërisë dhe Turqisë.
Kundërshtitë
Mes institucionit të Presidentit dhe Ministrisë së Mbrojtjes është evidentuar një debat, i cili u zhvillua më tej në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare për mënyrën sesi duhet të kryhen reformat në dikasterin që drejtohet nga Mimi Kodheli dhe në lidhje me planin e ri të shpërndarjes së FA që ka përgatitur kjo ministri. Kreu i shtetit ka kërkuar që plani i ri të mos ketë vetëm shkurtime numrash, por të mendohet që ushtria të jetë eficente. “Gjykoj që struktura e re e FA të mos konsiderohet vetëm si një shkurtim numrash për të kaluar në 8500 vetë në vitin 2015, por në radhë të parë ajo duhet të adresojë organizimin më të përshtatshëm të kapaciteteve operacionale të nevojshme për përmbushjen më cilësore të misionit të FA. Ndryshimet sasiore duhet të shoqërohen me cilësi operacionale”. Kjo përplasje mes mazhorancës dhe Presidentit vazhdon prej kohësh, kur vetëm dy ditë më parë Nishani u “përball” me ministrin e Brendshëm Tahiri lidhur me çështjen e Shërbimit Informativ Shtetëror. Pas takimit me Presidentin, Tahiri nuk nguroi të shprehte rezervat për rolin e Nishanit në këtë çështje duke theksuar: “Do ishte e udhës që presidenti të rrinte mbi palët dhe të nxiste bashkëpunimin institucional. Do ishte më e shëndoshë që presidenti të moderonte bashkëpunimin mes institucionaleve se sa duke mbajtur një palë cilado qoftë kjo”. Ndërkohë në reagimin e tij, kreu i shtetit nuk ka fshehur tension që ekziston aktualisht mes tij dhe qeverisë duke e këshilluar Ministrin e Punëve të Brendshme që të evitojë konfliktin verbal me institucionet, veçanërisht në kontekstin e angazhimeve ligjzbatuese. SHISH dhe reforma tek Forcat e Armatosura nuk janë përplasja e vetme mes mazhorancës dhe Presidentit. Nga ana e saj mazhoranca ka dalë kundër dekreteve të Presidentit për anëtarë të Gjykatës së Lartë duke i rrëzuar ato e ndërsa kreu i shtetit ka kundërshtuar shkarkimin e kryeinspektores Zana Xhuka duke e dërguar çështjen në Kushtetuese si edhe ka bërë të ditur se nuk do të dekretojë dy ambasadorë të propozuar nga të majtët.
Vendimi
Qeveria miraton fondin për Luginën e Preshevës
Qeveria miratoi dje vendimin për fondin e Luginës së Preshevës, ku do të jepët një ndihmë financiare në shumën 50 000 (pesëdhjetë mijë) euro që do të përdoret për ndërtimin e maternitetit në këtë komunë. “Kundërvlera në lekë e shumës së sipërpërmendur të transferohet në formën e transfertës dhe të përballohet nga buxheti i vitit 2014, miratuar për Ministrinë e Shëndetësisë, në programin “Shërbimi i kujdesit dytësor”, – thuhej në vendim. Duke theksuar se qeveria është në kontakte të afërta me ekzekutivin e Kosovës dhe përkatësisht ministrinë e Shëndetësisë, ministri Beqaj theksoi se miratimi i fondit përbën përmbushjen e një zotimi edhe programor. “Është një detyrim edhe nga vendimi i përbashkët në mbledhjen e përbashkët me qeverinë e Republikës së Kosovës, që u zhvillua në fillim të janarit. Sot ai angazhim kthehet në realitet. Ne vazhdojmë të jemi në kontakte të afërta me Ministrinë e Shëndetësisë të Republikës së Kosovës, me drejtuesit e Komunës së Preshevës, për të vijuar brenda hapësirave, jo shumë të mëdha financiare që kemi, për të ndërtuar edhe projekte të tjera, në të mirë të kujdesit shëndetësor të shqiptarëve që jetojnë në Luginë”, – tha ai.
Bashkëpunimi
Hiqet tatimi i dyfishtë me Kosovën
Miratohet marrëveshja e përbashkët mes qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Kosovës, lidhur me shmangien e tatimit të dyfishtë mbi të ardhurat dhe kapitalin, si dhe parandalimin e evazionit fiskal mes të dy vendeve. Vendimi u mor në mbledhjen e djeshme të qeverisë, ku ministri i Financave Shkëlqim Cani theksoi se përmes kësaj marrëveshje do përfitojë biznesi si në Kosovë ashtu edhe në Shqipëri. “Për të gjithë ata biznesmenë që zhvillojnë aktivitetin e biznesit si në Kosovë dhe në Shqipëri rritet besimi, rritet siguria për shmangien e tatimit në të dy vendet. Pra, kjo marrëveshje lejon tatim vetëm në njërin nga vendet për bizneset që zhvillojnë aktivitet në të dy vendet. Natyrisht që, edhe kjo marrëveshje vjen në kuadrin e mbledhjes së përbashkët që qeveritë tona patën në Prizren. Në këtë mënyrë ne realizojmë hap pas hapi zotimet që kemi marrë për popullin e Kosovës dhe popullin shqiptar në Shqipëri, lidhur me integrimin e ekonomisë dhe integrimin e biznesit të Shqipërisë dhe Kosovës, në dobi reciproke për të dyja palët”, – deklaroi Cani.
Reforma administrative
Konsultimet në Përmet: Sigurohen 1 mln USD fonde për investime
Konsultimet publike për reformën administrativo-territoriale u zhvilluan dje në Përmet ku ministri i Shtetit për Çështjet Vendore, Bledi Çuçi paraqiti të dhënat e njësive të qeverisjes vendore të këtij rrethi dhe përfitimet që burojnë nga konsolidimi i këtyre njësive. Gjatë takimit u prezantuan dhe u diskutuan kriteret teknike që do të përdoren për ndarjen administrative-territoriale. “Një llogaritje e përafërt tregon se, pas konsolidimit të njësive të qeverisjes vendore mbi bazën e reformës administrative-territoriale, rrethi i Përmetit mund të sigurojë çdo vit afërsisht rreth 1 milion USD fonde neto për investime nga mirëmenaxhimi i burimeve dhe aseteve vendore. Në 1 mandat 4-vjeçar mund të kemi të shtruara me asfalt rreth 20km rrugë rurale, apo të ndërtojmë një shkollë apo 2-3 qendra të reja shëndetësore”, – tha ai. Rrethi i Përmetit ka 9 njësi vendore, 2 bashki dhe 7 komuna. Sipas të dhënave të Censusit 2011 në rrethin e Përmetit ka rreth 17,000 banorë. Rreth 80 deri ne 85% e buxhetit të komunave në rrethin e Përmetit vjen prej granteve nga buxheti i shtetit, ndërsa të ardhurat nga taksat dhe tarifat vendore përbëjnë gati 15% deri ne 20% të këtij buxheti.