Një vajzë nga Malajzia, bija e një nga udhëtari që gjendej në aeroplanin e “Malejsian Aerlines”, të fluturimit MH370, të zhdukur para 12 ditësh, i ka shkruar në “Twitter” babait të saj.
“Baba, Liverpuli është duke e fituar ndeshjen. Eja në shtëpi, edhe ti mund ta shohësh lojën. Ti nuk ke lënë ndeshje (të Liverpulit) pa shikuar. Kjo është hera jote e parë”, – ka shkruar vajza e tifozit të Liverpulit. Të dielën Liverpuli luajti me Mançester Junajtidin, si mysafir, dhe e fitoi ndeshjen me rezultat 3:0.
Aeroplani malajzian ishte zhdukur më 8 mars, derisa po fluturonte prej Kuala Lumpurit për në Pekin. Prej asaj dite nuk është gjetur asnjë gjurmë e aeroplanit, në kërkim të të cilit janë vënë ekipet e pothuaj të gjitha vendeve të rajonit. Zyrtarët e Malajzisë vlerësojnë se zhdukja e aeroplanit është akt i qëllimshëm. Me gjithë satelitët dhe teknologjinë e lartë, kërkimi i avionit i ngjan kërkimit të një gjilpëre në kashtë. Pas zhdukjes së avionit malajzian vazhdojnë hetimet dhe po shtrohet pyetja se mund të zhduket kaq papritmas një objekt i madh krahët e të cilit janë mbi 60 metra? “Zhdukja nuk do të thotë automatikisht se avioni është rrëzuar”, – thotë Jörg Handwerg. Megjithatë, pas një kohe të caktuar “avioni duhet të rishfaqet diku”, – shton ai. Jörg Handwerg është pilot dhe punon pranë Shoqatës Gjermane për Pilotët dhe Inxhinierët e Aviacionit. Ai shpjegon se kontrolli i hapësirës ajrore përmes radarëve është një metodë që përdoret kudo, porse mbi oqeane diapazoni i radarëve është i kufizuar. Në zonat që nuk mund të mbulohen me radarë pilotët lidhen me qendrën përmes radiomarrësve. Valët e radios funksionojnë thuajse në çdo cep të botës dhe, sipas Jërg Handwerg, pilotët njoftojnë përmes radiomarrësve vazhdimisht pozicionin e tyre në rrugët dhe korridoret ajrore edhe nga një lartësi prej 10.000 kilometrash.