Kryeultrasi milanist: Sedorf nuk do 3/4 e skuadrës

0
160

capelli-baroneKryeultrasi i grupimit të tifozëve të Milanit, Xhankarlo Kapeli, është kthyer në personazh mediatik ditët e fundit. Deklarata e tij për momentin negativ të kuqezinjve ka bërë jehonë, kryesisht pas sfidës ndaj Parmës, ku ekipi u kontestua ashpër nga tifozët. I njohur si “Baroni”, tifozi kuqezi rrëfen dialogun e tij me trajnerin e Milanit, Klarens Sedorf. “Përpara se të vinte Klarens kishim shpërndarë një komunikatë ku i qëndronim afër trajnerit Masimiliano Alegrit që sipas nesh nuk ishte fajtor për rendimentin e ekipit. Të gjithë kritikuan pozicionin tonë, duke thënë se rotacioni në stol duhej, por rezultatet nuk janë ato që priteshin”, – shprehet kryetifozi. Më tej ai shton: “Kemi komunikuar me Sedorfin dhe na tha se 3/4 e ekipit që ai drejton nuk i duhet për sezonin e ardhshëm. Këtë na e tha që pas një jave që kishte ardhur”. “Baroni” nuk ndalet me kaq dhe vë në shënjestër administratorin e deleguar të kuqezinjve, Adriano Galianin: “Ai ishte drejtuesi më i mirë i 30 viteve të fundit, por me paratë e Berluskonit që nuk mbaronin kurrë ishte shumë e thjeshtë. Barbara është një figurë e re, ndërsa Galiani tashmë nuk mund të japë më kontributin e tij, koha e Adrianos ka mbaruar”. Baloteli? “Si profesionist nuk diskutohet, ka një talent të madh. Pas ndeshjes ndaj Parmës u takua me ne dhe na kërkoi të falur. I komunikuam se nuk ishim të lumtur për sjelljen e tij jashtë fushës së lojës dhe i kërkuam që të kontribuojë më shumë, pasi është një kampion nga i cili presim si gjithmonë shumë”, – u shpreh kryeultrasi kuqezi.

 

 

Uli Hënes, vetëm natën në burg

Lajmi i mirë për Uli Hënesin, familjen e tij, si dhe për tifozët e Bajernit të Mynihut është se gjykata mund t’i lejojë që në ditën e parë të punësohet në fabrikën e gruas së tij ose tek klubi bavarez. Edhe pse ende nuk është zyrtare, gazeta gjermane “Bild” zbulon se avokatët e ish-presidenti të Bajernit të Mynihut kanë paraqitur në gjykatë kërkesën për të punësuar klientin e tyre jashtë burgut. Në këtë mënyrë, Hënes do të kalojë ditën në punë jashtë burgut dhe në qeli do të kalojë vetëm natën. Pas kryerjes së gjysmës së burgut ish-drejtori i bavarezëve do të ketë të drejtën e lirisë me kusht.

 

 

Guardiola: Gruaja ime, më e vështirë se Robeni

“Gruaja ime është më e komplikuar se Roben”. Në intervistën e dhënë për mediat gjermane, Pep Guardiola, shumë pranë titullit kampion në Gjermani, tregon edhe marrëdhënien e tij me Kristinën, gruan e tij, mamanë e tre fëmijëve, Maria, Marius e Valentina. “Ajo ndonjëherë kritikon vendimet e mia taktike. Më thotë që të luaj me 11-shen që kam fituar ndeshjen e fundit. Por t’i shpjegosh asaj sistemin tim të rotacionit, është aq e vështirë sa të ulësh sot Robenin në stol”, – është shprehur tekniku i Bajernit të Mynihut. Por për Guardiolën është e rëndësishme që të flasësh për futbollin në shtëpi. “Është e pamundur të “ndash me thikë” punën me familjen. Kush thotë se e bën këtë gjë, nuk është i besueshëm. Në shtëpi nuk jam as trajner dhe as menaxher. Unë dhe gruaja ime vendosim së bashku. Harmonia është shumë e rëndësishme dhe është diçka që e kam mësuar shumë shpejt”, – përfundon Guardiola.

 

 

 

Valencia dëmtohet si boksier

Një përplasje e fortë në ndeshjen Mançester Junajtid-Olimpiakos mes Kempbëll dhe Valencia bëri që lojtari nga Ekuadori i klubit anglez të pësonte një hematomë të fortë në syrin e majtë, i cili u fry aq shumë se ishte e pamundur të qëndronte hapur. Valencia mori mjekimin e parë në anë të fushës, por nuk pranoi të zëvendësohej. Sakrifica e tij u shpërblye pasi Mançester Junajtid fitoi 3-0 duke kaluar në çerekfinalet e Ligës së Kampioneve.