Reforma administrative territoriale / Rama, letër Bashës: Takim sy më sy për të gjetur bashkëpunimin

0
165

Gëzim Saliu

Kryeministri: Synimi ynë, që reforma të miratohet me konsensus të plotë dhe gjithëpërfshirje

“Kemi vullnetin për ta nisur e bitisur së bashku këtë proces, edhe pse disponojmë 84 votat”

 

basha-dhe-ramaKryeministri Edi Rama i ka dërguar një letër kryetarit të opozitës, Lulzim Basha, ku kërkon gjetjen e mundësive për të arritur konsensusin mes palëve për reformën administrative territoriale. Në letrën e kreut të qeverisë, e cila mban datën 21 mars, e publikuar vetëm dje nga Kryeministria, thuhet se synimi i mazhorancës është që reforma të kryhet me konsensus dhe gjithëpërfshirje. Megjithëse në ftesë nuk ka përcaktuar haptas nëse do të pranohet kërkesa e opozitës për konsensus deri në fund të procesit, Rama ka theksuar domosdoshmërinë e kryerjes së kësaj reforme. “I nderuar zoti Basha, reforma administrative-territoriale është konsideruar e domosdoshme, jo vetëm nga të gjitha partitë më të mëdha politike në vend, por edhe nga partnerët e Shqipërisë dhe nga organizatat më të rëndësishme ndërkombëtare. Synimi i shpallur i “Aleancës për Shqipërinë Evropiane” është që kjo reformë të miratohet me konsensus të plotë dhe gjithëpërfshirje të të gjitha forcave politike dhe grupeve të interesit”, – thuhej në letër.

Letra

Duke bërë të ditur ato çfarë deri më tani mazhoranca i ka ofruar opozitës, për të cilat kjo e fundit ka nënvizuar domosdoshmërinë e konsensusit deri në fund të procesit si edhe ndaljen e sulmeve ndaj institucioneve të pavarura, Kryeministri i shprehu kreut të PD-së gatishmërinë edhe për t’u takuar, siç shkruan ai, “sy më sy”. “Lejomëni t’ju shpreh në fund gatishmërinë time për t’ju takuar sy më sy, nëse ju do të donit të ndanit me mua çfarëdo shqetësimi lidhur me këtë çështje me interes kaq të veçantë për të gjithë. Për të sotmen dhe të ardhmen e Shqipërisë”, – pohoi Rama. Sipas kreut të qeverisë, fakti se mazhoranca po e pret opozitën të vijë në komision, dëshmon qartë: “Vullnetin tonë për të për ta nisur e bitisur së bashku këtë proces, edhe pse disponojmë 84 votat e nevojshme për miratimin e reformës administrative-territoriale”. “Deputetët tanë kanë votuar për ngritjen e një komisioni parlamentar për reformën administrative-territoriale, të bashkëkryesuar nga opozita dhe shumica, secila palë me numër të njëjtë anëtarësh dhe po ashtu me të drejtë vetoje në procesin vendimmarrës të komisionit. Pra komisioni parlamentar i siguron opozitës të drejta të njëjta me ato të shumicës nga fillimi në fund të procesit. Për gjithë sa më lart, vendosa të bëj edhe këtë përpjekje të drejtpërdrejtë në adresën tuaj, duke ju ftuar ta nisim pa humbur kohë bashkërisht, shumicë dhe opozitë, punën në komisionin për këtë reformë me interes të posaçëm strategjik për vendin”, – shkruante Rama në letrën e tij drejtuar kreut të opozitës. Dy ditë më parë, Kryetari i Parlamentit, Ilir Meta, inkurajoi një takim mes Kryeministrit Edi Rama dhe kryetarit të opozitës, Lulzim Basha, për të diskutuar lidhur me miratimin e reformës administrativo-territoriale. Letra e kreut të qeverisë duket se do të jetë përpjekja e fundit e shumicës për të bindur opozitën që të marrë pjesë në realizimin e reformës territoriale, pasi Kryeministri thekson se vendosi ta bëjë edhe këtë përpjekje të drejtpërdrejtë në adresë të kryetarit të opozitës. Deri më tani opozita ka refuzuar të marrë pjesë në këtë komision dhe ka sqaruar se ky qëndrim ka të bëjë me faktin se mazhoranca nuk jep garanci se u përmbahet pakteve dhe marrëveshjeve, nisur edhe nga shkelja e konsensusit për ligjin e nëpunësit civil dhe për akte të tjera të ngjashme, por përpos kësaj, ftesa e Kryeministrit ndaj kreut të opozitës për një takim mes tyre vjen jo vetëm në një klimë të rënduar parlamentare, por edhe në një kohë kur lufta mazhorancë-Bashki e Tiranës ka arritur nivele të larta.

 

Rama në Gjakovë takon Kusari-Lilën, diskuton projektin e Alpeve

Në turin e takimeve në Kosovë, Kryeministri Rama u ndal fillimisht në Gjakovë, ku zhvilloi një takim me kryetaren e kësaj Komune, Mimoza Kusari-Lila, ku diskutoi për projektin e Alpeve si pjesë e ofertës turistike. Kryeministri u shpreh i impresionuar nga projekti të cilin e ka prezantuar Kusari-Lila para tij duke theksuar se Gjakova – zonë e lirë ekonomike është një nga risitë kryesore. Ndërkaq, kryetarja e Gjakovës, Kusari-Lila, bëri të ditur se në takim me Ramën kanë diskutuar për projekte të ndryshme dhe të përbashkëta ekonomike. Pas këtij takimi, Kryeministri vizitoi kompaninë “Devolli” sh.p.k., qendër grumbullimi e prodhimeve bujqësore në Pejë. Shefi i qeverisë deklaroi: “Sfida jonë është të dalim jashtë Kosovës dhe Shqipërisë, të eksportojmë produktet shqiptare në BE”.

 

Tryeza e bashkëpunimit ekonomik

Kosovë, Rama: Të krijohet Dhoma Kombëtare e Tregtisë

Të krijohet Dhoma Kombëtare e Tregtisë si nevojë e bashkimit të sipërmarrjeve shqiptare. Kështu deklaroi dje Kryeministri Rama gjatë vizitës në Kosovë, ku mori pjesë në tryezën për bashkëpunimin ekonomik mes dy vendeve. “Duhet ndërtuar një Dhomë e Tregtisë Kombëtare, që të bashkojë sipërmarrjen shqiptare nga çdo pjese e Shqipërisë dhe Kosovës dhe të dialogojë në emër të të gjitha dhomave. Për të bërë kombëtaren e futbollit na pengon FIFA dhe UEFA, për kombëtaren e sipërmarrjes nuk na pengon askush”, – deklaroi Rama. Gjatë fjalës së tij, Rama theksoi se qeveria ka marrë masat për të nxitur investimet e huaja në Shqipëri duke ofruar territorin me qira 1 euro. “Qeveria ka marrë një masë për çdo investim prodhues ve në dispozicion terrenin me një qira vetëm 1 euro në vit si përpjekje port të nxitur investimet e huaja. Është një masë për këdo nga ju që do të vijë dhe të investojë në Shqipëri”. Më tej kreu i qeverisë sqaroi se cilat janë masat që do të merren për të lehtësuar dhe forcuar bashkëpunimin ekonomik me Kosovën. “Vendosëm të heqim tatimin e dyfishtë. Kemi vendosur të eliminojmë TVSH-në për librat, gazetat dhe revistat. Besojnë se shkëmbimi pa pengesa e çdo gjëje të shkruar shqip është me rëndësi të madhe për të dyja anët e kufirit. Javën e ardhshme në mbledhjen e qeverisë do futet skema e përjashtimit të TVSH-së për tubat e çelikut. Të reduktojmë ditët e transitit me orë. Të garantojmë sigurinë e energjisë elektrike duke pasur autoritet të përbashkët për blerjen e energjisë. Të krijohet një urë komunikimi mes bizneseve dhe politikës. Kush prodhon në Kosovë dhe kush prodhon në Shqipëri nuk duhet të ketë asnjë lloj kufiri. Të stimulojmë dhe informojmë me politika të përbashkëta që të gjithë të punojmë dhe jetojmë pa penguar njëri-tjetrin”, – pohoi Rama.