Sonja Caka
Prishja e martesës, konstatohen çifte pa mbushur 5 vitet e para të martuar
Psikologia Binjaku: Ja shkaqet që çojnë një çift t’i drejtohet gjykatës për t’u ndarë
Institucioni i martesës ka hyrë në një krizë të thellë. Këtë e demostron më së miri numri i lartë i kërkesave për divorc të paraqitura në gjykata, por edhe numri i madh i vendimeve të marra vetëm gjatë 3-mujorit të parë të këtij viti. Kemi bërë një vëzhgim në Gjykatën e Tiranës, gjykata më e madhe në vend ku rezulton të jenë zgjidhur 300 martesa, ndërsa të tjera janë në proces zgjidhjeje. Jo të gjitha janë kërkesa të depozituara në gjykatë gjatë këtij viti, pasi janë mbartur nga viti i kaluar, por ajo që e bën shqetësuese është se ende pa u mbylluar muaji mars, rezulton që të jenë divorcuar 300 çifte. Të interesuar pranë gjykatës, konkretisht pranë gjyqtarëve që shqyrtojnë këto kërkesa, mësojmë se ka një numër mjaft të madh çiftesh të reja, jo më shumë se 5 vjet të martuar, të cilët për mospërputhje karakteresh kërkojnë prishjen e martesës. “Pjesa më e madhe e tyre janë martuar pas një lidhjeje të gjatë, pse jo edhe bashkejetesë, dhe pas dy vitesh martese kërkojnë të ndahen. Madje, as pranojnë të diskutojnë gjatë seancës së pajtimit, duke e refuzuar atë” shprehen për “standard” gjyqtare pranë këtij seksioni.
Shkaqet e ndarjeve
Mospërputhje karakteresh. Kjo është një nga më tipiket në vendimet e gjykatave, duke fshehur arsyet e vërteta të ndarjeve të tyre. Gjyqtarët na japin arsye nga më të ndryshmet; si problemet ekonomike, mospërballja me problemet që vijnë pas ardhjes së një fëmije, mosardhja e një fëmijë pas një kohe të gjatë martese, ndërhyrjet e pjesëtarëve të tjerë të familjes, etj. Lidhur me shkaqet që çojnë një cift t’i drejtohet gjykatës për të prishur atë lidhje të cilën e ka dëshiruar aq shumë dhe e ka finalizuar, i morëm një mendim edhe psikologes Entela Binjaku. “Divorci nuk është thjesht një ngjarje e jetës apo ngajrje në jetë; ai është një proces në përgjithësi traumatik i cili kalon nëpër disa etapa, që fillojnë me shpërbërjen ose “erozionin”e raportit martesor dhe mbyllen me zgjidhjen ligjore të njohur të martesës e njohur edhe nga shoqëria” shprehet psikologia Binjaku, duke na rendtur një sërë treguesish që çojnë në shpërbërjen e martesës. “Treguesi i parë i shpërbërjes së martesës është shprehja e pakënaqësisë ndaj bashkëjetesës në çift. Motivet e pakënaqësisë janë pothuajse të njëjtat: mungesë besnikërie, agresivitet verbal, konflikte të forta mes bashkëshortëve. Numri i lartë i divorceve në vendin tonë mund të lidhet me zhgënjimin e pritshmërive nga institucioni i martesës, pritshmëri më të larta të partnerëve ndaj njërit-tjetrit, më tepër sesa ata munden realisht. Mungesa e tolerancës sociale në shoqërinë shqiptare ndaj bashkëjetesës, i nxit çiftet ose i përshpejton të martohen ende pa pasur një njohje më të thelluar ndaj njëri-tjetrit. Gjithashtu, ka edhe raste kur familja që fomohet falë martesës nuk arrin të kryejë të gjitha funksionet e pritshme, sic është ai riprodhues dhe kjo mund të shërbejë si një pikënisje e një divorci. Kjo ndodh kryesisht në ato raste kur funksioni i riprodhimit përfaqëson të gjithë motivin e martesës, duke zbehur cdo lloj funksioni tjetër përfshirë edhe atë afektiv mes partnerëve. Zakonisht pakënaqësia e femrave lidhet me dhunën verbale të bashkëshortëve ose përdorimin e alkoolit prej tyre, ndërkohë që burrat kryesissht shfaqin pakënaqësi seksuale apo të mungesës së afeksionit nga ana e bashkëshorteve. Në fazën e parë partnerët pakënaqësinë e përjetojnë të vetëm ose e diskutojnë me miq të ngushtë apo të afërm. Në fazën tjetër e shfaqin hapur njërit-tjetrit këtë pakënaqësi dhe nisin edhe të përballen, ndërkohë që në fazën e tretë arrijnë në përfundimin se qëndrimi sëbashku është i pamundur dhe raporti nuk mund të vazhdojë” shpjegon për “standard” psikologe Entela Binjaku.
Rritja e numrit të divorcve
Dita-ditës në gjykatë ka një shtim të kërkesave për prishje të martesës. Po pse gjithë këto kërkesa për zgjidhje martese? E pyetur mbi këtë fenomen shqetësues në shoqërinë tonë, psikologia Binjaku shprehet se “prirja e rritjes së divorceve në vendin tonë mund të lidhet me disa faktorë si: urbanizimi i jetës shqiptare, modifikimi i raporteve familjare, rënia e ndikimit të faktorëve të traditës, ndryshimet e qëndrimeve që mbajnë shqiptarët ndaj martesës, rritja e shkallës së emancipimit të gruas, rritja e tolerancës sociale ndaj njerëzve me statusin e të divorcuarve etj”. Megjithatë, sipas znj.Binjaku, divorci, pavarësisht traumës nëpër të cilën kalojnë pjestarët e përfshirë, duhet të lexohet në të gjithë kompleksitetin e tij. “Një mënyrë të lexuari është edhe aspirata e njerëzve për një jetë të lumtur, e cila duhet të ndihmohet përmes njohjes më të mirë të bashkëshortëve, kujdesit që familja e ardhshme të ketë mundësinë të kryejë të gjitha funksionet e pritshme” përfundon psikologia, duke na servirur edhe disa të dhëna vjetore për statistikat vjetore të prishjes së martesës. Kështu, nga janari deri në dhjetor të vitit 2013, numri i rasteve për zgjidhje në Gjykatën e Tiranës ishte 764 çifte që kërkonin të ndaheshin, nga këto 563 ishin raste të mbartura dhe 201 raste të reja. Ndërkohë që vetëm gjatë 3 muajve të parë të këtij viti kemi 660 raste të paraqitura për zgjidhje martese, nga këto 563 raste të mbartura dhe 240 raste të reja.
Disa shkaqe ndarjeje
Shprehja e pakënaqësisë ndaj bashkëjetesës në çift, e shprehur në mungesë besnikërie, agresivitet verbal, konflikte të forta mes bashkëshortëve;
Zhgënjimi i pritshmërive nga institucioni i martesës, pritshmëri më të larta të partnerëve ndaj njërit-tjetrit, më tepër sesa ata munden realisht;
Mungesa e tolerancës sociale në shoqërinë shqiptare ndaj bashkëjetesës, i nxit çiftet ose i përshpejton të martohen ende pa pasur një njohje më të thelluar;
Kur familja që fomohet falë martesës nuk arrin të kryejë të gjitha funksionet e pritshme, sic është ai riprodhues dhe kjo mund të sjellë divorc;
Pakënaqësia e femrave lidhet me dhunën verbale të bashkëshortëve ose përdorimin e alkoolit prej tyre
Burrat kryesisht shfaqin pakënaqësi seksuale apo të mungesës së afeksionit nga ana e bashkëshorteve