“Bllokimi u vlen vetëm atyre që nuk kanë ofertë për qytetarët e Tiranës, nuk kanë ofertë për qytetarët e Shqipërisë, u vlen atyre që nuk kanë asnjë punë për të treguar dhe që xhelozohen me punët e tjera të mira që po kryhen”
“Hiq dorë nga bllokimi dhe lufta politike kundër Bashkisë së Tiranës! Po lufton qytetarët e këtij qyteti, po lufton mirëqenien e tyre, po lufton veprat që u shërbejnë atyre. Hiq dorë, sa nuk është vonë, përndryshe qytetarët e Tiranës, qytetarët e gjithë Shqipërisë do të dinë fare mirë t’i japin atë që meriton, njeriut që nuk u shërben qytetarëve, njeriut që merr ata peng, të ardhmen e qytetarëve!” Më ketë thirrje i është drejtuar kryetari i Bashkisë, Lulzim Basha, Kryeministrit Edi Rama lidhur me bllokimin që po i bën bulevardit të ri të Tiranës. Këtë deklaratë kreu i Bashkisë e bëri gjatë përurimit të Rrugës së Kokonozëve. “Bllokimi u vlen vetëm atyre që nuk kanë ofertë për qytetarët e Tiranës, nuk kanë ofertë për qytetarët e Shqipërisë, u vlen atyre që nuk kanë asnjë punë për të treguar dhe që xhelozohen me punët e tjera të mira që po kryhen, u vlen atyre që nuk kanë ofertë për vendin. Qytetarët kërkojnë punë, Edi Rama po shkatërron vende pune, nuk po krijon të reja. Qytetarët duan qetësi, Edi Rama krijon konflikt të përditshëm, në Parlament dhe jashtë Parlamentit. Qytetarët duan siguri, Edi Rama thotë: “Kriminelët të vrasin njeri-tjetrin!” Qytetarët duan mirëqenie, Edi Rama rrit taksat dhe po bëhet gati të vendosë taksa të tjera mbi qytetarët. Kur ke këtë bilanc zero, normalisht që i vërsulesh punës së të tjerëve, sepse është “halë në syrin tënd””, – u shpreh Basha.
Rruga e re
Me një investim prej 79.4 milionë lekësh, Bashkia e Tiranës i ka dhënë një standard të munguar kësaj zone. Rruga e Kokonozëve është një segment që lidh rrugën “Dalip Topi”, deri në rrugën “Marie Kraja”, në njësinë bashkiake nr. 3 Tiranë, me gjatësi 790 metra linearë. Në këtë rrugë janë ndërtuar rrjetet e kanalizimeve të ujërave të zeza dhe të bardha, janë vendosur 39 shtylla të ndriçimit rrugor, janë mbjellë 115 pemë. Në përurimin e kësaj rruge, kryebashkiaku Basha shprehu kënaqësinë e një premtimi tjetër të shndërruar në realitet. Për herë të parë, kjo rrugë është asfaltuar dhe është sjellë në standardet më të përparuara. Përveç rrugës i është dhënë fund edhe erës së keqe dhe burimit të infeksionit që ishte kanali i ujërave të zeza, që për shumë vite kërcënonte jetën e banorëve. Siç tregojnë banorët, për vite me radhë, ish-kryebashkiaku e premtonte, por asnjëherë nuk e shndërroi në realitet, edhe pse iu besuan 3 mandate në drejtim të Tiranës. “Më vjen mirë që pas më shumë se një dekade harrese, neglizhence por, pse jo, edhe gënjeshtrash ndaj banorëve, më në fund Bashkia e Tiranës ka marrë përgjegjësitë e saj para këtyre qytetarëve, para këtyre taksapaguesve dhe u ka dhënë një infrastrukturë moderne dhe evropiane, në çdo parametër të saj, me trotuare, kolektorë, fibra optike, ndriçues modernë dhe me gjelbërim, mbi 150 fidanë pemësh janë mbjellë dhe besoj se herën tjetër do të jemi këtu për shijuar një kafe, në një nga lokalet e këtij mini-bulevardi, bashkë me banorët e lagjes”, – u përmendi Basha. Kryebashkiaku ka shprehur keqardhjen e tij për përpjekjet e vazhdueshme të Kryeministrit për të bllokuar punët e nisura dhe të munguara për shumë vite në Bashkinë e Tiranës.
Urdhri i Mjekut
Mjekët që nuk marrin kreditet, do të penalizohen
Mjekët që nuk kanë marrë pjesë në procesin e akreditimit do të penalizohen. Ende nuk është vendosur nga strukturat përkatëse nëse mosmarrja e krediteve të mjaftueshme do t’u rrezikojë vendin e punës, por ata nuk do t’u shpëtojnë ndëshkimeve të cilat mund të jenë gjoba, por edhe testime për nivelin e tyre profesional. ”Normalisht që duhet të penalizohen ata që nuk plotësojnë kreditet, është një nga kërkesat për t’u licencuar dhe t’u rilicencuar është plotësimi i krediteve. Jemi në diskutim edhe me Qendrën Ndërkombëtare të Edukimit në Vazhdim dhe me Ministrinë e Shëndetësisë si do të veprohet me këta mjekë të cilët nuk arrijnë të plotësojnë të gjitha kreditet deri në fund të këtij cikli që është 2015″, – tha Din Abazaj, kryetar i Urdhrit të Mjekut Tiranë. Për Urdhrin e Mjekut rilicencimi është problemi më i madh që kanë sot mjekët, në veçanti ata të Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, të cilët ushtrojnë profesionin me licenca të parinovuara. Ndërkohë, ai ngre edhe disa shqetësime të tjera në lidhje me aktivitetin e mjekëve. ”Administratat nuk janë shumë të përkushtuara në punë, një pjesë dërrmuese e tyre janë dryzata politike absolutisht, jofunksionale në drejtim të partneritetit për politikat shëndetësore”, – tha Din Abazaj, kryetar i Urdhrit të Mjekut Tiranë.
Konferenca
Sindroma Down, rritet numri i fëmijëve në Shqipëri
Numri i fëmijëve që lindin me sindromën Down në vendin tonë ka ardhur në rritje, ndërkohë që jetëgjatësia e tyre është rritur ndjeshëm, krahasuar me vite më parë. Ditën e djeshme u zhvillua në Tiranë konferenca shkencore “Shëndeti dhe mirëqenia, kujdes dhe barazi për të gjithë”, të organizuar nga “Jonathan Center”, përfaqësuese e “Down Syndrome International” për Shqipërinë. Mjekët thonë se 50% e këtyre raste u nënshtrohen ndërhyrjeve në zemër, ndërkohë që në këtë ditë u bëjnë thirrje të gjitha strukturave për të bërë më shumë për këta fëmijë. ”Gjysma e fëmijëve me sindromën Down janë mbartës të një defekti në zemër, korrigjimi i të cilit bëhet më anë të ndërhyrjes kirurgjikale në zemër. Këta nuk duan të jenë më handikap të shoqërisë, nuk duan thjesht të vegjetohen dhe të marrin një pension. Janë fëmijë që duan të jetojnë. unë njoh fëmijë që shkojnë në shkolla”, – tha Numila Kuneshka, mjeke pediatre. Kreu i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, i pranishëm në aktivitetin e organizuar në Tiranë, “Shëndeti dhe mirëqenia, kujdes e barazi për të gjithë” u shpreh se ministria do të mbështesë të gjitha organizatat që ofrojnë seanca terapie në ndihmë të këtyre fëmijëve.